Dëgjo baba: Unë jam komunist
/Klodi Leka/
Dëgjo baba i dashur
fjalët e mia të fundit
dhe mëso domethënien e re të birit tënd
Jo se do të iki rrugëve të perëndimit
me britma të thyera bitnikësh në sfond
por se do të rrënjosem fort
qysh sot
në bukën e ëmbël të tokës tonë
ku unë nuk do të mbetem më fëmija yt
por mik i ëmbël zemre
dhe i guximshmi shok.
Po, dëgjomë.
Po, unë jam komunist!
Po, komunistët i hanë fëmijët e botës!
E jo vetëm kaq. I çmendin ata.
I bëjnë të përmbysin tryezat e bukës së ndershme
dhe të shkallmojnë dyer të bekuara të kohës.
Si shtëpia jonë.
I bëjnë të qeshin me klithma burrash
dhe dashni mëmash
që më kot sa rrojnë.
Sidomos në çastin arratiak
të arsyes së mbrame
përmbi muzgje të rreme
të ngrëna me dhëmbë.
Po, unë jam komunist
dhe veç unë kam fuqinë
që ditëve tua të perënduara
t’ua kthej sërish
puhizën dhe rininë.
Dëgjo baba!
Asgjë prej mundimeve
s’mjaftoi dhe s’mu dha.
Unë dua gjithçka:
hënën
dashurinë
lulet
dhe çdo frymë të popullit tim.
Çdo zemëratë
këngë
dhe gëzim.
Nga rrjedh i rrëmbyer ky dielli im.
Po, unë jam komunist!
I përkas një klase tashmë.
Asaj kokëpalare.
Dhe organizatës revolucionare.
Që ndjen mu në asht
çdo krismë dhimbjeje
çdo rënkim
çdo thinjë
në kryet e vogël të gruas punëtore
dhe çdo burri trim
rrëgjuar poezive pa ritëm e pa rimë.
Dëgjo baba dëgjo
katjushën e re të klasës tonë
që kyçet e lemerisur
si zjarr i rënë në dhomë
pa mundur të dalë në dritë
të ngrohë me pranverë
periferitë
dhe çdo bunker tjetër industrial
çdo jetë gjer më tash të çuar në djall.
A nuk i pe dhe ti
vajzat e bukura të rinisë time
të rinisë tënde
të grira pa zhurmë
makinerive?!
Sot
trupat u tretën diku
të thartë e të velur
saksi vezake në parvazet e syve
që kurrë s’e panë një lule të çelur
ama
me dashuritë e tyre të brengosura
vazhdon të plehëroset ky peizazh i djegur.
A nuk i pe dhe ti
djelmoshat e bukur të rinisë time
të rinisë tënde
që ikën të humbisnin
poshtë një tjetër hëne?!
Oh, mos rrej baba, mos rrej!
Gjer në arkëmort u dhamë përshëndetje.
E ky qytet i nëmur
ka mijëra të gjallë
pothuajse të vdekur.
Po, jam komunist baba.
Ndjej në çdo pjesë të trupit
mundimin sizifian të qindra gjymtyrëve.
Vërshon çdo rrahje e zemrës time
thirrma padurimi nga nëntokë e tyre.
Dhe unë po çmendem
nga dell pafuqie.
Ndjej neverinë e gruas time
e gruas tënde
të cilës iu thurën kaq shumë ditirambe
lirie dhe dashnie.
E sot
rrëzuar porsi lavire
ofshan sosjen e saj
gjinjtë e kafshuar
pidhin e çarë
thellë, thellë, thellë
athua se për pak do bitisë në ferr
nga këmishëbardhë
neoliberalë.
Por unë nuk jam bir kurve baba
që sodit shpërfytyrimin e një mëme kaq të bukur
ndërkohë që bota gumëzhin pas dritareve.
Unë jam komunist.
Unë jam urrejtje apokaliptike
që i jep fund të tashmes.
Unë jam dashnia
që i hap rrugë të ardhmes.
Ndaj dëgjomë mirë baba!
Unë jam komunist.
Ky artikull është botuar nën licensën CC BY-SA 4.0.