- T’i lihet një afat kohor 4-mujor grupit të punës për prezantimin e një projekti të godinës së re, përndryshe do rifillojë bojkoti dhe protestat.
- Godina të ndërtohet në truallin ku ndodhet aktualisht FGJM-ja, përndryshe do rifillojë bojkoti dhe protestat.
- Nëse projekti që do prezantohet nuk i përmbush kërkesat e stafit pedagogjik e studentor lidhur me hapësirat e sallave të leksioneve dhe laboratorëve, ai do quhet i pavlerë dhe do rifillojë bojkoti dhe protestat.
- Nëse projekti i hedhur në letër dhe i pranuar nga stafi pedagogjik e studentor nuk miratohet në mënyrë ligjore, ku të përcaktohen gjurma e projektit dhe hipotekimi i godinës brenda një afati të caktuar, do rifillojnë bojkoti dhe protestat.
Përpjekja vazhdon
/Redi Muçi/
Mbledhja e Komisionit të protestës së Fakultetit të Gjeologji-Minierave e datës 13.11.2014 u mbyll me vendimin për rifillimin e procesit mësimor. Ky është fakti i ditës, por sytë duhen hedhur nga rrjedha e ngjarjeve që na sollën deri në këtë pikë. Në datën 5 nëntor VKM-ja na hidhte në rrugë pa na dhënë asnjë alternativë dhe ne, me përjashtim të dekanit, ndërpremë mësimin dhe hartuam një peticion që kërkonte anulimin e tij. Ministrja e Arsimit thirri në mbledhje Këshillin e Fakultetit dhe premtoi ndërtimin e një ndërtese të re e cila i përmirëson ndjeshëm kushtet mjerane në ta cilat ndodhemi, pasojë e harresës shumëvjeçare, por ne kërkuam fakte, ligje të shkruara e zeza mbi të bardhë të cilat e zyrtarizonin këtë premtim që i ngjante shumë premtimeve elektorale, atyre që dalin nga gurmaze pushtetarësh e që më pas i merr era.
Por ne kërkuam më shumë se kaq. Ne deklaruam se godina na përkiste neve, sepse ajo ka një identitet të vetin që prej 60 vjetësh, dhe i padrejtë është jo vetëm tjetërsimi, por sidomos tjetërsimi për të rehatuar brenda saj kostumet firmato të Gjykatës së Lartë. Ne evidentuam rolin e shtetit-pronar që të hedh në rrugë, sepse pronarët e diplomoreve private i ka partnerë reforme e interesash. Ne brohoritëm në kor, studentë e pedagogë bashkë, para fakultetit tonë, para rektoratit dhe para kryeministrisë. Dhe kishim të drejtë! Zërit tonë iu bashkuan studentë nga fakultete të tjera dhe të gjithë bashkë artikuluam fjalët e njëri-tjetrit.
Aq fort kumboi zëri ynë, saqë shkëlqesia e tij – i larti vetëm në gjatësi fizike – denjoi të zbriste vetë në shesh, me egon e bërë mal nga vizita në Beograd, për të mbytur me pëshpërimat e tij megafonat tanë. E kur kjo taktikë nuk piu ujë, atëherë na ftoi në takim në sarajet e tij. Na ftoi për të na kërcënuar, për t’iu drejtuar burrave të moshuar e të thinjur, me tituj profesorësh të fituar nga pasioni shumëvjeçar në punë – në një kohë kur bëhej me të vërtetë punë – me tonin arrogant të edukatorit që i drejtohet një fëmije kopshti. Çdo përpjekje bashkëbisedimi u mbyt me pretendimin se shkëlqesisë së tij po i fyenim inteligjencën. Ne, trutharët!
Megjithatë, të gjithë bashkë i qëndruam vendimit të parë të shprehur në peticion, se pa anulimin apo amendimin e VKM-së ne nuk do ndryshonim qëndrim. Derisa sot u vu në lëvizje zinxhiri i hierarkisë i cili kërcënimet që rektori mori nga kryeministri na i përçoi neve, vartësve të tij. Ne paguhemi nga taksat e shtetit dhe detyrë kemi zhvillimin e mësimit, pa llafe! Ky qëndrim u shoqërua edhe nga një copë letër ku ministrja zotohej zyrtarisht se stafi akademik dhe studentor nuk do të lëvizë nga ambienti aktual derisa të ndërtohet godina e re, për projektimin e së cilës është ngritur tashmë një grup pune ku përfshihen edhe tre pedagogë të FGJM-së. Disa prej anëtarëve të Këshillit të pranishëm në mbledhje u shprehën se protesta ia kishte arritur qëllimit. Të tjerë u treguan më skeptikë.
Mbledhja e stafit më pas vendosi rinisjen e procesit të mësimit, duke shprehur në mënyrë ende jo zyrtare parakushtet e mëposhtme: