Pashpresa e partizmit në Shqipëri

/Arlind Qori/ Me ç’duket ka ende gjak brenda fosileve të dinozaurëve politikë, të njohur ndryshe si parti socialdemokrate perëndimore. Përtej Atlantikut Bernie Sanders-i, një kandidat që vetëquhet haptas socialist – term heretik në kulturën politike të vendit që herë pas here është karakterizuar nga Red Scare-i[1] -, po e vë në rrezik seriozisht marshimin e Hillary Clinton-it drejt kandidaturës së Partisë Demokrate për president të SHBA. Mediat njoftojnë, madje, se në shtetet e para ku do të mbahen zgjedhjet për kandidatët e partive (primaries), Iowa dhe New Hampshire, Sanders-i udhëheq nësondazhe ndaj Clinton-it. Nga ana tjetër, fitorja e Jeremy Corbyn-it në zgjedhjet laburiste britanike kapi në befasi jo vetëm kundërshtarët e tij brenda dhe jashtë partisë, por, pas gjase, edhe vetë atë dhe mbështetësit e tij. Edhe më e domethënëse ishte fitorja e tij nëse kemi parasysh se erdhi si rezultat i herës së parë që laburistët përdorën sistemin e zgjedhjeve të hapura (primaries), ku të drejtën e votës nuk e kishin vetëm anëtarët e partisë, por gjithkush që përmes pagesës së një kuote trepaundëshe dëshmonte interesin publik për fatet e partisë kryesore opozitare. Askujt nuk i kishte shkuar ndër mend se formaliteti i zgjedhjeve (primaries) do të galvanizonte një lëvizje të gjerë antiestablishment dhe do të nxirrte fitimtar “përfaqësuesin e politikës së vjetër”[2]. Si një prej aktivistëve dhe parlamentarëve britanikë më të margjinalizuar nga rreshti i parë i butaforisë politike për shkak të konsekuencës me të cilën u ka qëndruar për dekada ideve të socializmit demokratik, fitorja e Jeremy Corbyn-it, përveç të tjerave, i dëfton cektisë ideologjike të ligjërimit politik shqiptar shumëpërmasinë ideo-politike britanike, ku “anglo-saksonizmi” nuk barazohet vetëm me fundamentalizmin neoliberal alla-Thatcher/Blair.[3] Përtej kritikës së ideologjisë, pyetja me rëndësi politike në kontekstin shqiptar është se sa është i mundur transformimi politik demokratik i partive aktuale shqiptare. Pra a mund të shpresojmë se anëtarësia e tyre ose, kushedi, publiku i gjerë do të mund të shfrytëzonin deriçkat që hapin herë pas here burokracitë partiake për të meremetuar fasadën demokratike? Fillimisht nevojitet një ndarje konceptuale e rëndësishme: ajo midis përthyerjeve të ndryshme strukturore që merr kapitalizmi global në vendet e qendrës dhe të periferisë. Një nga efektet e pabarazive të strukturave midis qendrës dhe periferisë është se në vendet e të parës, si rezultat i përqendrimit të kapitalit produktiv, edhe jomaterial, dhe përthithjes së tepricave globale, ekziston mundësia që shtresa e mesme të dominojë numerikisht duke pasur rol kyç politikisht dhe ideologjikisht.[4] Sipas Immanuel Wallerstein-it kjo ka bërë që në këto vende (rëndom ato perëndimore) elitat ekonomike dhe politike të kenë pasur luksin e të mbështeturit në shtresa tampon si ajo e mesme dhe e të qenit dorëlëshuara me punëtorinë e të tjera klasa të nënrenditura, çka shpjegon jo vetëm gëzimin relativisht serioz të të drejtave që burojnë nga demokracia liberale, por edhe rëndësinë e socializmit reformist (socialdemokracisë klasike). Një prej faktorëve të demokratizimit të brendshëm të këtyre partive, si rasti i laburistëve britanikë, mund të jetë inercia e të drejtave të fituara gjatë shekullit XX. Po çfarë ndodh në një vend të periferisë së kapitalizmit global si Shqipëria e cila nuk i ka privilegjet strukturore dhe botëkuptimore të vendeve të qendrës? Qenia e Shqipërisë vend periferik i sistemit kapitalist botëror – karakteristikë ekonomike e të cilit është çindustrializimi, papunësia e madhe, punëtoria e pakualifikuar ose e