Po punëtorët?!

/Arlind Qori/ Nëse Zarathustra i Niçes do të zbriste në qytetin tonë nuk do të kumtonte vdekjen e zotit, por të punëtorit. Jo fizikisht, por si ekzistencë politike, si shenjë ngulmuese shoqërore. Është zhdukur nga ligjërimi publik. Kryeministri ynë shfaqet herë pas here dyerve të fabrikave. Takon aty pronarë e menaxherë, po vendpunët ku ai shfaqet ose janë të zbrazura nga punëtorët, ose këta të fundit përbëjnë sfondin e pajetë të kuvendimit të pronarëve të shtetit dhe të fabrikës. Ata flasin për punësimin, për ndihmën ndaj biznesit; nganjëherë ndonjë babëlok i eksituar ngre gishtin kërcënueshëm duke kërkuar mbështetje edhe më të madhe nga shteti për pronarët se përndryshe bëhet nami; tjetërherë pronari i shtetit (kupto: kryeministri) premton se qeveria e tij e ka ndarë mendjen t’u kushtohet me mish e me shpirt ndërmarrjeve (kupto: pronarëve). Në të gjitha këto punëtorët zëre se s’janë, ose në qofshin, janë vetëm si të papunë statistikorë që presin jashtë dyerve të ndërmarrjes për të hyrë brenda në oazën ku mund të shkruhej cinikisht: Puna të bën të lirë! Në kohëra më pak barbare se këto punëtorët ngjallnin respekt, pse jo edhe frikë, e tash janë thjesht të tejdukshëm,  pa pasur as mundësinë e të qenit fantazma e dikurshme. Pyetja që kryeministri nuk bën asnjëherë është nëse punëtorët kanë të drejta në vendin e punës. Dhe bëhet fjalë për të drejta që ua njeh ligji. Punëtori, për ndonjë që s’e di, ka të drejtën bazike të mos vdesë në punë. Që kjo të mos ndodhë, detyrimin për t’i siguruar kushte pune e ka pronari, edhe sikur jeta e punëtorit t’i kushtojë më shumë nga ç’do të pranonte të paguante. Punëtori ynë ka të drejtën t’i paguhen sigurimet shoqërore dhe shëndetësore. Për të mos folur pastaj se ka të drejtën të mbipaguhet për punë jashtë orarit, të dëmshpërblehet për aksidentet në punë dhe sëmundjet profesionale, të ketë pushime të paguara, të mos zbohet nga puna për shkak të veprimtarisë sindikale etj. Dhe të gjitha këto janë detyrime të atij që fiton si dreqi nga puna e tij, pronarit. A zbatohen këto të drejta? Duhej t’i kisha shtuar një pikëçuditëse fjalisë së sapombyllur, se në Shqipëri pyetja e mësipërme mund të jetë vetëm retorike. A dënohet kush për moszbatimin e tyre? Prapë retorike. Po mirë, nëse një keqbërësi që i zë pritë një pensionisti kur merr pensionin shteti i tregon vendin pas hekurave, pse nuk ndodh e njëjta gjë me pronarët që punëtorëve të tyre nuk u vjedhin një muaj pension, por të gjithë pensionin? Nëse keqbërësi i mësipërm e ekzagjeron dhe shkakton, qoftë edhe pa dashje, vdekjen e viktimës së vet, atëherë zor se del më nga burgu. A ka dëgjuar ndokush që ndonjë pronar të cilit i kanë vdekur punëtorët për shkak të kushteve të pasigurta në punë, të lëna të pasigurta pikërisht për të mos pakësuar fitimin, të ketë bërë ndonjë ditë burg?! Nëse për keqbërësin e parë shteti është tmerri me uniformë, për të dytin është bodyguard. Dhe për bodyguard-in pronari është kandidat për çmimin e ri: Pishtar i përparimit ekonomik dhe integrimeve euro-atlantike dhe shijues i kurbanit shtetëror me mishra e shpirtra. Për ta ndërlikuar kot këtë punë, mund të thërrisnim në ndihmë