Maçuka: nxënësi i fundit i Allendes në fillimin e diktaturës së Pinoçetit

/Valton Marku/

Pedro Maçuka është një nxënës i varfër i shkollës private të të pasurve “St Peter” në Stantiago të Kilit. I lindur në rendin ekonomik të vjetër: përjashtues, duke jetuar në të renë: gjithpërfshirese, ai përfundon përsëri si i përjashtuar. Maçuka është personifikimi i fëmijëve të shtypur të Kilit pas vendosjes së diktaturës së Augusto Pinoçetit më 1973. Përmes tij, producenti kilian Andres Wood trajton historinë e jetesës shoqërore në dy etapa në Kili, udhëheqjen barazimtare të Salvador Allendes si dhe diktaturën e Augusto Pinoçetit; revolucionin dhe reaksionin. Filmi vë në spikamë po ashtu atë që njihet në sociologji si “luftë e klasave” duke shpërfaqur imtësisht kontradiktat ndërmjet tyre, praktikimin e “teologjisë çlirimtare” nga klerët fetarë katolikë të cilët pikënisje kishin maksimën së zoti është në mesin e të shtypurve.

Në 2004-n producenti Andres Wood, pasi kishte përfunduar filmin “Maçuka”, kishte thënë se askush më shumë sesa fëmijët nuk e kanë përjetuar më rëndë gllabërimin e demokracisë në Kili. Në kohën e grushtit të shtetit të Augusto Pinoçetit ai ishte tetë vjeçar. “Fëmijët i përjetojnë ngjarjet, por nuk i gjykojnë ato. Ata thjesht jetojnë dhe bëhen dëshmitarë më pas”. “Maçuka” del të jetë dëshmia e fëmijërisë se producentit Andres Wood. Përjetimi e gjykimi i tij.

Salvador Allende erdhi në pushtet më 1970 pas 32 vjetësh angazhimi politik dhe humbje pas humbjeje. U rrëzua me grusht shtet nga Augusto Pinoçeti më 11 shtator 1973. Ishte presidenti i parë marksist që erdhi në pushtet përmes zgjedhjeve, duke triumfuar ndaj djathtistit Horhe Alesandri dhe Radomiro Tomiç.

Filmi “Maçuka” trajton vitin e tretë të qeverisjes së Allendes, ku protagonisti kryesor Pedro Maçuka hyn në shkollën elitare të quajtur “St. Peter”. Arsimimi ishte privilegj i të pasurve para ardhjes në pushtet të Salvador Allendes, të varfrit në ambientet e shkollave private së paku mund të ishin pastrues. Maçuka është përjashtimi i këtij rregulli. Me të marrë pushtetin, Allende kishte filluar ndryshime rrënjësore që nga nacionalizimi i industrive të mëdha e bankave deri te transformimi i sistemit shëndetësor e arsimor. 3.000 bursa studimi ishin dhënë më 1970 falë qeverisjes së tij. Filmi që në nisje ravijëzon dallimin e parë klasor e që paraqitet te veshja. Përballë shumicës së veshur me uniformë, janë pesë të leckosur. Për Maçukën dhe të tjerët si ai, ditët e para të shkollës karakterizohen me grindje e rrahje. Ashtu siç ishte refuzuar historikisht klasa punëtore nga klasa kapitaliste, edhe refuzimi që nxënësit e pasur u bëjnë të pesëve është në të njëjtën vijë historike. Gonzalo, Silvana dhe Ati MeKenro janë protagonistët e tjerë të filmit.

Statusin shoqëror që u jep nxënësve një institucion privat arsimi në një shoqëri të varfër del në pah në njërën prej skenave ku babai i Silivanës, teksa kthente kamionetën përballë shkollës, u drejtohet dy nxënësve duke iu thënë: “Keni një shkollë mjaft të mirë”. Sinkron ata i përgjigjen: “Është shkollë private”. Më pas ai u kërkon falje për ofendimin. Pra, ngatërrimi i të pasurve me të varfër përbën ofendim për të pasurit, ndërsa ngatërrimi i të varfërve me të pasurit përbën privilegj, që është veçse iluzor të cilin priren ta mirëmbajnë ata dhe që vjen si pasojë e mungesës së barazisë. Klasa e pasur është klasë e dëshiruar meqë historikisht ka dominuar në kushtet e jetës materiale të shoqërisë. Rrugëtimin me kamionëtë babai i Silvanës, Silavana, Maçuka dhe Gonzaloja e marrin për të shitur flamuj në protestën kundër Allendes të Frontit Nacional (babai i Silvanës shiste flamuj në të dyja taboret për të siguruar bukën e gojës). Që të katër shesin flamuj edhe në protestën pasuese të socialistëve pro Allendes. Kjo skenë e sjell vizualisht fillimin e organizimit grabitës të djathtëve në një anë dhe gatishmërinë e të majtëve për të mbrojtur Allenden më 1973. Në te dy protestat, lehtazi shihet dallimi fundamental i dy kauzave. Allende përfaqësonte barazinë e gjithëpërfshirjën, Fronti Nacional egoizmin dhe përjashtimin. Në njërën anë protestonin të shfrytëzuarit, në tjetrën shfrytëzuesit. Të majtët për vazhdimin e së resë, të djathtët për rikthimin e së vjetrës. Revolucionarët kundër reaksionarëve. Internacionalistët kundër nacionalistëve.