pakkualifikuar, vetëpunësimi apo punësimi në ndërmarrje kryesisht të vogla, paçka se me intensitet të lartë shfrytëzimi, statusi i dyfishtë i klasës punëtore si emigrante jashtë vendit dhe konsumatore e pjesshme ose mikroborgjeze brenda vendit etj. – prodhon efekte atomizmi, getoizimi dhe tribalizimi shoqëror – ky i fundit jo më në hijeshinë e vaktit të vet, por si një zombie që ringjallet nga e shkuara për të siguruar rrjeta sociale informale në kushtet e shkatërrimit progresiv të elementëve të shtetit social. Për pasojë shfrytëzimi klasor, përjashtimi social dhe hendeku në të ardhura nuk shoqërohen me diferencime ideologjike, por me një konsensus bllokues neoliberal në ligjërimin publik dhe me fatalitetin e masave që “linjat e tyre molekulare”[5] i gjejnë në forma bashkëkohore besëtytnish: kualunkuiste[6], fetariste, etno-nacionaliste, mitizuese të heronjve historikë, konspirativiste, adhuruese të superfuqive deri në misticizëm etj. Këtu nuk ka kontradiktë, por diferenca formale që gëlojnë në sfondin e gjithëpranuar të pashmangshmërisë së kapitalizmit, sidomos atij neoliberal. Kështu, sidomos në kushtet e prodhimit disadekadësh të mungesës së një klase punëtore me njëfarë organizimi dhe ndërgjegjeje klasore, me sindikalizëm inekzistent dhe të korruptuar deri në qesharakësi – çka e shtyn Ramën të ndërtojë fjali midis cinizmit dhe budallallëkut të patëkeq si puna e “investitorë, ejani në Shqipëri se këtu nuk ka sindikata!” -, interesat e klasave dhe shtresave shoqërore me potencial organizimi emancipues janë të padepërtueshme te partitë e mëdha. Cilët sindikalistë e ç’lëvizje sindikale do të mbështeste një Bernie Sanders apo Jeremy Corbyn shqiptar, edhe sikur të fandaksej ndokush për t’i hyrë kësaj rruge brenda partive politike?! Po ashtu, në kushtet ku njëra prej karakteristikave të hegjemonisë ideologjike në kapitalizëm është zhdukja nga gjuha publike e gjurmëve të sundimit klasor[7], çka në një vend periferie ndihmohet nga strukturimi edhe më i fragmentuar klasor i formacioneve shoqërore, kush do të merrte guximin të çante brenda partive të establishmentit në emër të punëtorisë apo të përjashtuarve, të cilët në fakt nuk gjenden kurrkund dhe formë të vetme organizimi kanë ato me bazë territoriale dhe fisnore (mëhallë, fshat, geto apo fis)?! Nëse e kthejmë vëmendjen tani te historia e zgjedhjeve partiake në Shqipëri, të vetmet që kanë tentuar diçka të ngjashme me primaries-at janë PS dhe LSI, të cilat i kanë zgjedhur nga anëtarësia kryetarët në fuqi me përqindje “koreano-veriore”, edhe kur kanë pasur rivalë përballë. Afërmendsh kur dramaciteti shpërthyes demokratik i zgjedhjeve del sheshit si farsë, në vend të legjitimitetit të pretenduar, zgjedhje të tilla kanë shpalosur publikisht natyrën autoritaro-burokratike të vetë partive aq sa PS aktuale i ka pezulluar fare zgjedhjet apo marrjen seriozisht të statutit të saj kur në fund në të nuk besojnë as ata që duhet të besonin, anëtarët “leshko”. Po a ka anëtarë partish “leshko”, d.m.th. nga ata që “budallakisht” besojnë në ligjëratën publike dhe formalitetin e jetës demokratike të partive? Fundja zgjedhjet bëhen për ta dhe çarja e establishmentit partiak mund të vinte pikërisht prej tyre ose nga përdorimi i besimit të tyre. Sigurisht që nuk ka të dhëna apo hulumtim për këtë çështje, por nga vëzhgimi i përgjithshëm mund të konstatohet se, së paku pas vitit 1997[8] e këtej – që shënon fazën e dytë dhe më intensive të kapitalistëzimit neoliberal të ekonomisë dhe shoqërisë shqiptare – partitë janë depolitizuar progresivisht duke humbur çfarëdo lidhjeje me klasa dhe shtresa shoqërore që s’kanë vetëm karakter simbolik (si p.sh. veteranët e LANÇ apo ish-të burgosurit