Refugjatët, të zënë midis luftërash

/Hajdi Bengu/

Ç’është një refugjat? Sipas Konventës së Gjenevës mbi Refugjatët (1951), një refugjat është një person që ndodhet jashtë kufijve të vendit të tij të nënshtetësisë nga frika e persekutimit për shkak të racës, besimit fetar, kombësisë apo përkatësisë së tij në një grup social të veçantë apo për shkak të ideve politike dhe që e ka të pamundur apo, për shkak të frikës, nuk ka dëshirë të kthehet në vendin e tij. Konventa e Gjenevës mbi refugjatët përcakton të drejtat e tyre, e sidomos të drejtën për të kërkuar azil. Shteti tek i cili kërkohet azil është i detyruar t’i garantojë refugjatit të drejtat themelore të njeriut dhe në asnjë mënyrë të mos e kthejë atë në vendin e origjinës, përderisa frika nga persekutimi vazhdon të ekzistojë. Ndërsa Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut (1948), në artikullin e saj të 13, i njeh kujtdo të drejtën për t’u larguar nga shteti ku ndodhet, qoftë edhe shteti i tij. Pra çdo njeriu i njihet e drejta të emigrojë.

Që prej nisjes së saj, e sidomos pas ngritjes së Shtetit Islamik, Evropa e ka përjetuar luftën civile siriane përmes një krize refugjatësh. Fluksi i tyre nisi vite më parë, por filloi të ndihej në kontinentin e vjetër në gjysmën e dytë të këtij viti. Një zinxhir ngjarjesh tragjike kanë tronditur opinionin shoqëror evropian. Në korrik të këtij viti Hungaria filloi ndërtimin e një gardhi telash me gjemba përgjatë kufirit të saj me Serbinë për të mbajtur jashtë refugjatët që kërkonin të hynin në BE. Pak ditë më vonë, David Kameroni paralajmëroi shtetasit e tij për ekzistencën e një “lukunie” njerëzish që duan të vijnë në Britani përmes Mesdheut. Por ajo që zgjoi vëmendjen e të gjithë evropianëve ishte ngjarja e 27 gushtit. Një kamion mallrash u gjet i braktisur përgjatë një rruge në Austri. Brenda tij gjendeshin trupat e pajetë të 71 sirianëve. Vetëm gjashtë ditë më vonë, fotoja e trevjeçarit Ajlan al-Kurdi, i mbytur në bregdetin turk teksa përpiqej bashkë me familjen të arrinte brigjet greke, provokoi nëpër Evropë një valë solidariteti me refugjatët sirianë. Të nesërmen slogani “Mirësevini refugjatë!” u bë hit. Rreth 250,000 britanikë mbështetën një peticion me të cilin i kërkuan shtetit të tyre të marrë përgjegjësitë e veta në akomodimin e sa më shumë refugjatëve. Qindra u nisën me tren nga Budapesti për në Austri. Te tjerë më këmbë për në Gjermani. Në datën 12 shtator samiti i ministrave të brendshëm të BE-së dështoi në arritjen e një marrëveshje për menaxhimin e fluksit. Gardhi me gjemba në Hungari mbaroi së ndërtuari. Austria, Sllovakia, dhe Gjermania rivendosën kontrollin e kufijve duke pezulluar detyrimet e tyre ndaj marrëveshjes Shengen. Hungaria shpalli gjendjen e emergjencës dhe kërcënoi me burgim deri në tre vjet të gjithë ata që do të hynin ilegalisht në territorin e saj. Padyshim, kjo është shkelje e Konventës së Gjenevës dhe e të drejtave themelore të njeriut. Por tragjedia e vërtetë ndodh në jug të kontinentit: në Mesdhe, në Egje dhe në ishujt grekë. Çdo ditë në brigjet greke zbarkojnë rreth 2000 refugjatë. Ishujt grekë janë të mbipopulluar me sirianë të ikur nga lufta. Mesdheu është kthyer në një varr gjigand, ku varka dhe anije me qindra refugjatë në bord mbyten para se të mbërrijnë brigjet evropiane.

