Fjalë proteste

/Arlind Qori/

Sot ka një kontradiktë të qartë, të ashpër dhe të papajtueshme midis dy forcave shoqërore: atyre dhe nesh. Sintetikisht, ata janë dhuna, ne fuqia.
Ata janë dhuna e interesave. Ne fuqia e së drejtës.
Ata janë dhuna pushtuese e universiteteve nga jashtë, nga pushtetarë e biznesmenë. Ne fuqia e brendshme çlirimtare e universiteteve.
Ata janë dhuna e injorancës dhe arrogancës. Ata janë injorantë për shkak se janë arrogantë dhe arrogantë prejse injorantë. Ne jemi fuqia e dijes dhe mirëkuptimit.
Ata janë dhuna e propagandës dhe reklamës. Ne fuqia e mendimit kritik.
Ata janë dhuna e përjashtimit studentor me rritje tarifash. Ne fuqia permanente dhe rritëse e arsimit publik falas.
Ata janë dhuna që prodhon servilizëm. Ne fuqia që prodhon solidaritet.
Ata janë dhuna e nënqeshjes cinike. Ne fuqia e buzëqeshjes shpresëplotë.
Ata janë dhuna e luksit dhe kotësisë së privilegjeve. Ne fuqia e të përkorës dhe plotkuptimësisë së jetës normale.
Ata janë dhuna e policëve, badigardëve dhe spiunëve. Ne fuqia e vendosmërisë dhe shpërfilljes së frikës.
Ata janë dhuna e një pakice numerikisht të papërfillshme. Ne fuqia e një shumice dërrmuese.
Ata janë dhuna e një të shkuare që ka harruar të vdesë. Ne fuqia e një të ardhmeje që pritet të lindë.
Ata janë despotët, hajdutët dhe pronarët. Ne jemi studentët, pedagogët dhe qytetarët.

Ky artikull është botuar nën licensën CCA 4.0 (Creative Commons Attribution 4.0 International License).

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.