Nuk do/mund të ndalemi

Intervistë dhënë Kliti Topallit për gazetën Sot

/Arlind Qori/

-Duke qenë se qeveria ka fituar imunitet ndaj protestave dhe paralajmërimeve, cila do të jetë strategjia e Lëvizjes Për Universitetin në ditët në vijim për të kundërshtuar ligjin për arsimin e lartë? Çfarë hapash do ndërmerrni, pasi ju keni paralajmëruar se nuk do ndalen reagimet?

Zakonisht strategjitë nuk shpallen publikisht, për të mos i hequr vetes mundësinë e të zënit të kundërshtarit (qeverisë) në befasi dhe shkaktuar çoroditje tek ai, si në rastin e sulmit me vezë ndaj kryeministrit Rama. Sidoqoftë një pjesë të planeve tona për këtë vit i kemi bërë publike edhe më herët. Që në ditët e para të këtij viti kemi nisur riorganizimin në bazë fakultetesh nga i cili shpresojmë të depërtojmë më thellë në indin shoqëror studentor dhe të mobilizojmë më shumë syresh. Këto ditë ka filluar pagesa e tarifave të kripura studentore dhe është një moment shumë i mirë si për të artikuluar kritikën tonë ndaj reformës në arsimin e lartë, ashtu edhe për t’u propozuar studentëve synimin kryesor për të cilin ia vlen të luftojmë: arsimin publik falas. Nëse organizimi dhe mobilizimi studentor arrin nivelet e dy muajve të fundit të 2015-s, do të rimblidhemi në shesh kundër reformës dhe efekteve të saj në jetën universitare, madje, pse jo, edhe të synojmë zaptimin e një ose disa fakulteteve. Krahas tyre, po konsultohemi me njohës të së drejtës kushtetuese për të nisur një proces referendar që do ta sillte çështjen e arsimit të lartë te gjykatësi suprem politik: populli.

 -Çfarë do të ndodhë me arsimin e lartë publik në Shqipëri nëse nis zbatimi i ligjit për arsimin e lartë?

Ligji i arsimit të lartë do të përkeqësojë fenomenet negative që hasen prej kohësh në jetën universitare dhe, krahas tyre, do të prodhojë efekte të reja shkatërrimtare për jetën universitare. Bie fjala, ligji do të shprishë pakthyeshëm demokracinë përfaqësuese universitare duke u dhënë burokratëve qeveritarë zë të rëndësishëm në administrimin e universiteteve apo zgjeruar të drejtat e drejtuesve bajraktarë të universiteteve në kurriz të studentëve të përjashtuar nga përfaqësimi i efektshëm në vendimmarrje. Kështu, në vend të zgjidhjes demokratike të problemeve që bazohet në parimin – çoje pushtetin tek ata që nuk e kanë pasur dhe e kanë pësuar, universitarët (kryesisht studentët)! – ligji i përkeqëson problemet duke e akumuluar pushtetin në duart e atyre që e kanë pasur deri më tash dhe kanë abuzuar me të, si p.sh. zyrtarët e ministrisë apo bajraktarët universitarë. Po ashtu do të ligjërojë një praktikë kryekreje korruptive si financimi shtetëror i institucioneve private të arsimit të lartë efektet e të cilit nuk do të ndihen vetëm në jetën universitare. Jo më kot qeveritarët patën deklaruar kur nisi procesi i reformimit të arsimit të lartë se modeli i konkurrimit të institucioneve private për fonde shtetërore do të shtrihet edhe në mjekësi. Ky përvetësim i fondeve publike nga institucione jo vetëm private, por tërësisht famëkëqija për cilësinë, komercializmin apo despotizmin e administrimit nga pronari, do të sjellë rritje edhe më të madhe të tarifave për studentët duke i ngushtuar dyert e universiteteve publike vetëm për studentët me të ardhura të mira ekonomike. Ky përjashtim klasor shton privilegjet e studentëve që vijnë nga familje të pasura pasi ua ul ndjeshëm konkurrueshmërinë për vende pune të dinjitetshme me masën e studentëve nga familje të varfra apo të shtresës së mesme, studentë zakonisht dijedashës dhe të etur për mobilitet klasor. Sakaq, universitetet publike do të nisin të funksionojnë jo më si vatra të farkëtimit të dijes kritike dhe të mirës publike, por si ndërmarrje komerciale të interesuara për të mbijetuar medoemos në treg, edhe me standardet më të ulëta të ndershmërisë e cilësisë akademike, për të mos folur pastaj për shtrëngimin e tyre për të reklamuar veten paturpësisht, duke shkëputur çfarëdo lidhjeje me të vërtetën kritike.

