Ngjarja e vjeshtës shqiptare

/Organizata Politike/

Është ves i keq qëndrimshpalosës, por me ç’duket i domosdoshëm, ai i vendosjes kohore dhe politike të një organizate në ngjarje që hapin mundësi radikale emancipuese. Të pamundur për t’i bishtnuar kësaj mundësie, po e ngërthejmë dialektikisht kohën dhe veprimin politik në mënyrë të tillë që Organizata Politike të parashtrojë rolin dhe pozicionin e saj specifik në atë që bart mundësinë e të quajturit Ngjarja e vjeshtës shqiptare.

Përpara se ta përkufizojmë si Ngjarje, do të ishte më mirë ta rrëfenim kronologjikisht si një zinxhir ndodhish, që Ngjarje mund t’i bëjmë vetëm së bashku, nëpërmjet besnikërisë ndaj kumteve të veta emancipuese. Organizata Politike iu bashkua thirrjes së Aleancës Kundër Importit të Plehrave, duke vlerësuar autoritetin e saj moral në luftën kundër importimit të plehrave, që në takimin e 9 nëntorit te Black Box-i, kur po përvijohej gjithnjë e më dukshëm publikisht rreziku i importimit dhe çmontimit të armëve kimike siriane. Megjithëse takimi nuk pati pjesëmarrje mbresëlënëse dhe ku herë pas here viheshin re divergjenca midis organizatorëve (të cilët na duhet ta themi që ishin më të shumtë në tribunë sesa në sallë), ai vlejti si një sintetizues i mirë i problemit të madh që po i hapej Shqipërisë. Po ashtu, iu bashkëngjitëm protestës ndërgjegjësuese përpara selisë së Këshillit të Ministrave fill pas atij takimi. Fundjavës, kur ishte hedhur ideja e një proteste të madhe përpara Këshillit të Ministrave dhe ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, me shoqet dhe shokët e organizatës ramë dakord se rreziku i madh ekologjik, poshtërimi simboliko-politik dhe nevoja për lëvizje emancipuese jashtëpartiake na kërkonte që jo vetëm të solidarizoheshim me protestën dhe lëvizjen kundër importimit të armëve kimike, por edhe të vepronim energjikisht përmes thirrjeve, trakteve, e të tjera formave të mobilizimit popullor, punë të cilat i paraprinë protestës së 12 nëntorit. Prej 12 nëntorit deri në buzëmbrëmjen e 16 nëntorit kemi qëndruar në sheshe, disa prej nesh edhe duke e gdhirë bashkë me protestues të tjerë.

Ditët e protestës, si çdo mobilizim tjetër spontan ose i organizuar në forma të çkoordinuara nga shumë grupe e organizata, u karakterizuan nga një larmi e madhe pjesëmarrësish, idesh, këndvështrimesh, mllefesh etj. si këto. Gjithsesi, duket se protestuesit i bashkoi një emërues i përbashkët i vogël në numër, por i rëndësishëm përmbajtësisht, përkatësisht refuzimi kategorik i importit të armëve kimike dhe mllefi ndaj elitës politike vendase dhe presioneve ndërkombëtare (të shpalosura publikisht nga ambasadori amerikan në intervistën e 15 nëntorit) në bllok. Këto të fundit u shfaqën më së miri në protestën e 12 nëntorit përballë ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku servilizmit neokolonial të elitës politike shqiptare dhe riprodhuesve ideologjikë mediatikë të tyre protestuesit iu përgjigjën me indinjatën e papërkulshmërinë e tyre, dhe dëbimit shembullor që iu bë Berishës dhe Bashës, pjesë e të cilit me krenari mund të themi që ishim edhe ne. Dëbimi i të mësipërmve ua hoqi propaganduesve qeveritarë gurin manipulues të protestës si proces të organizuar dhe mbështetur nga Partia Demokratike.

Në të njëjtën frymë në mesin e protestuesve gjeti menjëherë jehonë thirrja “Protestë laike!” që iu drejtua një kleriku dhe disa mbështetësve të tij që në pikëpamjen tonë kishin gjetur mënyrën dhe vendin e gabuar për të bërë spektakël popullariteti me predikimet e tyre. Aq i fortë ishte refuzimi i shumësisë ndaj kësaj tentative, saqë shoqëruesit e klerikëve, të zënë ngushtë nga këto thirrje e të tjera, u shtrënguan të bien në gjynah dhe të thërrasin blasfemisht se “Feja e shqiptarit është shqiptaria.” Vëmë re me kënaqësi se ndaj kësaj tentative spektakolare kanë mbajtur qëndrim kritik publik një pjesë e besimtarëve, të cilët i nxisnin bashkëbesimtarët e tyre të ishin pjesë jetike e shumësisë protestuese, por pa tundur fodullisht simbolet fetare; pra si bashkëqytetarë të përgjegjshëm.

