21 Janari, ose drejtësia që nuk mund të bëhet vetëm në gjykatë

/Klodi Leka/ Katër vite më pas ngjarja e 21 Janarit vazhdon të rëndojë në ndërgjegjen kolektive të popullit si fantazmë që kërkon me çdo kusht shpagim e drejtësi. Por ky shpagim duket sikur nuk do të vijë nga të gjallët; të paktën për një kohë të shkurtër jo. Sepse drejtësia në kushtet aktuale, edhe nëse bëhet – gjë që është fort e pamundur nisur nga pozita e strukturave të pushtetit – mbetët e thukët dhe e pamjaftueshme. Bash për këtë arsye, ky krim kaq i rëndë shtetëror ka prirje të harrohet. Se siç thoshin konservatorët e dikurshëm, koha arrin të zbusë e të asgjësojë çdo dhimbje të kobshme. Me gjasë kështu ka për të ndodhur edhe këtë vit. Establishmenti do t’i lërë gjithçka kohës. Ish-kryeministri do t’u rikthehet pallavrave të neveritshme me puçistë e qytetarë të keqpërdorur. Njëjtë do të veprojë skota e gazetarëve dhe gazetave të tij. Kryeministri do të lozë sërish në skenat tragjike të piarit me familjarët e të vrarëve dhe akuzat e zakonshme ndaj gjykatësve të kompromentuar. Ashtu edhe gazetat e gazetarët e tij. Të tjerët, të paanshmit dhe melankolikët do të bëjnë atë çka dinë të bëjnë më mirë: të shpërndajnë pafuqi dhe kritika për popullin, duke u shërbyer kështu me dredhi naive a të sofistikuar pushteteve të Tiranës. Po diçka mund të ndodhë ama. Diçka që shkon përtej rrethit të mbyllur të baltës dhe shfajësimit, rreshtimit të rrejshëm dhe subjektivimit banalocinik. Diçka që mund të jetë e vogël dhe bezdisëse, me premtimin për t’u bërë e madhe dhe tmerruese. Kjo është Organizata Politike dhe asambleja publike që do të mbajë te Piramida. Dy  rrjedhojat më të rëndësishme për mua si pjesëmarrës i atyre ngjarjeve, por edhe si qytetar i kësaj shoqërie, është distancimi radikal nga klasa politike dhe krijimi i Organizatës Politike ditëve më pas nga intelektualë të rinj radikalë. Sot unë jam pjesë e kësaj organizate edhe pse nuk jam një nga nismëtarët themelues të saj. Organizata Politike lindi si kundërvënie ndaj klasës politike dhe modelit ekonomik neoliberal përmes edukimit dhe mobilizimit të shtresave më të nëpërkëmbura të popullit. Për organizatën, çështja e drejtësisë së 21 Janarit nuk është çështje që mund të reduktohet në vendim gjykate, por ka një rreze edhe më të gjerë ndikimi – drejtësinë shoqërore. Dhe s’ka si të ndodhë ndryshe! Reduktimi i ngjarjeve të 21 Janarit në çështje thjesht gjykate do të thotë t’i zhveshësh të vrarët, të rrahurit dhe të torturuarit nga domethënia e tyre politike. Do të thotë po ashtu t’i reduktosh nga subjekte që nuk u mjafton ligji në objekte për gjykimin e të cilëve ligji është i pamjaftueshëm. Nga dëshmorë të pazakontë në viktima të zakonshme. Kjo për dy arsye: ngaqë pushteti është i vetëdijshëm mbi pamundësinë strukturore të vendosjes së drejtësisë formale (gjyqësore) dhe mungesës së dëshirës për të vendosur drejtësi përmbajtësore (shoqërore). Sot, katër vite më pas, jo vetëm që askush nga urdhëruesit e mëdhenj të vrasjeve nuk ndodhet pas hekurave, por edhe zbatuesit e tyre të vegjël janë shpallur të pafajshëm dhe kompensuar për ato pak ditë paraburgimi. Gjyqësori dhe institucionet e pavarura eprore mbeten të kapura e të korruptuara pikërisht nga urdhëruesit e vrasjeve. Nisur nga kjo pamundësi për të vendosur drejtësi gjykatash, kryeministri Rama vë të dremisë ndërgjegjen politike duke lëshuar akuza sipas vakisë dhe bashkëqeverisur me disa nga vrasësit kryesorë në thellimin e mëtejshëm të shkaqeve që mundësuan revoltën popullore: politikat privatizuese dhe shtetin zbatues represiv. Një pjesë e madhe e politikave të kundërshtuara nga opozita socialiste e kohës dhe qindra mijëra mbështetësit e saj vazhdojnë të aplikohen edhe sot, madje me hapa edhe më të rëndë nga opozita e hipur në pushtet. Privatizimi i ndërmarrjeve të mbetura shtetërore, subvencionimi me para publike i kompanive private, sanksionimi i call center-ave dhe fasonerive si model ekonomik, reforma çiliste në arsim dhe instalimi i skemave neoliberale në shumë shërbime publike përbëjnë disa nga politikat e fortkundërshtuara të Berishës dhe riprodhojnë kontradiktat që çuan në kryengritjen e shtypur të Janarit. Këto politika vazhdojnë të prodhojnë çdo ditë e më tepër masa të zemëruara ziverësh, aleksësh, hekuranësh, faikësh të gatshëm për revolta por për dreq pa një subjekt thirrës. Më saktë, ky subjekt ekziston tashmë. Është Organizata Politike, zëri i të cilës mbetet ende i vogël për shkak të privatizimit të domenit publik dhe rritja e trupit të saj vetëm çështje kohe. Sepse shpagimi dhe drejtësia e ndaluar e Janarit konsiston te kundërshtimi i politikave privuese ekonomike dhe pushtetarëve të konservuar politikë. Drejtësia konsiston te ripolitizimi revolucionar i katër të vrarëve si dëshmorë e jo si viktima. Kjo është domethënia e 21 Janarit. Gjithashtu 21 Janari nuk është ngjarje e izoluar brenda një dite apo forme të vetme qeverisëse. Ai shkon më tej. Pas tij natyra e shtetit shqiptar në raport me demokracinë dhe masat popullore ka ndryshuar pakthyeshëm, për keq. Shteti e kaloi cakun e normalizuar të shtypjes: ai vrau. Shoqëria u zbyth drejt zgripit jonormal të demokracisë: ajo u dhunua. Demokracia mbeti ne pezullti: as nuk i vrau shkaqet, as nuk i shtypi shtypësit dhe as ndryshoi gjë. Ndaj 21 Janari është përditësuar tashmë. Ai ndodh çdo ditë. Ndodh sa herë që një punëtor fluturon nga lartësitë e skelave, sa herë që një minator e zë mali nën vete, sa herë që një i papunë vetëvritet, sa herë që një i përjashtuar periferik mbetet viktimë e rilidhjes së energjisë elektrike, sa herë që shoqëria hesht përballë masave dhe fenomeneve shtypëse. 21 janari qe dje, është sot dhe do të jetë nesër. Natyrisht nëse ne zgjedhim të heshtim. Ndaj eja nesër në ora 11:00 tek Piramida për t’i dhënë fuqinë e munguar fjalës dhe fjalët e fuqishme të vërtetës sonë kolektive.
This image has an empty alt attribute; its file name is direct
Ky artikull është botuar nën licensën CC BY-SA 4.0.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.