politikë[9]). Simptomë e atomizimit, getoizimit dhe tribalizimit – një ndërthurje interesante individualizmi postmodern dhe grupizmi paramodern në vende të periferisë së kapitalizmit botëror – depolitizimi i partive shqiptare e ka tjetërsuar anëtarësinë duke i shndërruar këta të fundit në klientë të vegjël apo pritës të ndonjë mikroprivilegji nga patronët e tyre me pushtet politik të lidhur pas klientelave të mëdha biznesore. Përveç kësaj, në kushtet kur karriera politike brenda partive të establishmentit nuk ka tjetër nyje veç asaj me kryetarin dhe burokracinë e ngushtë rreth tij, dhe jo me zgjedhësit e çorganizuar, sa gjasa ka që ndonjë prej politikanëve të rreshtave të fundit si Jeremy Corbyn-i (edhe sikur të ekzistonte) të guxonte të sfidonte seriozisht logjikën e qeverisjes së partive dhe të shtetit?! Edhe në i marrtë koka erë ndokujt, ç’gjasa do të kishte që idetë dhe vizioni i tij alternativ të pasqyroheshin në anëtarësinë e atrofizuar të biznesmenëve, nëpunësve, kandidatëve për nëpunës apo farefisit/shoqërisë të tyre që presin të kapin ndonjë gjë?! Po i famshmi entrizëm[10], “infiltrimi” i partive nga jashtë, futja e organizuar e aktivistëve politikë të përkushtuar brenda partive të kalbura të establishmentit për t’i radikalizuar dhe transformuar ato? Marrja e kalasë nga brenda, edhe atëherë kur i është afruar disi qëllimit në demokracitë liberale të vendeve të qendrës së kapitalizmit global, lyp së pari “kolaboracionizmin” e një pjese të anëtarësisë ose çarjen apo kaosin momental të burokracive partiake, çka në rastin shqiptar duket i pamundur. Kush do ta përfillte, bie fjala, një “të infiltruar” që kërkon ta politizojë debatin në mbledhjen e organizatës apo grupseksionit të lagjes, ku dëgjuesit potencialë janë mbledhur për të rregulluar punë apo ndonjë plaçkë? Cila pjesë e burokracisë partiake do ta mikpriste apo përdorte kundër pjesës tjetër një lëvizje të nëndheshme e cila do të cenonte privilegjet e të gjithë establishmentit partiak e shtetëror dhe jo vetëm të pjesës hegjemone të saj?! Po ashtu në kushtet e hegjemonisë së idesë se idetë nuk kanë pikë vlere, se janë llomotitje intelektualësh bjerraditës, në mos të tjetërbotshëm, apo ku idetë janë tradhtuar rëndom nga forcat politike me potencial revolucionar si komunistët e pasLuftës apo demokratët e pasrevolucionit demokratik të 1991, çfarë jehone do të kishin të tilla ide, sidomos brenda partive të depolitizuara? Prapëseprapë shqetësimi për situatën tregon se kjo e fundit nuk është e pashpresë. Ndoshta Marksi kish të drejtë kur shkruante se njerëzimi nuk i vendos vetes përpara probleme të cilat nuk ka kapacitetet t’u japë zgjidhje. Kësisoj, shtrimi konstant i çështjes/problemit të daljes nga korruptimi politik dhe atrofizimi partiak nuk përbën medoemos rënkimin e shpirtrave të pashpresë mikroborgjezë, por edhe artikulimin e papranueshmërisë së situatës nga një numër gjithnjë e më i madh njerëzish. Çështja është se e shumevokuara “lëvizje shoqërore alternative” nuk mund të jetë produkt i përfytyrimit abstrakt të “qytetarëve të ndërgjegjshëm” të cilët, të rehatuar në përditshmërinë e tyre, kanë nge të merren edhe me punët publike, ide sa e sponsorizuar aq edhe e dështuar e donatorëve të shoqërisë civile të kuptuar si OJF. Farat e transformimit politik mund të gjenden duke lidhur me njëra-tjetrën klasat dhe shtresat shoqërore me potencial transformues radikal – ato që kolektivisht i lidhin më lehtë interesat e tyre me interesin e përgjithshëm, të shfrytëzuarit dhe të përjashtuarit të cilët po shpëtuan kolektivisht prej mizerjes nuk kanë kë të lënë pas – me “ndërmjetësinë në zhdukje”[11] të aktivistëve politikë që nuk kanë vetëm idealin, por jetojnë edhe në