Po të isha pronar diplomoreje

/Arlind Qori/ Njeriu i jep liri mendjes ta imagjinojë veten në çfarëdo pozicioni njerëzor a tejnjerëzor. Thashë njëherë ta shihja veten si futbollist, pastaj si marsian, mandej si bankier a grabitës. Po ç’kuptim ka të luash me imagjinatën kur alternativat kanë njëfarë mundësie dhe nuk janë edhe aq ekzotike. Prandaj zgjodha t’i shtroja vetes pyetjen se çfarë do të bëja po të isha pronar i ndonjë diplomoreje private. Mendja nga s’më shkoi, por në fund vendosa ta disiplinoj në ca pika të lidhura kryesisht me investimin e kapitalit në prodhimit e kushteve privilegjuese të prodhimit të mallit (diplomave). Pikësëpari, në emër të ideologjisë së tregut dhe iniciativës së lirë do luaja të gjitha kartat që shteti të lejonte investimet në arsim. Jo vetëm kaq, por edhe t’i mbështeste ato. P.sh. në emër të ripërtëritjes së godinave të shkretuara publike, pse të mos merrja unë njërën syresh me qira simbolike e shumëvjeçare nga shteti?! Ose më mirë akoma, pse të mos i hynim një allishverishi edhe më të madh ku me kthime pronash e pronarë realë e të sajuar, në fund, për pesë pare gjë, të mos gdhihesha pronar i aksh ndërtese?! Së dyti, ma do puna të josh trupën pedagogjike duke i vringëlluar fytyrës paga të majme, sidomos në krahasim me ato të parritshmet e universiteteve publike. Intelektualizmat sokratike janë përralla që intelektualët i tregojnë njëri-tjetrit darkave pasi kanë siguruar rrogën. Së treti, çfarëdo ndodhtë – duhet glamour, miklim njerëzish se po të trokasin në diplomoren time do të jenë pjesë e zgjedhur e shoqërisë. Për të, nuk do lija rast pa hedhur para e këmbyer favore për hapësirë mediatike. S’do dilja gjithnjë vetë – se me gjasë përveç dijes se si bëhen para në xhungël për të tjera s’ma pret kaploqja -, por do nxirrja përpara një grup profesorësh që gradat e titujt duhet t’i kenë më të shumtë sesa nishanet sulltanore. Nuk ka rëndësi të jenë vërtet shkencëtarë, mjafton të dinë të flasin publikisht dhe të riprodhojnë me lehtësi dogmat e ideologjisë sunduese. Do e merrja seriozisht George Berkeley-n kur thotë se të jesh do të thotë të perceptohesh. Dhe perceptimi diktohet nga mjetet e prodhimit të tij. Po ashtu lipset të duken babaxhanë, të përmendin dy-tri emra studiuesish mainstream, e mbi të gjitha të hedhin herë pas here batuta me karakter personal që populli të thotë: qenka edhe danoç dreqi! Së katërti, “danoçët” duhet të përforcojnë idenë se universitetet publike – si çdo gjë publike – është e paracaktuar të mishërojë korruptimin dhe dekadencën. Fajin për to nuk ka si ta kenë drejtuesit e korruptuar, as sistemi antipjesëmarrës që i prodhon ata, por metafizikisht publikja si e tillë. Në këtë rast duhen fshehur të gjithë shembujt (të huaj e vendas) që tregojnë për mirëfunksionim të institucioneve publike. Nëse ndonjë rast është i pafshehshëm, duhet nxjerrë si përjashtimi që përforcon rregullin – bie fjala ndonjë drejtues kokëkrisur që do të hyjë heroikisht në histori. Së pesti, reklamat ftuese duhen përdorur me kujdes. Ato që duken ashiqare si reklamë duhen shpenzuar vetëm në muajt e regjistrimit në universitete dhe përveç mrekullive kurrikulare i duhet vënë theksi përkatësisë në një institucion elitar dhe të papërsëritshëm – një lloj përkatësie në skotën e të përzgjedhurve që në të ardhmen pritet të qeverisë vendin ekonomikisht, politikisht dhe kulturalisht. Studentët në masë janë borgjezë (mikro ose makro) realë dhe potencialë, dhe po ua