1 Maji nga perspektiva e studentit

/Liri Kuçi/ Përditë e më shumë po proklamohet e lakohet emri ‘student’ e roli i tij në shoqëri. Supozohet se për të merituar statusin e studentit, duhet të sillesh si i tillë; të lexosh disa orë të mira në bibliotekë, o të frekuentosh ndonjë hapësirë të mundshme aktiviste postakademike, të ideuar për studentë (veç  partitizimit të pashmangshëm në grupet rinore partiake që kanë mbirë e po lulëzojnë si kërpudhat pas shiut). Mirëpo të qenët student sot, na qenka sakrificë. Sepse me demek  duhet të përgatitësh një tufë të mirë verdhushkash përpara se të fitosh statusin e studentit, apo për tu quajtur student i vitit të dytë, të tretë e më tej. E meqenëse dihet tashmë se rroga mesatare e shqiptarëve vërtitet rreth 20.000 lekëve, lipset kështu, që ajo kohë e supozuar të shfrytëzohet për kapital të dijes, lexim e mendim kritik apo punë akademike, shkon duke u shpenzuar në punë me kohë të pjesshme në call center,  a kamerier në çdo pëllëmbë e lokal që ka në vendin tonë. E për fat “të mire”, këtu, puna është në kornizat e korrektes, 8-orësh i pacenuar!!! Rregulla, disiplinë, e standarde që priren të ndikojnë në efikasitetin dhe cilësinë optimale të bizneseve në fjalë. E të gjitha këto, duke marrë parasysh numrin e madh të punëtorëve dhe shfrytëzimin po aq të madh që u bëhet, nuk përkthehen në asgjë tjetër veçse në normë fitimi të superfishuar. Studentit, pra, i duhet të punojë 8 orë të plota punë, me këto të ashtuquajtura kushte e rregulla të mirë strukturuara, dhe me mungesa e penalizime sipas rastit. Kështu në rastin më të keq, studenti resht së qeni i tillë për shkak të arsyeve të sipërpërmendura, sepse praktikisht e ndjen veten më shumë punëtor sesa student, duke qenë se edhe koha që u dedikohet nuk është e njëjtë. E ne rastin më të mirë studenti resht së qeni student utopikisht, pasi nuk ndihet e nuk sillet tërësisht si i tillë, student më kohë të plotë. Ja pra, tek kemi të bëjmë kështu më një student me kohë të pjesshme pa qenë e nevojshme, por paradoksalisht e domosdoshme, sepse arsyeja na dikton se nuk jemi duke iu përkushtuar tërësisht konceptit të kulluar të gjësë. Shtruar në të tillë terma e në të këtilla kushte ideja e të punësuarit kthehet në domosdoshmëri për të jetuar e studiuar. E kështu kushtet e punës  imponohen krejt lehtë nga vetë rrethanat e mjedisi i ashpër në të çilin na ka rënë për hise të jetojmë, punojmë, studiojmë e të shfrytëzohemi gjithandej nga pak. Sikur të mos mjaftonin vetëm shfrytëzimi anormal që u bëhet në punë, paga që marrin është një shifër krejt qesharake kundrejt ndrydhjes që u bëhet studentëve-punëtorë në ambientet e punës. Veç kësaj mbi ta reflektohet tëhuajësimi që i bëhet procesit të punës e rrjedhimisht dhe vetvetes. Lihet peng liria për të shkëmbyer njerëzisht fjalë ndoshta edhe si domosdoshmëri për t’i pohuar vetes fatmirësinë-fatkeqe se je qenie komplekse dhe jo mjet robotik i specializuar për të vepruar mekanikisht vetëm në një proces të caktuar. Studentët nuk janë vetëm të keqpunësuarit dhe të keqpaguarit e sotëm. Nuk përfaqësojnë as thjesht të papunët e nesërm. Mbi të gjitha, tek studentët shpërfaqen të shfrytëzuarit e sotëm. Përmes sakrificash, bashkë me familjet e tyre, studentët shfrytëzohen ekonomikisht: përmes tarifave te studimit që shtohen përvit; shfrytëzohen me koston e kripur te jetesës; shfrytëzohen nga pagesa e lartë e konvikteve pa kushte; shfrytëzohen për të mbajtur në këmbë universitetet piramidale private; shfrytëzohen dhe keqtrajtohen në çdo aspekt duke i shtuar, në këtë mënyre, jetën një sistemi të kalbur dhe të dështuar, i çili gjithsesi nuk mund të shkojë larg duke ecur mbi shfrytëzim.” Epo,- do thotë dikush,- fundja kështu funksionon kapitalizmi! Duke mos garantuar punësimin, por edhe kur punëson, sigurohet ta mbajë popullin të varur në një gjymtyrë e cila mund të sharrohet në çdo moment, kështu që do të ishte më mirë që ata ta mbanin gojën mbyllur, të merrnin paga te ulëta e të bënin punën e tyre, e nëse ata e marrin dhuratën e tyre duke u lejuar te shërbejnë në kushte të mjerueshme edhe për një vit tjetër, ata duhet ta mirëpresin këtë dhe te mos kërkojnë ndonjë gjë më tepër. Prandaj është e nevojshme, dhe madje e domosdoshme, që studentët t’i bëjnë ballë dhe ta kundërshtojnë këtë maskaradë që zhvillohet në kurriz të tyre dhe të krejt shoqërisë. Studentët, të organizuar dhe të bashkuar, duhet t’i japin drejtim të ardhmes, e cila është e të gjithëve, dhe jo e matrapazëve që ndërkëmbejnë pushtetin me njëri-tjetrin! E meqenëse kjo na qenka dhe garnitura që i ofrohet brezit të ri: studime të LARTA në të gjitha kuptimet e fjalës, si tarifë, si sistem e normë e lartë shfrytëzimi, Atëherë po kaq LART duhet të reagojmë dhe ne: LART të ngremë zërin, LART të drejtat punëtore, LART t’i çojmë pagat, LART e më LART synimet tona, e në DJALL ky sistem i padrejtë!
This image has an empty alt attribute; its file name is direct
Ky artikull është botuar nën licensën CC BY-SA 4.0.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.