Kritikë e pedagogjisë së shpjegimit

/Jacques Rancière/

Më 1818 Joseph Jacotot-i, revolucionar në ekzil dhe mësimdhënës i letërsisë franceze në Universitetin e Luvenit, nis të mbjellë panik në Evropën e ditur. Pasi u mësoi frëngjishten nxënësve flamandë pa u bërë leksion, ai zu të proklamojë moton e emancipimit intelektual: të gjithë njerëzit kanë inteligjencë të barabartë. Nuk bëhet fjalë për pedagogji dëfryese, por për filozofi dhe politikë. Filozofi francez bashkëkohor Jacques Rancière në veprën e titulluar “Mësuesi injorant”, nga e cila është shkëputur pjesa në vijim, përmes biografisë së Jacotot-it reflekton filozofikisht mbi çështjen e arsimimit.

***

Rendi shpjegues

Një ndriçim mendjeje i papritur e përshkoi me forcë Joseph Jacotot-in duke e bërë të reflektojë për atë çka merret e mirëqenë në të gjitha sistemet e mësimdhënies: domosdoshmërinë e shpjegimit. Po pse të mos merret si e mirëqenë? Askush nuk njeh tjetërçka veç asaj që ka kuptuar. Dhe që të ndodhë kuptimi, duhet dhënë një shpjegim, fjalët e mësuesit duhet të thyejnë heshtjen e materialit që duhet mësuar.

Megjithatë kjo logjikë nuk është pa disa pika të errëta. Marrim për shembull një libër në duart e nxënësit. Libri përbëhet nga një seri arsyetimesh që kanë për qëllim që nxënësi të kuptojë një material të caktuar. Në atë çast mësuesi hap gojën dhe zë të shpjegojë librin. Ai bën një sërë arsyetimesh për të shpjeguar tërësinë e arsyetimeve të librit. Po pse ka nevojë libri për të tillë ndihmesë? Në vend që të paguajë shpjeguesin, a nuk do të ishte më e thjeshtë që ati t’ia jepte librin fëmijës së tij dhe ky i fundit t’i kuptonte drejtpërdrejt arsyetimet e librit? Nëse fëmija nuk i kupton këto të fundit, pse i kupton arsyetimet që i shpjegojnë atë që nuk ka kuptuar? A janë këto arsyetime të një natyre tjetër? Nëse po, a nuk do të ishte i domosdoshëm shpjegimi i mënyrës për t’i kuptuar ato?

Logjika e shpjegimit mbështetet, kësisoj, në parimin e regresit në pafundësi: nuk ka asnjë arsye që të ndalojë dyfishimi i arsyeve. Ajo që i jep fund regresit dhe hedh bazën e sistemit është thjesht fakti që shpjeguesi është gjykatësi i vetëm i pikës ku shpjegimi shpjegohet për vete. Ai është i vetmi gjykatës i kësaj pyetjeje marramendëse: A i ka kuptuar nxënësi arsyetimet që i mësojnë të kuptojë arsyetimet? Kjo është ajo çka mësuesi ka më shumë sesa babai: Si mund të jetë i sigurt babai se fëmija i ka kuptuar arsyetimet e librit? Ajo çka i mungon babait, çka do të mungojë gjithnjë në treshen midis tij, fëmijës dhe librit, është arti singular i shpjeguesit: arti i distancës. Sekreti i mësuesit qëndron në njohjen e distancës midis materialit mësimor dhe personit që po mësohet, gjithashtu në distancën midis të mësuarit dhe të kuptuarit. Shpjeguesi është ai që e vendos dhe e zhbën këtë distancë, që e shpalos dhe e përthith atë në tërësinë e të folurës së tij.

Ky status i privilegjuar i të folurës nuk e zhbën regresin në pafundësi pa themeluar më parë një hierarki paradoksale. Në rendin shpjegimor, në përgjithësi, duhet një shpjegim oral për të shpjeguar një shpjegim të shkruar. Kjo parasupozon se arsyetimet janë më të qarta, ngulen më mirë në mendjen e nxënësit, nëse shpalosen nëpërmjet të folurës së mësuesit, e cila davaritet menjëherë, sesa nëse jepen prej librit në të cilin shkruhen përgjithmonë me germa të pashlyeshme. Si ta kuptojmë këtë privilegj paradoksal të së folurës ndaj të shkruarit, të të dëgjuarit ndaj të shikuarit? Ç’raport ekziston midis pushtetit të të folurit dhe atij të mësuesit?