Megjithatë zinxhiri i ndodhive, bash për arsyet e sipërpërmendura, nuk mund të shihet si qelibar dhe i rënë nga qielli. Entuziazmi dhe qëndrueshmëria popullore, sidomos e të rinjve, ishte mbresëlënëse. Shpirti krijues po ashtu. Por si çdo lëvizje edhe kjo nuk kishte si të mos vuante nga riprodhimi i disa klisheve, kritika ndaj të cilave do të na ndihmojë të organizohemi dhe emancipohemi më shumë. Pikësëpari, pavarësisht se helmatisjet partiake u shmangën me sukses, prania e disa personazheve famëkëqinj të famëleqendisurës “shoqëri civile” dhe tentativa e tyre mjerane për ta privatizuar protestën dhe lëvizjen duhet vënë në dukje. Bëhet fjalë pikërisht për ata që pas 21 Janarit u shndërruan në veglat poshtëbarkase të propagandës së qeverisë së asokohshme kundër demonstratës legjitime popullore të asaj dite. Në 21 janar ne ishim në shesh kundër asaj qeverie, ashtu siç ishim këto ditë në shesh kundër kësaj qeverie. Dhe mbi të gjitha do të jemi aty çdo herë kundër çdo qeverie, pa iu shitur e ndikuar nga askush përveçse ndaj bindjeve tona dhe përkushtimit për kauzat emancipuese. Por pashmangshmërisht, një lëvizje e të tilla përmasave nuk mund të privatizohej dhe përvetësohej, dhe aq më pak nga të mësipërmit që atyre ditëve janë përballur me mllefin e protestuesve më shumë se Berisha e Basha, por thjesht kanë qenë më të pacipë për t’u larguar.

Përzënia shembullore e ndërhyrjes së Berishës dhe Bashës prodhoi më një anë entuziazëm dhe vetëbesim në vetëdijen e protestuesve, por në anën tjetër, si rezultat i keqpërkufizimit dhe kushtëzimit ideologjik të termit politikë, qëndrimi antipartiak dhe antiestablishment herë pas here ngatërrohej me qëndrimin antipolitik ose apolitik në tërësi. Një qasje e tillë, e pafajshme në thelbin e vet, bënte që protesta të merrte edhe trajta folkloristike, etnonacionaliste e nganjëherë patetike. Këndimi në kor i xhamadanit vija-vija apo parulla të tjera të pavenda ishin simptoma të një qasjeje të tillë, çka e kthente në disa momente protestën nga mundësi për të ndërtuar një bashkëbisedim kolektiv, alla Occupy Wall Street apo Indignados, në një gjysmëmbledhje tifozësh kuqezi apo Tirona Fanatics, pavarësisht konsideratës që kemi për ta në fushën sportive.

Një qasjeje të tillë veprimtarët e Organizatës Politike u përpoqën t’i shmangeshin duke e kthyer vëmendjen nga përmbajtja dhe simbolika emancipuese e asaj që kemi shansin ta quajmë Ngjarja e vjeshtës shqiptare. Pikësëpari përmbajtësisht, duke u shpërndarë dhe formuar grupe disadhjetëra vetësh diskutimi. Puna nuk ishte vetëm se si të shprehnim mllefin kolektiv ndaj situatës, por edhe se si të kuptonim në mënyrë kritike procesin emancipues pjesë e të cilit ishim vetëdijshëm ose pavetëdijshëm, se cilat ishin shkaqet strukturore dhe politike të asaj situate, nevojën për ide, këngë e parulla të reja, dhe mbi të gjitha se si, cilido të ishte rezultati i protestës, lëvizja e shumësisë duhet të vazhdonte e të shtrihej për kauza të tjera po aq urgjente e të rëndësishme. Po ashtu, ndryshe nga ca, e bashkë me ca të tjerë, shtruam për diskutim problemin e madh të nëpërkëmbjes së një shteti të vogël e të keqqeverisur përherë ndaj stërfuqive botërore, interesat e të cilave dhe interesi apo e drejta jonë nuk shkojnë kaherë në të njëjtin drejtim. Prandaj, edhe simbolikisht e konsideruam jetike protestën përballë ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, dhe ditën e fundit edhe përballë ambasadës së Federatës Ruse, që nuk u krye veç për ngatërresa të kuptueshme të orientimit në një turmë të madhe.

