Rrymat e të menduarit ideologjik

/Karl Marks/

Rëndom shtrohet pyetja nëse “Mjerimi i filozofisë” së Marksit do të tërhiqte vëmendje nëse nuk do të ishte shkruar me synim dhe ton të thekur polemik ndaj njërës prej figurave kryesore të socializmit francez të messhekullit XIX, Pierre-Joseph Proudhon-it. Megjithëse i botuar pas thyerjes epistemologjike që, sipas Louis Althusser-it, pati shënuar më 1845 “Ideologjia gjermane” me kalimin e marksizmit nga ideologjia në shkencë, “Mjerimi i filozofisë” çalon epistemologjikisht duke u matur me vetë kriteret e mëvonshme marksiste. Bie fjala, në pjesën e shkëputur më poshtë Marksi duket sikur u kërkon shkencëtarëve shoqërorë që të mos mbeten në nivelin e abstraksioneve, ngaqë “mjafton që ata të kuptojnë se ç’ndodh përpara syve të tyre”, duke rënë kësisoj në nivel empirizmi a thua se konkretja flet vetë, pa pasur nevojën e ndërmjetësimit konceptual. Diçka e tillë bie në kundërshti me Marksin e pjekur të Kapitalit, në vëllimin e tretë të të cilit ai shkruan se “shkenca do të ishte e panevojshme nëse dukja dhe thelbi i sendeve do të përkonin”.  

Sidoqoftë pjesa e mëposhtme nuk është shkëputur për arsye epistemologjike, por si shprehëse dhe nxitëse e kritikës së ideologjisë. Në më pak se dy faqe Marksi përmbledh rrymat e mendimit politiko-ekonomik të kohës, të cilat, afërmendsh, nuk kanë vetëm karakter klasifikues pasi nëpërmjet kritikës shpaloset karakteri i tyre ideologjik, pra heshtues dhe reduktues i marrëdhënieve shoqërore konkrete. Mirëpo fatalistët, romantikët, humanitarët, filantropët dhe socialistët nuk janë vetëm përçues të rrymave të mendimit perëndimor të epokës së fillimeve të kapitalizmit industrial, por edhe të mënyrave të të menduarit ideologjik të kudogjendshme në formacionet shoqërore me dominim kapitalist. Jo më kot Louis Althusser-i shkruante tek “Ideologji dhe aparate shtetërore ideologjike” se ideologjia, mu si e pandërgjegjshmja frojdiane, nuk ka histori. Nëse Althusser-i i referohej strukturës së imagjinares ideologjike, si p.sh. interpelimin e individëve si subjekte, krahasimi i rrymave të mëposhtme me ato të ligjërimit politiko-shoqëror shqiptar të më se dy dekadave të fundit nxjerr në pah edhe përbashkësi serioze përmbajtësore. Kësisoj nëse ekonomisto-fatalistët, mendimtarë tragjikë të llojit të Adam Smithit e David Rikardos, apo antitezën e tyre të socialistëve utopikë të nivelit të Furiesë nuk para i has në mendimin politiko-shoqëror të një vendi periferik, ata që Marksi i quan romantikë, humanistë dhe filantropët i has kudo. A nuk ndeshen shpesh romantikë – që më shumë do t’u shkonte të quheshin cinikë – të cilët i justifikojnë shfrytëzimin dhe tëhuajsimin kapitalist dhe që nga pozita bartësi të urtësisë së mbrame historike nënqeshin si miturake çdo tentativë transformimi sistemor radikal?! A nuk hasen po aq shpesh “shpirtrat e mirë” liberalë, të cilët, në ndryshim nga ciniko-pesimistët konservatorë të sapopërmendur, lypin vetëpërmbajtje në shfrytëzim e poshtërim në emër të ideve të humanitetit dhe që kërkojnë revolucione në shpirt a thua se “shpirti” nuk është produkt i marrëdhënieve shoqërore?! Po ata shpirtra që revoltohen se pse ideali i tregut nuk përputhet me realitetin e kapitalizmit, a thua se ideja dhe realiteti janë botë paralele?! Po filantropët, të cilët e mbushin imagjinaren kolektive me modele të punës së palodhur dhe sipërmarrjes së guximshme që një ditë të bukur do të na bëjë të gdhihemi të gjithë mikroborgjezë, pronarë të vegjël dyqanesh apo profesionistë të lirë?! Apo ca më shumë akoma, me një shoqëri ku nuk ka punëtorë apo të varfër, por vetëm të pasur, shtresë të mesme dhe vend bosh që shënon hapësirën ku dikur banonin të shfrytëzuarit. Në të tre këto rryma të menduari ideologjik mbizotëron parehatia ndaj kontradiktave shoqërore, të cilat ose fshihen nën rrogoz duke përfytyruar qytetarë abstraktë të barabartë para dhe në bërje të ligjit; ose shuhen në emër të hierarkizmit organik ku elitat do t’i sundojnë gjithmonë masat dhe, pavarësisht abuzimeve të pashmangshme, nuk ka alternativë më të mirë për këto të fundit; ose konsiderohen si kontingjente dhe të kapërcyeshme me t’u ndrequr ekseset që e çnatyralizojnë kapitalizmin, në emër të një kapitalizmi të përkorë dhe popullor. Jo më kot ideologjia operon përmes oksiomoronëve. – Arlind Qori

