Shprehja politike e pikturës

/Anita Lushi, Alfred Bushi/

Historikisht mund të thuhet se ka një lloj vepre arti disi hermetike në të cilën artisti shpreh  vetveten e kufizuar e të izoluar nga gjendja reale jashtë tij, kurse në anën tjetër një vepër arti ku artisti shpreh dhe artikulon realitetin kompleks që ndodhet  jashtë tij. Në rastin e dytë artisti e shikon vetën në perspektivën e  një vazhdimësisë mes fatit të tij si artist dhe  realitetit si hapësirë prodhimi dhe ndryshimi radikal. Arti i llojit të parë shihet si krijim i mbyllur në vete, i paarritshëm nga të tjerët jashtë sferës artistike, vetëm për vete, i pamundur të lexohet në realitet. Funksioni i vetëm i këtij arti është frymëzimi për hir të frymëzimit, të shprehë të bukurën për hir të së bukurës, sipas qasjes imagjinare të autorit, i cili përpiqet të gjejë një shteg arratisjeje nga realiteti i cili për të është një kafaz i ftohtë dhe i hekurt. Pra, ashtu siç i mendonte Platoni idetë, të mbyllura në kafazin e trupit dhe realitetit empirik. Arti në këtë mënyrë bëhet mimesis (imitim)  abstrakt i asaj që nuk përfshihet në realitet, që e përjashton atë si banal dhe joartistik.

Ndërkohë arti i llojit të dytë buron dhe nxitet prej realitetit. Ky lloj arti nuk mund të rezistojë pa kontradiktat e botës së jashtme, pjesë e së cilës është vetë artisti, madje ky i fundit kërkon t’u japë zgjidhje këtyre kontradiktave. Arti i llojit të dytë përfshin brenda vetes kontradiktat themelore të realitetit dhe të jetës subjektive njerëzore, si sintezë, si prodhim i gjithëpërfshirjes, i totalitetit rrethues. Në këtë mënyrë, arti është ajo çka tepron. E thënë me fjalët e Antonio Negrit, arti është përherë tepri dhe jo imitim i fantazisë së çastit të artistit, pra jo një imitim i përjashtimit të realitetit.

Arti duhet të shprehë këtë kontradiktë me anë te prodhimit të veprës artistike si mundësi, shans revolucionar apo zgjidhje e domosdoshme . Kështu, arti bëhet një me të gjithë përjashtimin, të përjashtuarit, të tjetërsuarit dhe të shfrytëzuarit. Për ta shprehur praktikisht këtë vepër arti si “poiesis”, prodhim, mund të sjellim veprën artistike të papërsëritshme të Van Gogh-ut. Van Gogh-u lindi në një fshat të Holandës. Si natyrë ishte një personalitet  i mbyllur dhe i trazuar emocionalisht. Që në rininë e hershme, i ndikuar nga ati që ishte predikues, ai e kupton se predikimi dhe mëshira nuk janë zgjidhje. Në atë moment ai vendosi të lërë studimet teologjike dhe t’i dedikohej shprehjes së problemeve dhe kontradiktave jetësore të kohës nëpërmjet pikturës. Për Van Gogh-un, artistët e kohës ishin frikacakë që jepeshin pas ekzaltimeve estetike dhe nuk kishin guximin artistik të shprehnin dhimbjen e realitetit. Në këtë aspekt jeta e tij është një protestë e vazhdueshme kundër konformizmit dhe një manifestim i frymës emancipuese të artisti të angazhuar. Siç thotë Irvin Stouni,  “ai e kap jetën në sy, i deshi minatorët e fshatarët me një dashuri sublime dhe sakrifikoi gjithçka pati. Të gjitha ndjenjat, mendimet e frymëzimet ai ia kushtoi motiveve të jetës së njerëzve të punës.”

Në pikturat e tij vihet re një lloj shpërfytyrimi  anormal i njerëzve që shpreh në fakt të vërtetën e hidhur të mishëruar në trupat e tyre, vuajtjen e fshehur që vizatohet në linjat vizuale të qëndrimeve të tyre. Si shembull mund të marrim “Ngrënësit e patateve”, një biografi e realitetit tragjik ku pesë veta, të ndriçuar nga drita e një llambe, kanë si vakt darke vetëm patate e kafe. Patatja si element i parë dhe i thjeshtë i natyrës është i vetmi ushqim që i mban në jetë këta njerëz. Qytetërimi në këto anë të realitetit akoma nuk ka mbërritur, pasi mbahet peng nga të paktët, të kamurit që e kanë tavolinën përherë plot e përplot.