Rruga që detyrohen të zgjedhin refugjatët është e gjatë dhe e mbushur me rreziqe. Ata që i shpëtojnë kthetrave të Shtetit Islamik në Siri u drejtohen vendeve fqinje. Ndërsa ata që duan të mbërrijnë Evropën kalojnë nga Turqia. Në fillim të nëntorit, Turqia numëron 2,200,000 refugjatë sirianë në kampet e saj. Ky është numri më i madh i sirianëve të zhvendosur në një shtet tjetër. Biznesi i trafikimit të emigrantëve lulëzon. Më të guximshmit paguajnë trafikantët për t’i kaluar në anën tjetër të Egjeut. Në më të shumtën e rasteve gomonet e tyre mbyten në ujërat e akullta shumë pranë brigjeve greke dhe ata mbeten në mëshirën e dallgëve derisa rojet bregdetare t’i shpëtojnë.

“Gomonia u shpua dhe ne ramë në det” – thotë Ahmedi, një 34 vjeçar sirian. “Qëndrova në ujë për 45 minuta para se të më nxirrnin prej aty. Edhe sikur të jetoj 200 vjet, nuk do ta harroj kurrë atë eksperiencë. Ishte hera e parë kur ndjeva se mund të vdisja.”

Kalvari vazhdon nëpër ishujt grekë, në kufirin e mbipopulluar me Maqedoninë, ku ushtarët kanë marrë urdhër për të zmbrapsur këdo, në shkelje të plotë të ligjeve ndërkombëtare. Nëse kalojnë këtu, rruga vazhdon përmes Serbisë, shpesh herë duke fjetur jashtë, në stacione trenash apo në sheshe. Gardhi në kufi me Hungarinë e vështirëson udhëtimin, por nuk i ndal refugjatët. Ata i kanë shpëtuar urrejtjes së luftës, një gardh nuk mund t’i bëjë të kthehen sërish atje. Ata që janë më me fat arrijnë në Austri, Gjermani, Francë apo Belgjikë. Imagjinojeni këtë udhëtim, por jo me mjete motorike! Me makina, autobusë dhe trena lëvizin sirianët më të pasur. Ata që nuk e kanë atë status lëvizin në këmbë. Maratona e tyre zgjat me muaj të tërë, pa dokumente, nën kërcënimin e urisë, etjes dhe dhunës policore, pa para dhe shpesh me fëmijët e vegjël me vete.

Por përtej të gjitha peripecive, çfarë bën Evropa për të ndihmuar dhe mikpritur të arratisurit nga tmerret e luftës? Asgjë. Për më tepër, po i pengon, duke ua bërë të pamundur udhëtimin rraskapitës. Në tetor 2004, për të ndaluar aksesin në 42,000 km vijë bregdetare, 9,000 km kufij tokësorë dhe më shumë se 300 aeroporte ndërkombëtare, Bashkim Evropian krijoi “Agjencinë Evropiane për Menaxhimin e Bashkëpunimit Operacional në Kufijtë e Jashtëm të Anëtarëve të BE-së”. Agjencia njihet shkurt si Frontex dhe e ka qendrën në Varshavë. Frontex-i luan një rol kyç në krizën e refugjatëve dhe kontrollin e kufijve evropianë. Për këtë ka disa tregues: buxheti i agjencisë, i cili është rritur ndjeshëm nga viti në vit (Nga 19 milionë euro në 2006, në 118 milionë euro në 2011), teknologjia dhe resurset ushtarake që ajo përdor, si dhe statusi i veçantë autonom që ajo gëzon. Gjithsesi, disa pyetje thelbësore ngrihen në lidhje me funksionin dhe përgjegjësitë e agjencisë: Kush është përgjegjës në rast dhunimi të të drejtave njerëzore të emigrantëve dhe refugjatëve? Vetë agjencia, shteti ku zhvillohet operacioni, apo shteti i origjinës së emigrantit? Çfarë mekanizmash efektivë përdoren për t’u garantuar emigrantëve të drejtat themelore të njeriut? Çfarë mekanizmash përdor agjencia për të garantuar se refugjatët nuk do të kthehen në vendet e origjinës? (Non-refoulement është principi i moskthimit të refugjatit në vendin e origjinës apo në çdo vend tjetër ku të drejtat e tij themelore mund të cenohen.)