kruajte sedrën do t’u shpërthejë orgazmisht vaniteti. Ka kohë derisa ta kuptojnë se po blejnë certifikata papunësie! Po ashtu muajve të tjerë reklama duhet fshehur në formën e informacionit të paanshëm, duke u shtënë mes lajmeve/reportazheve të ditës. Reklama perceptohet ende, për dreq, si artificiale. Lajmi është natyral – si rrëfimi i dikujt që të tregon me dorë në zemër e me gjysmë indiferencë sa kishte vajtur kilja e domateve në tregun fshatar. Së gjashti, duhet botuar, botuar dhe botuar pa masë. Sigurisht libra që nuk para i kapërcejnë 200 faqet, as ta lodhin lexuesin nënmesatar me teori të ndërlikuara. Shkenca është profesionalizim dhe retorikë. Të tjerat janë andralla që u duhen vetëm kamunistave. I paçim me shëndet, se kështu pak e të shkalafitur si kalorës vetmitarë na mundësojnë të vetëlëvdohemi publikisht se ne – borgjezët – jemi tolerantë…ndaj atyre që s’kanë ende fuqi të na kërcënojnë. Së shtati, jemi bërë shumë. Paratë e mia nuk i kërcënojnë vetëm kufomat e pakallura të quajtura universitete publike, por edhe diplomoret rivale si imja. Dhe janë shumë për dreq. Por pronarët e tyre janë edhe më hajvanë se unë. Mendojnë se kapitalizmi shqiptar do të ketë gjithmonë formën e kioskave. Kapitali duhet mbledhur, përqendruar dhe investuar së bashku me dorën bamirëse të shtetit. Kështu që duhet shfrytëzuar mllefi publik ndaj diplomoreve private që japin copa letrash si vërtetim universitarizmi. Duhet kanalizuar si mllef duke bërë dallim midis diplomoreve serioze dhe atyre joserioze. Kriter serioziteti është “të jesh do të thotë të jesh i perceptuar”. Kusht i politikave të suksesshme është përdorimi publik i motos së PD-së së motit: Me ne fitojnë të gjithë! Kështu fiton edhe qeveria që merr lavde se po vë rregull në katrahurë, edhe populli që beson se më në fund gjërat po lëvizin, e sigurisht edhe ata si unë që prej sot do të kenë më pak konkurrentë. Së teti, duhen kallur kufomat. Universitetet publike – si shtysa vdekësore e Freud-it – nuk duan të kallen e sillen vërdallë si fantazma. Edhe shëmbëlltyrat kanë ekzistencë dhe, për aq sa kanë, kërcënojnë. Në njërën anë u duhen marrë fondet – gjithmonë në emër të konkurrencës së ndershme (togfjalësh oksimoron – më thonë ca kamunista, po kujt i plasi?!). Po më e rëndësishmja, duhen bërë si diplomoret tona edhe strukturalisht! Burokratët e korruptuar duhen bërë aleatë dhe fuqizuar për t’i kthyer edhe universitetet publike në sipërmarrje me karakter tregtar. Ata do të kenë më shumë para nëpër duar, ndërsa çdo vend rezistence brendauniversitare do të shuhet. Ndonjë student metalar mund të këndojë për veten e shokët Fade to costumers. Kështu do t’i hyjmë një gare për fonde me rregullat tona, në fushën tonë dhe përballë skuadrës së sprovuar të marketuesve dhe propaganduesve tanë. Paskëtaj në emër të konkurrencës sërish do të loboj që qeveria të vërë rregull dhe të mbyllë ato diplomore që nuk i kalojnë pragjet e cilësisë (sipërmarrëse). Fundja kur përfundon Partizani në kategori të tretë, pse të mos përfundojë edhe Universiteti i Tiranës në muzeun e vjeturinave?! P.S. Siç shkruhej dikur në fund të filmave: çdo përkim i të mësipërmve me personazhe dhe institucione reale është krejt rastësor. Aq rastësor sa vetëm një spërdredhje hegelo-marksiste do ta bënte të domosdoshëm.
This image has an empty alt attribute; its file name is direct
Ky artikull është botuar nën licensën CC BY-SA 4.0.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.