Kontradiktat e vërteta dhe të rreme në kapitalizëm

/Alain Badiou/

Moderniteti është para së gjithash realitet mohor. Mirëfilli është një shkëputje nga tradita. Është fundi i botës së kastave, fisnikërive, detyrimeve fetare, riteve të përkatësisë në grupe të veçanta rinore, mitologjive lokale, nënshtrimit të grave, pushtetit absolut të atit ndaj fëmijëve dhe ndarjes zyrtare midis një grupi të vogël sunduesish dhe një mase të nëmur punëtorësh. Asgjë nuk mund ta kthejë pas këtë lëvizje – lëvizje që zuri fill në Perëndim me Rilindjen, u konsolidua me Iluminizmin e shekullit të tetëmbëdhjetë dhe paskëtaj u materializua në hovet e paprecedenta në teknikat prodhuese dhe rafinimin konstant të mjeteve të matjes, qarkullimit dhe komunikimit.

Pas gjase gjëja më goditëse është se kjo shkëputje nga bota e traditës, kjo tornado e vërtetë që përfshiu njerëzimin – e cila në më pak se tre shekuj ka fshirë forma organizimi mijëravjeçare – krijon një krizë subjektive shkaqet dhe shtrirja e të cilës duken sheshit, ku njëra prej aspekteve më të shquara të saj është vështirësia e skajshme dhe rritëse me të cilën ndeshen veçanërisht të rinjtë në gjetjen e një vendi në këtë botë të re.

Kjo është kriza e vërtetë. Nganjëherë njerëzit mendojnë se kjo është krizë e kapitalizmit financiar. Jo, aspak! Kapitalizmi po zgjerohet ngado nëpër botë – punët po i shkojnë mbroth. Luftërat dhe krizat janë pjesë e mjeteve të zhvillimit të tij. Të tilla mjete janë sa brutale, aq edhe të domosdoshme për të spastruar konkurrencën e për t’iu lejuar fitimtarëve të përqendrojnë në duart e tyre sasinë më të madhe të mundshme të kapitalit të disponueshëm.

Të sjellim ndër mend se ku jemi, nga një pikëvështrim tërësisht objektiv, për sa i përket përqendrimit të kapitalit. 10% e popullsisë botërore zotëron 86% të kapitalit të disponueshëm; 1% ka 46% dhe 50% e popullsisë së botës s’ka asgjë, fiks 0%. Mund të kuptohet lehtësisht se 10%-shi që zotëron thuajse gjithçka nuk do të donte të ishte në të njëjtën situatë si ata që nuk kanë asgjë. Nga ana tjetër, shumë prej atyre që ndajnë mes veti 14%-shin e mbetur po digjen nga dëshira e zjarrtë për të ruajtur atë që kanë. Prandaj ata mbështesin rëndom – dhe këtu racizmi e nacionalizmi luajnë rol gjithashtu – masa të panumërta represive që synojnë ndërtimin e mureve mbrojtëse kundër “kërcënimit” të tmerrshëm që përjetojnë nga 50%-shi që nuk ka asgjë.

Gjithë ç’u tha na dëfton se parulla e lëvizjes Occupy Wall Street “Ne jemi 99%-shi”, me kapacitetin e saj të hamendësuar për të unifikuar popullin, është tërësisht boshe. E vërteta është se çka quajmë Perëndim është përplot me njerëz të cilët, megjithëse nuk bëjnë pjesë të 10%-shi i aristokracisë sunduese, prapëseprapë e pajisin kapitalizmin e globalizuar me një trupë mbështetëse mikroborgjeze, e famshmja klasë e mesme, pa të cilën oaza demokratike nuk do të kishte asnjë shans për të mbijetuar. Në të vërtetë, të rinjtë kurajozë që zaptuan Wall Street-in jo më që s’ishin 99%-shi – as simbolikisht -, por nuk përfaqësonin diç më shumë sesa një grusht njerëzish (që prej fillimit, në fakt) fati i të cilëve ishte të treteshin me të mbaruar hareja e “lëvizjes”. Afërmendsh që diçka e tillë nuk do të ndodhte nëse ata do t’ia dilnin t’u bashkëngjiteshin masës reale të atyre që nuk kanë asgjë ose fare pak; domethënë, nëse do të hiqnin një diagonale politike midis atyre që kanë njëfarë pronësie mbi 14%-shin – veçanërisht intelektualëve – dhe 50%-shit të njerëzve që nuk kanë asgjë, pikësëpari punëtorëve dhe fshatarëve e paskëtaj shtresës më të ulët, më të pasigurt dhe më të keqpaguar të klasës së mesme. Ky rrugëtim politik është i mundshëm – është provuar në vitet 60 dhe 70 në flamurin e maoizmit. Po ashtu është provuar kohëve të fundit në lëvizjet zaptuese në Tuniz dhe Kajro, madje edhe në Okland, ku së paku përvijohej një lidhje aktive midis tyre dhe punëtorëve të dokut. Gjithçka, absolutisht gjithçka, varet nga rilindja definitive e kësaj aleance dhe nga organizimi i saj politik në nivel ndërkombëtar.