Në qershor 2009 rojet bregdetare italiane, të përforcuara nga një helikopter gjerman si pjesë e operacionit Nautilus IV të Frontex-it, kthyen mbrapsht 75 persona që po përpiqeshin të arrinin ishullin Italian të Lampeduzës. Personat u morën nga një patrullë e rojeve bregdetare libiane. Për këtë rast, zv.drejtori i Frontex-it u shpreh se agjencia nuk mban përgjegjësi për rrezikun që u kanoset personave të kthyer, megjithëse nuk mund të konfirmonte se të drejtat themelore të njeriut dhe e drejta për të kërkuar azil respektoheshin në Libi. E megjithatë agjencia vazhdon të kthejë emigrantë e refugjatë në vende të pasigurta.

Për vite me radhë Bashkimi Evropian ka ndjekur nëpërmjet kësaj agjencie një politikë kontrolli të kufijve të tillë që nënkontrakton shtetet e tjera për të bërë punën e saj. Kontrolli dhe menaxhimi i fluksit të karburanteve nuk bëhet nga shtetet anëtare të BE-së. Frontex-i, duke pasur një status të veçantë ligjor, ka nënshkruar marrëveshje me shtete joanëtare për të riatdhesuar emigrantë e refugjatë që mund ta kenë shtetin në fjalë jo vetëm shtet origjine, por edhe shtet tranzit. Për shembull, të riatdhesuarit në Libi nuk janë vetëm libianë, por edhe senegalezë, sudanezë, nigerianë e të gjithë të tjerët që e kanë pasur Libinë vend tranzit para se të shkelnin në tokën apo ujërat evropiane. Kjo bën që emigrantë dhe refugjatë të riatdhesohen në vende me të cilat nuk kanë asnjë lidhje, shpesh herë ku nuk dinë as gjuhën. Për më tepër, BE-ja dhe agjencia e saj e kontrollit të kufijve nuk bën asgjë për të garantuar se emigrantëve dhe refugjatëve që kthehen në këtë mënyrë u respektohen të drejtat themelore, duke qenë se pjesa më e madhe e vendeve me të cilat Frontex-i ka lidhur marrëveshje të tilla nuk kanë kuadrin ligjor apo traditën demokratike të duhur për të trajtuar siç duhet personat e riatdhesuar. Pra, asnjë masë nuk merret që të riatdhesuarit të mos i nënshtrohen trajtimit nënnjerëzor, heqjes së lirisë apo dhunimit të të drejtave. Përveç riatdhesimit, BE-ja i inkurajon shtetet e tjera joanëtare të vendosin një kontroll të fortë të kufijve të tyre. Shembulli më i mirë për këtë është Algjeria e cila ka shkuar aq larg sa të krijojë “krimin e emigrimit ilegal”, duke shkelur me të dyja këmbët deklaratën universale të të drejtave të njeriut, ku e drejta e emigrimit njihet si e drejtë themelore e njeriut. Po ashtu Frontex-i nuk respekton në operacionet e saj as të drejtën e refugjatëve për të kërkuar azil. Kjo është dokumentuar edhe me anë të dëshmive të shumta.

Për të kuptuar përmasat e kësaj agjencie duhet të kuptojmë se buxheti i saj u rrit ndjeshëm nga 19 milionë euro që ishte në 2006 në 118 milionë euro në vitin 2011. Vetëm në vitin 2009 Frontex-i kishte në pronësi 21 avionë, 27 helikopterë, 116 anije, radarë të lëvizshëm, detektorë nate të lëvizshëm, dronë, makina patrulluese dhe detektorë të rrahjeve të zemrës. Nëse këto asete Frontex-i i përdorte në vitin 2009, mendoni se çfarë përdor sot, në kulmin e krizës së refugjatëve. Nuk mund të lihet pa përmendur lobimi i bizneseve të fuqishme të prodhimit të armëve dhe teknologjisë ushtarake. Për më tepër autonomia dhe statusi i veçantë që ka fituar agjencia janë të rrezikshme. Ato krijojnë një situatë të paprecedentë ku drejtuesit e agjencisë as nuk marrin urdhra nga ndonjë trupë politike si parlamenti evropian dhe as nuk mbajnë përgjegjësi për veprimet e tyre.

