Qytetar (vetëm) taksapagues

/Alfred Bushi/ Vizioni politik i këtyre muajve të fundit, në shpërfaqjen e tij publike dukshëm të tejbujshme, mund të përkufizohet si një tendencë e përgjithshme e pushtetit për ta konceptuar individin e këtij vendi në termat e një partikulariteti anormal; porsi një qenie biologjike njëdimensionale, që nuk zhvillohet më tutje, e cila e ka të shënjuar në lëkurë etiketimin e pisanjosit, banditit, e atij që zhulin e nxjerr në qytet, që s’paguan taksat apo korrupton zyrtarët e lartë e të ulët, zyrtarë këta që për nga natyra janë stoikë e pa kurrfarë lakmie ndaj parasë, përkundër asaj që dëshmojnë publikisht me hajdutërinë e tyre larg syve e shtytjes se qytetarëve të akuzuar. Shqiptari, kjo qenie biologjike që nuk ka dalë nga stadi i pubertetit, nuk ka nevojë për kulturë, por për dhunë; as për edukim, por për gjoba. Për politikën e sotshme ky qytetar, i rrezikshëm për të bukurën, për të ardhmen e shtetit ligjor, është shndërruar në shkaktar të kësaj “gjendjeje natyre”, penguesi i daljes nga kjo situatë egërsie e mjerimi dhe arritjes se formës politike të kulluar. Prandaj ky lloj individi, i pandashëm nga kafshëria e tij ose i përkufizuar sipas saj, i përket formalisht këtij shteti, por nuk është i përfshirë në të politikisht si pjesë e organizimit shoqëror – ajo që Badiou-ja e quan term singular, i paraqitur, por jo i përfaqësuar në metastrukturë (shtet). Qytetari sot është thjesht një qenie ekonomike e lënë jashtë polisit, jashtë qytetit, organizimit shoqëror apo shtetit. Pasi pikërisht ky shtet e numëron atë vetëm si taksapagues, si zgjedhës një herë në dy vjet ose thjesht si qenie biologjike për t’u mbajtur gjallë me çdo kusht në të mirë të dy funksioneve të mësipërme. E kur themi qenie ekonomike është fjala për atë qenie të përfshirë në një rend specifik të gjërave – siç thotë Agamben-i në librin e tij “Il rengo e la gloria” – të lidhur me sistemimin funksional (taxis) të pjesëve të ndryshme të oikos-it (ekonomisë). Meqenëse ky përcaktim po e dominon politikën tonë, ndodh që ai që bën pis gjobitet si qenie e pisët për nga natyra e jo si qenie politike e cila ka thyer një normë politike dhe që për këtë arsye duhet përfshirë në rendin e qytetit. Kështu, përcaktimi apriori i popullit si pisanjos për nga natyra mund të sjellë edhe fitim të majmë. I këtij mendimi është kryebashkiaku, gjenialiteti i të cilit shkon deri ne pikën kur, si oportunist, mendon të rrisë gjobat. Qytetar (vetëm)taksapagues përbën një kontradiktë e madhe shoqëror e politike që duhet zgjidhur me çdo kusht. Të papunët, të keqpunësuarit, ata që jetojnë në pragun e varfërisë absolute e relative akoma nuk e kanë njohur dimensionin e tyre politik, dëshminë tyre publike si një shumësi vlerash dhe fuqish prodhuese shoqërore. Kjo shtresë e shoqërisë mundet veç të mbesë gjallë, të paguajë taksat e të votojë, term ky i fundit i cili përdorej/përdoret nga priftërinjtë për të treguar devotshmërinë e tyre ndaj një fuqie të përtejshme e të panjohur.
This image has an empty alt attribute; its file name is direct
Ky artikull është botuar nën licensën CC BY-SA 4.0.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.