Ne nuk frikësohemi

Me shtysën formale të Policisë së Shtetit, Prokuroria e Tiranës ka nisur hetimin dhe përndjekjen ligjore të studentëve dhe aktivistëve të Lëvizjes Për Universitetin dhe Klubit Politik të Studentëve (Kosovë) për tentativën e goditjes me vezë të kryeministrit Rama dhe mosbindjen ndaj forcave policore. Pavarësisht formalitetit ligjor, haptas kemi të bëjmë me një gjyq politik të nxitur nga objektivi i munguar i vezëve të revoltës studentore: Edi Rama. I pamundur për të fituar debatin publik me mbrojtësit e idesë së një universiteti publik emancipues, i zbuluar në skemën qeveritare të financimit të diplomoreve private dhe varfërimit të studentëve dhe universiteteve publike, i kapur gafil nga përmasat dhe këmbëngulja e protestave të shumta studentore të 2015-s dhe i çmeritur nga guximi i studentëve për ta dëbuar me vezë nga mjediset universitare publike, kryeministrit Rama nuk i kanë mjaftuar për hakmarrje grushtet, kapjet për flokësh dhe tërheqjet zvarrë të studentëve nga badigardët dhe policët 2 nëntorin e shkuar. I duhej frikësimi i tyre ligjor, futja në ingranazhin e burokracisë së verbër gjyqësore të studentëve “fajtorë”. Përmes vringëllimit të viteve burg apo gjobave milionëshe për studentë që kanë vetëm lirinë e të qenit të varfër dhe pa asnjë të ardhme, kryeministri synon të nënshtrojë forcën shoqërore me potencial më të madh rezistues ndaj politikave shkatërrimtare të qeverisjes së tij: studentët e Lëvizjes Për Universitetin. Me frikësimin e tyre, u shkulet veshi paralajmërueshëm të gjithë atyre që do të guxojnë, jashtë vathës partiako-parlamentare, të kundërshtojnë aktivisht dhe seriozisht privatizimin e të mirave publike të mbetura.

Mirëpo, me ç’duket, kryeministri ynë nuk vuan vetëm nga komprometimi dhe paaftësia politike, por edhe nga mungesa e përfytyrimit realist të situatës. Të ngratin e gënjen mendja se me badigardë, policë, spiunë, prokurorë e gjykatës do të mund ta epin vullnetin universitar dhe qytetar për të mbrojtur ç’ka mbetur pa u shkatërruar në jetën universitare dhe, më gjerë, në shoqëri. Ne, aktivistët e Lëvizjes Për Universitetin, i kemi bërë hesapet me gjithçka përpara se t’i hynim monopatit të rezistencës. Të kthjellët se pa një publike të gjerë dhe të pasur – në universitete e shkolla, në spitale e parqe – jeta jonë si popull dhe individë do të varfërohej deri në pakuptimësi, jemi të vendosur për të bërë çdo sakrificë në ngjalljen e shpresës kolektive. Nuk pyesim për frikën. Frikë kemi vetëm turpin. Turpin që do të ndjejmë nesër përpara vetes dhe bashkëqytetarëve nëse nuk i shkojmë deri në fund kauzës për universitetin, për shoqërinë.

 

Editoriali i numrit të pesëmbëdhjetë të gazetës Universitari

Ky artikull është botuar nën licensën CCA 4.0 (Creative Commons Attribution 4.0 International License).

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.