Së fundmi kompetencat e Frontex-it po rriten akoma më shumë. Propozimi i mëposhtëm është hedhur në PE: Nëse një vend anëtar do të dështojë në ruajtjen e kufijve, BE-ja do të dërgojë trupat e saj evropiane, edhe pa pasur konsensusin e këtij vendi. Kjo i jep të drejtën një agjencie mbikombëtare, pra Frontex-it, të drejtën për të ndërhyrë në një vend anëtar të BE-së edhe pa konsensusin e këtij vendi. Kjo krijon një frymë federale brenda BE-së që mbështetet nga Franca dhe Gjermania, por gjithashtu krijon tensione me vende si Greqia, Kroacia, Hungaria apo Italia, të cilave u cenohet drejtpërdrejt sovraniteti. Ky propozim ka mbështetjen e disa grupeve parlamentare në PE, por gjithashtu ka krijuar edhe një frymë kundërshtimi ndaj Frontex-it duke derdhur një lumë kritikash ndaj saj, duke e quajtur “një makinë që po zmbraps të varfrit” dhe “po lufton me një armik inekzistent”.

Kriza e refugjatëve sjell me vete edhe një problem tjetër madhor: ngritjen e të djathtës ekstreme. Në arenën politike evropiane nga dita në ditë po fitojnë terren nacionalistët me anë të një retorike në thelb përjashtuese për tjetrin. Problemi për ta qëndron tek emigrantët e huaj dhe refugjatët e pacivilizuar që kanë ardhur të pushtojnë qytetet e zhvilluara të Perëndimit. Padyshim kjo është një qasje egoiste që nuk na çon asgjëkund. Një refugjat nuk rrezikon të gjithë pasurinë në duart e trafikantëve dhe për më tepër jetën e tij dhe të familjes së tij në një udhëtim vdekjeprurës, nëse nuk do të kishte një arsye të fortë për t’u larguar nga vendi i origjinës. Dhe kjo arsye është padyshim lufta dhe persekutimi nga grupet terroriste (kryesisht Shteti Islamik). Qasja e të djathtës nacionaliste dhe deri diku fashiste në Evropë bazohet në supozimin se të gjithë të huajt janë armiqtë tanë. Ata nuk e bëjnë diferencën mes refugjatit dhe terroristit. Për të djathtën, veçanërisht për të djathtën ekstreme, viktima dhe dhunuesi janë e njëjta gjë për shkak se vijnë nga i njëjti vend. Por për të bërë dallimin do duhet që pasi të kemi vajtuar për viktimat e Parisit, të vajtojmë edhe për 147 studentët kenianë të vrarë nga grupi terrorist al-Shabab, edhe për luftëtaret dhe luftëtarët kurdë që japin jetën në luftën kundër ISIS-it, edhe për të gjithë viktimat e terroristëve jashtë Evropës etj. Me pak fjalë, nuk mund të konsiderojmë armik këdo që vjen nga jashtë kufijve. Dhe ç’është më e rëndësishme, duhet të kuptojmë arsyet pse ata po vijnë kaq dëshpërueshëm në brigjet e kontinentit tonë. Çfarë e shkakton vetë luftën? Varfëria? Pabarazia? 18 dhjetori ishte dita ndërkombëtare e solidaritetit me emigrantët. Mirëpo, a është vetëm solidariteti ajo çka duhet të japim?

Për ta mbyllur, po zgjedh të shprehem me fjalët e Slaoj Žižek-ut:

“Po të hapeshin kufijtë të parët që do të rebeloheshin do të ishin klasat punëtore. Pra bëhet e qartë se zgjidhja nuk mund të jetë ‘shkatërroni muret dhe lerini të hyjnë’ – kërkesa thuajse bosh e liberal-‘radikalëve’ zemërbutë. E vetmja zgjidhje reale është të shkatërrohet muri i vërtetë, jo ai i Departamentit të Imigracionit, por ai socio-ekonomik: të shndërrohet shoqëria në mënyrë që populli të mos jetë më aq i dëshpëruar sa të dojë të arratiset prej vendit të vet.”

Ky artikull është botuar nën licensën CCA 4.0 (Creative Commons Attribution 4.0 International License).

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.