Mirëpo në situatën aktuale – ku një lëvizje e tillë ndodhet në një gjendje shumë të dobët – rezultat objektiv dhe i matshëm i shkëputjes nga tradita, që ndodh në një botë të strukturuar nga kapitalizmi i globalizuar, s’mund të jetë veçse ajo për çka po flisnim më parë, domethënë një oligarki e ngushtë që dikton ligjet e saj jo vetëm në kurriz të shumicës dërrmuese të njerëzve në nivelin minimal të mbijetesës, por edhe të klasave të mesme të perëndimorizuara – pra vasale dhe sterile.

Po çfarë po ndodh në nivelin shoqëror dhe subjektiv? Më 1848-n Marksi na ka dhënë një shpjegim goditës të këtij realiteti, që është ku e ku më i vërtetë tani sesa në kohën e vet. Disa pasazhe nga një tekst që ka mbetur pabesueshmërisht i ri pavarësisht moshës së vjetër:

“Kudo ku ka fituar, borgjezia u ka dhënë fund të gjitha marrëdhënieve feudale, patriarkale, idilike…Ajo i ka zhytur ekstazat më qiellore të zjarrmisë fetare, të entuziazmit kavaleresk, të sentimentalizmit filistin në ujin e akullt të përllogaritjes egoiste. E ka shndërruar dinjitetin personal në vlerë këmbimi… Borgjezia ia ka hequr aureolën çdo profesioni deri më atëherë të nderuar e të respektuar me frikë përulëse. Ajo i ka kthyer fizikanin, juristin, priftin, poetin, njeriun e shkencës në punëtorët e vet me mëditje.”

Këtu Marksi përshkruan mënyrën se si shkëputja nga tradita – ku kjo shkëputje merr formë borgjeze, kapitaliste – në të vërtetë prodhon një krize gjigande të organizimit simbolik të njerëzimit. Në të vërtetë, në mijëravjeçarë dallimet e jetës njerëzore janë rregulluar dhe simbolizuar në formë hierarkike. Kategoritë më të rëndësishme binare si i vjetër dhe i ri, burrë dhe grua, brenda dhe jashtë familjes sime, i varfër dhe i pushtetshëm, punët e mia dhe të të tjerëve, të huaj dhe bashkatdhetarë, heretikë dhe besimtarë, njerëz të zakonshëm dhe fisnikë, qytet dhe fshat, punëtorë krahu dhe truri – të gjitha këto shpjegoheshin (në gjuhë, mitologji, ideologji dhe në modelet e vendosura fetare) duke iu drejtuar strukturave të renditura që e vendosnin gjithkënd në vendin e caktuar nga një sistem hierarkish të mbivendosura. Kësisoj, një grua fisnike ishte inferiore ndaj burrit të saj, por sipërore ndaj një burri të zakonshëm; një borgjez i pasur duhet t’i përulej një duke, por shërbëtorët e tij duhet t’i përuleshin atij; ashtu sikundër një lëkurëkuqe prej aksh fisi indian nuk ishte pothuajse askushi përpara syve të luftëtarit nga fisi i saj, mirëpo ishte thuajse e gjithëpushtetshme në sytë e një të burgosuri nga një fis tjetër, mbi mënyrën e torturimit të të cilit mund të vendoste. Një ndjekës i varfër i Kishës Katolike kishte shumë pak rëndësi në krahasim me peshkopin e tij, mirëpo mund ta konsideronte veten njërin prej të zgjedhurve nëse krahasohej me një heretik protestant, ashtu sikundër edhe biri i një skllavi të çliruar, tërësisht i varur nga i ati, mund të kishte si skllav personal një kryefamiljar zezak.

Kësisoj, i tërë simbolizimi tradicional mbështetej mbi një strukturë të renditur që përcaktonte vendet e individëve në shoqëri dhe marrëdhëniet midis këtyre vendeve. Shkëputja nga tradita, ashtu siç e realizon kapitalizmi si sistem i përgjithshëm prodhimi, nuk propozon ndonjë simbolizim të ri aktiv, por vetëm lojën brutale dhe të pavarur të ekonomisë: mbretërimin neutral, asimbolik të asaj që Marksi e quan “uji i akullt i përllogaritjes egoiste”. Prej kësaj rezulton kriza historike e simbolizimit dhe mu këtu rinia vuan sot nga një çorientim i madh.

Përballë kësaj krize – e cila nën shtrojën e lirisë formale nuk propozon tjetër referent pos parasë – ka njerëz që duan të na bëjnë të besojmë se ka vetëm dy zgjidhje të mundshme. Ose pretendimi se nuk ekziston, as mund të ekzistojë, asgjë më e mirë sesa modeli “demokratik” liberal i lirive të matura nga neutraliteti i përllogaritjeve të tregut; ose dëshira reaktive e kthimit në simbolizimin tradicional – pra hierarkik.

