Prona nuk është më vjedhje

/Alfred Bushi/ Rreth dy javë më parë, në mjediset e Logut të Shkëndijës u shfaq filmi “La proprietà non è più un furto” i regjizorit italian Elio Petri. Bashkë me dy filma të tjerë , “La classe operaia va in paradiso” dhe “Indagine su un cittadino al di sopra di ogni sospetto”, po ashtu të shfaqur në log, formojnë triologjinë e Petrit mbi profilizimin e shoqërisë italiane të atyre viteve (trilogjia e neurozës)  kah paradigmës moderniste e kapitaliste, një modeli shoqëror dhe ekonomik tëhuajsues e skllavërues, që e shndërron njeriun nga një qenie shoqërore e politike, që ka për qëllim lirinë dhe të mirën e përbashkët, në një instrument të thjështë të pushtetit ekonomiko-politik. “La classe operaia va in paradiso” është një pasqyrim i neurozës së punës, një përshkrim i gjendjes problematike të një punëtori të thjeshtë fabrike metalmekanike përpara dhe pasi  ndërgjegjësohet se nuk është gjë tjetër veçse një vegël në tërë procesin e prodhimit. Historia e trajtuar në film shpërfaq figurën emblematike të punëtorit i cili në tëhuajsimin e tij nga procesi i prodhimit, duhet të bëjë një betejë në dy fronte, njëra më dramatike se tjetra. Se pari i duhet të luftojë me faktin e të qenit punëtor (në këtë rast i pashoq dhe stakanovist) i cili me anë të punës nxjerr disa të ardhura shtesë me të cilat siguron jetën e tij dhe të familjes. Beteja e dytë nis në çastin kur ndërgjegjësohet se është thjesht një punëtor që mban në këmbë një mekanizëm të shfrenuar shfrytëzimi. Kjo e dyta do e çojë gati në çmendi, gjë që tregon dhe anën tragjike të përditësisë së individit punëtor, mbase dhe të tërë shoqërisë, që e shikon si të pashmangshme tëhuajsimin e tij, ku edhe betejat e vogla që fitohen munden thjesht ta lehtësojnë ose ta shtyjnë në kohë vuajtjen dhe pasigurinë. Megjithatë ky mbetet një film për punëtorin, si në dimensionin e tij politik, ashtu edhe në atë njerëzor. Filmi “Indagine su un cittadino al di sopra di ogni sospetto” është shfaqje e degraduese e neurozës së pushtetit, të një komisari policie i cili pikërisht në ditën që ngrihet në detyrë vret të dashurën e vet. E këtë e bën sepse thellë  brenda vetes,  ose i shtyrë nga ajo që mendojnë dhe duan të tjerët, mendon se është një person jashtë çdo lloj dyshimi për vrasje, siç e sugjeron edhe titulli. Në librin e tij “L’avventurosa storia del cinema italiano”, Elio Petri tregon se ngjarja e trajtuar në film përmbys tabunë e vjetër që i mvesh policit  imazhin e njeriut që lufton krimin dhe mbron të dobëtit. Ajo çka e bën këtë film politik – thotë ai, është fakti i të trajtuarit të figurës së policit si përfaqësim emblematik i kriminales dhe natyrës së ushtrimit të pushtetit në një shoqëri që vazhdimisht kërkon ushtrimin e një pushteti të tillë paternalist dhe autoritar. Ndërsa filmi “ La proprietà non è più un furto” (Prona nuk është më vjedhje) është prodhim i viti 1973. Në tërësinë e tij, filmi është një meditim i hidhur mbi rolin që  ka paraja në shoqëri dhe vendin që zë në jetën e  individit. Në trilogjinë e Petrit është neuroza e parasë. Ngjarjet zhvillohen rreth një djaloshi të ri me emrin Total, nëpunës i ri banke i cili është alergjik (literalisht) nga paraja, i biri i një bankieri  të drejtë dhe besimtar të dalë në pension. Pasi konvertohet në marksist-mandrakist, bëhet hajdut ideologjikisht dhe fillon të përndjekë një kasap të pasur i cili ka gjithçka, është shumë i pasur, ka një shtëpi luksoze,disa pallate në pronësi dhe një të dashur shumë të bukur. Për Totalin, kasapi është simboli i kapitalizmit, ndaj qëllimi i