Shpresa nuk gjendet gjetiu

Intervistë e dhënë Belgzim Kamberit për portalin ballkanik në frëngjisht Korrieri i Ballkanit

/Arlind Qori/

Cilat janë arsyet që protestoni ndaj reformës së ligjit për arsimin e lartë?

Protestojmë kundër një ligji i cili në origjinë, procedurë dhe përmbajtje është klientelist. Ai financon me para publike universitetet private, rrit tarifat për studentët duke e kthyer përfundimisht të drejtën për t’u arsimuar në privilegj të të paktëve, i kthen universitetet publike në ndërmarrje tregtare, cenon vetëqeverisjen universitare etj.

Çështja e reformës së arsimit të lartë është megjithatë pjesë e problemit të përgjithshëm të arsimit në Shqipërinë postmoniste, sidomos të kontekstit të tij social?

E keqja e kësaj reforme është se të gjitha problemet e akumuluara të universiteteve publike i përkeqëson dhe, nga ana tjetër, prish edhe ato pak arritje që kanë pasur ato. P.sh., universitetet publike kanë vuajtur prej shumë vitesh nga mungesa e mbështetjes së mjaftueshme financiare nga qeveria. Kjo e fundit zgjedh që edhe ato pak fonde që vë në dispozicion t’i orientojë edhe kah universitetet private. Po ashtu universitetet publike kanë vuajtur nga mungesa e demokracisë së brendshme. Në vend që të fuqizojë pjesëmarrjen studentore në vetëqeverisjen universitare, qeveria e redukton ndjeshëm përqindjen e votës studentore dhe rrit kontrollin e saj mbi qeverisjen universitare duke marrë shumicën në Bordin e Administrimit. Nga ana tjetër edhe ato pak arritje të jetës universitare publike si liria akademike do të vendosen seriozisht në rrezik. Kthimi i universiteteve publike në ndërmarrje tregtare do të thotë se raporti i pedagogëve nuk do të jetë më me të vërtetën kritike, por, si agjentë marketingu, do të shndërrohen në reklamues të institucioneve të tyre për të thithur sa më shumë studentë e për të shmangur kësisoj falimentimin e institucionit dhe papunësinë e tyre.

Lëvizja juaj ka hedhur edhe vezë ndaj kryeministrit. Duket si një organizim politik protestues, por megjithatë pa ambicie të shprehura për përfshirje në politikëbërje. Cilat janë planet e juaja dhe mundësitë reale për t’i përhapur idetë e juaja politike në masat shoqërore, kur dihet se fusha politike në Shqipëri është mjaft e zënë nga dy (tri) partitë tradicionale?

Veza ndaj kryeministrit ishte shpalosje simbolike e vendosmërisë sonë për t’u përballur me zyrtarin që e konsiderojmë përgjegjësin kryesor për këtë reformë shkatërrimtare në arsimin e lartë. Ambiciet e lëvizjes tonë janë politike vetëm në kuptimin origjinar të politikës: veprimtari mes qytetarëve të barabartë për hir të së mirës publike. Nuk kemi as plan, as dëshirë të kthehemi në parti politike apo të synojmë institucionet shtetërore elitare. Për ne politika është angazhim qytetar, rezistencë, detyrim nga jashtë që masat qytetare u bëjnë qeveritarëve që të realizojnë vullnetin e përgjithshëm, vendimmarrje referendare etj. Në të gjitha këto aspekte të politikes do të jemi edhe më të pranishëm. Problemi, sipas nesh, nuk qëndron vetëm te zyrtarët e korruptuar të një sistemi politik elitar të duhur në parim. Zemra e problemit qëndron pikërisht tek elitizmi politik që prodhon korrupsion dhe privilegje.

Si një vend që ka njohur për gjysmë shekulli një regjim autoritar, në pamje nga jashtë duket se Shqipëria ka përparuar. Por, në anën tjetër, edhe në periudhën e pluralizmit, ajo ka përjetuar procese të shumta negative, si migrimin masiv të popullatës së saj, lulëzimin e korrupsionit dhe krimit, thellimin e pabarazive shoqërore etj?

Problemet ekonomike, shoqërore dhe politike në Shqipëri sa vijnë e thellohen. Të gjitha arritjet e këtyre viteve nuk u atribuohen politikave qeverisëse, por iniciativës individuale të qytetarëve për të gjetur shtigje mbijetese. Prandaj njëra prej shtyllave të zhvillimit të Shqipërisë së këtyre dekadave ka qenë emigracioni. Mirëpo zor se kjo mund të atribuohet si meritë e qeverive, të cilat ua kanë bërë të pajetueshëm atdheun qytetarëve. Qeveritarët, në marrëdhënie klienteliste me një grusht gjithnjë e më të ngushtë biznesmenësh, çdo vit thellojnë politikat diskriminuese ekonomikisht, përjashtuese shoqërisht dhe korruptuese penalisht.

Ka tani më shumë se dy vjet që Qeveria e Edi Ramës drejton Shqipërinë. Një qeveri zyrtarisht e “qendrës së majtë”. Cila është lëvdata dhe kritika juaj ndaj punës së kësaj qeverie?

