Rreth ngjarjeve në Fakultetin e Gjeologjisë dhe Minierave

/Lëvizja Për Universitetin/ Lëvizja Për Universitetin i ka ndjekur me shumë vëmendje dhe është bërë pjesë e ngjarjeve të fundit të Fakultetit të Gjeologjisë dhe Minierave. Për ne, Fakulteti i Gjeologjisë dhe Minierave nuk i përket vetëm studentëve dhe pedagogëve që e banojnë aktualisht dhe përkohësisht atë, por është një institucion publik që i përket të gjithë universitarëve dhe shoqërisë shqiptare. Por me një vendim të datës 5 nëntor 2014, Këshilli i Ministrave e trajtoi këtë fakultet siç trajton pronari një universitet (ndërmarrje) private, duke e zhvendosur administrimin e fakultetit nga “menaxherët” e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit te “menaxherët” e Ministrisë së Drejtësisë. Kështu V.K.M.-ja përjashtoi Universitarët që janë formësuesit e këtij fakulteti. Pa asnjë urdhër V.K.M-je, pa direktiva të fshehta të partive politike, dhe pa përkrahjen e drejtuesve të universitetit, një vetorganizim shembullor u ngrit mes universitarësh. Në traditën më të mirë të mosbindjes civile, në solidaritet mes tyre dhe me mbështetjen e universitarëve nga fakultete të tjera, studentët dhe pedagogët e Fakultetit të Gjeologjisë dhe Minierave e transformuan fakultetin e tyre nga një relike e trajtuar si plaçkë në një hapësirë qëndrese dhe mobilizimi përgjatë një jave. Kërkesa kryesore e organizimit ishte të anulohet Vendimi i Këshillit të Ministrave i datës 5 nëntor. Por ditën e djeshme, me datë 13 nëntor, bojkoti mori fund. Profesor Redi Muçi (FGJM) është shprehur kështu: “Megjithatë, të gjithë bashkë i qëndruam vendimit të parë të shprehur në peticion, se pa anulimin apo amendimin e VKM-së ne nuk do ndryshonim qëndrim. Derisa sot u vu në lëvizje zinxhiri i hierarkisë i cili kërcënimet që rektori mori nga kryeministri na i përçoi neve, vartësve të tij.” Në kushtet kur kryeministri kërcënon universitarët dhe drejtuesit e universitetit sillen si vartës të kryeministrit duke përcjellë kërcënimet te stafi pedagogjik, ne shpallim se përfaqësimi është në krizë! Rektori i Universitetit Politeknik të Tiranës Jorgaq Kacani dhe Dekani i Fakultetit të Gjeologjisë dhe Minierave Përparim Hoxha nuk përfaqësuan për asnjë moment vullnetin e universitarëve. Ata nuk i kanë informuar universitarët mbi ngjarjet, nuk kanë marrë pjesë në protesta, nuk kanë firmosur peticionin dhe as nuk kanë mbajtur qëndrim zyrtar publik në mbështetje të qëndresës. Ata na kanë prerë në besë! Ne, universitarët kërkojmë dorëheqjen e tyre! U bëjmë thirrje universitarëve të Fakultetit të Gjeologjisë dhe Minierave dhe jo vetëm, të qëndrojmë të bashkuar e të mos biem pre e kërcënimeve. V.K.M.-ja e datës 5 nëntor nuk ishte as i para, as i fundit sulm i agjentëve të jashtëm ndaj autonomisë së universiteteve publike. Një tjetër V.K.M. e datës 15 tetor dhe reforma që po pritet të bëhet në arsimin e lartë, formësojnë kronologjinë e sulmeve ndaj universiteteve publike. Në këto kushte, ne duhet t’i kthejmë kërkesat tona në qëndresë të të gjithë universitarëve. Ne duhet të kërkojmë jo vetëm anulimin e V.K.M-së së datës 5 nëntor, por siç është shprehur edhe profesor Olti Fociro (FGJM) në protestën e datës 6 nëntor, “duhet të kërkojmë që hapësirat universitare të kalojnë nga pronësia dhe administrimi i Ministrisë së Arsimit në pronësinë dhe administrimin e universiteteve shtetërore në mënyrë që kjo që po ndodh me Fakultetin e Gjeologjisë dhe Minierave të mos ndodhë më në të ardhmen për universitetet publike.” Universiteti dhe hapësirat e tij u përkasin universitarëve dhe jo gjyqtarëve, pushtetarëve apo tregtarëve! Përpjekja Vazhdon! Duhet të kërkojmë hapur arsim publik dinjitoz! Duhet të kërkojmë hapur universitete autonome, të pavarura në organizim, dhe të kërkojmë rritje të financimeve direkte nga buxheti i shtetit, që s’është i qeverisë por i popullit, ashtu sikundër arsimi publik është për popullin! Duhet t’ia kthejmë Universitetin universitarëve! Duhet të vetëvendosemi dhe të vetorganizohemi Për Universitetin!
This image has an empty alt attribute; its file name is direct
Ky artikull është botuar nën licensën CC BY-SA 4.0.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.