Tableta, akreditim-rankimi dhe spektakli (i PS-së) me arsimin e lartë

/Xhuliano Bregasi/

Edhe pse demokracia përfaqësuese si sistem politik, i mishëruar në atë ekonomik kapitalist, po tregon që nuk është sistemi më i mirë i mundshëm dhe po tundet nga themelet prej krizave të herëpashershme, duhet të pranojmë se ka një veçori të pamohueshme: mundësitë/alternativat e shumta (hipotetikisht) të zgjedhjes. Kështu, nëse qytetarëve nuk u pëlqen mënyra se si funksionon një fenomen a dukuri shoqërore, mund të zgjedhin një mënyrë alternative (forcë tjetër politike) për të qeverisur ndryshe. Po nëse alternativat janë të njëjta…?!

Kemi hyrë në dekadën e dytë të tranzicionit tashmë, me një sistem arsimor gjithmonë edhe më problematik, më të dobët, më jo-cilësor, më pak arsimues. Duke kaluar nga një sistem arsimor shumë cilësor dhe produktiv (përveç pjesës ideologjike dhe indoktrinimit), në një sistem arsimor pa asnjë politikë të qartë të zhvillimit dhe orientimit të tij, kemi arritur këtu ku jemi: me një sistem arsimor për të ardhur keq. Kuptohet, bëhet fjalë për të gjithë nivelet, nga cikli i ulët deri në atë universitar, por mendoj se është e rëndësishme t’i kushtojmë një vëmendje pak më të veçantë këtij të fundit, për disa arsye, midis të cilave: së pari, brezat e sotëm në arsimin e lartë (pas)universitar, janë tërësisht produkt i sistemit arsimor në demokraci; së dyti, janë pikërisht këta breza që në një të ardhme të afërt do të jenë edukuesit e brezave më të rinj.

Në rrokopujën e pandalshme që ka marrë arsimi (publik) në Shqipëri, e veçanërisht ai i lartë, sigurisht që “merita” të mëdha i ka qeveria e kaluar , me politika (interesa) të shfrenuara shkatërruese, saqë të duket sikur misionin e saj kryesor kishte shkatërrimin e arsimit. Këtu, midis të tjerash, për t’u veçuar është lejimi i hapjes së një numri alarmant universitetesh private, pa asnjë kriter cilësor a sasior, duke arritur një masë të tillë saqë iu imponuan edhe vetë (pu)shtetit në kurriz të universiteteve publike. Rasti më flagrant i këtij imponimi ishte e ashtuquajtura “reformë financiare në arsimin e lartë”. Në thelb të kësaj të fundit qëndronte financimi i universiteteve private me para publike, duke sjellë shkurtim të investimeve në publik dhe, rrjedhimisht, balancimin e tarifave të studimit publik-privat. Kështu, tarifat e studimit në privat mund të përgjysmoheshin, ndërsa në publik të disafishoheshin, duke i hequr mundësinë e arsimimit pjesës më të madhe të të rinjve, edhe pse mund të ishin me rezultate të larta. Kredia studentore, që presupozohej të ishte artifici që zgjidhte këtë problem, në këtë shoqëri ku studentët ngelen pa punë pas studimeve (ose fillojnë ndonjë punë qesharake), ishte mënyra ideale për shkatërrim: të individit (studentit), familjes e shoqërisë (që do u duhej të paguanin kredinë duke qenë edhe të papunë). E gjithë kjo, për shkak se nëpërmjet asaj reforme financiare shkatërrohej universiteti publik si i tillë, si hapësirë universale e dijes, e cila duhet të jetë e lirë dhe e aksesueshme për çdo anëtar të shoqërisë, pavarësisht mundësive ekonomike.

