Republika e Privatëve

/Klodi Leka/ Republika e Privatëve, në pamje të parë, është konceptualisht kontradiktore. Sepse nuk mund të ketë republikë – pra rend politiko-shoqëror të strukturuar sipas ligjeve dhe logjikës publike – të privatëve. Kjo nuk do të thotë se republika e përjashton privaten, përkundrazi. Republika është e tillë prej kufizimit të privates në të vetmin virtyt që ka: vlerën publike, d.m.th. kontributin shoqëror. Prandaj Republika e Privatëve nuk është edhe aq paqartësi konceptuale, por shprehje e kontradiktave të brendshme të vetes. Sot republika ka rënë. Për dy arsye. Së pari, doktrina neoliberale e qeverisjes e ka përmbysur logjikën e modernitetit perëndimor, ku korporatat dhe bizneset e mëdha private taksoheshin për të ndërtuar publiken: shkolla, spitale, shtëpi etj. Ç’kuptim tjetër do të kishin këto korporata po të mos i jepnin asgjë shoqërisë? Sakaq korporatat dhe bizneset e tanishme jo që nuk japin gjë për shoqërinë, por priren për t’i marrë asaj, për t’i zhvatur ato pak para publike. Së dyti, ky orientim ekonomik e ka shthurur stofin social sipas të cilit ndërtohej shoqëria: studenti si student, punëtori si punëtor dhe pensionisti si pensionist. Mirëpo në Republikën e Privatëve studenti nuk është student, por konsumator, debitor dhe punëtor në të zezë. Ai nuk është më subjekt me të drejta, por objekt mbi të cilin ngarkohen detyrime. Sepse të drejtat, liritë dhe parimet kushtetuese s’janë më siguritë klasike të kontratës midis popullit dhe shtetit, prej nga mëkëmbet paqja sociale, por privilegj i të paktëve. Secili sipas rangut, secilit sipas xhepit. As shteti nuk është më i njëjti. Ai e ka humbur neutralitetin e famshëm, të qenit balancues i klasave. Sot nuk është gjë tjetër as më shumë dhe as më pak se shtet represiv klasor. Shtet i të pasurve, i të privilegjuarve. Jo më kot Republika e Privatëve ka nisur të robotizojë rolin e policit në shoqëri. Deri më dje polici ishte një burrë i respektueshëm me autoritet të vetëm këmishën e kaltër të shtetit. Policët e kohës tonë mbathin antiplumbë, mjete të rënda, armë zjarri të dukshme dhe arrogancë. Ky ndryshim nuk është i rastësishëm. Është shprehje më se e vetëdijshme e paqes së vrarë sociale, e trazirave të mundshme në horizont. Aq sa dallimi midis policit të respektueshëm me këmishë të kaltër dhe xhandarit të robotizuar reflekton më së miri natyrën e re të shtetit. Polici këmishëkaltër është shteti i dyzuar midis popullit dhe oligarkisë, siç është në vetvete edhe polici, i dyzuar midis të qenit popull dhe pushtet, punëtor dhe pronar, baba dhe bajraktar. Polici xhandar nuk është i tillë. Ai nuk ka dyshime. Ai e shtyp kontradiktën dhe, për rrjedhojë, bëhet këmisherrëti i fazës parafashiste të shtetit, shprehje e së cilës është Republika e Privatëve. Kjo Republikë është kulla e gjyqtarëve të korruptuar, biznesmenëve parekuqë, televizioneve tregtare, intelektualëve të kompromentuar, kriminelëve të legalizuar, klientelave mediokre, shpronësimit kolektiv, keqpagimit dhe mbishfrytëzimit barbaresk. Ky është reaksioni i madh qeverisës. Çdo ndarje tjetër, si ndarja konfliktuale majtas-djathtas të pozitës dhe opozitës, është e pavërtetë. Këto dy forca ndjekin të njëjtat reforma dhe praktika qeverisëse (represive, privatizuese e përjashtuese). Këtu nuk ka të majtë. Këtu ka vetëm të djathtë ekstremistë, me apo pa ngjyra. Këtu ka klimë të biznesit, kompensime të biznesit, interesa të biznesit, parti të biznesit. Çdo perspektivë tjetër sociale deklarohet herezi për “t’u djegur në turrën e druve”. Republika e Privatëve, përkundër projektit emancipues të republikanizmit klasik, shkon kundër historisë, jo përpara, por mbrapsht. Ajo ecën drejt të shkuarës. Si praktikë qeverisëse na kthen katër vite më pas, kur qeveria Berisha tentoi të realizonte  të njëjtën reformë për arsimin e lartë. Si praktikë depolitizuese në vitet ’50, ku shteti dhe universiteti ishin mjete haptazi disiplinuese të klasës në fuqi, ndërsa studentët, të zbathur prej çdo të drejte dhe lirie, dhunoheshin pa të keq prej autoritetit pervers të hierarkisë. Si praktikë social-politike na kthen shekuj pas, në fillesat e modernitetit evropian,kur arsimi ishte privilegj i klasës sunduese, ndërsa kërkesa për shpërndarjen demokratike të dijes, pra masivizimin e arsimit, kërkesë revolucionare për mëkëmbjen e popujve. Reforma(t) e Republikës së Privatëve, siç e pamë, nuk janë përpjekje për ndryshime pozitive sociale, por masa regresive në dëm të shoqërisë. Ajo është mohim i çdo arritjeje të historisë moderne. Arsimin tashmë e ribënë privilegj të aristokracisë së re, ndërsa dijen monopol të pushtetit dhe privatëve, të pushtetit të privatëve. Ata të cilët do të bëjnë ligje, ekonomi, politikë – veprime këto të ndaluara për ne të tjerët, popullin dembel dhe parazit fati i përcaktuar i të cilit është ose hamall, ose kriminel, por jo më lart. Kurrë më shumë se sot nuk ka qenë më e thellë ndarja midis klasave. Por kjo ndarje nuk mund të ekzistojë në privaten e vet dhe duke ngritur përmes aksioneve dhe artikulimit në rrafshin publik. Po, ekziston një alternativë kundër Republikës së Privatëve. Së paku është kërkesa për t’u qëndruar fort të drejtave të mbetura, para se t’i rrëzojë edhe ato. Pra të këmbëngulim fort në të drejtën për arsim publik të lirë. Së shumti, t’i kundërvëmë tezën e Republikës së Popullit. Asaj republike që mbledh pas vetes të gjithë të nëpërkëmburit, të shfrytëzuarit dhe të pakënaqurit për një Shqipëri më të drejtë e të barabartë. Kjo mund të ndodhë vetëm përmes aksionit. Si aksionit të sotëm të Lëvizjes Për Universitetin.
This image has an empty alt attribute; its file name is direct
Ky artikull është botuar nën licensën CC BY-SA 4.0.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.