Ideologjia e borxhit

/Arlind Qori/

Argumentet në mbrojtje të importimit dhe çmontimit të armëve kimike në Shqipëri, nëse mund t’ua bëjmë nderin t’i quajmë argumente pavarësisht qederit që i bëjmë gjuhës duke e shpërdredhur deri në këtë pikë, janë dykahëshe: teknike dhe politike, dhe të dyja të rrënjosura në të njëjtin truall ideologjik. Argumenti i parë mbështetet në parrezikshmërinë e këtij procesi. Sipas tij, bashkë me armët do të importohet edhe teknologjia, puna e kualifikuar, madje edhe mbikëqyrja. Ne na mbetet vetëm ofrimi i truallit, dhe pasi të mbarojë gjithçka, kontrollorët, punonjësit dhe vetë kimikatet e shpërbëra do të ikin duke e lënë tokën njëlloj siç e gjetën. Kushedi se si u përgjigjen argumentuesit tanë pyetjes naive se, nëse është kështu, përse na ofrojnë miliona/a larg qoftë miliarda?! Thjesht për qira?! Atëherë qiranë t’ua japim sipas çmimeve të tregut, si të kishte ardhur ndonjë trupë teatrale që pas shfaqjes do të mblidhte plaçkat dhe do të pastronte terrenin nga lëvozhgat e farave. Madje, si popull bujar që duam të kontribuojmë për të mirën e njerëzimit, nderi na e do që ta ofrojmë ndihmën falas, përderisa s’rrezikojmë gjë hiç.

Mirëpo, mund t’ia behë dikush, s’është e thënë që rreziku të mos ekzistojë fare, se fundja gjëma e Fukushimës ndodhi në Japoni, dhe jo në Togo, por prapëseprapë kjo punë e ka një zot, e ky zot ka hem njohuritë teknike, hem vullnetin politik që të mos shkaktojë dëme. Dhe këtu hyjmë në argumentin e dytë, atë politik, që mbështetet në besimin biblik të shqiptarëve te vullneti i mirë i Jehovait, pardon i SHBA-ve, madje mirëfilli i qeverisë amerikane ndaj popullit shqiptar. Mirëpo, në zemër të çdo mendimi politik sadopak përparimtar, liberalizëm klasik e tutje majtas, madje në vetë domethënien e gjithëlavdëruar të demokracisë amerikane, qëndron parimi se populli nuk duhet t’i besojë qeverisë së tij. Megjithëse mund ta ketë zgjedhur, paçka se mund të ushtrojë herë pas here kontroll mbi të, prapëseprapë duhet të mendojë vazhdimisht të keqen e mundshme, dhe ta kontrollojë e stërkontrollojë deri në pikën ku qeveritarëve t’u nxihet dita dhe ta mendojnë se vërtet s’është punë e lehtë të jesh shërbëtor i popullit. Tani, qeverinë tonë, edhe pse e zgjedhim herë pas here mes grushteve e pareve nga njëra anë në tjetrën, as që e kontrollojmë dhe as na e vërshëllen fare. Pra nuk bën ta besojmë. Po një qeveri që as e zgjedhim, as e kontrollojmë, e madje as e ndikojmë dot një grimë, si ajo amerikane, si mund ta besojmë?! Apo puna e besimit kështu është: ose është absurd, ose s’quhet më besim.

Sidoqoftë, besimi nuk është absurd, pasi është i rrënjosur në kushtet historike e shoqërore të një populli, në pafuqinë e shkaktuar të tij për të qenë subjekt historik. Prandaj besimit i thonë edhe ideologji, sidomos kur shërben për ta ngrirë, mitizuar, mbllaçitur e riprodhuar historinë nga pozicioni kreshnik i bishtit të kavallit. Dhe besimi ynë në këtë rast merr formën e ideologjisë së borxhit.