Te dy pikturat e tjera, “Fshatarët në mes të arës me grurë” dhe “Fshatarët duke korrur”, shihet një lloj errësimi i fytyrës së fshatarit punëtor dhe kërrusja  e trupit që tregon për jetën e mundimshme për mbijetesë dhe shfrytëzimin e tyre. Duket sikur në këto anë koha nuk ka ecur dhe zhvillimi industrial ende nuk e ka cekur jetën e tyre. Madje është  një zhvillim industrial që bëhet në kurriz të tyre. Mungesa e ngjyrave në këto piktura është tregues i jetës bardh e zi, të zymtë , të fshatarësisë së kohës, ndërkohë që në pikturat e tjera ngjyrat e ndezura e plot jetë janë tregues dhe shënjuesi kryesorë i  veprës së Van Gog-ut.

Një tjetër artist vepra e të cilit mund të sillet këtu, në vazhdën e përqasjes konstruktive të realitetit me artin si tepri e këtyre kontradiktave, është Pablo Picasso-ja.  Nga vepra e tij, që ia vlen të analizohet këtu, është “Masakër në Kore” e viti 1951, bërë pikërisht në vitet e zhvillimit të  Luftës së Koresë, një luftë që, siç dihet, e ndau përfundimisht botën në dy kampe. Kjo vepër e ashtuquajtur e majtë e Picasso-s, është ë frymëzuar nga piktura “Tre Maji” i 1808-ës e Goya-s, ku pasqyrohen tmerret e luftës dhe masakrat e Napolonit në Spanjë.  Kjo pikturë është pasqyrim artistik i tragjedisë së Synchon-it, një nga masakrat më te tmerrshme të luftës në Kore, bërë nga forcat antikomuniste amerikane. Në këtë masakër mbetën të vrarë  1\3 e popullsisë së zonës, po aq sa u vranë nga ushtria franceze e Napolonit, pasqyruar në veprën e Goya-s. Diçka e tillë shërben për të treguar se luftërat dhe masakrat njerëzore të sjella nga ajo janë në çdo epokë shkatërrimtare, pavarësisht nëse bëhen në emër të lirisë apo tiranisë, si në rastin e Napolonit apo SHBA.

Guernika është një nga pikturat më impresionuese të Picasso-s. Në të pasqyrohen horroret e luftës, tmerret e bombardimeve italo-gjermane në Guernikë,  e në këtë aspekt është një vepër kundër luftës, që thërret për paqe, ashtu siç kanë qenë qëndrimet e Picasso-s karshi luftës. E bërë vetëm me tre ngjyra, gri, të zezë e të bardhë, ngjyrat e trishtimit, tragjikes dhe pafajësisë, të tëra  të shndërruar në gërmadhë lemeritëse dhe evokuese të vdekjes. Në të shfaqen kafshë, njerëz, ndërtesa, të tëra për të treguar çnjerëzimin dhe shpërfytyrimin e luftës.

  • “E keni bërë ju këtë horror mjeshtër?”
  • “Jo, është vepër e juaja.”

( Përgjigjja e Picasso-s dhënë një gjermani që po vizitonte studion e tij të punës.)

“Ëndrra dhe gënjeshtra e Frankos” është një vepër madhështore, po aq denoncuese sa Guernika, që trondit vetëm me forcën e thjeshtë të letrës dhe lapsit, një histori e masakrës frankiste mbi Spanjën tashmë jetime nga shkrimtarë, piktorë apo poeti i madh Lorca i pushkatuar nga fashistët. Nëpër faqet e kësaj vepre gjejmë gjithandej një përshkrim grotesk , një ironizim të diktatorit që kërkon të sillet si  krijuesi i gjithçkaje, por ndërkohë për Picasso-n s’është tjetër veçse një mendje perverse shkatërrimtare – krijuese i  boshllëkut shumëdimensional – e traditës, besimit në progresin dhe emancipimin njerëzor. Vepra është gjithashtu një denoncim i përfshirjes së kishës dhe oportunistëve në tërë këtë akt makabër  kundër Spanjës.

Në këtë mënyrë artisti e ndikon njerëzimin dhe ndryshimin e gjerave, duke u bërë pjesë e tyre me veprën e artit, duke e shpërfaqur në tërë fshehtësinë e tij e, kësisoj, duke e bërë spektatorin të vetëdijshëm për atë që e ka përpara syve, por nuk e vë re. Ky është roli që duhet të ketë artisti në shoqëri, në një farë mënyre një rol ndërgjegjësues dhe edukues.

Ky artikull është botuar nën licensën CCA 4.0 (Creative Commons Attribution 4.0 International License).

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.