Ata që plakun e lamë në “shejtnin” e tij

/Arlind Qori/

Kushëriri më nervagërricës është i dalluari, nderi i fisit, shembullori të cilit duhet t’i ngjajnë të gjithë. Sidoqoftë, pavarësisht përpjekjeve, mbiuni fisnor është i pakënaqur dhe qortues. Për njëzetepesë vjet në jetën studentore shqiptare këta kushërinj kanë qenë studentët e dhjetorit ‘90. Funksioni ideologjik i pranisë së tyre vazhdon të jetë ai i krahasimit të çdo brezi studentor me ta, për t’i qortuar pse s’kanë të njëjtin efekt historik si ta.

Rrallë, në mos asnjëherë, nuk është menduar publikisht se ç’dallime kontekstuale i ndajnë ata nga brezat e tjerë të studentëve, sidomos nga të sotmit. Përpara se të bëjmë hagiografi, bëjmë mirë të kuptojmë specifikat shoqërore dhe ideologjike të studentëve të dhjetorit ’90.

Jeta universitare vendase nis në fundvitet ’50 dhe, asokohe, krijimi i trupës studentore shkon bashkë me procesin e modernizimit të sforcuar të vendit, modernizim i cili kishte nevojë si për kuadro teknikë që do të ndihmonin në procesin e industrializimit, ashtu edhe për punonjës ideologjikë që do të synonin të riprodhonin marrëdhëniet politiko-shoqërore të të ashtuquajturit socializëm shqiptar. Të pakët në numër për shkak të vonesës dhe karakterit të pjesshëm të modernizimit shqiptar, mund të hamendësohet se studentët e viteve ’60 e tutje përbënin një pakicë të vogël numerikisht, por të zgjedhur simbolikisht. Ata ishin jo vetëm ndihmësit dhe përcjellësit e modernizimit (të dhunshëm), por edhe shprehësit e mobilitetit të lartë social që kishte prodhuar ai sistem që kërkonte të zëvendësonte elitat e vjetra duke i prodhuar të rejat nga humusi i klasave shoqërore më afër ideologjisë së saj, kryesisht fshatarësisë dhe punëtorisë. Studenti i pjesës së parë të socializmit ishte rëndom bir fshatari ose punëtori, i projektuar për t’i shpëtuar si pakkush mallkimit të të bërit punën e fshatarit dhe punëtorit.

Pjesa e dytë, që për konvencion po e lidhim me mesvitet ’70 dhe që shtrihet deri në dhjetorin e ’90, shënon një transformim të trupës studentore e cila i shkon për shtat shndërrimeve të brendshme të socializmit burokratiko-diktatorial. Kjo kohë karakterizohet edhe nga konsolidimi i një shtrese të re “mikroborgjezie” socialiste e cila, si çdo shtresë sadopak e privilegjuar, synonte të riprodhonte marrëdhëniet shoqërore që e mbanin në pozitë të lakmuar. Kësisoj, edhe nëse numri i studentëve mund të konsiderohet i rritur disi si rezultat i shtrirjes së procesit të modernizimit të pjesshëm, një pjesë gjithnjë e më e madhe e tyre nuk vinte më prej fshatarëve dhe punëtorëve, por prej ish-fshatarëve e ish-punëtorëve të mirarsimuar dhe zënës pozitash kyçe në administrimin shoqëror të punëve. Atëbotë ishte më e lehtë që studentët t’i gjeje nga fëmijët e oficerëve, mësuesve, inxhinierëve, mjekëve etj., ku tarafet e nëndheshme diktonin pjesërisht edhe rënien e dardhës mbi dardhë, ku i biri i mjekut bëhej mjek, e bija e mësueses mësuese etj. Afërmendsh me kushtin politik të të moskonsideruarit problematikë për partinë-shtet që kontrollonte politikisht vendin.

Është pikërisht ky brez, me gjyshër fshatarë e punëtorë dhe me prindër pjesë të mikroborgjezisë së sistemit, i cili në fund të viteve ’80 nuk përballet vetëm me vështirësitë ekonomike të mbarë popullit, por edhe me ngulmimin për të transformuar rrënjësisht mënyrën e jetesës sipas modeleve, ku reale e ku imagjinare, të Perëndimit. Kësisoj revolta studentore që nisi – e bitisën punëtorët në muajt e parë të ’91 – thyerjen e shpinës së socializmit burokratiko-diktatorial u frymëzua më shumë nga idetë e lirisë dhe çlirimit (pse jo edhe erotizimit subversiv) të mënyrës së jetesës sesa ngushtive ekonomike. Jo më kot pushtetarët e motit kërkuan ta ekonomizojnë pakënaqësinë studentore, e cila thuajse menjëherë, edhe për shkak të kahershmërisë të dhunës së aparateve shtetërorë dhe uniformitetit të diktuar nga aparatet ideologjike, shpërtheu politikisht dhe kulturalisht.

