Studentët e dhjetorit sot

/Alfred Bushi/

Në kujtesën kolektive, lëvizja studentore e dhjetorit përbën një nga ngjarjet më të rëndësishme të historisë sonë jo shumë të largët. Rëndësia e saj shfaqet dhe trumbetohet rëndom nga partitë politike si një ngjarje e cila solli një herë e përgjithmonë demokracinë në vendin tone. Qenë pikërisht studentët ata që i dhanë dorën e fundit një regjimi të kërrusur nga dhuna dhe gabimet  e veta, i cili e pati pësuar çarjen e madhe e të pakthyeshme nga punëtorët. Kjo përmbysje historike, prej vitesh festohet nga partitë si një ditë e madhe, një ditë kalendarike që përsërit veten sipas masës, formës dhe humorit të kryetarit të radhës.

Historia nuk përsëritet në mbledhje përkujtimore, në festime datash të pispillosura tranzicioni. Historia kërkon të përmbushet realiteti , të bëhet e tashme, ajo nuk mund të qëndrojë e kyçur  mendjeve karnevaleske të pushtetarëve, të cilat, egoiste e perverse,  kanë tradhtuar  e shtypur çdo shpresë shoqërore dhe i kanë marrë rinisë çdo mjet real jetese mundësi të ëndërruari për një botë më të mirë.

Megjithatë ka të rinj e të reja që historinë e lexojnë përsëmbari. Këta janë rinia e cila nuk përhumbet nëpër data përkujtimore e mbrëmje festash  boshe, duke tradhtuar idetë e atyre që protestuan për liri, barazi, drejtësi sociale, në mes të frikës. Koha për të rimarrë të tashmen e të ardhmen ka ardhur. Kështu, lëvizja e dhjetorit merr kuptimin që i përket, atë kuptim që deri më sot e kanë mbuluar me gënjeshtrën e përvitshme përkujtimore të një date që ishte një herë e një kohë. Sot Lëvizja Për Universitetin është ndoshta shprehja më kuptimplote e atyre viteve fermentimi ideor dhe praktik. Pra një rini studentore  që nuk gënjehet nga asnjë ideologji shfrytëzuese e skllavëruse, por që proteston për të drejtat e saj dhe tërë shoqërisë.

Sot kemi të reja si Vilma Biqiku, studente e cila edhe pse vetëm në  vitin parë te Gjuhet e Huaja, është tanimë një aktiviste e ndërgjegjësuar për rolin e saj  në universitet e shoqëri dhe, mbi të gjitha, tepër e guximshme. E vërteta është së vajzat që organizohen politikisht, dalin e  protestojnë, në vendin tonë janë vërtetë të guximshme dhe për t’u admiruar. Një vajzë e re që bashkë me studentë të tjerë lufton përditë në fakultetin e saj për shumë kauza të drejta, pikërisht ashtu siç bën Lëvizja sipas saj. Lëvizjen Vilma e koncepton si një hapësirë ku “studentët kërkojnë me ngulm çdo të drejtë themelore qe u takon. Ku protestojnë për çdo padrejtësi që bie drejtpërdrejt në kurrizin e tyre. Të ashtuquajturat reforma mund të jenë çfarëdolloj gjëje, por vetëm për studentin nuk janë hartuar. Kështu, bashkë me studentë të tjerë – na thotë ajo – bashkë me aktivistët e tjerë të Lëvizjes mundohem që të jem pranë çdo grupi studentësh të cilët kërkojnë të informohen dhe që kanë nevojë mbështetje për problemet që hasin, me idenë që një ditë do të gjendet zgjidhja për çdo gjë.”  Zgjidhjen studentë si Vilma me ç’duket e kanë gjetur tashmë. Për ta kanë rëndësi madhore studimi dhe kërkimi i të drejtave sa herë u mohohen. “Të protestoj – thotë Vilma – do të thotë vërtet shumë. Të ngre zërin dhe të shpreh lirisht mendimin tim për sa i përket diçkaje që nuk jam dakord. Një padrejtësi, një absurditet nuk mund të përcillet nga një student i cili zhvillon mendimin e tij kritik. Të ngrihesh në protesta apo manifestime është mënyrë që tregon se studentët nuk janë në gjumë letargjik, por përkundrazi janë forca më e madhe nga e cila do të vijnë ndryshime të mëdha.”