Sipas meje, të dyja këto shtigje përbëjnë rrugë qorre shumë të rrezikshme dhe kontradikta e tyre gjithnjë e më gjakatare po e fut njerëzimin në një qerthull luftërash pa fund. Ky është problemi i kontradiktave të rreme, të cilat pengojnë shfaqjen e kontradiktës së vërtetë. Kjo kontradiktë e vërtetë – e cila duhet të shërbejë si skicë e mendimeve dhe veprimeve tona – kundërvë dy versione të shkëputjes së pashmangshme nga tradita simbolike hierarkike. Pra, kundërshtia midis vizionit asimbolik të kapitalizmit perëndimor, i cili krijon pabarazi monstruoze dhe trazira patogjenike, dhe vizionit që në përgjithësi është quajtur “komunizëm”, i cili që prej Marksit dhe bashkëkohësve të tij ka propozuar shpikjen e një simbolizimi barazimtar.

Pas humbjes historike të përkohshme të komunizmit – me dështimin e socializmit shtetëror në BRSS dhe Kinë – kontradikta themelore e botës moderne është maskuar prej kontradiktës së rreme. Përballë shkëputjes nga tradita, një kontradiktë e rreme është vendosur midis mohueshmërisë së kulluar, sterile dhe neutrale të Perëndimit sundues dhe, kundër tij, një reaksioni fashist, shpeshherë të veshur me narrativa fetare të bastardizuara, që ofron një kthim te hierarkitë e vjetra dhe për këtë qëllim shpërfaq një dhunë spektakolare që shërben për të maskuar dobësinë e saj reale.

Kjo kundërshti e supozuar u shërben interesave të të dyja palëve, sado i dhunshëm të duket konflikti midis tyre. Të ndihmuar nga kontrolli i mjeteve të komunikimit, ata përvetësojnë interesin e përgjithshëm duke e detyruar këdo të t’ia mbajë në njërin prej kaheve të zgjedhjes së rreme midis “Perëndimit ose Barbarisë”. Kësisoj ata bllokojnë ardhjen e të vetmes bindje globale që mund ta shpëtonte njerëzimin nga katastrofa. Kjo bindje – të cilën nganjëherë e kam quajtur ideja komuniste – shpall se edhe në lëvizjen e shkëputjes nga tradita, ne duhet të punojmë për të krijuar një simbolizim barazimtar që të mund të udhëheqë, rregullojë dhe formojë bazamentin subjektiv të qëndrueshëm të kolektivizimit të burimeve, zhdukjes efektive të pabarazive, njohjes së dallimeve – me të drejta subjektive të barabarta – dhe, mbramësisht, shuarjen e formave të ndryshme të autoritetit të llojit shtetëror.

Kështu që na duhet t’ia kushtojmë me devotshmëri subjektivitetin tonë një detyre krejt të re: shpikjes, në një luftë dyfrontale – kundër rrënojave të simbolikes në ujërat e akullta të përllogaritjes kapitaliste dhe kundër fashizmit reaktiv që kërkon të restaurojë rendin e vjetër – të një simbolizimi barazimtar që i ristrukturon dallimet duke bërë mbizotëruese rregullat e përbashkëta, të bazuara në bashkëndarjen totale të burimeve.

Për sa na përket neve – njerëzve të Perëndimit – më së pari duhet t’i hyjmë një revolucioni kulturor: domethënë, ne duhet të heqim dorë nga bindja absolutisht arkaike se këndvështrimi ynë është sipëror ndaj gjithkujt. Në fakt këndvështrimi ynë është ende shumë mbrapa dëshirave dhe largpamësive të kritikëve të parë të mëdhenj shekullnëntëmbëdhjetës të pabarazisë brutale dhe të pakuptimtë të kapitalizmit. Këta pararendës të mëdhenj panë gjithashtu se organizimi i hamendësuar demokratik i politikës, me ritualet e tij zgjedhore qesharake, është thjesht fasada e vasalizimit total të politikës ndaj interesave më të larta të konkurrencës dhe babëzisë. Sot më shumë se kurrë mund të shohim spektaklin e trishtë të asaj që këta kritikë e kanë quajtur – me kthjelltësi të pakursyer – “kretinizëm parlamentar”.

Braktisja masive e këtij identiteti “Perëndimor”, e kombinuar njëkohësisht me refuzimin absolut të fashizmave reaktivë, përbën kohën mohore të domosdoshme brenda të cilës ne mund të pohojmë fuqinë e vlerave tona të reja barazimtare. Të mos qenët lodrat e kontradiktës së rreme dhe vendosja e vetes në kontradiktën reale do t’i ndryshojë subjektivitetet; do t’i lejojë ato të shpikin një forcë politike e cila do ta zëvendësojë pronën private dhe konkurrencën me atë që Marksi e quante “shoqërizim i lirë”.

E përktheu Arlind Qori

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.