Mbi privilegjet

/Karl Marks, Fridrih Engels/ 

Pjesa e shkurtër që po sjellim më poshtë është e shkëputur nga vepra “Familja e shenjtë: ose kritika e kritikës kritike kundër Bruno Bauerit me shokë”1 e Marksit dhe Engelsit. E shkruar në periudhën e hershme të veprimtarisë së tyre dhe botuar në vitin 1845, kjo është vepra e parë e përbashkët,  pjesën më e madhe e së cilës është shkruar nga Marksi. Vlerësimet për sa i përket peshës së kësaj vepre janë të ndryshme, ndaj, për t’i qartësuar gjërat sadopak, kemi thirrur në ndihmë mendimin mbi këtë vepër të një udhëheqësi revolucionar si Lenini dhe një filozofi si Louis Althusser-i. Kështu, sipas Leninit, në këtë vepër janë hedhur bazat e socializmit materialist-revolucionar, e në këtë aspekt duhet cilësuar si një vepër thelbësore e zhvillimit të mendimit revolucionar marksist. Ndërsa për Althusser-in, në ndarjen që  i bën veprave të Marksit (te libri i tij “Për Marksin”), kjo vepër futet si pjesë e periudhës së parë të ndërtimit të filozofisë marksiste, pra përpara thyerjes epistemologjike të  1845-s, ku kalohet nga Marksi humanisto-ideologjist hegelian tek ai materialisto-historik mirëfilli shkencor. Veprat e kësaj periudhë, në të cilën futen edhe “Tezat e diplomimit” dhe “Dorëshkrimet ekonomiko-filozofike të vitit 1844” emërtohen me shprehjen tanimë emblematike: veprat e rinisë të Marksit.  Faktikisht te “Familja e shenjtë “ nuk vihet re akoma kapërcimi i konceptimit materialist i Fojerbahut, i cili  merret nga Marksi si shembull i risisë dhe kapërcimit te idealizmit gjerman. Megjithatë në këtë vepër mund të gjendet si mendimi materialist revolucionar, ashtu edhe  idetë e Fojebahut, po aq revolucionare në atë kohë.

Në këtë  vepër kritikohet filozofia hegeliane e frymës absolute e përfaqësuar nga kritika kritike e teologut B. Bauer me shokë, ndërsa në pjesën që po sjellim më poshtë i bëhet kritikë mendimit të këtij të fundit se duke zhdukur privilegjin, zhduket edhe objekti i privilegjit. Ajo që vëmë re sot, si në kohën të cilës i referohen Marksi dhe Engelsi, është fakti se edhe me mohimin politik të privilegjeve, ato nuk zhduken, përkundrazi zhvillohen me tepër. Të privilegjuarit kanë në dorë pushtetin për të kamufluar privilegjet e tyre, për ta kthyer të drejtën në anën e tyre, pra për ta kthyer forcën në të drejtë – siç do të thoshte Rusoi. – Alfred Bushi

***

(…)Veprimtaria industriale nuk zhduket me zhdukjen e privilegjeve të zejeve, të esnafeve dhe të korporatave; përkundrazi, vetëm pas zhdukjes së këtyre privilegjeve fillon të zhvillohet industria e vërtetë. Prona e tokës nuk zhduket me zhdukjen e privilegjeve të pronës së tokës; përkundrazi, vetëm pas zhdukjes së privilegjeve të pronës së tokës fillon lëvizja  e saj universale nëpërmjet parcelimit të lirë dhe jetërsimit të lirë. Tregtia nuk zhduket me zhdukjen e privilegjeve tregtare; përkundrazi, vetëm në tregtinë e lirë ajo gjen realizimin e vet të vërtetë. Po kështu edhe feja zhvillohet në të gjithë universalitetin e vet praktik vetëm atje ku nuk ka asnjë fe të privilegjuar (le të kujtojmë shtetet e Amerikës së Veriut).