filozofin Jean-François Lyotard, i cili bënte dallimin midis dëmit dhe cenimit. Dëmi është objektiv. Ai nënkupton një subjekt që e pëson dhe një subjekt që përfiton. Ama dëmi nuk prodhon medoemos ndjenjë padrejtësie apo revolte te pësuesi, sidomos kur ky i fundit e konsideron pësimin të pashmangshëm, fatalitet, e për pasojë përfituesi nga kjo punë s’konsiderohet fajtor. Njëlloj sikur të bie rrufeja. Arsyeja? Hiç më pak sesa pabarazia e skajshme pushtetore midis përfituesit dhe pësuesit. Dëmi shndërrohet në cenim kur pësuesi nuk beson më se dëmi është i justifikueshëm apo fatalitet. Ai sheh se kush ia shkakton, cilat janë marrëdhëniet që e përforcojnë këtë, dhe në fund reagon ndaj tyre. Nëse i kthehemi rrëfenjës tonë me punëtorë, pronarë dhe kryeministër, duket sheshit se jemi ende në stadin e dëmit, ku punëtorit të rënë nga skela më lehtë i shkon mendja ta falënderojë pronarin pse i vjen me gruan për vizitë sesa t’i kërkojë llogari për dërrasat e mangëta. Pse ndodh kështu? Një arsye është niveli i lartë i papunësisë. Sa më të shumtë të jenë punëtorët jashtë dyerve të vendpunës, aq më të vështirë e kanë ata brenda për t’u organizuar e për të kërkuar ndonjë të drejtë jetike. Shantazhi është ky: ose punë pa të drejta, ku po s’vdiqe rrugës, s’do kesh pension për të jetuar në pleqëri, ose vdis që sot nga papunësia, se me ndihmën ekonomike s’rrojnë dot as pëllumbat. Gjithsesi, ndryshe nga mëtimet e kryeministrit, papunësia është strukturore, vjen si rezultat i një sistemi ekonomik që shikon veç hallin e pronarëve dhe e konsideron ekonominë si lojë flipper, ku fati do ta ekuilibrojë tregun sidozot. Përndryshe si shpjegohet që në Shqipëri, çdo qeverie i këputet shpirti për biznesin, merr për vit nga FMN e BB lëvdata për përmirësimin e klimës së biznesit dhe nxitje për ta përmirësuar edhe më tepër atë, dhe në fund të vitit rritet papunësia? Qeveria së fundi shpreson se punësimin do ta rrisë duke u kompensuar pronarëve të fasonerive detyrimet që ata u kanë punëtorëve, me shpresën se ato para do t’i riinvestojnë në prodhim. Së pari, nga buron besimi qeveritar se ato para nuk do të shkojnë thjesht për shpenzime qejfi, se fundja fitimi është i shenjtë, shkon ku i do zemra fitimtarit? Edhe në u riinvestofshin, a nuk duhet marrë në konsideratë se ai riinvestim nuk ka pse të shkojë medoemos për blerjen e makinerive të njëjta për të rritur prodhimin e punësimin (pa ulur kostot kësisoj), por për blerjen e makinerive të reja që do të kursejnë punë, pra pagë, e në fund prodhojnë më shumë papunësi?! Po ashtu, riorientimi i investimeve në prodhim a nuk kërkon që investimet që shkojnë aty ku ka fitim (se biznesi nuk pyet nëse fitimi del nga llotot, shtëpia publike, universitetet private apo fabrika moderne) të orientohen kah sektorët prodhues, jo duke favorizuar ato prodhues edhe më në kurriz të punëtorëve të tyre, por duke rënduar investimet joproduktive. P.sh. sikur qeveria, në vend që përmes reformës së fundit financiare t’u falë universiteteve private para publike, t’iu rivendoste TVSH-në, a nuk do t’i shtynte pronarët që kapitalet t’i çonin në prodhim, bie fjala ushqimor, në vend që të prodhojnë diploma, e të punësojnë