Ëndrrat kushtojnë në vendin tim

/Maria Aliko/

Histori e vërtetë, dedikuar asaj vajze që kurrë s’e kuptuan

Ndodh ndonjëherë të jesh dëgjues i të tilla historive dhe jo thjesht spektator në një sallë te madhe kinemaje ku shfaqen filma hollivudianë. Ishte natë feste. Ekipi kombëtar i futbollit ishte gati për të vënë “plis për në Paris”. Mes zhurmave festive të fishekzjarrëve dhe brohoritjeve të bashkatdhetarëve të mi “O Sa mirë me qenë shqiptar!”, unë ndihesha më e turpëruar se kurrë për origjinën time. Asaj i erdhi vetoja: “Paguaj qiranë deri në fund të javës, ose mblidh plaçkat!” Thellë brenda meje e kisha paragjykuar për mënyrën sesi kishte zgjedhur të jetonte. Është e lehtë të paragjykosh kur dritat, ujin, veshjen, ushqimet, shkollimin t’i paguan babi. Ajo s’e kishte këtë luks.

Deri para asaj nate, çdo mik që njihja dhe dija se kalonte vështirësi ekonomike e ngushëlloja me një thënie që as vetë s’e di se cili trap e ka thënë: “Ëndërro! Ëndrrat nuk kushtojnë dhe, nëse do diçka vërtetë, ke për t’ia dalë!”. Edhe pse as vetë s’e besoja, në shumicën e rasteve funksiononte aty për aty, sa për të qetësuar e motivuar dikë. Deri sa atij/asaj t’i vinin faturat e muajit tjetër.

“Mari çfarë thua?! A e ke idenë sa kushtojnë ëndrrat, këto përralla me mbret?!” – ishte përgjigja që mora në këtë rast. “E ke idenë sa më kanë kushtuar mua ëndrrat në këtë vend?”. Kam dy diploma, dy gjuhë të huaja dhe trajnime jashtë shtetit. Kam shfrytëzuar çdo mundësi që kisha për të konkurruar ndershëm në këtë treg. Mangësia ime e vetme ishte që s’kisha miq. Ëndrrat në Shqipëri kushtojnë për çdo të ri. A e mendon dot sesa mund të kushtojnë për një vajzë?! Të jesh një e re pabukse në vendin tim do të thotë qe shefi yt, në shumicën e rasteve, të të shohë si një llokëm mishi, funksioni i të cilit është të realizojë mbi të ëndrrat e tij më të sëmura erotike. Më rrofshin diplomat, gjuhët e huaja, trajnimet jashtë shtetit! Nëse një grua nuk sheh tavanin e dhomës së hotelit, nuk bën për punë. Por pronari i shtëpisë më kërkon qiranë, dritat mi kanë prerë, prindërit i kam sëmurë dhe asnjë doktor nuk i merr përsipër pa bakshish. Ku janë tani ëndrrat e mia dhe sa shtrenjtë më duhet t’i paguaj?! Ato ëndrra që shihja sa herë mbyllja sytë kur isha e vogël. Ëndrrat për të pasur një shtëpi të bukur, një familje të madhe dhe një punë të mirë. Ato që për një të ri anglez, gjerman, francez janë gjëra normale, për një të ri/të re shqiptare si unë janë ëndrra. Ata ëndërrojnë të ndryshojnë botën, ndërsa unë ëndërroj të kem një copë buke dhe një çati mbi kokë. Por këto ëndrrat e mia janë fshehur pas fjalëve të atyre që thonë: ‘Ia paguan dashnori qiranë kësaj. Ai e mbanë me bukë.’ Përveç tyre, më duhet të duroj një injorant që mendon se mund të blejë çdo gjë me lekët e tij. Madje edhe me trupin tim, përveç punës që i ofroj. Jam bërë 2 në 1!”

Ajo fliste, ndërsa unë në fytyrën e saj shihja shumë vajza të tjera. Shihja atë studenten për të cilën kisha dëgjuar shpesh se dilte me djemtë për një sanduiç dhe një kanoçe kola. Shihja atë gruan që ngiste një Audi Q dhe njerëzit përreth e komentonin si të “shitur”. i shihja të gjitha ato njëkohësisht dhe ulja kokën. Kush isha unë që nga dritarja e kështjellës që im atë më kish ndërtuar të tregoja me gisht të gjitha ato vajza dhe gra që luftonin për të gjetur një çadër nën shi?! Nuk i kisha paragjykuar kurrë me zë, por me mendje po.

Përreth meje dëgjoheshin zëra që vazhdonin të këndonin: “O sa mirë me qenë shqiptar!” E përhumbur pyesja veten: “Ç’do të thotë me qenë shqiptar? Mos vallë të jesh shtetas i një shteti që të shet te pushtetarët për bukën e gojës? Shtetas pa të drejta, pa dinjitet? Shtetas pa shtet? Për fat të keq këto histori ndodhin në çdo cep të botës, por jo si në Shqipëri. Numri i rasteve është ku e ku me atë të Evropës.

Thonë pra se ëndrrat nuk kushtojnë. Jo, i dashur lexues! Ato i paguan me humbje kohe, zhgënjim dhe dinjitetin tënd. Ndaj, herës tjetër kur të hasni një grua të tillë, shiheni më mirë. Nuk është duke e shitur ajo veten. Vendi i saj po e shet. Ky atdhe! Nëse ajo do të kishte mundësi të jetonte një jetë më dinjitoze, jam e bindur se Audi do të përfundonte i parkuar në mes të rrugës pa shofer, ndërsa sanduçi i hedhur në fytyrën e atij idioti.

Ekipi kombëtar i futbollit po përgatitej shpirtërisht për në Paris, tifozët ishin derdhur si lum rrugëve, kurse unë, një grimcë rëre në të gjithë këtë Shqipëri, po mendoja sesi dreqin mund të ndryshojë ky vend.

Ky artikull është botuar nën licensën CCA 4.0 (Creative Commons Attribution 4.0 International License).

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.