Ndoshta ngaqë studion Shkenca Politike, Kristjan Zoto e ka më të lehtë ta kuptojë se organizimi rreth një kauze të përbashkët është jetësor kur pushtetarët e korruptuar për interesat e tyre të ngushtë përjashtojnë shoqërinë nga çdo e drejtë. Kristjani është një aktivist po aq i ri sa Vilma. Lëvizjen ai e sheh  “si zërin e vetëm të studentëve për studentët. Për mua Lëvizja është një grup i gjerë njerëzish që vënë në plan të parë interesin publik për përmirësimin e jetës universitare dhe asaj shoqërore në tërësi”. Të mbrosh këtë të mirë të përbashkët thelbësore, kur pushtetarët përpiqen ditë e natë që ta marrin, për Kristjanin do të thotë organizim, protestë. Këtë të fundit ai e shikon si “një përpjekje e vendosur përkundrejt një padrejtësie e cila u bëhet një shumësie  njerëzish në mënyrë që të fitojnë pak të tjerë. Ajo shpreh mospajtimin e popullit ndaj diçkaje që ai e quan të papërshtatshme për të”.

Një tjetër e re guximtare që i është bashkuar së fundmi Lëvizjes Për Universitetin është Blerina Arrtunda. Blerina është në vitin e parë master në Fakultetin e  Inxhinierisë së Ndërtimit. “Njohja ime e parë me Lëvizjen – shprehet ajo-  ishte shumë mbresëlënëse. Ka qenë në qendrën sociale Logu i Shkëndijës ambientet e së cilës janë shumë të këndshme, me njerëz të vendosur, të sjellshëm e mikpritës. Kauzat për të cilat ato luftojnë janë shumë të drejta dhe unë, qëkur i kam njohur, kam filluar të ndërgjegjësohem e tashmë jam vërtet e  tillë për situatën. Dita-ditës po vë re se të drejtat e mia dhe të të tjerëve, si studentë, po ndrydhen e mohohen gjithnjë e më shumë.” – vazhdon ajo. Lëvizja për Blerinën është strehë  e dijes si përpjekje për të mbrojtur universitetin nga rreziku që po i kanoset nga të gjitha anët,  e cila ka nisur luftën kundër çdokujt dhe çdogjëje për të mbrojtur studentit dhe pedagogun nga klientelizmi. Ashtu si për çdo të ri dhe aktivist të Lëvizjes, edhe për Blerinën, protesta shihet si nevojë për të shprehur mendimet rreth universitetit që do dhe për të treguar revoltën ndaj padrejtësive që pësohen . “Me anë te protestës unë them jam këtu , pohoj veten time si qenie me të drejtat që më takojnë, por që po me ndrydhen. Protesta është e drejta ime.” –thotë ajo.

Një prej ndryshimeve thelbësore  mes lëvizjes së dhjetorit dhe lëvizjes studentore të sotshme është fakti se kjo e fundit përbëhet nga studentë dhe pedagogë dhe jo pedagogë shërbyes të sistemit e burokratë oportunistë që në fillimviteve ‘90 mezi pritën që të rimerrnin në dorë fatet e lëvizjes e, për rrjedhojë, të merrnin në dorë pushtetin bashkë me privilegjet, apo studentë që ndoqën gjurmët e burokratëve pedagogë të korruptuar. Sot kemi të bëjmë me një lëvizje që është shumë e larmishme, e cila brenda saj ka jo vetëm studentë, pedagogë dhe qytetarë të thjeshtë, por mbi të gjitha ka studentë e pedagogë dhe qytetarë të pakorruptuar nga strukturat partiake shtypëse, përjashtuese e klienteliste.

Ky artikull është botuar nën licensën CCA 4.0 (Creative Commons Attribution 4.0 International License).

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.