Kompleksiteti i hegjemonisë

/Raymond Williams/

Kontributi i madh i Gramsci-t del në pah jo vetëm në theksimin e hegjemonisë, por edhe në kuptimin e saj në një thellësi e cila, sipas meje, është e rrallë. Këtë e themi pasi hegjemonia supozon ekzistencën e diçkaje që është mirëfilli totale, që nuk është thjesht dytësore apo superstrukturore, si në kuptimin e dobët të ideologjisë, por që jetohet në të tillë thellësi që e ngop (saturon) shoqërinë në atë pikë – hegjemoni e cila sipas Gramsci-t edhe kushteton substancën dhe cakun e sensit të përbashkët të shumicës së njerëzve në ndikimin e saj – saqë i korrespondon realitetit të përvojës shoqërore mjaft më qartë se çdo nocion i ardhur nga formula e bazës dhe superstrukturës[1]. Nëse ideologjia do të ishte thjesht një bashkësi nocionesh të imponuara dhe abstrakte, nëse idetë, supozimet dhe zakonet tona shoqërore, politike dhe kulturore do të vinin si rezultat i ndonjë manipulimi specifik apo i ndonjë trajnimi të hapur të cilit mund t’i jepej fund apo nga i cili mund të tërhiqeshim lehtësisht, atëherë do të ishte shumë më e lehtë për ta lëvizur dhe ndryshuar shoqërinë nga çka qenë ndonjëherë apo është aktualisht. Ky nocion i hegjemonisë si ngopëse thellësisht e ndërgjegjes së një shoqërie më duket fundamental. Dhe hegjemonia ka përparësi ndaj nocioneve të përgjithshme të totalitetit pasi ajo thekson në të njëjtën kohë faktet e sundimit.

Mirëpo më qëllon të ndjek diskutime rreth hegjemonisë dhe ndjej se si edhe ajo, si koncept, po prapakthehet në nocionin relativisht të thjeshtë, statik dhe uniform në të cilin është katandisur “superstruktura” në përdorimin e zakonshëm. Mendoj se nëse kemi për synim të flasim për çfarëdolloj formacioni shoqëror real, atëherë duhet ta shpjegojmë në mënyrë komplekse hegjemoninë. Mbi të gjitha na lypet një shpjegim i cili të lejojë kapjen e ndryshimit real dhe konstant të elementëve të saj. Duhet të theksojmë se hegjemonia nuk është e përveçme (singulare –  shën. përkth.); në të vërtetë strukturat e saj të brendshme janë shumë komplekse dhe duhen rinovuar, rikrijuar dhe mbrojtur në vazhdimësi; po ashtu ato mund të sfidohen vazhdimisht dhe në disa aspekte edhe mund të modifikohen. Prandaj në vend që të flasim thjesht për “hegjemoninë”, “një hegjemoni” (të caktuar – shën. përkth.), do të propozoja një model i cili na lejon këtë lloj variacioni dhe kontradikte, si edhe bashkësitë e alternativave dhe proceset e ndryshimit të saj.

Ajo që është evidente në disa prej analizave më të mira kulturore marksiste ka të bëjë me faktin se ato ndihen më komode me çështjet epokale sesa me ato që duhen quajtur çështje historike. Si me thënë, analiza të tilla shquhen më shumë në evidentimin e tipareve të mëdha të epokave të ndryshme të shoqërisë, si p.sh. midis feudales dhe borgjezes, sesa të atyre të fazave të ndryshme të shoqërisë borgjeze dhe momenteve të ndryshme brenda këtyre fazave: atë proces historik të vërtetë i cili kërkon përpikmëri dhe delikatesë analize shumë më të madhe sesa analizat epokale gjithnjë mbresëlënëse që merren me linjat dhe tiparet kryesore.