Nga ana tjetër, simbolikisht dhe krijimtarisht u rrekëm të linim gjurmë ndërgjegjësuese duke iu shmangur si “dreqër” klisheve në shkrimin dhe hedhjen e parullave. Me mungesë të turpshme, makar të kuptueshme, modestie na duhet të marrim autorësinë për parullat e shkruara të spikatura si “Yes we can…say Noooo”, “Import some balls instead! Rebelohu!”, “I have a nightmare”, vargjet e përshtatura të Ali Podrimes “Tokë me nda nuk kam/Ndërkombëtari n’pidh t’samës/Me kundërshtu duhet me mësu/Qençe nuk jetohet më.”; apo ato të kënduara në kore që shtriheshin kudo në turmë si “Koloni as sot as mot”, “Jemi vend sovran. Nuk jemi koloni.”, “Pranoji po ta mbajti” etj. Parullat e mësipërme, që buruan nga imagjinata sa kritike aq edhe e pakufi e veprimtarëve tanë, nuk kishin si qëllim parësor estetizmin e tërheqjes së vëmendjes apo ilaritetin vetëbesues të shumësisë në veprim dhe zaptim, por mbi të gjitha ndërgjegjësimin politik se problemi i importimit të mbetjeve kimike ishte tashmë nyje ku lidheshin sa e sa problematika të tjera, nga dinjiteti qytetar, serioziteti dhe mëvetësia popullore deri te shumëpërmasia e formave të shfrytëzimit, poshtërimit, segregimit që na godasin bashkërisht, e mbi të gjitha më të dobëtit ndër ne.

Tash të vijmë te Ngjarja. Sigurisht jo në kuptimin e zinxhirit të ndodhive apo larmisë së interpretimeve të asaj që ndodhi, por në hulumtimin brenda shumësisë dhe gjetjes aty të gjurmëve që Vjeshtën shqiptare do ta kthenin në pikë reference emancipuese në historinë e Shqipërisë, e mbase frymëzuese edhe për popujt të tjerë në të njëjtën derexhe social-politike si ne. Ngjarja ka nevojë për disa kushte: kërkon universalizëm qëllimi, ndarje të shoqërisë në dysh, ku njëra palë, pavarësisht se është palë arrin të përfaqësojë të tërën politike, dalje nga anonimati i të përjashtuarve të posaçëm shoqërorë mbi kurrizet e të cilëve mbahet ngrehina hierarkike dhe në fund trupa politiko-shoqërore që identifikohen dhe i qëndrojnë besnikë kumtit të saj emancipues. Dhe sigurisht që të gjitha këto nuk kanë të bëjnë vetëm me atë që ndodhi, por me prodhimin prapaveprues ligjërimor dhe politik të asaj që ngjau në atë situatë.

A është qëllimi universal? Afërmendsh që kjo nuk mund t’u drejtohet si pyetësor pjesëmarrësve individualisht, të cilët si në çdo Ngjarje tjetër, motivohen nga një larmi shtysash dhe idesh. Qëllimin universal mund ta vërejmë në mobilizimin kolektiv në emër jo vetëm të jetës në terma biopolitikë (që i përket të gjithëve), por mbi të gjitha në atë të dinjitetit dhe barazisë në raport me kërkesat poshtëruese që burojnë jashtë nesh dhe zbatohen servilisht nga qeveritarët tanë. Prapëseprapë kaq nuk mjafton për universalizëm qëllimi, pasi i plotë ky mund të prodhohet veç në të ardhmen, nga zhvillimi i një lëvizjeje që identifikohet me frymën emancipuese të atyre ditëve dhe i shtrin qëllimet e saj në mobilizimin dhe dhënien zë të të gjithë të pazëve e të përjashtuarve socialë e politikë, prej punëtorëve, të papunëve, studentëve që s’janë më veç studentë, por të punësuar si mos më keq në format më pak të kualifikuara të punës, grave, pakicave identitare etj. E kësisoj Ngjarje, si çdo Ngjarje tjetër nga Revolucioni Francez e tëhu, ajo nuk ka si të jetë tani, por veç mund të bëhet.