Për t’u kthyer edhe njëherë tek “alternativat” që garanton demokracia. Përkundër politikave të paudha të një pushteti të caktuar, çdo qytetar mund të hedhë sytë nga alternativat potenciale për të marrë dhe drejtuar (pu)shtetin. Kështu veprova edhe unë më shumë sesa një vit më parë: shkova në një takim rreth politikave arsimore, të organizuar nga partia më e madhe e opozitës së asaj kohe. Duke qenë se në Shqipëri pothuajse çdo gjë funksionon sipas logjikës elektorale (dhe ne jemi gjithmonë në fushatë), u duk sikur edhe Partia Socialiste, nëpërmjet takimit “Rilindje për studentin”, provoi të shpallte platformën e saj elektorale për të thithur votat e të rinjve dhe studentëve. Kjo mbase s’kishte asgjë të keqe, sepse çdo parti politike ka metodat dhe mekanizmat e saj për të fituar votat, por problemi qëndronte tek përmbajtja e asaj që u tha/premtua aty. Nëpërmjet një retorike të gjatë dhe lodhëse nga kryeministri aktual, në takim s’u thanë shumë gjëra për arsimin e lartë, por u kuptuan mjaftueshëm për “rilindjen e tij”.

Së pari, u përmend “tableta” si një risi, e cila do të kishte për qëllim një ndihmë ekonomike për studentin, për t’i mundësuar vazhdimin e studimeve. Pra, në thelb, “tableta” e përmendur ishte identike dhe kishte të njëjtin efekt si kredia studentore, vetëm se ka emër më seksi dhe më të “shëndetshëm”. Por është e qartë se çfarëdo emri të ketë, n’daç “tabletë” a n’daç “kredi”, kjo e fundit nuk ka veçse efektin e koçifozit për të ardhmen e studentit-rob-borxhli.

Së dyti, u premtua fuqishëm për akreditim-rankimin e universiteteve, si një ndihmë për studentin që do të zgjedhë në cilin universitet të vazhdojë studimet. Akreditimi dhe rankimi janë vërtetë të nevojshëm, si matës cilësie, por në këtë farë derexheje që (pu)shteti e ka katandisur universitetin publik, na ngjan me një struc që s’di ku të fusë kokën, e jo më të dalë në duel cilësie! Me një mungesë ulëritëse infrastrukture dhe cilësie në stafet akademike, në krahasim me privatin, pushtetet kaçake kanë vepruar me të njëjtën logjikë si ndaj çdo pasurie tjetër publike – plaçkitje e degjenerim, për ta pasur më të lehtë largimin nga duart e qytetarëve: privatizimin.

Së treti, në takimin “Rilindje për studentin” shumë interesante ishte muzika në sfond, me refren “il più grande spettacolo…!”. Nuk e di nëse ishte rastësi apo e zgjedhur me vetëdije, por ishte shumë domethënëse dhe plot kuptim në atë kontekst, ku: u fol shumë dhe s’u tha ndonjë gjë e re; u premtua, me fjalë të bukura, vazhdimi i shkatërrimit të arsimit publik; u duartrokit nga hartuesit e programit për arsimin, që e akuzonin dje (pu)shtetin për të njëjtën gjë që po e bëjnë vetë sot me arsimin e lartë; u brohorit nga rinia partiake me bursa në privat, përkundër interesit publik. Me pak fjalë, ishte një spektakël i vërtetë. Siç thoshte dhe kënga, “il più grande spettacolo…!”.

Rezultoi që partia e sipërpërmendur të ishte vërtetë fituese e zgjedhjeve të 2013-ës, dhe një prej vendimeve qeverisëse të saj ishte të mos vazhdonte reformën financiare të çuar para nga qeveria paraardhëse. Kuptohet, jo anulim për çështje parimore, por vetëm për shkak të vështirësive financiare. Megjithatë, përballë presionit të pronarëve të diplomoreve private, nuk vonoi hartimi i reformës së re për arsimin e lartë, që nuk ka asgjë më shumë sesa një “rilindje” në termat e përdorur, por jo në thelbin shkatërrues të arsimit të lartë publik. Kjo reformë pritet të bëhet publike e njëkohësisht të miratohet vetëm pak ditë më vonë, pa kaluar fare në diskutim publik. Veç kësaj, nga ligjërimi i deritanishëm i kryeministrit dhe lobistëve pranë tij, diçka është shumë e qartë:

Universiteti Publik është më shumë se kurrë në RREZIK!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.