Thirrje proteste për 1 Majin

/Organizata Politike/ Në një vend ku papunësia zyrtare është 21% i papuni s’mund të rrijë duarkryq! Në një vend ku papunësia reale, ku futen edhe të punësuarit e pjesshëm, shkon afër gjysmës së popullsisë, të rrish me duar në xhepa është vetëvrasje! Në një vend ku vdekshmëria në punë është aq e madhe saqë s’bie më në sy, punëtorët s’mund të mos ngrihen nga gjumi vdekjeprurës! Në një vend ku minierat po përmbyten, e bashkë me to edhe minatorët dhe e ardhmja e tyre, minatorët s’mund të mos ngrihen në këmbë! Në një vend ku muratorët bien nga skelat si kokrra molle, nuk ka më vend për durim! Në një vend ku rrobaqepëset e punëtoret e fasonerive shfrytëzohen e paguhen si kafshë, ato s’mund të mos vërshojnë në rrugë! Në një vend ku kamerierët, shitëset  e pastrueset trajtohen si skllevër modernë, s’mund të mos reagohet! Në një vend ku mësuesit, policët e punonjësit e administratës jetojnë përditë me frikën e të mbeturit në mes të katër rrugëve, s’mund të mos kërkohet ndryshim! Në një vend ku studentët detyrohen të punojnë gjatë shkollës dhe gjenden të papunë të pashpresë pas shkollës, s’mund të mos ngrihet zëri! Në një vend ku shumicës së punëtorëve nuk iu paguhen sigurimet shoqërore e shëndetësore, duke u vjedhur pleqërinë dhe shëndetin, nuk vazhdohet më! Në një vend ku paguhet gjithnjë e më shumë për spitalet e shkollat, mbi dorë e nën dorë, duhen tronditur themelet e shoqërisë! Në një vend ku i varfri mund të shpëtojë urie vetëm po lypi apo po u mor me krim, barazia në ligj është shaka pa kripë! Në një vend që sundohet me radhë nga dy klika keqbërësish që iu shërbejnë vetëm pasanikëve, populli s’mund të mos ngrihet më këmbë! Në një vend ku kryeministri u premton pronarëve se do t’iu kushtohet me mish e me shpirt, duke shitur në treg mishin e shpirtin çdokujt që punon në mjerim, duhet nxjerrë në shitje kryeministri! Në një vend ku puna premtohet mashtrueshëm përmes kotësisë së panaireve, duhet shembur kotësia një orë e më parë! Në këtë vend, në Shqipërinë tonë, ka vetëm një shpresë dhe një rrugëdalje: Shpresa janë të gjithë ata që duan të jetojnë prej punës dhe që shfrytëzohen në punë. Rrugëdalja është bashkimi i të papunëve, të nënpunësuarve, punëtorëve, nëpunësve, studentëve dhe të varfërve të çdo lloji. Bashkohuni në marshimin e 1 Majit! Prej orës 11, mblidhemi te Pallati i Kongreseve për të shprehur revoltën tonë ndaj maskaradës së panairit të punës. Marshojmë në bulevardin Dëshmorët e Kombit për të zgjuar gjithë qytetin, dhe shkojmë drejt Partizanit të Panjohur, sheshit të të pashpresëve, aty ku duhet dhe mund të lindë shpresa!
This image has an empty alt attribute; its file name is direct
Ky artikull është botuar nën licensën CC BY-SA 4.0.
Lexojmë dhe shpërndajmë!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.