Vota e krizës

/Klodi Leka/ Vota është mekanizëm demokratik përmes të cilit populli kushteton rendin shoqëror ekzistues, si shprehje e vullnetit të tij politik. Vota bën institucionet dhe demokracinë. Bën gjithashtu botën në të cilën strehohet qytetari. Të paktën ky është vizioni klasik i saj. Qysh prej kontratës sociale të mendimtarit të madh iluminist Zh. Zhak Ruso deri te teoritë liberale legjitimuese të shtetit modern të Lokut, Monteskjesë etj., vota është vlerësuar si gurëthemel i lirive të republikës demokratike. Në çastin kur vota bie në krizë, kriza kaplon të gjitha strukturat e përfaqësimit si pluralizmin politik, besueshmërinë e pushtetit publik, raportet e qytetarit me shtetin, pra të gjithë rrjetin institucional të demokracisë. Por vota tashmë ka rënë në krizë. Siç i referohet me jo pak bindje filozofi francez Zhak Ransier, “demokracia është rreth vicioz dhe dhënie pëlqimi për drejtimin e mëtejshëm të elitave oligarkike”. Në kushtet e alternativave të njësojta dhe mungesës së subjektit që mbart të vërtetat e mëdha shoqërore, demokracia nuk jep as zgjedhje, as zgjidhje, por vetëm zgjedhë. Ky është kufizimi më i zakonshëm i votës, parë në premisat e padallueshmërisë parimore e praktike të partive të pushtetit, pasi ekzistojnë premisa të tjera si kapja klanore, klienteliste dhe korruptive e votës në kontekstin shqiptar që e thellojnë më tej krizën e saj. Kriza e votës është krizë vullneti dhe vendimmarrjeje. Shikoni të gjitha sferat shoqërore në të cilat përdoret vota! Për shembull në universitet. Vota studentore, si edhe këshillat që supozohet se zgjidhen, mbeten në rangun e gojëdhënave urbane, të cilat as i ka parë dhe as i ka prekur njeri. Thuhet, por vetëm thuhet ama, se këshillat ekzistojnë. Edhe kur ekzistojnë, veprimtaria e tyre kufizohet në organizime ekskursionesh dhe mbrëmjesh muzikore me çmime të arsyeshme. Pra, këshillat bashkë me këshilltarët ekzistojnë ne format e agjencive të reklamave konsumeriste. Ndërkohë, vullneti vendimmarrës i votës studentore është reduktuar në masën mediokre të njëzetpërqindëshit. E gjithë masa disamijëshe studentore ka më pak fuqi për të zgjedhur strukturat drejtuese të universitetit sesa njëzet njerëz të marrë së bashku. Me reformën e re në arsim, vota studentore do të zhvleftësohet në masë edhe më të madhe, duke e degdisur studentin në atë çka filozofi italian G. Agamben e quan “homo sacer” – gjallesë e zhvokur prej çdo cilësie njerëzore – ndërsa universitetin në “vatër përjashtimi” – në territor ku nuk njihet kurrfarë lirie dhe cilësie njerëzore. Pra në burg e në të burgosur. Vota ka rënë në krizë edhe në pushtetin qendror. Qeveritë e ardhura në pushtet me votë pothuajse plebishitare, pra me vullnetin e shumicës dërrmuese të popullsisë, kanë rezultuar kryekëput pushtete që e kanë çlegjetimuar votën e tyre, duke mos mbajtur premtimet e dhëna në prag të zgjedhjeve, dhe jo vetëm kaq, por duke kaluar edhe reforma në dëm të interesit publik. Po t’i referohemi mendimtarit afroamerikan M. L. King: “Kur padrejtësia bëhet ligj, rezistenca bëhet e drejtë”. Sot një sërë padrejtësish kanë marrë trajtën e ligjeve. Si padrejtësia e reformës energjetike, e reformës në pensione, e reformës në arsim,  ku qytetarë të privuar nga shërbimet publike u duhet të paguajnë tregtarizimin e krizës që nuk e pollën ata. A është e drejtë kjo? Për gagaritësit cinikë të pushtetit, vota tashmë është dhënë dhe nuk mund të zhbëhet më, kështu që na mbetet veçse të durojmë në heshtje pësimet e “reformave të dhimbshme qeveritare” gjer në zgjedhjet e radhës. Ç’marrëzi! Ne kushtet kur ligji behet i padrejtë, atëçast rebelimi bëhet ligj. Në teoritë kushtetuese të shtetit, sidomos në ato juridike e legjitimuese, thuhet se ligji lind nga e drejta dhe jo e drejta nga ligji. Pra, po t’i referohemi babait të shtetit liberal modern, Lokut: “Nëse pushteti ngrihet mbi shtypjen e qytetarëve, kontrata sociale merr fund,  qytetarët lirohen nga detyra për t’iu bindur pushtetit dhe hidhen në revoltë”. Që do të thotë se raporti i qytetarit me ligjin dhe të drejtën