Së dyti, a u nda shoqëria në dysh dhe a ishte njëra palë edhe shprehëse e të pashprehurve? Bash po, çka vihet re sidomos pas atyre ditëve, ku burime ende misterioze propagande zyrtare përhapin lajme mrekullore të ngjashme me ato të çekut të bardhë, ku shqiptarët duket se i ranë fatit të madh me shkelm. Aq sa s’është e rrallë këtyre ditëve të dëgjosh njerëz që kanë filluar të bëjnë pjesëtimet e miliardave imagjinare të premtuara dhe të numërojnë se sa dhjetëramijëra dollarë për frymë u kanë ikur nga duart. Ky diversion e riformon ndarjen në dysh të shoqërisë, që u vërejt në forma më pak të dukshme ato ditë, sidomos midis shumësisë në shesh dhe shpërfillësve/indiferentëve/cinikëve. I vihet theksi këto ditë, po cinikisht, faktit që shumica dërrmuese e pjesëmarrësve ishin të rinj, nxënës e studentë, si për të theksuar papjekurinë apo llasticërinë e moshës. Edhe empirikisht kjo nuk është e vërtetë, pasi të rinjtë mbizotëronin në numër, por aty kishte sa të duash veteranë, ish-të persekutuar, të persekutuar të të sotmes, katundarë, të papunë etj. Afërmendsh që duhet të kesh jetuar në shesh ato ditë për t’i parë nga afër ata që largësia e kapjes kameramike nuk i nxjerr në pah. Nga ana tjetër, të rinjtë që braktisën shkollat, dhe jo thjesht prej “lirisë” që na ka dhuruar qeveria e re, përbëjnë një kategori shoqërore sa të përjashtuar nga marrja në konsideratë, aq edhe të shfrytëzuar në shumicën e tyre si studentë nga tarifat e larta, domosdoshmëria për të bërë punë të pakualifikuara e tjetërsuese dhe e ardhmja e zymtë e papunësisë dhe varfërisë. Pra shoqëria u nda në dysh, dhe njëra pjesë mori përsipër të fliste për të tërën për një çështje. E po ashtu në këtë rast, vetëm riorganizimi i ardhshëm dhe shtrirja e kauzave duke prekur nervat e një sistemi rrënjësisht klasor dhe përjashtues do ta përmbushnin kushtin e të kthyerit në Ngjarje.

Dhe kushti i fundit, besnikëria e trupave të reja politiko-shoqërore që do të identifikohen dhe do t’i premtojnë besnikëri Ngjarjes së vjeshtës shqiptare me elementet e sipërpërmendura. Një nga këta trupa mund të jemi ne, Organizata Politike, që në historinë tonë trevjeçare kemi pasur për qëllim dhe jemi identifikuar me kauza emancipuese, nga punëtorët te studentët, nga Gërdeci te 21 Janari etj, ku pavarësisht mospërmbytjes së shesheve numerikisht ia kemi dalë të lëmë gjurmë në vetëdijen publike e të shkaktojmë bezdi te trupat hegjemonikë politikë e shoqërorë. Por nuk mjaftojmë vetëm, as numerikisht, e as në ide. Pavarësisht përpjekjeve tona, shumësia, që ka nevojë për nyje organizuese, është përmbytëse në fuqi dhe ide potenciale krahasuar me ne. Ndaj duhet t’i hapemi asaj, të nxisim forma vetorganizimi, më së pari mes të rinjve, nxënës e studentë, e pastaj sa më shpejt drejt punëtorëve e të papunëve. Ky rrjet, i organizuar horizontalisht, me diversitet nuancash, por i përkushtuar ndaj kauzave emancipuese të mësipërme, mund të prodhonte trupat politikë të besnikërisë ndaj Ngjarjes së vjeshtës shqiptare, që bash për këtë arsye do ta shndërronin zinxhirin e ndodhive dhe shënimin në kalendar në Ngjarje.

Zemrat bashkë, mendjet bashkë! E ardhmja është e të gjithëve!

This image has an empty alt attribute; its file name is direct

Ky artikull është botuar nën licensën CC BY-SA 4.0.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.