Modeli teorik që jam përpjekur të përpunoj është si vijon. Së pari në çdo shoqëri, në çdo periudhë të veçantë, ekziston një sistem qendror praktikash, kuptimesh dhe vlerash të cilat mund t’i quajmë me saktësi sunduese dhe efektive. Ky pohim nuk implikon ndonjë hamendësim rreth vlerës së tij. Ajo që po them është se diçka e tillë është qendrore. Madje do ta quaja sistem trupëzues (korporativ – shën. përkth.), por diçka e tillë mund të shkaktojë konfuzion, përderisa Gramsci e përdor “të trupëzuarën” në kuptimin e të nënrenditurës përkundër elementëve të përgjithshëm dhe sundues të hegjemonisë. Në çdo rast, ajo që kam ndër mend është sistemi qendror, efektiv dhe sundues i kuptimeve dhe vlerave, të cilat nuk janë thjesht abstrakte, por të organizuara dhe të përjetuara. Prandaj hegjemonia nuk duhet kuptuar në nivelin e opinioneve të thjeshta apo manipulimeve të thjeshta. Ajo përbën një trup të tërë praktikash dhe pritshmërish; energjish të caktuara apo kuptimesh të zakonshme që kemi mbi natyrën e njeriut dhe të botës së tij. Është një bashkësi kuptimesh dhe vlerash të cilat, ndërsa përjetohen si praktika, duken si të konfirmuara reciprokisht. Kësisoj ajo kushteton një sens realiteti për shumicën e njerëzve në shoqëri, një sens absoluteje sepse realiteti i përjetuar është i mezikapërcyeshëm për shumicën e anëtarëve të shoqërisë në të shumtën e aspekteve të jetës së tyre. Mirëpo, hiq rastet e operimit sipas analizës abstrakte, ky nuk është një sistem statik. Përkundrazi, mund ta kuptojmë një kulturë efektive dhe sunduese vetëm nëse kuptojmë procesin shoqëror real nga i cili varet: procesin e trupëzimit. Mënyrat e trupëzimit kanë domethënie të madhe shoqërore. Institucionet edukative përbëjnë zakonisht agjencitë kryesore të transmetimit të kulturës sunduese efektive – një aktivitet sa ekonomik aq edhe kulturor; në fakt, është të dyja (ekonomik dhe kulturor – shën. përkth.) në të njëjtin moment. Për më tepër, në nivel filozofik, në nivelin e vërtetë të teorisë dhe në nivelin e historisë së praktikave të ndryshme, rrjedh një proces të cilin do ta quaja traditë përzgjedhëse: ajo e cila, brenda termave të kulturës sunduese efektive, merret gjithmonë si “tradita”, “e shkuara domethënëse”. Mirëpo çështja është gjithmonë te përzgjedhshmëria; mënyra se si zgjidhen për t’u theksuar disa kuptime dhe praktika nga një tërësi e mundshme zonash të së shkuarës dhe të tashmes, ndërsa shpërfillen dhe përjashtohen kuptime dhe praktika të tjera. Edhe më vendimtarisht, ca prej këtyre kuptimeve dhe praktikave riinterpretohen, hollohen apo marrin forma të cilat mbështesin ose së paku nuk bien në kontradiktë me elementët e tjerë brenda kulturës sunduese efektive. Proceset e edukimit; proceset e trajnimit mjaft më të gjerë shoqëror brenda institucioneve si familja; përkufizimet dhe organizimi praktik i punës; tradita përzgjedhëse në nivel intelektual dhe teorik – të gjitha këto forca përfshihen në farkëtimin dhe ribërjen e vazhdueshme të një kulture sunduese efektive. Dhe realiteti i kësaj të fundit varet nga faktorët e mësipërm, të përjetuar dhe të futur brenda mënyrës së jetesës tonë. Nëse ato që mësojmë do të ishin thjesht ideologji e imponuar ose nëse do të përbënin vetëm kuptimet dhe praktikat e izolueshme të klasës sunduese – apo të një sektori të klasës sunduese që do t’u imponohej të tjerëve, duke prekur vetëm sipërfaqen e mendjeve tona – atëherë diçka e tillë do të ishte shumë më e lehtë për t’u përmbysur.