një grusht servilësh me spaleta akademike?! Rrjedhojë e papunësisë, por edhe përforcuese e saj, është mungesa e sindikalizmit. Punëtorët nuk organizohen se nuk ka sindikata, sindikata nuk ka se punëtorët nuk organizohen. Rreth vicioz?! Sigurisht që ka ca sindikata formale, por ato, përveçse mbajnë me një rrogë kryetarin dhe burokratët e tij të vegjël, zor se bëjnë ndonjë gjë. Nga i gjejnë paratë për këto rroga? Harruat se qeveria demokratike u dha bashkëpunëtorëve të vet në krye të sindikatave kampet e punëtorëve?! E kësisoj korrupsioni prodhon klientelën, klientela mbyt çdo filiz organizimi punëtor, dhe ja ku jemi sot më 1 Maj, me duart në xhepa. Si i bëhet kur papunësia është e frikshme, kushtet e punës dhe pagat mjerane, qeveria kontribuuese në shkatërrimin e punëtorëve dhe punëtorët e pashpresë? Nëse ka vend për organizim punëtor, atëherë ka vetëm një rrugë: ilegaliteti. Mos u frikëso i dashur lexues se s’është fjala për daljen malit, por për organizimin e fshehtë të punëtorëve. Nëse, pavarësisht të drejtës ligjore, çdo grusht punëtorësh që tentojnë të organizohen hapur përfundojnë në koshin e papunësisë, atëherë mbetet vetëm organizimi i fshehtë, takimet në grupe të vogla shtëpive, zgjerimi shumë i ngadaltë konspirativ, deri në pikën ku të organizuarit të jenë aq të shumtë, saqë pronari s’mund t’i pushojë nga puna pa pushuar edhe prodhimin. Duket çmenduri? Të çmendura janë kushtet shoqërore. Përndryshe si shpjegohet që sot është po aq e vështirë të organizohet një sindikatë sa ç’ka qenë organizimi i grupeve politike disidente në diktatura?! Po nga do të vijë shkundja minimale traumatike që të ndodhë e mësipërmja? Nëse punëtorët nuk e bëjnë vetë, dhe gjasat janë të mos e bëjnë në kushtet e dëshpërimit të thellë, duhet tentuar nga jashtë. Nga partitë politike?! Kot e thashë, për të përfytyruar ngërdheshjen e lexuesit. Mbeten vetëm mikrogrupe veprimtarësh politikë, idealistë po të doni, sikur të mos ishte shndërruar në fjalë që shënjon budallain e patëkeq. Nga ç’shtresëzim shoqëror? Për momentin mendja të shkon vetëm te rinia studentore, dhe jo thjesht për “donkishotizmin” e pashmangshëm që mbart ky grup, edhe herë të tjera i hedhur pa frikë në zjarrin e shndërrimeve radikale emancipuese. Studentët e sotëm nuk janë më të ngeshmit e dikurshëm që kishin vetëm detyrën të studionin se me tarifën e shkollës merrej shteti. Rritja e përvitshme e tarifave (tanimë edhe më e shpejtë me reformën financiare universitare) dhe e kostove të jetesës studentore i shtyn një pjesë syresh të punojnë për të studiuar dhe studiojnë për të mbetur të papunë. Ndërkohë në punë janë pa të drejta, se askush s’ka ndër mend t’i paguajë siguracionet një studenti kamerier. Tanimë ata ndajnë fatin e punëtorëve e të papunëve.  Ata kanë vetëm një përparësi: Dinë më shumë, kanë ende fuqi, dhe mbi të gjitha ende s’u ka humbur aftësia për të ëndërruar një botë më të mirë. Nëse s’e bëjnë këta, atëherë jemi te portat e ferrit: Lasciate ogni speranza, voi ch’entrate.
This image has an empty alt attribute; its file name is direct
Ky artikull është botuar nën licensën CC BY-SA 4.0.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.