kushtet ku s’kanë asnjë mënyrë tjetër mbijetese sociale përveç ngulmimit dhe përkushtimit ndaj idealit. Si inteligjenciet revolucionare të dy shekujve të fundit, në Shqipërinë e sotme ekziston një rini kryesisht universitare me potencial transformues radikal. Ndryshe nga inteligjenciet aristokratiko-borgjeze të Rusisë së shekullit XIX-fillimshekullit XX apo ato më mikroborgjeze perëndimore të lëvizjeve studentore të viteve ’60-’70 të shekullit XX që karakterizoheshin nga njëfarë mirëqenieje dhe sigurie ardhmërore personale, rinia e sotme universitare shqiptare – së paku pjesët joparazitare të saj – jeton në kushte prag proletarizimi. Kjo do të thotë se ekzistojnë parakushtet që në masë të ndërgjegjësohet për pamundësinë e oportunizmit të ofruar për gjithnjë e më pak klientë të partive qeverisëse dhe pashpresën se mund të ketë zgjidhje individualo-tribale nga papunësia apo keqpunësimi. Po ashtu bëhet fjalë për një rini e cila ka gjasa të kuptojë se pa popullin, apo ato që motit quheshin klasa popullore, nuk ka mundësi të lëvizë asnjë mizë, jo më të transformojë strukturën politiko-shoqërore të vendit. Veçse ky organizim i ri dhe i domosdoshëm është i pamundur brenda partive aktuale, ndoshta edhe brenda organizimit klasik partiak si të tillë, duke njohur përvojën botërore të degradimit burokratik të tyre. Ai mund të lindë vetëm jashtë partive, në lëvizje plurale në përfytyrime, por unitare në qëllime politike themelore, sidomos në atë të luftës kundër shfrytëzimit dhe përjashtimit të çfarëdolloji. Çka do të thotë se partizmi nuk mund të luftohet vetëm në përmbajtje (kërkimi i një partie të re, i një udhëheqësi mesianik të ndershëm etj.), por edhe në formë. Organizim i ri do të synonte të gjente pikën nyjore që lidh spontanizmin imagjinar të masave me zotësinë politike po aq imagjinare të elitave. Një formë, ende në kërkim anembanë, e jetësimit të asaj që Abraham Lincoln-i me gjasë e ka thënë pa e vrarë fort mendjen: qeverisje e popullit (si abstraksion i kolektivitetit politik të hapur për këdo, vullnet i përgjithshëm), nga populli (përfshirja dhe hegjemonia e drejtpërdrejtë e klasave popullore si pjesa dërrmuese dhe e shfrytëzuar/përjashtuar që do të krijojë kushtet për të mos qenë më vetëm një pjesë) dhe për popullin (roli ndërmjetësues në zhdukje i aktivistëve politikë). Shënime: [1] “Frika nga të kuqtë” është fenomen kryesisht amerikan i ndarë në dy faza, secila e lidhur me avancimin e antagonistëve sistemorë të kapitalizmit, qendër hegjemone e të cilit prej së paku fillimit të shekullit XX janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Fill pas Revolucionit të Tetorit, aparatet shtetërore dhe ideologjike amerikane nisën një fushatë persekutimesh jo vetëm ndaj organizatave me karakter anarkist apo komunist, por edhe ndaj formave të sindikalizmit radikal apo në përgjithësi shprehjes së ideve revolucionare e socialiste në shtyp. Periudha e dytë lidhet me Doktrinën Truman dhe me “gjuetinë e shtrigave” të udhëhequr nga senatori McCarthy dhe që nxitej nga ekspansioni i Bashkimit Sovjetik pas Luftës së Dytë Botërore, ekspansion i cili nuk mbështetej vetëm në çizmen ushtarake ndaj një pjese të vendeve të Evropës Lindore e Qendrore, por edhe në ndikimin e madh ideologjik që përçonte i ashtuquajturi “atdhe i socializmit” te punëtoria dhe inteligjencia radikale e vendeve perëndimore, çka dëftohet edhe në fuqinë politike dhe hegjemoninë kulturore që ushtruan për dekada partitë komuniste në Itali dhe Francë. Këtu gjendet një broshurë e “gjuetisë së shtrigave” të fazës së dytë të hartuar nga ushtria amerikane. [2] Zor se mund të flitet politikisht për ide mirëfilltazi të reja dhe të vjetra kur, tekefundit, të