***

(…) Ka ekonomistë-fatalistë, të cilët në teorinë e vet janë po aq indiferentë ndaj atyre që ata i quajnë anë negative të prodhimit borgjez, sa ç’janë indiferentë vetë borgjezët në praktikë ndaj vuajtjeve të proletarëve që i ndihmojnë të fitojnë pasuritë e tyre. Kjo shkollë fataliste ka klasikët e vet dhe romantikët e vet. Klasikët, si, për shembull, Adam Smithi dhe Rikardoja, janë përfaqësues të asaj borgjezie, e cila, duke qenë akoma në luftë kundër mbeturinave të shoqërisë feudale, është përpjekur vetëm për të pastruar marrëdhëniet ekonomike nga njollat feudale, për t’i shtuar forcat prodhuese dhe për t’i dhënë një hov të ri industrisë dhe tregtisë. Nga pikëpamja e tyre, proletariati, që merr pjesë në këtë luftë dhe që është përpirë nga kjo veprimtari e ethshme, nuk heq veçse vuajtje që kalojnë shpejt, vuajtje të çastit dhe i sheh edhe vetë si të tilla. Ekonomistët si Adam Smithi dhe Rikardoja, që janë historinë të kësaj periudhe, kanë për detyrë vetëm të tregojnë se si fitohet pasuria brenda marrëdhënieve të prodhimit borgjez, t’i formulojnë këto marrëdhënie si kategori dhe si ligje dhe të vërtetojnë se këto ligje e kategori janë shumë më të përshtatshme për prodhimin e pasurive sesa ligjet dhe kategoritë e shoqërisë feudale. Mjerimi për ta është vetëm dhimbja që shoqëron çdo lindje si në natyrë, ashtu edhe në industri.

Romantikët i përkasin epokës sonë – epokës kur borgjezia është në kundërshtim të hapët me proletariatin, kur mjerimi lind me aq bollëk, sa edhe pasuria. Atëherë ekonomistët hiqen si fatalistë të velur që, nga lartësia e madhështisë së tyre, u hedhin një vështrim krenar e përbuzës atyre makinave me fytyrë njeriu, me punën e të cilave krijohet pasuria. Ata kopjojnë të gjitha arsyetimet e paraardhësve të tyre, por indiferentizmi, që tek ata ishte naivitet, te këta bëhet koketeri.

Pastaj vjen shkolla humanitare, së cilës i shkon pas zemrës ana e keqe e marrëdhënieve të sotme të prodhimit. Për të qetësuar ndërgjegjen, ajo mundohet sa të jetë e mundur t’i mbulojë kontrastet ekzistuese; ajo sinqerisht shpreh keqardhjen për të zezat që heq proletariati dhe për konkurrencën e shfrenuar midis borgjezëve; ajo i këshillon punëtorët të jenë të përkorë, të punojnë mirë dhe të bëjnë sa më pak fëmijë. Ajo i rekomandon borgjezisë ta përmbajë dufin e vet në fushën e prodhimit. E gjithë teoria e kësaj shkolle bazohet në dallimet e pafund midis teorisë dhe praktikës, midis parimeve dhe pasojave të tyre, midis ideve dhe aplikimit të tyre, midis përmbajtjes dhe formës, midis thelbit dhe realitetit, midis së drejtës dhe faktit, midis anës së mirë dhe anës së keqe.

Shkolla filantropike është shkolla humanitare e perfeksionuar. Ajo e mohon domosdoshmërinë e antagonizmit; ajo dëshiron t’i bëjë të gjithë njerëzit borgjezë; ajo don të zbatojë teorinë, meqë kjo teori dallohet nga praktika dhe nuk përmban në vetvete antagonizëm. Kuptohet vetvetiu se në fushën e teorisë është e lehtë të bësh abstraksion nga kontradiktat që hasen në realitet në çdo hap. Kjo teori do të bëhej atëherë realitet i idealizuar. Pra, filantropët duan t’i ruajnë kategoritë që shprehin marrëdhëniet borgjeze, por pa antagonizmin që përbën thelbin e këtyre kategorive dhe që nuk mund të ndahet prej tyre. Filantropët kujtojnë se luftojnë me gjithë mend kundër praktikës borgjeze, ndërsa ata vetë janë më borgjezë se të tjerët.

Po ashtu sikurse ekonomistët janë përfaqësuesit shkencorë të klasës borgjeze, socialistët dhe komunistët janë teoricienët e klasës së proletarëve. Sa kohë që proletariati nuk është zhvilluar akoma sa duhet për t’u kushtetuar si klasë, prandaj, sa kohë që vetë lufta e proletariatit kundër borgjezisë nuk ka akoma karakter politik dhe sa kohë që forcat prodhuese nuk janë zhvilluar akoma në gjirin e vetë borgjezisë deri në atë shkallë, saqë të lejojnë të duken kushtet materiale të domosdoshme për çlirimin e proletariatit dhe për ndërtimin e një shoqërie të re, – këta teoricienë nuk janë veçse utopistë, të cilët, për t’u bërë ballë nevojave të klasave të shtypura, sajojnë sisteme të ndryshme dhe përpiqen të gjejnë një shkencë përtëritëse. Por, me ecjen përpara të historisë dhe me përcaktimin më të qartë të luftës së proletariatit, ata nuk kanë më nevojë ta kërkojnë të vërtetën shkencore në kokat e veta; mjafton që ata të kuptojnë se ç’ndodh përpara syve të tyre dhe të bëhen shprehës të ndërgjegjshëm të kësaj. Sa kohë që ata kërkojnë shkencën dhe vetëm krijojnë sisteme, sa kohë që ata nuk ndodhen veçse në fillim të luftës, ata e shohin mjerimin vetëm si mjerim, pa vënë re anën e tij revolucionare, shkatërruese, që do të përmbysë shoqërinë e vjetër. Por, me t’u vënë re kjo anë, shkenca e lindur nga lëvizja historike dhe që merr pjesë në të me kompetencë të plotë, pushon së qeni doktrinare dhe bëhet revolucionare.

Shkëputur nga Karl Marks: Mjerimi i filozofisë

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.