Ky proces nuk futet vetëm në thellësi, duke përzgjedhur, organizuar dhe interpretuar përvojat tona. Gjithashtu është vazhdimisht aktiv dhe ndreqës; kjo nuk ka të bëjë vetëm me të shkuarën, lëvozhgën e thatë të ideologjisë të cilën mund ta qërojmë me lehtësi. Në një shoqëri komplekse diçka e tillë mund të ndodhë vetëm nëse ka të bëjë me gjëra më substanciale dhe më fleksibile sesa çdo ideologji abstrakte e imponuar. Kësisoj na duhet të njohim kuptimet dhe vlerat alternative, opinionet dhe qëndrimet alternative, madje edhe disa sense alternative të botës, të cilat mund të akomodohen dhe tolerohen brenda një kulture sunduese dhe efektive të caktuar. Kjo është theksuar më pak nga ç’duhet në nocionet tona të superstrukturës apo edhe në disa prej nocioneve të hegjemonisë. Ky nëntheksim çel shtegun e tërheqjes në një kompleksitet indiferent. Në praktikën e politikës, për shembull, ka disa mënyra të caktuara të të qenit, mirëfilli të trupëzuara, të cilat janë prapëseprapë, brenda atyre termave, kundërshti reale që ndihen dhe për të cilat luftohet. Ekzistenca e tyre brenda trupëzimit dallohet prej faktit se, cilido qoftë niveli i konfliktit të brendshëm apo i variacionit të brendshëm, ato praktikisht nuk shkojnë përtej caqeve të përkufizimeve qendrore efektive dhe sunduese. Kjo është e vërtetë, për shembull, në praktikat e politikës parlamentare, megjithëse kundërshtitë e saj të brendshme janë reale. Është e vërtetë për një varg të gjatë praktikash dhe argumentesh, në çdo shoqëri reale, të cilat nuk mund të reduktohen në mbulesën ideologjike, por që prapëseprapë mund të analizohen saktësisht si të trupëzuara, në kuptimin tim, nëse zbulojmë se, cilido qoftë niveli i kundërshtisë dhe variacionit të brendshëm, në fund ato nuk i kalojnë caqet e përkufizimeve të trupëzuara qendrore.

Mirëpo nëse themi diçka të tillë, na duhet të mendojmë sërish mbi burimet e asaj që nuk është e trupëzuar; për ato praktika, përvoja, kuptime dhe vlera të cilat nuk janë pjesë e kulturës sunduese efektive. Këtë mund ta shprehim në dy mënyra. Qartësisht ekziston diçka që mund ta quajmë alternativë ndaj kulturës sunduese efektive dhe diçka tjetër që mund ta quajmë të përkundërt në kuptimin e mirëfilltë të fjalës. Niveli i ekzistencës së këtyre formave alternative dhe të përkundërta përbën në vetvete një çështje variacioni konstant historik në rrethana reale. Në disa shoqëri është e mundur të gjenden zona jete shoqërore në të cilat alternativa mjaft reale lihen së paku të qeta. Ekzistenca e mundësisë së kundërshtisë dhe e artikulimit të saj, niveli i hapjes së saj etj., varen sërish nga forca mjaft precize shoqërore dhe politike. Faktet e formave alternative dhe të përkundërta të jetës shoqërore dhe të kulturës, në lidhje me kulturën sunduese dhe efektive, duhen njohur kësisoj si të nënshtruara ndaj variacionit historik dhe si mbartëse të burimeve të cilat kanë mjaft rëndësi si fakte për të kuptuar vetë kulturën sunduese.

E përktheu Arlind Qori

Marrë nga artikulli “Base and Superstructure in Marxist Cultural Theory” brenda librit “Culture and Materialism” të Raymond Williams-it.

[1] Bëhet fjalë për nocionet e bazës ekonomike dhe superstrukturës politiko-ideologjike, të përdorura rëndom në rrymat ekonomiste të marksizmit, kundër të cilave vendoset edhe shtjellimi i këtushëm i Raymond Williams-it i konceptit alternativ të ideologjisë. (Shën. përkth.)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.