menduarit dhe ligjëruarit politik të shekullit XX-XXI shpeshherë nuk kanë qenë tjetërçka veçse përshtatje të ideve politike themelore “revolucionare” të modernitetit politik të shekujve XVIII-XIX. Sa për të dhënë një shembull, kur Thatcher-i u përplaste mbi tavolinë ndihmësve të saj “biblën” e frymëzimit neoliberal nuk kishte parasysh ndonjë doracak bankierësh të fillimviteve ’80, por “Udhën drejt skllavërisë” së Friedrich Hayek-ut të shkruar gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe që, edhe atëbotë, konsiderohej si produkt i të menduarit të vjetër që bënte sikur s’kishte ndodhur katastrofa e kapitalizmit të pafre më 1929. Mirëpo pas krizës së kapitalizmit etatist kejnesian në vitet ’70, idetë e Hayek-ut u shërbyen elitave politike dhe ekonomike për ta transformuar krizën në një mundësi të artë për rihedhjen në ofensivë të kapitalizmit të etshëm neoliberal. [3] Struktura e një ligjërimi ideologjik i zhduk diferencat, sidomos kontradiktat, duke i esencializuar edhe vendet apo historitë e shteteve e popujve të ndryshëm. Kështu, duke ndjekur dikotominë Lindje-Perëndim, në përfytyrimin ideologjik shqiptar Britania paraqitet rëndom si atdhe i kapitalizmit, fisnikërisë, butaforisë monarkike dhe lavdisë imperiale alla-Churchill. Ky reduktim përjashton jo vetëm diferencat dhe kontradiktat brendabritanike, por zhduk nga vëmendja publike personazhe, ide apo lëvizje shoqërore historikisht të rëndësishme si mbretvrasja, republikanizmi puritan, debatet e Putney-t brenda ushtrisë republikane angleze, levelerët radikalë të John Lilburne-it, digersat e Gerrard Winstanley-t, ludizmin e çartizmin, trejdunionizmin punëtor të shekullit XIX, laburizmin shtetëzues të pasLuftës së Dytë Botërore, betejat e ashpra të minatorëve të qymyrgurit në vitet ’80 ndaj ristrukturimit ekonomik neoliberal të Thatcher-it, lëvizjet masive antimilitariste të fillimviteve 2000 etj., fenomene aspak margjinale, por shënjuese të zhvillimit të formacionit shoqëror britanik. [4] Sipas Immanuel Wallerstein-it, kjo shtresë “…në rang botëror me gjasë nuk e ka kaluar kurrë një të shtatën e popullsisë botërore… në vendet e qendrës së ekonomisë-botë kapitaliste, ata mund të përbëjnë shumicën e popullsisë.” – Wallerstein, Immanuel. (1995). Historical Capitalism with Capitalist Civilization. New York: The New Press, f. 123 [5] Për Gilles Deleuze-in, trupat nuk janë njësi identitare (substanca), por bashkësi të hapura nga ndikimi (afektet) dhe riformimi me trupa të tjerë, rikrijuese identitetesh. Së paku ky është potenciali i atyre që Deleuze-i i quan linja arratie (ligne de fuite). Përpos tyre, trupat i përshkojnë edhe linjat molare, të cilat i ngurtësojnë identitetet duke i territorializuar trupat dhe shkëputur afektet, dhe ato molekulare të cilat nisin si tentativa çterritorializimi (arratie nga këmisha e forcës molare), por që në fund përfundojnë si riterritorializime, pra si shpërbërëse identitetesh të mbyllura për të riformuar identitete të mbyllura me forma të reja. Në kontekstin tonë ato që nisin si forma alternative ndaj hegjemonisë neoliberale, qoftë edhe si të tjetërplanshme dhe indiferente ndaj saj, përfundojnë në forma ndërgjegjeje dhe bashkëveprimi njëlloj reaksionare si të lartpërmendurat. [6] Kualunkuizmi ka qenë ideologji populiste italiane që theksonte dyshimin ndaj organizimit politiko-partiak dhe vinte në qendër të vëmendjes njeriun e zakonshëm (l’uomo qualunque), i përfytyruar zakonisht si mikroborgjez i zhgënjyer nga politika e madhe i cili e kërkon zgjidhjen në një lloj teknokracie të ndershme. Këtë lloj populizmi tërësisht të korruptuar në ditët e sotme e shfaq filmi i Antonio Albanese-s Qualunquemente, ku vihet në lojë batakçillëku