– Në dijeninë tuaj, a ka ndonjë plan, qoftë edhe nga fakultetet ose subjekte të tjera, që të dërgojnë ligjin për arsimin e lartë në Gjykatën Kushtetuese, pasi ai është cilësuar si antikushtetues?

Më ka qëlluar të dëgjoj zyrtarë të Universitetit të Tiranës apo të Partisë Demokratike që me gjysmë zëri kanë lënë të hapur mundësinë e ankimimit të ligjit në Gjykatën Kushtetuese përderisa edhe argumentet e Presidentit të Republikës për rrëzimin e parë të ligjit ceknin në mjaft vende kundërshtinë e tij me parime dhe nene të kushtetutës. Mirëpo, dora në zemër, nuk e besoj se drejtuesit e mykur dhe të kompromentuar të Universitetit të Tiranës do ta marrin seriozisht konfrontimin me qeverinë sidomos tani që janë në javët e fundit të mandatit të tyre. E njëjta gjë vlen edhe për Partinë Demokratike e cila, në vend të alternativës së ankimimit në gjykatë, duket se ka zgjedhur atë propagandistike të premtimit se me të ardhur në pushtet do ta rrëzojë këtë ligj, pa thënë se me ç’ligj do ta zëvendësojë. Fundja edhe Partia Socialiste e dikurshme në opozitë, kur kundërshtonte një projektreformë të ngjashme të PD-së, premtonte se nuk do të miratonte kurrë një ligj që do të çonte paratë e popullit në xhepat e biznesmenëve të institucioneve arsimore private. Neve si lëvizje, nga ana tjetër, jo vetëm na mungon momentalisht ekspertiza e duhur për të ndjekur një proces gjyqësor kushtetues, por mendojmë gjithashtu se mënyra më e mirë për të hedhur në koshin e mbeturinave të tranzicionit shqiptar këtë ligj është ajo e masivizimit të protestave dhe forcimit të rezistencës studentore. Të vetmet të drejta të sigurta edhe në të ardhmen janë ato që fitohen përmes nënshtrimit të qeverisë ndaj fuqisë kolektive të qytetarëve.

-Prej gati tre vitesh Ministria e Arsimit ka bllokuar ciklin e tretë të studimeve për universitet publike, duke favorizuar privatin. Si e shihni ju këtë dhe në gjykimin tuaj çfarë pasojash ka ky vendim në jetën universitare?

Vendimi është në vazhdën e përparësive, në gjykimin tim me sfond korruptiv, që ministria u jep institucioneve private. Mjafton të llogarisësh numrin e studentëve të regjistruar në këto të fundit në kushte monopoli dhe tarifat e tyre, dhe kupton se çfarë fitimesh u garantohen artificialisht. Nga pikëpamja financiare mungesa e kuotave për universitetet publike ka sjellë edhe varfërimin e tyre financiar. Mirëpo ky fakt nuk më shqetëson edhe aq, pasi të komercializuara disi që më parë, universitetet publike kanë ndërtuar një politikë të mbrapshtë tarifimi të studimeve doktorale duke u kërkuar studentëve të paguajnë shuma të mëdha. Kështu që efekti më i dëmshëm i këtij bllokimi ka qenë ndalja e pjesës më serioze të procesit kërkimor shkencor, studimeve doktorale, aq të domosdoshëm për universitetet publike

-Henri Çili, i cili tashmë ka pranuar interesat e tij në ligjin për arsimin e lartë, pak ditë më parë deklaroi se ata që kërkojnë arsim publik fals dhe që kundërshtojnë ligjin e arsimit të lartë janë neokomunistë. A keni një koment?

