21 janarët studentorë

/Mirela Ruko/ Kudo është 21 janar, madje edhe aty ku ndoshta nuk do t’ju shkonte mendja. 21 janari është në fakultet dhe studenti është një prej viktimave. Mbase nuk ju besohet, ndoshta thoni se tempulli i formimit te brezit te ri nuk e duron këtë hiperbolë. Politikat arsimore që s’rreshtin së përkeqësuar njëra-tjetrën po e vrasin studentin si të tillë, frymën studentore. Studentit sot i krijohet konfuzion në mendje që kjo nuk lidhet fare me habinë filozofike apo pështjellimin përpara malit të dijes, por me zgjidhjen e problemeve banalisht jetike, mbijetësore madje. Ndoshta  akoma nuk do ju besohet  se 21 është çdo ditë në fakultet ngaqë nuk keni parë studentë të vriten ose të vetëvriten. Kushedi ka pasur e ka dalë si histori dashuriçkash! Studenti i prodhuar në universitet s’është hiç më shumë sesa atom i nënshtruar, i mbledhur rastësisht nëpër kafe me të tjera atome melankolike e të pashpresa. Edhe emrin e ka humbur, i është tjetërsuar e ngatërruar me klientin. Studentit nuk i përket më universiteti , i cili aq marramenthi po kthehet në biznes saqë më shumë sheh stenda kompanish celulare sesa aktivitete shkencore. E drejta për t’u arsimuar ka rënë dëshmore duke i lënë vendin të drejtës për të kërkuar punë që të arsimohesh. Dhe kur nuk ia arrin, kur s’ia del ta paguajë, sheh vetëm dyert përpara fytyrës. A e dini se ku përfundon një student  kur  i mbyllen dyert? Në call center po qe me fat e pinjoll lagjesh të brendshme qyteti dhe në fasoneri në rastin më të keq. Aty ku dy viktima banojnë të njëjtin trup: ish-studenti ëndërrvrarë dhe punëtori fatzi. Ju duket metaforë? Ashtu do të ishte po të mos më vinte ndër mend një shoqe që mbush barkun e zbraz ëndrrat në fasonerinë e Kavajës. Çdo ditë është 21 janar për studentin, studentin punëtor e atë të papunë. Mjerisht sa s’ka i kalon 21 janarët i dhunuar, i diskriminuar, në mos edhe i gjymtuar. Po u rebelua, bëhet  sërish viktimë e burokracisë shpirtvrasëse universitare, ku në vend të plumbit e pret një buzëqeshje ironike që e përzë nga shtëpia e tij. E në mos pastë të paguajë, fillimisht e ndjekin nga biblioteka, pastaj nuk i shënojnë emrin në regjistër, më tutje nuk e fusin në provim dhe, në fund fare, e përjashtojnë nga shkolla si keqbërës ekonomik. Studenti është Ziver, Faik. Aleks, Hekuran. Kush nuk e di, edhe studentët vdesin ngadalë me 2 mijë lekë në xhep!
This image has an empty alt attribute; its file name is direct
Ky artikull është botuar nën licensën CC BY-SA 4.0.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.