politik i Italisë berluskoniane. [7] Po t’i referohemi Nicos Poulantzas-it, “…karakteristikë e veçantë e ideologjisë borgjeze sunduese është fshehja e shfrytëzimit klasor në një mënyrë specifike, në masën që të gjitha gjurmët e sundimit klasor zhduken sistematikisht nga gjuha e saj.” – Poulantzas, Nicos. (1978). Political Power & Social Classes. London: Verso, f. 214 [8] Autorit të këtyre radhëve i thotë kujtesa se së paku deri pak vite pas ngjarjeve me potencial revolucionar politiko-shoqëror të 1997-s, kategoria më e anatemuar prej ligjërimit politik liberal ishte ajo e militantit, me të cilin nuk nënkuptohej si sot batakçiu i paprinciptë që hidhet në karron e fitimtarëve, por fanatiku që, edhe pa fituar hiçgjë personalisht, i përkushtohej partisë prej naivitetit a trushpëlarjes. [9] Mund të thuhet se ngulmimi për t’u identifikuar simbolikisht me ngjarje dhe grupe shoqërore të së shkuarës shërben si fetish që fsheh mungesën e ballafaqimit ideo-politik apo diferencimit në përfaqësimin klasor/shtresor aktual. Bie fjala, në ligjërimin dhe simbolizmin e PS dhe LSI mund të nxjerrë kokë herë pas here ndonjë radikalizëm historik majtist si identifikimi me LANÇ apo aspekte të caktuara të socializmit stalinist shqiptar, por kjo nuk i pengon ato të jenë flamurtare të politikave më të ethshme neoliberale. Kështu ylli i kuq partizan bashkëjeton me privilegjimin financiar të universiteteve private, në mos me ligjërata filomonarkiste të kryeministrit apo filofashiste të këshilltarëve të tij, pa prodhuar kurrfarë tensioni publik. [10] Entryism-i është një taktikë e përdorur kryesisht nga grupet trockiste të cilat, të përjashtuara nga partitë komuniste staliniste dhe pa shpresë organizimi të fuqishëm më vete, tentonin të futeshin brenda partive socialdemokrate për t’i radikalizuar ato politikisht nga brenda, me synim të mbramë marrjen e tyre. Gjithsesi, edhe në rastet më të suksesshme të Francës së mesviteve ’30 apo Britanisë së dekadave të pasLuftës së Dytë Botërore, entrizmi ka rezultuar i dështuar politikisht dhe “të infiltruarit” ose janë përjashtuar në kohë, ose e kanë humbur ndikimin e tyre si rezultat i luftës nga burokracitë e konsoliduara socialdemokrate të mbështetura edhe prej një pjese të kapitalit të madh. [11] Konceptin e ndërmjetësit në zhdukje e ka farkëtuar filozofi dhe teoricieni letrar amerikan Fredric Jameson, të cilin e përkufizon kështu në esenë “The Vanishing Mediator; or, Max Weber as Storyteller”: ndërmjetësi në zhdukje “…është në kuptimin e thukët të fjalës një agjent katalizator që lejon që lejon këmbimin e energjisë midis dy termave përndryshe përjashtues të njëri-tjetrit” – Jameson, Fredric. (1988). The Ideologies of Theory. Essays 1971-1986. Volume 2: The Syntax of History. Minneapolis: University of Minnesota Press, f. 25. Ideja e Jameson-it është se roli i ndërmjetësit është të zhduket me t’u krijuar sinteza midis dy poleve përjashtimore, në rastin tonë midis klasave popullore dhe ndërgjegjes politike. Megjithatë përdorimi i termit katalizator nga Jameson-i nuk e jep imtësinë diferenciale të ndërmjetësit në zhdukje. Kështu, në “Fjalorin e gjuhës së sotme shqipe”, kuptimi i parë i fjalës katalizator jepet si: “Lëndë që përdoret për të shpejtuar, për të ngadalësuar ose për të ndryshuar rrjedhën e një reaksioni kimik, por që vetë nuk pëson asnjë ndryshim.” Ky përdorim kërkon një ndryshim kuptimor, ku “lëndët” politike, aktivistët, ndryshojnë edhe vetë duke u shkrirë gjatë procesit të sendërtimit të situatës së re barazimtare.
This image has an empty alt attribute; its file name is direct
Ky artikull është botuar nën licensën CC BY-SA 4.0.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.