nuk është përgjithmonë i pandryshueshëm, por përgjithnjë i rikonceptueshëm. Nëse shteti nuk e përfaqëson qytetarin, vullneti legjitimues rikthehet te ky i fundit, në format e rezistencës dhe pjesëmarrjes direkte. Ide kjo e reflektuar jo rrallëherë në qëndrimet e lëvizjes studentore si me bojkote, zaptime dhe protesta të mëdha studentore, apo në frazat e famshme “universitetin universitarëve”,  “reformimin e bëjmë vetë”, “vetëvendosje në universitet” etj. Fraza që kanë për qëllim bërjen e procesit reformues demokratik përmes çuarjes së tij në masat e mëdha të universitarëve – te studentët dhe pedagogët – te subjektet që i japin kuptim e kushtetim universitetit. Një nga thëniet më të famshme të aktivistes dhe teoricienes amerikane Ema Goldman është: “Nëse vota do të zgjidhte punë, do ta kishin shpallur të paligjshme”. Kjo thënie të fekset ndërmend jo pak herë në ditët kur zgjedhjet lokale trokasin te dera.  Akoma pa hapur siparin e garës, gënjeshtrat kanë marrë dhenë. Kudo premtime, përgjërime dhe puthadorësa. Kurrë më parë vota nuk ka qenë më në krizë se në këto zgjedhje. Përballë rrëzimit të shpejtë të pritshmërive me pushtetin aktual dhe rrëzimit të çdo besueshmërie publike të pushtetit të djeshëm – sot opozitë – shqiptarët nuk kanë kë e çfarë të zgjedhin. Alternativa nuk ekziston. Të gjitha janë alternativa të krizës dhe premtimeve të pambajtura. Dy raste: për thuajse tri zgjedhje lokale rresht, kandidatët për kryebashkiakë të Tiranës kanë premtuar karta studentore, lehtësira sociale për studentët, bursa dhe banesa, qendra rinore dhe sociale, dhe asnjë nga këto premtime nuk është mbajtur, ndërkohë që propozohen sërish nga përfaqësuesit e po të njëjtave parti. Pastaj, të trija partitë e mëdha të pushtetit  dakordësohen me reformën që pritet të  kalojë për miratim në parlament, si para dhe si pas katër viteve, duke iu shërbyer me devotshmëri interesave private brenda dhe jashtë rrethit të mbyllur të pushtetit. A mund të quhet votë demokratike një votë që nuk ka kë e çfarë të zgjedhë, por edhe nëse zgjedh, zgjedh zgjedhën, pra nuk zgjedh e zgjidhet populli, por zgjedhin dhe zgjidhen oligarkët, të cilët, si pronarë universitetesh private, gjenden me shumicë jo vetëm brenda partive, por edhe në parlament. Vota është në krizë në të gjitha nivelet, që nga lokalet tek parlamentaret duke mos përfaqësuar askënd pos interesave të një grushti të vogël njerëzish. Ajo çka duhet të bëjmë nuk është të votojmë, të riprodhojmë karnavalet e krizës, të konservojmë institucione me legjitimitet të thyer apo të përjetësojmë pushtetin e tri partive të mëdha pa dallime parimore dhe praktike, por thjesht e vetëm pamore. Kështu vetëm sa normalizojmë shtypjen dhe avancimin e reformave të dëmshme mbi shoqërinë. Ajo çka duhet të bëjmë, siç dhe e kemi bërë, por që duhet ta praktikojmë në të gjitha sferat e jetës publike e private është të vendosurit vetë. Është vota e kuqe. Vota e të thënit jo, e të rezistuarit, e të thirrurit ndal. Kjo votë, e shprehur si vullnet emancipues me demokraci direkte në votimet e protestave përballë kryeministrisë e komisionit në lidhje me reformën, me rritjen e tarifave, me keqësimin e kushteve në konvikte, është e panumërueshme dhe përfundimtare.  Ajo i ka thënë ndal reformës, i ka shpallur reformaxhinjtë të padëshirueshëm brenda mjediseve universitare dhe në e kërkoftë nevoja, do ta realizojë drejtpërdrejt vetëvendosjen – konceptin më të lartë të lirisë – përmes mospagimit të tarifave, mosbindjes ndaj autoritetit të jashtëm të reformaxhinjve dhe mosvotimit të atyre që porsi universitetin kanë rrënuar gjithçka: studentët, shoqërinë dhe shtetin. Vota është në krizë. Ajo çka duhet të bëjmë, është të japim votën e krizës, votën që do të rrëfente realitetet tona makabre, refuzimin e tyre dhe krizën në të cilën kanë rënë, siç e thotë me shumë ironi poeti revolucionar rus: burrat me re në pantallona.
This image has an empty alt attribute; its file name is direct
Ky artikull është botuar nën licensën CC BY-SA 4.0.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.