tij është që t’i marre gjithçka. Kështu i gjithë filmi tregon ndodhitë e pazakonta, gati groteske, që i riu planifikon për t’i vjedhur kasapit çdo pronë. Meqenëse Totali po i shkaktonte goxha probleme, duke i marre edhe të dashurën, kasapi vendos që ta takoje dhe t’i ofroje një rrugëzgjidhje. I ofron gjysmën e pasurisë që ka, por Totali nuk pranon, ai i kërkon o gjithçka, o asgjë. Në fund të filmit kasapi del fitimtar. E vret  djaloshin e ri në dalje të ashensorit. “Jemi të barabartë në nevoja, të pabarabartë në plotësimin e tyre. (…) Në luftën legale dhe ilegale, për të pasur atë që nuk kemi, shumë prej nesh sëmuren prej të këqijash çnjerëzore, e mbushin trupin me plagë, si nga jashtë ashtu edhe nga brenda. Shumë të tjerë bien, vdesin, përjashtohen, shkatërrohen, shndërrohen, bëhen kafshë, gurë, pemë të vdekura, krimba. Në këtë mënyre lind zilia, e në këtë zili fshihet urrejtja klasore që degradon në egoizëm, duke e kthyer kështu në diçka të parrezikshme. Egoizmi është ndjenja që qëndron në themel të fesë së pronës. E ndjej se kjo gjendje po bëhet e papërballueshme për mua, ashtu siç po behet edhe për shumë prej jush.” Filmi nis me këtë monolog të Totalit, një lloj parathënieje e të gjithë asaj që ndodhi. Kasapi është simboli i mënyrës kapitaliste të prodhimit. Ai është pasqyrimi real i asaj çka është prona, bazuar në mënyrën kapitaliste të prodhimit ekonomik, politik, fetar, ideologjik. Kasapi është i pamëshirshëm dhe egoist, përfitimi dhe mbrojta e pronës është arsyeja e ekzistencës, çka e shpreh qartë në dialogun e fundit përpara se të vrasë Totalin, ku shpreh frikën e tij për të qenë i varfër. “Ne mbijetojmë të frikësuar. Ata jetojnë të terrorizuar ” – ngjajnë si fjalët e fundit të atij që parandjenjë se mund të bëhet fli të nesërmen, por që assesi nuk pranon të jetojë mizerjen e imponuar duke u kthyer kështu në revoltë. “Kur shikoj fëmijët, ndjej se gjëja e parë që shprehin është vullneti i zotërimit, thonë menjëherë “ jo” dhe “ është e imja”; refuzimi dhe përvetësimi si mënyrë për të mbështetur diku identitetin e tyre. Besoj se ndjenja e pronës lind nga problemi i territorit; edhe kafshët kanë një lidhje të fortë me disa objekte. Në njëfarë mënyre paraja është Zot: është Deus ex machina i ekzistencës sonë historike e për këtë meriton të ruhet në vende ( bankat) që ngjajnë disi me kishat.”  (Elio Petri, L’avventurosa storia del cinema italiano). Ka disa të vërteta në këtë përkufizim, por  determinizmi që shpreh në tërësinë e tij nuk i shkon përshtat prirjes historike të natyrës njerëzore, si fillesë dhe nxitje e politikës, që synon të shpjerë drejt lirisë dhe ndërtimit të hapësirës së vetëligjësisë si vendi i ndërtimit të së përbashkëtës. Në këtë aspekt mund të thuhet se Totali ia ka arritur të bindë veten se pasuria (ajo e kasapit) është fryti i akumulimit të padrejtë të parasë në kurriz të t’jerëve dhe pikërisht për këtë refuzon t’i prekë pa vënë dorezat. Është kjo arsyeja se përse një kasap vulgar, i cili nuk ka arritur të ngadhënjejë mbi pasionet dhe ndjenjën egoiste për të pasur gjithçka, bëhet objekt i sulmit të tij. Te ndëshkimi i tij Totali vë re një rrugëzgjidhje për të përmirësuar shoqërinë. Thënia e Prudonit “ Prona është vjedhje” shndërrohet në “Prona nuk është më vjedhje” që shpreh edhe një lloj dëshpërimi, apo “dështimi” të përkohshëm, ndaj betejës për një shoqëri më të drejtë, më solidare dhe njerëzore.
This image has an empty alt attribute; its file name is direct
Ky artikull është botuar nën licensën CC BY-SA 4.0.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.