Kontradikta që i bie syrit që kthehet pas në kapërcyellin e ’90-’91 është ajo midis dimensionit të fuqishëm utopik të ideve studentore dhe modestisë së arritjeve të asaj lëvizjeje. Them utopike ngaqë në shumësinë e një lëvizjeje ende të padisiplinuar nga kthetrat e partive që po lindnin gjeje projekte të tjetërbotshme, ngërthime të anarkizmit të mënyrave të jetesës, liberalizmit të të drejtave, demokracisë radikale, begatisë për të gjithë, shoqërisë ku të gjithë do të ishin pronarë individualë, madje edhe të versioneve të komunizmit të ripërtërirë antistalinist. Krahasuar me to, arritjet janë të mezidukshme: pluralizëm partiak që i ngjason më shumë luftës me intensitet të ulët midis mafieve, lirisë së mënyrave të jetesës në disa sektorë të shoqërisë, të drejtës gjithsesi të pabarabartë për t’u artikuluar publikisht, mundësisë për të ikur nga vendi pa rrezikuar plumbin kokës… e më pas, mjerim i ri në formë e përmbajtje.

Ndryshe nga të djeshmit, studentët e sotëm, të kushtëzuar nga rrethanat e reja shoqërore, kanë trajtë të tjetërllojtë. Pikësëpari janë më të shumtë se ata të ’90. Kundërthënshëm shkollohen në kushte pluralizmi të pjesshëm botëkuptimor, mirëpo cilësia shkencore që prodhohet në universitete, së paku në degët me traditë në universitarizmin shqiptar, është më e ulët.

Po ashtu u përkasin shtresave më të larmishme shoqërore. Ndryshe nga ç’ndodhte motit, të varfrit e mirëfilltë e kanë thuajse të pamundur integrimin në jetën universitare. Së paku, jo menjëherë. Në mungesë të dimensioneve të theksuara sociale të shtetit, mobiliteti social nuk kryhet nëpërmjet shkollimit universitar, por remitancave dhe krimit, përfituesit e drejtpërdrejtë ose të tërthortë nga të cilët i qasen universitetit jo më si shkallë ngjitjeje, por si konfirmim ose konsolidim i ngjitjes së mëparshme sociale. Sidoqoftë kompleksiteti i një shoqërie klasore me pabarazi të theksuara e të shumëllojshme bën që, pavarësisht përjashtimit masiv të të varfërve, trupa studentore të jetë akoma më plurale dhe të përfshijë studentë jo vetëm nga shtresat e mesme, por edhe nga të varfrit në prag të shtresës së mesme.

Nga ana tjetër, ndryshe nga monopartizmi i të shkuarës që e ndante shoqërinë në dysh, çka i jep unitet anës kundërhegjemonike, shumëpartizmi patronalo-mafioz i të tashmes i komprometon, i kanalizon për interes të vet dhe i shkurajon energjitë e rezistencës studentore. Nëse t’i kundërviheshe partisë-shtet rrezikoje jetën, por mund të hyje heroikisht në histori, t’u kundërvihesh partive shtet-privatizuese të së sotmes nënkupton për shumëkënd ostracizëm ekonomik dhe kotësim cinik të çfarëdo heroizmi.

Po ndryshe nga të ’90-s, kërkesat e studentëve të sotëm nuk bazohen më në jetësimin e mënyrave të reja të jetesës. Fundja emancipimi seksual dhe/ose tymosja e një cigareje hashash e kanë humbur subversionin që kishin në një shoqëri më konservatore se e tashmja. Kërkesat tanimë janë kryesisht ekonomike (ulje tarifash, bursa jetese, mundësi punësimi etj.) dhe për rritje të cilësisë së studimeve (infrastrukturë studimore, pedagogë të zotë, mënyra kritike mësimdhënieje etj.) Nëse studenti i ’90 kishte sigurinë e punës profesionale, sado të keqpaguar, i sotmi gjendet përpara kontradiktës së të punuarit jashtë profesionit gjatë shkollës dhe të mbeturit pa punë pas saj. Nëse shtojmë edhe elementin e mpakjes së dhunës shtetërore, frika e studentit të sotëm nuk vjen më nga aparatet e dhunës shtetërore, por nga dëshpërimi që prodhojnë kushtet shoqërore, ku shtetit nuk i kihet frika, por përçmohet për mosgarantimin e të drejtave bazike shoqërore dhe tjetërsimin e të mirës publike te klientët e privilegjuar.

Kjo bën që kërkesat e studentëve të sotëm, si ajo e arsimit publik falas që artikulon Lëvizja Për Universitetin, të duken modeste krahasuar me shumëllojshmërinë utopike të studentëve të ’90. Vetëm në këmishën e forcës ideologjike neoliberale të tilla kërkesa konsiderohen të tjetërbotshme. Mirëpo ngulmimi në këto kërkesa, në kushtet ku politikat shtrënguese të qeverive veç sa e keqësojnë gjendjen social-ekonomike, mund të fusë në krizë jo vetëm qeverinë aktuale, por krejt sistemin politik shqiptar. Diçka e tillë do të hapte terrene të novacioneve politiko-shoqërore, ku utopizmi nuk do të jetë më një projekt çmendurak paraprak, por efekt i paplanifikuar i tentativave për t’u dhënë zgjidhje të reja problemeve të vjetra.

Ky artikull është botuar nën licensën CCA 4.0 (Creative Commons Attribution 4.0 International License).

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.