Përpjekja vazhdon

/Redi Muçi/ Mbledhja e Komisionit të protestës së Fakultetit të Gjeologji-Minierave e datës 13.11.2014 u mbyll me vendimin për rifillimin e procesit mësimor. Ky është fakti i ditës, por sytë duhen hedhur nga rrjedha e ngjarjeve që na sollën deri në këtë pikë. Në datën 5 nëntor VKM-ja na hidhte në rrugë pa na dhënë asnjë alternativë dhe ne, me përjashtim të dekanit, ndërpremë mësimin dhe hartuam një peticion që kërkonte anulimin e tij. Ministrja e Arsimit thirri në mbledhje Këshillin e Fakultetit dhe premtoi ndërtimin e një ndërtese të re e cila i përmirëson ndjeshëm kushtet mjerane në ta cilat ndodhemi, pasojë e harresës shumëvjeçare, por ne kërkuam fakte, ligje të shkruara e zeza mbi të bardhë të cilat e zyrtarizonin këtë premtim që i ngjante shumë premtimeve elektorale, atyre që dalin nga gurmaze pushtetarësh e që më pas i merr era. Por ne kërkuam më shumë se kaq. Ne deklaruam se godina na përkiste neve, sepse ajo ka një identitet të vetin që prej 60 vjetësh, dhe i padrejtë është jo vetëm tjetërsimi, por sidomos tjetërsimi për të rehatuar brenda saj kostumet firmato të Gjykatës së Lartë. Ne evidentuam rolin e shtetit-pronar që të hedh në rrugë, sepse pronarët e diplomoreve private i ka partnerë reforme e interesash. Ne brohoritëm në kor, studentë e pedagogë bashkë, para fakultetit tonë, para rektoratit dhe para kryeministrisë. Dhe kishim të drejtë! Zërit tonë iu bashkuan studentë nga fakultete të tjera dhe të gjithë bashkë artikuluam fjalët e njëri-tjetrit. Aq fort kumboi zëri ynë, saqë shkëlqesia e tij – i larti vetëm në gjatësi fizike – denjoi të zbriste vetë në shesh, me egon e bërë mal nga vizita në Beograd, për të mbytur me pëshpërimat e tij megafonat tanë. E kur kjo taktikë nuk piu ujë, atëherë na ftoi në takim në sarajet e tij. Na ftoi për të na kërcënuar, për t’iu drejtuar burrave të moshuar e të thinjur, me tituj profesorësh të fituar nga pasioni shumëvjeçar në punë – në një kohë kur bëhej me të vërtetë punë – me tonin arrogant të edukatorit që i drejtohet një fëmije kopshti. Çdo përpjekje bashkëbisedimi u mbyt me pretendimin se shkëlqesisë së tij po i fyenim inteligjencën. Ne, trutharët! Megjithatë, të gjithë bashkë i qëndruam vendimit të parë të shprehur në peticion, se pa anulimin apo amendimin e VKM-së ne nuk do ndryshonim qëndrim. Derisa sot u vu në lëvizje zinxhiri i hierarkisë i cili kërcënimet që rektori mori nga kryeministri na i përçoi neve, vartësve të tij. Ne paguhemi nga taksat e shtetit dhe detyrë kemi zhvillimin e mësimit, pa llafe! Ky qëndrim u shoqërua edhe nga një copë letër ku ministrja zotohej zyrtarisht se stafi akademik dhe studentor nuk do të lëvizë nga ambienti aktual derisa të ndërtohet godina e re, për projektimin e së cilës është ngritur tashmë një grup pune ku përfshihen edhe tre pedagogë të FGJM-së. Disa prej anëtarëve të Këshillit të pranishëm në mbledhje u shprehën se protesta ia kishte arritur qëllimit. Të tjerë u treguan më skeptikë. Mbledhja e stafit më pas vendosi rinisjen e procesit të mësimit, duke shprehur në mënyrë ende jo zyrtare parakushtet e mëposhtme:
  1. T’i lihet një afat kohor 4-mujor grupit të punës për prezantimin e një projekti të godinës së re, përndryshe do rifillojë bojkoti dhe protestat.
  2. Godina të ndërtohet në truallin ku ndodhet aktualisht FGJM-ja, përndryshe do rifillojë bojkoti dhe protestat.
  3. Nëse projekti që do prezantohet nuk i përmbush kërkesat e stafit pedagogjik e studentor lidhur me hapësirat e sallave të leksioneve dhe laboratorëve, ai do quhet i pavlerë dhe do rifillojë bojkoti dhe protestat.
