Të jesh i ri në kohë krize

Si pendesë për krimet e veta, Egjeu, prijësi i Athinës, ishte i detyruar që çdo shtatë apo nëntë vjet të ofronte për flijim disa të rinj nga qyteti në nder të mbretit kretas Minos. Ata do të përpiheshin nga krijesa gjysmë njeri-gjysmë buall që jetonte në labirintin poshtë pallatit mbretëror të tij.  Ky tregim duket sot si një parandjenjë e mitologjisë greke ndaj situatës që përjeton vendi. Papunësia ndër 16-24-vjeçarët e kalon 50% në vitin 2015. Shumica e të rinjve në të 20-at që emigrojnë jashtë vendit janë me diplomë universiteti. Ata që ngelen mbrapa përbëjnë kryesisht shtresat më të varfra të shoqërisë greke. Pamja e njohur e ‘të rinjve të pakënaqur’ në Greqi është ajo e djemve të rinj nihilistë të veshur në të zeza, me kapuça në kokë që luftojnë më policinë dhe thyejnë xhamat e bankave. Në të vërtetë janë vajzat e reja ato të cilat i kanë vuajtur më shumë pasojat e rënda të papunësisë. Një ndër aspektet më të qarta të papunësisë është numri i lartë i të rinjve që jetojnë me familjet prindërore. Kjo nuk shpjegohet me një tradicionalizëm të supozuar të lidhjeve të forta familjare apo pjekurisë së vonuar. Që në vitet e para të krizës qarkullonin në formë anekdotash raste çiftesh në të 30-at me fëmijë të cilët detyroheshin të shpërnguleshin në familjet prindërore të njërit prej partnerëve. Greqia e krizës u kthye në laboratorin e masave shtrënguese – ku të rinjtë e vendit shërbyen si minj laboratori. Dogma neoliberale që problemin e papunësisë e sheh te shteti i mirëqenies u testua me pasojë shkatërrimin e tyre. Pas çdo përpjekjeje të qeverisë për të ulur pagën minimale, për të lehtësuar pushimin në masë të punëtorëve, shtrydhjen e sistemit të ndryshkur të mirëqenies edhe më dhe rritjen e çdo presioni të imagjinueshëm social dhe psikologjik ndaj të rinjve për të “luajtur vendit” për të gjetur punë, ata prej tyre që nuk mundën t’ia hipnin avionit me kosto të lirë për të gjetur punë tjetërkund ngelën përsëri të papunë.

Kryengritja e 2008-s

Vrulli i përleshjeve në rrugë, kohëzgjatja dhe shtrirja gjeografike e tyre u përngjante trazirave të 2005-s në Francë, të nxitura kur dy adoleshentë në Clichy-sous-Bois, Bouna Traore dhe Zyed Benna, i zuri korrenti pasi po tentonin t’i shpëtonin policisë duke u strehuar në një nënstacion elektrik. Por ndryshe nga ngjarjet në Francë apo nga revoltat e komunitetit afrikan në Britani në 1981, rebelimi i rinisë së 2008-s nuk ishte i fokusuar në zona të minoritetit etnik. Ai u shtri deri në qyteza të vogla me disa mijëra banorë në Greqinë rurale. Megjithatë kishte një dimension ‘emigrantësh’. Për të parën herë fëmijët e emigrantëve shqiptarë, aziatiko-jugorë dhe afrikanë kryen veprimin militant grek të të goditurit me gurë të stacioneve të policisë, të vënies së zjarrit makinave të shtrenjta dhe ngritjes së barrikadave në rrugët e qyteteve. Fola me disa prej tyre në Nikea, një zonë e varfër në perëndim të Athinës, në mes të përleshjeve ato Krishtlindje. Marengleni, një 17-vjeçar prindërit e të cilit emigruan në Greqi nga Shqipëria në 1996, më tha:

“S’ka asgjë për ne. Asgjë! Vëllai im është në burg. Kërcënohemi vazhdimisht nga policia. Dhe tani vranë djalin në Exarchia (vrasja e 15-vjecarit Alexis Grigoropoulos më 6 dhjetor 2008 nga dy policë ndezi shkëndijën e protestave popullore atë vit). Mos kujto se janë vetëm ata të veshur me të zeza me simbolet e tyre anarkiste qe po ngrihen. Na shih ne! S’jemi veçse fëmijë. Por jetët tona vlejnë. Do t’i detyrojmë të na dëgjojnë.”

Pasi tha këto u nis me një grup shokësh bashkëmoshatarë, grekë e shqiptarë, të armatosur me disa kokteje Molotovi të përgatitura mjeshtërisht.