Ndër të tjera, ideologjia shquhet se i merr faktet historike dhe i çkontekstualizon, i homogjenizon, i përjetëson dhe i ngul pareshtur në vetëdijen publike. Kësisoj, borxhi i shqiptarëve ndaj Amerikës lëkundet midis ndërhyrjes së presidentit Wilson në Konferencën e Paqes të Parisit dhe ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë. Ideologjia nuk gënjen duke fshehur, por duke thënë një të vërtetë pjesore. Nëse marrim për ilustrim rastin e parë, nuk e di sa mund të vëmë dorën në zjarr për dashurinë e sinqertë të presidentit Wilson për shqiptarët apo 14 pikat historike të tij, por e sigurt është që rrëfenja ideologjike e borxhit harron se faktor përcaktues i ruajtjes së aq Shqipërie sa ç’kish lënë Konferenca e Ambasadorëve në Londër ishte vetorganizimi dhe revolta e popullit shqiptar, sidomos në Vlorë kundra italianëve, për të mos harruar edhe faktin “dytësor” të grevës së punëtorisë italiane që ua pamundësoi lëvizjen trupave italiane. Dhe meqenëse jemi në fushë të renditjes së fakteve të pjesshme, po aq borxhli duhet t’u ndiheshim bolshevikëve që, duke i qëndruar besnikë thënies së Trockit kur u bë komisar i marrëdhënieve me jashtë të Rusisë revolucionare se puna e tij ishte të bënte një deklaratë dhe pastaj të mbyllte qepenat, shpallën botërisht Traktatin e Fshehtë të Londrës që e shqyente Shqipërinë mes fqinjëve oreksmëdhenj. Paskëtaj mund t’i shpërndanim thërrimet e borxhit te Bashkimi Sovjetik që na shpëtoi prej jugosllavëve, kinezët që na shpëtuan prej sovjetikëve, prapë amerikanët që na shpëtuan prej vetes, e deri te gjermanët, turqit apo arabët që na kanë mbajtur me ndihma etj historira pranë vatrës si këto.

Historisë së mësipërme të borxhit mund t’i shtohet borxhi si histori, ose më saktë konceptimi i historisë si një borxh i madh e i përjetshëm, që duhet njohur, bërë gjithçka për t’u shlyer, dhe pasur vetëdijen se në fund fare është i pashlyeshëm. Kësisoj, historia jonë na del një histori e përjetshme viktimizmi, ku kokën prej ujit na e ka nxjerrë gjithmonë dashamirësia e të madhit, posaçërisht e SHBA-ve. Ky borxh, i viktimës që vetëshihet me lakun në fyt, pavarësisht se nis në kohë dhe duhej të shlyhej me kohën, konsiderohet i pakohë si në të shkuarën, ashtu edhe në të ardhmen. Nganjëherë duket sikur, nëse SHBA-të do të ekzistonin në kohë të romakëve, do të na kishin shpëtuar edhe nga ekspedita e Pal Emilit, pastaj dyndjet sllave, osmanët e me radhë kësaj rruge.

Kjo histori si borxh kërkon edhe pashlyeshmërinë e tij në çdo të ardhme, dhe jo thjesht për shkak të rëndesës së borxhit, por edhe prej mosbesimit se do të mundim ndonjëherë kaq të vetëvobektësuar sa ç’jemi. Marrëdhënia jonë ideologjike me SHBA-të i ngjan psikanalitikisht raportit të unit të torturuar nga kërkesat e mbiunit, kësaj radhe jo në shfaqjen e tij moralizuese, por në atë përqeshëse-sadiste të pakënaqjes së përhershme me orvatjet tona mjerane borxhshlyese. Nëse do duhej ilustruar kinematografikisht, s’kish pse të shkonim deri te Full Metal Jacket e Kubrick-ut, por mund të ndaleshim te Dora e ngrohtë e Çashkut, ku mbiuni Brahush i drejtohet përbuzshëm unit që përpiqet të ndreqet Besim se prapëseprapë bisht qeni kishte për të mbetur.

Prandaj borxhi riprodhohet në pafundësi, dhe sa më shumë shkon asaj ane, aq më tepër brendësohet prej borxhlinjve të cilët ia nisin lojës perverse të vetëfshikullimit. Kështu që edhe kur ndokujt i shkon mendja, për dreq, se përgjegjës për importimin e armëve kimike nuk janë vetëm përfaqësuesit tanë, por edhe ata përtejoqeanorë, menjëherë vetëkorrigjohet duke pohuar se ç’faj na kanë të tjerët kur ne s’bëhemi dot të zotët e vetes, kur qeveria nuk bën transparencë, kur opozita flet ezopshe, dhe kur në fund fare ky popull kështu është, i paderman, dhe e meriton të ndëshkohet. Madje vetëfshikullimi deri në vetësakrifikim, rasti i panikut apokaliptik, merr karakter shëlbues kur pas katastrofës ne do të lindim sërish, bash si në mitet fetare. E po si në këto mite, ushqehet shpresa se shëlbimi mund të vijë nga vetë Jehovai, që në fund do t’ia mbajë dorën Abrahamit së theruri të birin, duke thënë se ashtu ishte loja: një provë besimi që duhej kaluar me sukses, dhe tash mund të vihet një dorë në zemër dhe të shpëtohet populli biblik shqiptar nga vetësakrifikimi kimik.

