Të pasurit, të mospasurit dhe kredia

/Alfred Bushi/

Nëse kam një dhunti për të studiuar, por nuk kam para për të ndjekur studimet , atëherë nuk kam asnjë dhunti efikase, asnjë dhunti të vërtetë.  Përkundër kësaj, nëse nuk kam asnjë dhunti për të studiuar, por kam vullnetin dhe paranë, atëherë kam një dhunti efikase” (K. Marks: Dorëshkrimet ekonomiko-filozofike të 1844)

Përballja mes “të pasurit ”  dhe “të mospasurit ” artikulon në mënyrë të kthjellët një prej kontradiktave thelbësore dhe të pazgjidhshme që mban në këmbë strukturën komplekse të ekonomisë së tregut në shoqërinë tonë,  ashtu si, në shkallë të ndryshme, mbante në këmbë edhe strukturën ekonomike në shoqëritë e mëparshme. Kjo kontradiktë shprehet me faktin e thjeshtë, të hasur  përditë,  se të pasurit e një pakice bazohet në të mospasurit e një shumësie, që do të thotë se, shprehur në termat e lartpërmendur, të pasurit e mundësisë për t’u arsimuar bazohet në pamundësinë e të tjerëve për t’u arsimuar. Shfrytëzimi, tjetërsimi, pabarazia e padrejtësia janë efektet dhe njëkohësisht shkaqet që ndikojnë në përjashtimin nga shumë të drejta, e ndër to përjashtim nga e drejta për të studiuar, përjashtim nga dhuntia, dëshira për të studiuar etj. E gjitha kjo varet nga përjashtimi ekonomik e shfrytëzimi në punë.

Në shoqërinë në të cilën jetojmë, sipas modelit ekonomik të saj, paraja është ndërmjetësi në marrëdhëniet ndërnjerëzore  dhe vlera me të cilën matet çdo gjë. Të pasurit e parasë bëhet kushti bazë për të qenë, për t’u bërë diçka, kushti për t’u ushqyer, kujdesur për shëndetin, arsimuar, ndjekur hobet dhe kënaqësitë e jetës. Në këtë aspekt vetë mundësia për të bërë një nga këto gjëra, ose të gjitha bashkë, varet pashmangshmërisht nga mundësia dhe mënyrat për të fituar këto para. Meqenëse e vetmja mundësi dhe mënyrë e ligjshme, të paktën për masën popullore, është puna e ndershme, atëherë çdo gjë varet nga pasja apo mospasja e saj. Le të marrim rastin kur në ekonominë e tregut ka punë dhe njerëzit punësohen. Nga një situatë e tillë marrëdhënieje pune, në një ekonomi të tregut-  siç thotë Marksi-  vërejmë edhe formimin e mbivlerës së kapitalistit, pronarit apo punëdhënësit nëse është pronar, pra të asaj vlerës që mbetet nga diferenca mes vlerës së produktit të punës që prodhon punëtori dhe vlerës së fuqisë punëtore e shprehur në pagën që merr punëtori, kjo e fundit e mjaftueshme vetëm për të gjallu si forcë pune.  Kjo në thelb përbën një punë të papaguar, të mohuar, një mohim të mundit të punëtorëve. Pikërisht kjo mbivlerë, e krijuar si zhvlerë, nga shfrytëzimi i forcës prodhuese njerëzore,  bëhet gur themeli i tërë ngrehinës tjetërsuese si në sferën ekonomike, ashtu edhe në atë politike. Mbivlera qëndron si shpata e Demokleut mbi kokën e punëtorit. Kështu, në këtë gjendje shfrytëzimi çnjerëzor, punëtori, nga paga që i jep punëdhënësi, mezi ia del të mbajë gjallë trupin e tij dhe të familjes, dhe këtë ia arrin për aq kohë sa është i domosdoshëm në punë. Paga i del veç që të ushqehet, në mënyrë që të shfrytëzohet përsëri të nesërmen, të pasnesërmen e me radhë deri në vdekje.