Fillimin e fundit të Allendes e shënjon veprimi ku e emëron Pinoçetin si Shef të Shtabit të Ushtrisë. Gazetarja kiliane Isabel Allende thoshte se lajmin për përfshirjën e Pinoçetit në grusht-shtet e kishin kuptuar nga lajmet. Në kohën kur agjenturat kryesisht amerikane sponzoronin grushte shteti e diktatura në kontinentin amerikan, Allende ishte kritikuar nga presidenti kubanez Fidel Kastro për mos futjen e ushtrisë nën kontrollin presidencial. Bashkë me ngritjen e Pinoçetit, protestat ishin shtuar rrugëve të Santiagos. Në tri skena të filmit e shohim një parullë në mur që në fillim, e cila nis me “No a la Guerra Civil” (Jo luftë civile), vazhdon diku në mes të filmit me Jo-në (No) e shlyer në parullë, “A la Guerra Civil” (Luftë civile) dhe në fund mbetet muri i lyer, zbrazët. Ky përshkrim figurativ është sinonim i diktaturës: së pari tradhëton, më pas ekzekuton klasat e përjashtuara, në fund tenton ta shlyejë historinë. Bilanci është zero, zbrazët, ashtu siç do të njihet përherë Pinoçeti.

Karl Marksi, duke teorizuar mbi klasat në bazë të marrëdhënieve në prodhim e më pas duke e analizuar shoqërinë nëpër etapa historike, klasën e mesme të ulët apo mikroborgjezinë e quan “reaksionare” dhe “aleate natyrore të proletariatit” apo klasës punëtore revolucionare. Kur ashpërsohen kontradiktat klasore, kapitali përqëndrohet në duart e klasës së lartë, borgjezisë. Mikroborgjezia humb mundësinë të nxjerrë mbivlerën dhe shndërrohet në proletariat. Për këtë arsye Marksi e quan “aleate natyrore të proletariatit”, ndërsa “reaksionare” për shkak se deri në ashpërsimin e kontradiktave, kjo klasë i rri nën sqetull borgjezisë. Ky shembull paraqitet në skenën ndoshta më të fuqishme të filmit, ku babai i Maçukës vjen i dehur në shtëpi dhe takon Maçukën, Gonzalon dhe Silvanën. Pasi merr përgjigjën se Gonzaloja i pasur është shok i Maçukës së varfër, ai i drejtohet të birit kështu: “A e di se ku do të jetë shoku yt pas pesë vjetëve? Do të fillojë kolegjin, ndërsa ti do të pastrosh nevojtore. Pas dhjetë vjetëve, shoku yt do të fillojë të punojë në kompaninë e babait të tij. Ndërsa ti ende do të jesh duke pastruar nevojtore. Pas pesëmbëdhjetë vjetëve, shoku yt do ta drejtojë kompaninë e babait të vet. Ndërsa ti? Merre me mend. Do të jesh ende duke pastruar nevojtore. Ç’shok? Ai as që do të ta mbajë mend emrin deri atëherë. Ky, ky shoku yt.”

Mllefi i babait të Maçukës mbi atë se ç’është shoku i klasës shtypëse pasqyrohet në skenën e fundit pas grusht shtetit të Pinoçetit. Në prezencën e Gonzalos kryhen krime të llahtarshme në lagjen e Maçukës dhe Silvanës. Kjo e dyta vritet duke mbrojtur babanë pasi i kishin gjetur flamuj të Partisë Socialiste. Sipas gazetarës Isabel Allende, kjo ishte dita kur qytetarët e Kilit e varrosën lirinë. Rreth 3.000 njerëz u vranë gjatë dhe pas grushtit të shtetit. Ndër ta besohet se edhe poetit Pablo Neruda iu shpejtua vdekja. U ekzekutua themeluesi i zhanrit muzikor “Nueva Cancion” Victor Jara. Këngët e tij kushtronin thirrjet për çlirimin e të shtypurve të botës. Poezitë e Nerudës kumbonin dashurinë mes njerëzve. Salvador Alende u vetëvra ditën e grusht shtetit. Pinoçeti në krye të Kilit qëndroi për 17 vjet, ndërsa edhe tetë vjet të tjera në krye të ushtrisë.

Ato çka trajton përgjithësisht filmi “Maçuka” janë dallimet sociale mes klasave dhe kontekstin historik të ardhjes në pushtet të Juntës. Te varfërve iu shpërfaqet degjenerimi si pasojë e pamundësisë, ndërsa të pasurve si pasojë e bollëkut. Po ashtu vihet në pah shumësia e lukseve të panevojshme te të pasurit, ndërsa te të varfërit mungesa e domosdoshmërive elementare. Të gjitha këto shkak e kanë kapitalizmin. Filmi do të ishte i pakompletuar poqese nuk do ta trajtonte atë që njihej si “teologjia çlirimtare” në Amerikë Latine. Ideja se vendi i predikuesve të zotit është në angazhimin për barazi shoqërore krah për krah me të shtypurit ishte karakteristikë e kësaj fryme. “Zoti është në mesin e të shtypurve” – kishte thënë at Romeroja në El Salvador disa ditë para se të vritej. At MeKenroi arrin subjektivitet të lartë kur e ha të gjithë kungimin. Ai pranon të mallkohet për të nëmur shkollën “St. Peter”. “Ky vend nuk është më i shenjtë” – thotë ai. Kapitalizmin duhet ta çrrënjosim themi ne të shfrytëzuarit e kapitalizmit.

Ky artikull është botuar nën licensën CCA 4.0 (Creative Commons Attribution 4.0 International License).

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.