Nga ana tjetër, ideologjia përthyhet në aktualitet duke u nyjëtuar rreth konceptit të interesit. Kësisoj, edhe nëse e lëmë mënjanë historinë, na del që mes ujqish fqinjakë, që s’e lenë e s’e lenë dot garën shoviniste, SHBA-të, në të mirë e në të keq, janë mbrojtësja e interesave tona kombëtare. Edhe në këtë rast, ideologjia bazohet në një fakt, që është i vërtetë, por i pjesshëm, duke shpërfillur si thellimin progresiv të marrëdhënies së varësisë, ashtu edhe përkufizimin e cekët të interesit, sidomos kur ai shkëputet totalisht nga çdo koncept i të drejtës.

Pikësëpari, nëse e lëmë mënjanë gjuhën e dashurisë, borxhit, historisë etj, dhe mbetemi tek “e vërteta” cinike e përllogaritjes së interesave, del që një fuqi e stërmadhe e rrit fuqinë e vet pikërisht duke pafuqizuar progresivisht dhe duke e bërë edhe më të varur fuqizën që e ndihmon. Dhe sipas gjuhës ideologjike të interesit duhet të na dalë që SHBA-të na mbrojnë nga fqinjët pikërisht që ne të kemi nevojë përjetësisht dhe progresivisht që të na mbrojnë nga fqinjët. Nëse e risjellim në vëmendje sërish konceptin e borxhit, atëherë mund të shtrohet pyetja se deri në ç’pikë do ta pranonim pa kushte një mbrojtje të tillë? Mos vallë duhet të vëmë në pikëpyetje edhe biosin tonë, se do farë abstraksionesh si mëvetësia apo dinjiteti ua kemi gjendur vendin me kohë në koshin e plehrave?!

Në të njëjtën lëmë, a është interesi i reduktueshëm vetëm në mbrojtje kombëtare? Apo kjo e fundit duhet parë e pazgjidhshme nga zhvillimi ekonomik, mpakja e pabarazive, mëkëmbja shoqërore, emancipimi i të nëpërkëmburve, koncepte këto që na e fqinjërojnë interesin me të drejtën?!

Po sikur këtë rrëfenjë ideologjike të mos e besojë shumëkush? A nuk ndodh vallë që kur flasim me njeriun e zhveshur nga sytë publikë, ai është mjaft më origjinal e skeptik nga ç’duket publikisht?! Madje, ku e ku më subversiv se ç’na e pret mendja. Por ideologjia funksionon me prapëseprape. Kësisoj, skeptiku ynë i vetëm, në mënyrë fetishiste, kthehet në besimtar, e sigurisht në riprodhues të borxhit, sapo del në shesh të mejdanit. Ideologjia funksionon edhe sikur askush të mos besojë në të, dhe në kushtin tonë feudo-postmodern, ajo funksionon pikërisht ngaqë askush nuk beson në të, por në mënyrë fetishiste hiqet se beson ngaqë beson se gjithkush tjetër përveç tij beson në të. Për skeptikun tonë të fshehur, të tjerët që hamendësohen se besojnë janë më së pari bashkëqytetarët që ai i merr për leshko dhe segregimit shoqëror ndaj të cilëve u druhet. Fundja në një botë leshkosh e vetmja mënyrë për të mos qenë leshko është të sillesh sikur je leshko. Mirëpo figurës së tjetrit që hamendësohet se beson i duhet medoemos mbështetja në shpatullat e gjera të tjetrit që hamendësohet se di, banorëve të planetit turbo-mediatik, që në këtë rast s’janë tjetërkush veç argumentuesit tanë të ngeshëm që padijen e tyre ulëritëse e fshehin përmes aktrimit të vetësigurisë që buron nga të dalit gjithmonë në televizor dhe syshkeljes se s’po ua themi të gjitha, por duhet ta dini se ne e dimë, nga “burime të sigurta”, nga hija misterioze pas perdes që hamendësohet se di gjithçka, dhe ndaj të cilës bëjmë mirë të bëjmë hosana.

Po armëve si t’ua bëjmë? Këtu na ndihmon Che Guevara, sigurisht jo me teorinë e foco-s guerrilase, por me atë thënien e çuditshme: “Megjithëse rrezikoj të dukem qesharak, unë them që një revolucionar i vërtetë  karakterizohet nga një ndjenjë e madhe dashurie.” Meqenëse revolucioni duket larg, e mbase tremb, qoftë edhe me të drejtë: “Megjithëse rrezikojmë të dukemi komunistë, mund të themi që veprimtari i vërtetë karakterizohet nga një ndjenjë e madhe dashurie…për tjetrin, për vendin, për botën, për të drejtën.” Veç ky shpërthim energjish solidariteti, ky koagulim forcash shoqërore, mund të kapërcejë çdo pengesë, duke shpërfillur edhe perënditë. Dhe perënditë rreshtin së ekzistuari kur s’besojmë më në to. Utopike? Po, por bash për këtë arsye edhe e vërtetë!

This image has an empty alt attribute; its file name is direct

Ky artikull është botuar nën licensën CC BY-SA 4.0.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.