Ky paradoks i lë vend menjëherë një tjetri: fjalët që fëmija mëson më mirë, të cilave ua kap kuptimin më mirë, që i përvetëson më mirë përmes përdorimit, janë ato që i mëson pa mësuesin shpjegimtar, shumë më parë çfarëdo mësuesi të tillë. Sipas rezultateve të pabarabarta të të nxënit intelektual, çka çdo fëmijë mëson më mirë është ajo që nuk mund t’ia shpjegojë asnjë mësues: gjuha e nënës. Ne flasim me ta dhe flasim rreth tyre. Ata dëgjojnë dhe përvetësojnë, imitojnë dhe përsërisin, bëjnë gabime dhe vetëkorrigjohen, ia dalin me sukses rastësisht dhe ia nisin sërish në mënyrë metodike, dhe në një moshë më të re nga ajo që shpjeguesit nisin t’i mësojnë, ata janë pothuajse të gjithë – pavarësisht gjinisë, gjendjes shoqërore dhe ngjyrës së lëkurës – të aftë për të kuptuar dhe folur gjuhën e prindërve.

Vetëm tani te ky fëmijë, që ka mësuar të flasë nëpërmjet inteligjencës së tij dhe instruktorëve që nuk ia kanë shpjeguar gjuhën, zë fill instruktimi i tij i mirëfilltë. Tani gjithçka ndodh sikur ai të mos ishte i aftë të mësonte me ndihmën e të njëjtës inteligjencë që kish përdorur deri më tash, sikur marrëdhënia autonome midis të nxënit dhe verifikimit të ishte, prej kësaj pike e tutje, e huaj për të. Midis këtyre të dyve vendoset një perde. Kjo ka të bëjë me të kuptuarit dhe mjafton kjo fjalë për t’i hedhur një tis gjithçkaje: të kuptuarit është ajo çka fëmija nuk mund të bëjë pa shpjegimet e një mësuesi – më vonë të aq mësuesve sa ç’ka materiale për të kuptuar, të gjitha të paraqitura në një rend të caktuar progresiv. Për të mos përmendur pastaj rrethanën e çuditshme se që kur filloi era e progresit, këto shpjegime nuk kanë reshtur së përsosuri për të shpjeguar më mirë, për t’i bërë gjërat më të kuptueshme, për të mësuar më mirë se si të mësosh – pa ndonjë përsosmëri përkatëse në të kuptuarin në fjalë. Në vend të kësaj nis të dëgjohet ankesa në rritje: sistemi shpjegues po humb efektivitetin. Afërmendsh diçka e tillë kërkon ripunimin e mëtejshëm të shpjegimeve për t’i bërë më të lehta për t’u kuptuar nga ata që nuk ia arrijnë kësisoj.

Zbulesa që iu fanit Joseph Jacotot-it ishte kjo: logjika e sistemit shpjegues duhej përmbysur. Shpjegimi nuk është medoemos ilaçi i paaftësisë për të kuptuar. Përkundrazi, kjo paaftësi përfton trillimin strukturues të konceptimit shpjegimor të botës. Është shpjeguesi ai që ka nevojë për të paaftin dhe jo e anasjellta; është ai që e kushteton të paaftin si të tillë. T’i shpjegosh dikujt diçka nënkupton më së pari t’i tregosh se ai nuk mund ta kuptojë vetë atë. Para se të jetë akt i pedagogut, shpjegimi është mit i pedagogut, parabola e një bote të ndarë midis mendjeve të ditura dhe atyre injorante, mendjeve të pjekura dhe atyre të mitura, të afta dhe të paafta, inteligjente dhe budallaqe. Truku i veçantë i shpjeguesit konsiston në këtë gjest përurues të dyfishtë. Në njërën anë, ai dekreton fillimin absolut: vetëm tani do të fillojë akti i të mësuarit. Nga ana tjetër, duke hedhur tisin e injorancës mbi gjithçka që duhet mësuar, ai i cakton vetes detyrën e heqjes së këtij tisi. Pa ia behur ai, fëmija kërkonte kuturu, zgjidhte gjëegjëza. Tani ai do të mësojë. Ai i dëgjoi fjalët dhe i përsëriti ato. Mirëpo tani erdhi koha për të lexuar dhe nuk mund t’i kuptojë fjalët pa kuptuar rrokjet, nuk mund t’i kuptojë rrokjet pa kuptuar shkronjat që as libri, as prindërit nuk mund t’ia bëjnë të kuptueshme – vetëm fjala e mësuesit mundet. Thamë që miti pedagogjik e ndan botën në dysh. Më saktësisht, e ndan inteligjencën në dysh. Thotë se ka një inteligjencë inferiore dhe një sipërore. E para i regjistron perceptimet rastësisht, i ruan ato, i interpreton dhe i përsërit empirikisht, brenda qarkut të mbyllur të zakonit dhe nevojës. Kjo është inteligjenca e fëmijës së vogël dhe njeriut të zakonshëm. Inteligjenca sipërore i njeh gjërat nëpërmjet arsyes, ecën me metodë nga e thjeshta tek e përbëra, nga pjesa tek e tëra. Kjo inteligjencë i lejon mësuesit ta përçojë dijen e tij duke ua përshtatur kapaciteteve intelektualëve të nxënësve dhe të verifikojë nëse nxënësi e ka kuptuar kënaqshëm atë që ka mësuar. Ky është parimi i shpjegimit. Që këtej e tutje, për Jacotot-in ky do të jetë parimi i budallalepsjes së sforcuar.