Baza e “ gjendjes juridike publike” të sotme, baza e shtetit të sotëm të zhvilluar nuk është një shoqëri ku sundojnë privilegjet, siç kujton kritika, por një shoqëri ku privilegjet janë hequr dhe janë zhdukur, një shoqëri civile2 e zhvilluar, në të cilën gjejnë fushë të lirë elementët jetësorë, të cilat aty ku sundojnë privilegjet politikisht janë ende të ndrydhura. Asnjë “ ekskluzivizëm i privilegjuar” nuk i kundërvihet këtu asnjë ekskluzivizmi tjetër, as gjendjes juridike publike. Industria e lirë dhe tregtia e lirë e zhdukin ekskluzivizmin e privilegjuar dhe me këtë edhe luftën e ekskluzivizmave të privilegjuar; përkundrazi, në vend të privilegjeve, që i ndajnë njerëzit nga e tëra shoqërore, por njëkohësisht i bashkojnë në ndonjë korporatë ekskluzive më të vogël, – ato nxjerrin njeriun e çliruar nga privilegjet dhe të palidhur me njeri tjetër as me dukjen e një lidhjeje të përgjithshme dhe pjellin luftën e përgjithshme të njeriut kundër njeriut dhe të individit kundër individit. Po kështu edhe e gjithë shoqëria civile nuk është gjë tjetër veçse kjo luftë midis individëve të ndarë nga njëri-tjetri vetëm prej individualitetit të vet dhe lëvizja e përgjithshme e shfrenuar e forcave jetike të vetvetishme të çliruara nga vargonjtë e privilegjeve. Kontradikta midis shtetit përfaqësues demokratik dhe shoqërisë civile është kurorëzimi i kontradiktës klasike midis bashkësisë juridike publike dhe skllavërisë. Në botën e sotme çdo njeri është në të njëjtën kohë edhe anëtar i rendit të skllavërisë edhe anëtar i bashkësisë juridike publike. Pikërisht skllavëria e shoqërisë civile nga dukja e vet është liria më e madhe, sepse ajo duket formë e përkryer e pavarësisë së individit, i cili e merr për liri të vetën lëvizjen e shfrenuar të elementeve të veta të jetërsuar të jetës, të palidhura as me lidhjet e përgjithshme as me njeriun, siç janë, për shembull, prona, industria, feja, etj., kurse në të vërtetë ajo, përkundrazi, përbën skllavërinë e tij të përkryer dhe antihumanizmin e plotë. Vendin e privilegjit këtu e ka zënë e drejta….

Në shtetin modern të zhvilluar ndodh (që)… shteti deklaron se feja, si edhe elementet e tjera të jetës civile, fillon të ekzistojë plotësisht vetëm që nga çasti kur ai shpall ato si jopolitike dhe prandaj i lë ato në punë të vet. Pushimit të ekzistencës së tyre politike, si, për shembull, pushimit të ekzistencës politike të pronës me heqjen e censit elektoral, suprimimit politik të fesë me suprimimin e kishës shtetërore, – pikërisht kësaj shpalljeje të vdekjes së tyre politike i përgjigjet zhvillimi kolosal i jetës së këtyre elementëve, që paskëtaj u nënshtrohet pa asnjë kundërshtim ligjeve të veta dhe zhvillohet në të gjitha drejtimet. Anarkia është ligji i shoqërisë civile të emancipuar nga privilegjet që e ndajnë shoqërinë, dhe anarkia e shoqërisë civile përbën bazën e gjendjes juridike publike modern. (…)

Shënime:

  1. Marrë nga vepra “Familja e shenjtë”, K.Marks e F.Engels, f 169-170, Tiranë 1978
  2. Shoqëri civile nuk nënkupton atë që njohim zakonisht sot, por sferën e nevojave, atë të një shumësie marrëdhëniesh materiale, ekonomiko-shoqërore, të ndarë nga organizimi politik shtetëror. (A. Bushi)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.