Ndryshe nga ç’mendojnë lobistët, qeveritarët dhe propaganduesit e tyre që e kanë matur kundërshtinë e ligjit të arsimit të lartë duke krahasuar protestat qindra-mijëravetëshe nëpër botë me protestat tona më modeste numerikisht, grup i vogël nuk janë kundërshtuesit e këtij ligji, por përkrahësit e tij: të pakët në numër dhe famëkëqij sa më s’ka në përfytyrimin publik. Kundër këtij ligji nuk kanë dalë vetëm aktivistët e Lëvizjes Për Universitetin, as mijërat e studentëve që na kanë shoqëruar në thuajse dhjetë protesta gjatë vitit të shkuar, as vetëm grupe të organizuara pedagogësh si Forumi për Liri Akademike, madje as vetëm organet e zgjedhura sidomos brenda Universitetit të Tiranës si këshillat e fakulteteve apo senati, por shumica dërrmuese e studentëve dhe pedagogëve. Mjafton të shkoni t’i pyesni se ç’mendojnë. Kësisoj, kundërshtia ka ardhur jo vetëm nga aktorë të ndryshëm universitarë, por edhe nga botëkuptime politike e teorike të larmishme. Bie fjala, këtë reformë e kanë kundërshtuar edhe intelektualë me prirje radikale neoliberale të cilët, ndryshe nga zoti Çili që është i gatshëm t’i braktisë idetë kur ato bien në kundërshti me xhepin e tij, mendojnë se ky ligj është i papranueshëm pasi i shndërron institucionet private në përfituese fondesh nga shteti. Një neoliberal i mirëfilltë i kërkon shtetit ta lërë rehat, jo ta mbajë me para pasi mendon se çfarëdo mbështetjeje financiare të kenë institucionet publike, ato private do t’i mposhtnin në konkurrencë bazuar në organizimin më racional të punës. Madje edhe sikur të merrni argumentet kundërshtuese vetëm të Lëvizjes Për Universitetin, do të gjeni në to rrjedha teoriko-politike të larmishme. Thënë kjo, as e kam mohuar, as kam për ta mohuar ndonjëherë se unë si pedagog mendoj se qasja teoriko-politike e Marksit mbi kritikën e ekonomisë politike dhe ideologjisë është mbresëlënëse. Kush e mohon këtë, është gërdallë intelektuale.

-Ka pasur një aludim se pas Lëvizjes për Universitetin fshihet projekti për një lëvizje politike. Sa qëndron ky pretendim?

Përfytyrimi i botës me aktorë që dalin në shesh dhe buratinë që u qëndrojnë nga pas është konspirativist në marrëzinë e tij dhe dëshpërues nga pikëpamja shoqërore. Po ashtu është simptomë e mjerimit intelektual e politik. E vetmja mënyrë se si mund të përdoret me korrektësi ndajfolja “pas” është kjo: Lëvizja Për Universitetin synon të tërheqë “pas” vetes dhe të bëjë me vete e si vetja të gjithë universitarët dhe qytetarët që i brengos arsimi i lartë dhe në përgjithësi e mira publike. Ajo që kërkojmë në afatshkurtër është ndalimi i reformës shkatërrimtare në arsimin e lartë. Mirëpo jeta universitare ka probleme të thella edhe pa këtë ligj. Ndaj, me të ndalur këtë sulm shpërbërës dhe duke shfrytëzuar përvojën organizative dhe solidaritetin e krijuar rrugës së përpjekjes, do të synojmë në afat më të gjatë transformimin cilësor dhe demokratik të jetës universitare, të kryer nga vetë universitarët. Sidoqoftë, si qytetar dhe aktivist shpresoj fort që parimet, organizimi dhe dëlirësia e aktivistëve të saj të shërbejnë si shembull e frymëzim mbarëshoqëror për vetorganizime politike qytetare seriozisht të përkushtuara për të mirën publike.

Ky artikull është botuar nën licensën CCA 4.0 (Creative Commons Attribution 4.0 International License).

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.