Edhe në rastin ku njeriu ka mundësinë e një pune, të ushqyerit, kujdesi shëndetësor, arsimimi, hobet e kënaqësitë e ndryshme shndërrohen nga disa të mira thelbësore që ai do duhej t’i kishte si domosdo për ekzistencën e tij, si kusht i domosdoshëm i shpërfaqjes së fuqisë krijuese të tij, në të mira që i përkasin për aq kohë sa ka me se t’i paguajë.  Në rastin kur mungon puna, është e kotë të shtohet më tepër pasi edhe mënyrat përkrahëse, mekanizmat e shteti të welfare-it, janë pothuajse të padukshme.

Diku tjetër në po të njëjtin libër Marksi shkruan: “Atë çka unë nuk mundem ta bëj si njeri, pra atë çka nuk munden të bëjnë forcat e mia thelbësore individuale, mundem ta bëj me anë të parasë. Kështu, paraja e bën secilën nga këto forca thelbësore, diçka që nuk është në vete, pra e bën të kundërtën e saj.

Ekonomia e tregut, me tendencën e saj ekspansioniste, drejtohet kah kapja e çdo aspekti të jetës në hapësirë dhe në kohë. Siç tregon Rosa Luksemburgu te ” Reforma sociale apo revolucion” – kur ekonomia e tregut, e cila ka tendencën dhe kërkon me çdo kusht të shtrihet gjithandej, has në kufizimet dhe pamjaftueshmërinë e kapitalit të vogël privat, për rrjedhojë të buxhetit të kufizuar, atëherë lind kreditimi, si një formë për ta kapërcyer këtë pamjaftueshmëri. Luksemburgu flet për rastet e kreditimeve të mëdha si ato industriale e tregtare, por unë do të përmendja rastin e kreditimeve të vogla, të cilat në tërësi përbëjnë një shumë të madhe përfitimi. Kredia, të dhënit e besimit të një huadhënësi ndaj huamarrësit për transferimin e një shumë të caktuar parash me X interes, është një element që, sipas Luksemburgut, e shpie përpara kontradiktën mes tendencës në rritje të prodhimit përballë kufizimit të konsumit të këtij prodhimi. Me një fjalë, kur ka kriza, kur prodhohet aq shumë sa nuk ka më kapacitete për konsum, atëherë lind kredia si element nxitjeje e konsumit apo krijim lehtësirash të ndryshme për të dalë nga kriza. Mirëpo kredia, larg nga të qenit një faktor lehtësues i krizave dhe zhdukjes së fitimit të padrejtë, është më tepër një mjet për ta thelluar krizën më tepër se ç’është. Kështu, si në një situatë të ashtuquajtur normale, ashtu edhe në një situatë krize kemi një zhvendosje të vlerave në të kundërtën e tyre. Në atë të kundërt që vjen si pasojë e ndërmjetësimit të  parasë në marrëdhëniet njerëzore. Diçka e tillë ndikon në vetëbërjen e njeriut, në procesin e formimit të tij si pjesë e shoqërisë. Njeriu  nuk shfaqet më sipas masës së tij, por sipas masës së diçkaje të huaj. Ai shfaqet sipas masës së parasë që ka apo nuk ka, dhe në këtë shfaqje ai duket gjithnjë e më i huaj për veten dhe shoqërinë.

Këto dy kontradikta të rëndësishme të ekonomisë së tregut janë ato të “të pasurit” që bazohet te të mospasurit dhe të mospasurit që, me anë të kredisë  (besimit), tentohet të shndërrohet në “të pasurit”. E para është kontradiktë e pazgjidhshme, ndërsa e dyta  është një metodë e  rrezikshme e zhvendosjes dhe mjegullimit të kontradiktave social-ekonomike. Kredia sillet si një mundësi zgjidhjeje e vështirësive ekonomike, por në të vërtetë është thellim i mëtejshëm i këtyre vështirësive pasi s’bën tjetër veçse akumulon dhe shtyn krizat në të ardhmen. Kontradikta mes atyre që kanë dhe atyre që s’kanë është një e pazgjidhshme në strukturën  ekonomike në të cilën gjendet shoqëria. Kjo nuk zgjidhet me anë të kreditimit, nxitjes së konsumit, por me zhdukjen e pabarazive, padrejtësive, shfrytëzimit e tjetërsimit, pra me ndryshime rrënjësore, çka e shqetëson shumë klasën sunduese.

Ky artikull është botuar nën licensën CCA 4.0 (Creative Commons Attribution 4.0 International License).

Lexojmë dhe shpërndajmë!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.