Pse Teza 11?

Në moshën 27-vjeçare Karl Marksi shkroi njëmbëdhjetë teza kritike mbi filozofinë e Ludvig Fojerbahut. Teza e njëmbëdhjetë synonte ta përmbyste historinë e filozofisë: “Filozofët vetëm e kanë shpjeguar në mënyra të ndryshme botën, por çështja është që ta shndërrosh atë.” Në të nuk bëhej thirrje për të hedhur penën e kapur pushkën, por për ta konceptuar mendimin si armë kritike të rrëzimit të miteve e dogmave dhe për t’u vetëdijesuar se nëpërmjet mendimit dhe veprimit nuk mund të ketë ndarje abstrakte. Ato janë të ngërthyera brenda kontradiktave shoqërore dhe në tensionin produktiv midis tyre kontradiktat e vjetra tejkalohen duke ua lënë vendin të rejave. Forcat shoqërore që i rezistojnë shfrytëzimit dhe shtypjes hapin dritaret e mendimit kritik dhe ky i fundit rresht së rrotulluari rreth vetes dhe shndërrohet në fuqi historike materiale vetëm kur ndërhyn në shoqëri.

Te teza 11 do të përpiqemi të realizojmë pikërisht këtë sintezë të tensionuar midis mendimit dhe veprimit. Të hedhim dritë aty ku ideologjia errëson, ta bëjmë vuajtjen shoqërore të flasë, të artikulojmë kontradiktat latente dhe t’i bëhemi krahë çdo trupi që lufton për drejtësi dhe emancipim shoqëror.

Bota po ndryshon, duam apo s’duam ne. Ne na takon që nëpërmjet mendimit dhe veprimit të bëjmë që ndryshimi të mos materializojë makthet, por aspiratat tona.