Megjithëse jam munduar shumë të gjej diçka për ta lavdëruar qeverinë Rama, e kam të pamundur të them ndonjë gjë. Qeveritë në Shqipëri, pavarësisht etiketës “e majtë-e djathtë” janë vazhduese dhe thelluese të politikave të njëra-tjetrës. Shqipëria qeveriset prej dekadash prej politikave me frymëzim neoliberal dhe çdo qeveri e merr stafetën nga tjetra për t’i çuar më përpara politikat e privatizimeve, thellimit të pabarazive, tjetërsimit të pasurive publike dhe represionit ndaj të varfërve. Kësisoj qeveria Rama bëri ligj për arsimin e lartë një projekt të nisur nga qeveria Berisha, por të cilin kjo e fundit nuk pati guximin dhe kohën për ta çuar deri në fund. Për të mos përmendur pastaj politikat represive ndaj të varfërve që s’kanë mundësi të paguajnë energjinë elektrike etj. Në këtë kuptim qeveritë mund të lavdërohen vetëm për të këqijat që nuk i kanë bërë akoma. Kështu njëlloj siç mund të lavdërohej qeveria Berisha se nuk e kishte privatizuar ende jetën universitare, qeveria Rama mund të lavdërohet vetëm se ende nuk ka privatizuar ujin e pijshëm – kushedi i privatizueshëm së shpejti nga e njëjta qeveri ose pasardhësja e saj.

Si do t’i kishit karakterizuar shkurtimisht forcat politike që në Shqipëri (vetë)cilësohen si e “majta shqiptare” (Partia Socialiste dhe Lëvizja Socialiste për Integrim) dhe e “djathta shqiptare” (Partia Demokratike)?

Etiketa “e majtë-e djathtë” në Shqipëri nuk ka asnjë kuptim aktual, por vetëm simbolik në identifikimin me të shkuarën. Kësisoj PS-ja dhe LSI-ja mund të vazhdojë të vetëquhen të majta vetëm për shkak se përfaqësojnë qëndrimet e ish-klasave apo shtresave shoqërore të periudhës së socializmit despotiko-burokratik të cilat identifikohen disi me këtë të fundit. Kjo i bën parti si PS-ja apo LSI-ja të njohin meritat e Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare apo të pranojnë ndonjë arritje sociale të modernizimit socialist si arsimimi dhe shëndetësia masive, emancipimi gjinor etj. Ndërsa PD-ja përfaqëson kryesisht ish-klasa dhe shtresa shoqërore të shtypura ose të shpërfillura gjatë regjimit të vjetër, çka e bën shumë skeptike për rolin e partizanëve shqiptarë në Luftën Antifashiste Nacional-Çlirimtare dhe kritike ndaj gjithçkaje të prodhuar gjatë dekadave të socializmit despotiko-burokratik. Mirëpo, sidomos pas vitit 1997, të gjitha partitë operojnë sipas modelit unik të politikave neoliberale në ekonomi apo integrimit euro-atlantik në politikën e jashtme. Rrjedhimisht dallimet në ligjërimin politik nuk janë programore, por morale. Secila palë e akuzon tjetrën si të korruptuar në realizimin e qëllimeve të përbashkëta dhe veten si të ndershme dhe serioze në vijimin e së njëjtës rrugë. Kësisoj pluralizmi politik shqiptar është vetëm formal përderisa të gjitha partitë rendin djathtas.

Kritika kryesore që i adresohet Shqipërisë sot nga Brukseli është se ajo nuk është shkëputur nga korrupsioni dhe kriminaliteti, mungesa e sundimit të ligjit etj. Paralelisht, Shqipëria është anëtarësuar në NATO dhe me shumë gjasë, një ditë do të anëtarësohet në BE. Sa mendoni se këto procese përmirësojnë jetën e qytetarëve në Shqipëri dhe sa janë shpresëdhënëse për të ardhmen e shoqërisë shqiptare?

Nuk e di se si arrijnë burokratët e BE-së ta pajtojnë kontradiktën në vijim: elita politike shqiptare është bashkëpunëtorja e tyre më e afërt në çfarëdo ristrukturimi politik dhe ekonomik dhe, nga ana tjetër, e akuzuar po prej tyre si e korruptuar. Ky paradoks më shtyn të mendoj se kritikat e institucioneve ndërkombëtare nuk janë serioze dhe shërbejnë më tepër si theksim i pozicionit të tyre prej mbiuni (superegoje). Në psikanalizë mbiuni është ai i cili të bombardon me kërkesa, të cilat uni (egoja) përpiqet t’i realizojë me devotshmëri, por gjithmonë del se dështon – prandaj mbiuni gjithnjë i pakënaqur e qorton. Pra kritikat që zyrtarët evropianë u bëjnë politikanëve shqiptarë nuk synojnë përmirësimin e punës së tyre, por legjitimimin e vetë institucioneve evropiane në sytë e qytetarëve shqiptarë. Kësisoj politikat neoliberale të kushtëzuara edhe nga procesi i integrimit në BE mund të shpalosen si të mira në thelb dhe problemet që ato prodhojnë të konsiderohen vetëm si aksidentale ose të ardhura prej dështimit të elitës politike vendase për t’i realizuar plotësisht. Nga ana tjetër, pyetja që më shqetëson është kjo: A jetojnë më mirë ekonomikisht, më të lirë politikisht dhe më të emancipuar kulturalisht qytetarët shqiptarë pas integrimit në NATO apo përparimit në integrimin në BE? Edhe empirikisht nuk arrij të gjej asnjë lidhje midis integrimeve dhe përmirësimit sipas kritereve të mësipërme. Rrjedhimisht integrime të tilla, në rastin më të mirë, janë të parëndësishme për begatinë dhe përparimin shoqëror. Shpresa nuk gjendet gjetiu. Ajo gjendet në formë latente vetëm brenda popullit ose, më saktë, fuqisë radikalisht transformuese të organizimeve masive.

Ky artikull është botuar nën licensën CCA 4.0 (Creative Commons Attribution 4.0 International License).

 

 

Lexojmë dhe shpërndajmë!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.