Që ta kuptojmë diçka të tillë duhet të zhvishemi nga imazhet e marra. Budallalepsësi nuk është ndonjë mësues plak i topitur që i dend kokat e nxënësve të tij me njohuri të tretura keq apo ndonjë karakter malinj që nxjerr nga goja gjysmë të vërteta për të rritur pushtetin e tij dhe përforcuar rendin shoqëror. Përkundrazi, ai është edhe më efikas ngaqë është i ditur, mendjendritur dhe në mirëbesim. Sa më shumë që di, aq më evidente i duket distanca midis dijes së tij dhe injorancës së injorantëve. Sa më mendjendritur të jetë, aq më evidente i duket diferenca midis kërkimit kuturu dhe kërkimit metodik, aq më shumë do të këmbëngulë në zëvendësimin e germës me frymën, e autoritetit të librit me qartësinë e shpjegimit. Fundja – thotë ai – nxënësi duhet të kuptojë dhe, prandaj, ne duhet të shpjegojmë edhe më mirë. Ky është shqetësimi i pedagogut mendjendritur: a kuptoi i vogli? Nuk ka kuptuar. Do të gjej mënyra të reja për t’ia shpjeguar, mënyra edhe më rigoroze në parim, edhe më tërheqëse në formë – dhe do të verifikoj nëse ka kuptuar ose jo.

Shqetësim fisnik! Për fat të keq, kjo fjalë e vogël, kjo parullë mendjendriturish – kuptim – shkakton gjithë trazirën. Kjo fjalë ndal lëvizjen e arsyes, shkatërron besimin e saj në vete, e shpërqendron atë duke e ndarë botën e inteligjencës në dysh, duke instaluar ndarjen midis kafshës së kuturushme dhe njerucit të mësuar, midis sensit të përbashkët dhe shkencës. Prej momentit që kjo parullë dualiteti prononcohet, çdo perfeksionim i mënyrave të të bërit të kuptueshme, kjo brengë e madhe e njerëzve të metodës dhe progresistëve, përbën progres kah budallallepsja. Fëmija që reciton nën kërcënimin e shkopit i bindet shkopit dhe vetëm kaq: ai do ta përdorë inteligjencën për tjetërçka. Mirëpo fëmija të cilit i shpjegohet do ta përdorë me devotshmëri inteligjencën në punë vrerosëse: për të kuptuar, domethënë për të kuptuar se ai nuk kupton dot nëse nuk i shpjegohet. Ai nuk i nënshtrohet më shkopit, por botës hierarkike të inteligjencës. Për të tjerat, si çdo fëmijë tjetër, ai nuk ka pse të shqetësohet: Nëse zgjidhja e problemit është shumë e vështirë, ai do të ketë aq inteligjencë sa të hapë sytë vërdallë. Mësuesi është vigjilent dhe i duruar. Ai do ta shohë se fëmija nuk po e ndjek; do ta fusë në shina duke ia shpjeguar gjërat sërish. Dhe kësisoj fëmija do të fitojë një inteligjencë të re, atë të shpjegimeve të mësuesit. Më vonë edhe atij mund t’i vijë radha të bëhet shpjegues. E zotëron veglën. Mirëpo do ta përsosë atë: Ai do të bëhet njeri i progresit.

Përgatiti dhe përktheu: Arlind Qori

Imazhi: Ballast

Lexojmë dhe shpërndajmë!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.