Më kujtohen kanalet televizive në pronësi të oligarkëve vendas sesi në mënyrë të vazhdueshme shfaqnin pamjen mjerane të pemës kombëtare të Krishtlindjeve. Ishte ngritur krenarisht para parlamentit në Sheshin Syntagma. Thuajse në moment iu vu zjarri dhe u shkrumbua. Por ndërkohë në laiki, tregun fshatar të fruta-perimeve, flladet e acarta të krizës financiare të atij viti kishin filluar të ndjeheshin në kursimet e familjeve, që në dekadën e mëparshme kishin përjetuar rritjen e çmimeve të ushqimeve dhe shtëpive, si dhe ngrirjen e pagave duke iu drejtuar kredive të pasigurta. Njësoj si në Britani, Irlandë dhe Spanjë. Një numër çuditërisht i madh njerëzish nuk kishin ndër mend të sakrifikonin një grup të rinjsh në altarin e ligjit dhe rregullit. Pema e djegur e Krishtlindjeve qëndronte tashmë si mishërimi i kohëve të vështira ekonomike për shumë më tepër njerëz sesa ata që e shihnin atë si simbolin e fyerjes kombëtare.

Një faktor tjetër i minoi përpjekjet për të fajësuar për përleshjet grupe të rinjsh që supozohej se ishin nxjerrë nga shinat prej anarkistëve “të paudhë”. Zaptimet e suksesshme të universiteteve dhe shkollave të mesme të 2006-7 i shtyu një numër të madh të rinjsh drejt aktivizmit të majtë. Pati gjithashtu impakt social pasi shumë prindër e mbështetën këtë përpjekje.

Nga 2006 në 2007 në Greqi u ndërmor një valë e gjerë zaptimesh nga studentë që ia dolën mbanë të kundërshtonin qeverinë në ndryshimin e kushtetutës për hapjen e universiteteve private fitimprurëse. Kjo i kushtoi postin ministrit të Arsimit. Lëvizja nuk synoi ta mënjanonte politikën, por të përballej me të. “Ne jemi duke bërë politikën që refuzon të bëjë Pasok-u.” Shkalla e shtrirjes dhe politizimit të lëvizjes studentore bëri që të kthehej në temë diskutimi në çdo familje të klasës punëtore dhe klasës së mesme me një të afërm në universitet. Fitorja e saj i dha përgjigje një pyetjeje, por ngriti një tjetër: Përpjekja kolektive mund të mposhtte një politikë të qeverisë dhe të detyronte dorëheqjen e një prej ministrave me më shumë influencë. Por çfarë do ta zëvendësonte këtë politikë? Në vjeshtën e vitit 2008 ishte fillimi i krizës financiare globale që solli Recesionin e Madh dhe mbivendosjen e politikave shtrënguese në Greqi, çka solli një kolaps ekonomik të përmasave që përshkruajnë romanet e John Steinbeck-ut për Amerikën e viteve 1930.

 

Kriza bankare dhe borxhi kombëtar

Greqia ndoqi rrugën globale ndaj asaj që në fillim u mendua se ishte veçse një krizë e bankave dhe sektorit financiar në 2008-ën duke shtetëzuar borxhet e sektorit privat. Ishte kjo lëvizje që solli spiralen e pafund të borxhit kombëtar dhe jo një sistem dorëlëshuar i mirëqenies sociale apo se grekët kishin jetuar deri atëherë “përtej mundësive të tyre reale”. Sistemi i mirëqenies sociale në Greqi ishte një ndër më mjeranët në Evropë. Grekët punonin më shumë orë sesa çdo vend tjetër i BE-së. Pagat ishin të ulëta. I vetmi shpenzim shtetëror i fryrë shkonte për armatimin e ushtrisë. Duke shtetëzuar borxhin e sektorit privat, por duke lënë fitimet në duart e tyre, kriza e kapitalizmit të tregut të lirë mori pamjen e një krize buxhetore të shtetit apo të një emergjence kombëtare në të cilën të gjithë duhet të sakrifikonin për të paguar borxhin astronomik. E djathta luajti me imazhin e bashkimit kombëtar dhe me “respektimin” e detyrimeve ndaj borxhit kombëtar. Në këtë mënyrë “paketat e shpëtimit”, huat që shteti grek merrte për të siguruar pagimin e borxhit, në masën 90% të tyre shkonin mbrapsht në sistemin bankar grek dhe evropian që kish qenë katalizatori fillestar i krizës. Qëllimi i masave shtrënguese nuk ishte mirëqenia ekonomike, por çimentimi i pozitës dominuese të biznesit evropian dhe atij grek. Nëse sot flasim për dështim të politikave të shtrëngimit, pyetja që ngrihet është: dështim për kë? Nën regjimin shtrëngues bizneset e mëdha të Evropës kanë mundur të shkaktojnë dëme të mëdha në punëtorinë e kontinentit, duke i shpallur luftë pagës minimale, kontratave kolektive, duke e bërë më të lehtë për pronarët që të pushojnë njëkohësisht me qindra punëtorë nga puna. Kjo është arsyeja kryesore pse qeveri pas qeverie në Greqi iu qëndrua besnike kësaj politike, edhe pse në dukje u përpoqën të negociojnë me Troikën lidhur me detajet. Gjithashtu arsyeja pse biznesi grek, me gjithë kolapsin ekonomik, kërkoi më shumë nga i njëjti ilaç është se nëpërmjet tij ai ruan një presion të përhershëm mbi standardet e jetesës së punëtorëve.

 

Përgatiti Redi Muçi

Ky artikull është botuar nën licensën CCA 4.0 (Creative Commons Attribution 4.0 International License).

 

 

 

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.