  4. Nëse projekti i hedhur në letër dhe i pranuar nga stafi pedagogjik e studentor nuk miratohet në mënyrë ligjore, ku të përcaktohen gjurma e projektit dhe hipotekimi i godinës brenda një afati të caktuar, do rifillojnë bojkoti dhe protestat.
Por ku na lë ky qëndrim? Në ç’pozicion? Në pozicionin e atij që u kërcënua dhe hoqi dorë, apo në pozita më të shëndosha sesa 6 ditë më parë? Kjo varet nga këndvështrimi i secilit prej nesh. A ishte që në fillim unanim qëndrimi se ne nuk do dilnim nga godina aktuale e FGJM-së, pavarësisht nëse në mënyrë konkrete na ofrohej një ambient shumë më funksional? Përgjigja është jo dhe arsyet merren me mend. Prej dekadash fakulteti ka qenë në një proces rrënimi, me salla leksioni të ftohta e të pandriçuara, me laboratorë të kthyera në bodrume, me zyra pedagogësh të mobiluara në ‘65-ën. Harresa e pushtetarëve ka qenë vërtet e gjatë… E nëse të gjithë ne do i kishim qëndruar kërkesës së shprehur në peticion, e në qoftë se pedagogët vendosnin të mbanim në ndërgjegje barrën e rëndë të ndërprerjes së procesit të mësimit, e nëse në fund anulohej VKM-ja e godina i kalonte sërish në administrim fakultetit tonë, a kishim ne shpresë se hirësia e tij do t’i kthente sytë nga ne për të shtuar investimet? Përgjigja është e shkruar tek drafti i reformës mbi arsimin e lartë e cila do miratohet së shpejti. Por a u ngritëm të gjithë ne, apo të paktën disa prej nesh, vetëm për të fituar kushte më të mira?! Apo mos vallë u ngritëm – të rinj, idealistë, e budallenj siç na quajnë – për një ide më madhore: atë të dinjitetit të universitetit publik, të së drejtës për të qëndruar dhe përmirësuar godinën aktuale që kemi, të arsimit si e drejtë e jo si mall tregu, të arsimit që duhet të jetë falas (i financuar nga taksimi i përgjithshëm) që të mund të quhet publik? Kjo është një pyetje që duhet t’ia bëjmë njëri-tjetrit ndërsa shihemi në sy, studentë e pedagogë. Personalisht hyj tek të dytët, që krahas detyrës së mësimdhënies kam edhe detyrën morale të të qenit në mes të turmës së studentëve që këmbëngulin pa u epur për këto të drejta. Përtej këndvështrimeve të situatës, ne fituam diçka shumë të vlefshme; mundësinë për të njohur njëri-tjetrin, për të kuptuar se kush jemi e ç’interesa kemi. Mundësinë për të kuptuar domethënien e termit student, kur shembullori i dikurshëm Artan Lame erdhi për të bërë autopsinë e kufomës së fakultetit, ndërkohë që “katranjozi” Mero Baze e përdori talentin dhe fuqinë e penës së tij për t’i dhënë zë kauzës sonë. Ne kuptuam se kur i zhgjeshim shpatullat bashkë mund të mbledhim mbi 9000 firma brenda fare pak ditësh në mbështetje të kauzës sonë. Ne i bëmë ballë tentativave banale të partiakëve e ndjekësve të tyre, që kanë guximin të vetëquhen Këshill Studentor, duke u treguar se kauza i përket studentëve e pedagogëve, jo podiumeve e selive të partive që vjellin vrer për interesa personale për më se 20 vjet. Profesor, humbëm! – më shkruante një student. Unë jam i bindur se ky s’është veçse fillimi i luftës për arsim publik. Le të shërbejë kjo shkëndijë si pikënisja e një përpjekjeje të përbashkët, e cila do kurorëzohet edhe me formimin e një sindikate të fakultetit (pse jo e krejt universitarëve publikë) – e denjë për t’u quajtur e tillë. Studentë e pedagogë qëndruan të bashkuar, e kjo është fitore në vetvete drejt një rrugëtimi të gjatë.
This image has an empty alt attribute; its file name is direct
Ky artikull është botuar nën licensën CC BY-SA 4.0.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.