Botë e pasigurt

/Ascanio Celestini/

Një operator call center-i më tha se disa vite më parë jetonte në qendër të Romës, ndante qiranë me një mik dhe kishte kohë për të luajtur muzikë e për të shkuar nëpër turne. Ai e konsideronte veten muzikant dhe call center-in e përdorte si mënyrë për të jetuar. Tani jeton në periferi me tre studentë, punon me kohë të plotë për të mbijetuar, nuk ka më kohë për të luajtur muzikë e, gjithsesi, edhe kërkesa për koncerte është bërë aq e rrallë saqë nuk i leverdis. Më thotë: “Jam gati 50 vjeç, nuk kam një familje dhe do të përfundoj duke u kthyer të jetoj me mamanë”.

Pra, ku është pasiguria? Nuk është veç një problem praktikash të papaguara, rekrutimesh në punë me kohë të përcaktuar, punësh të zeza apo shkurtimesh të lehta e abuzive nga puna. 1500 euro në muaj do të mjaftonin nëse një familje do të paguante 200 euro për qira. Do të mjaftonin nëse një grua dhe një burrë do të kishin vendosmërinë për të punuar deri në ditën e daljes në pension. Do të mjaftonin nëse fëmija i një punëtori do të studionte në një klasë me më pak se njëzet fëmijë, ku do të përfitonte një formacion dijesh që do të përfshinin gjuhët e huaja dhe muzikën, historinë bashkëkohore dhe teatrin… Do të mjaftonin nëse ajo familje do të kishte afër një komunitet që e mbështet, një shërbim shëndetësor që e kuron kur është keq.

Në të kundërt, punëtori që mendonte se do të ishte i punësuar me kohë të papërcaktuar shikon në televizion një pronar me triko që i shpalos të drejtat përpara syve, kryetarin e bashkisë (i vetëquajtur i majtë) që shkon për të luajtur rolin dhe i lutet partisë së tij për ta mbështetur në betejën e pronarëve. E çon fëmijën në një shkollë ku nxënësit janë aq të shumtë, saqë mësueses i duhet një muaj për të mësuar emrat, një shkollë që funksionon vetëm për të angazhuar mësuesit që nuk kanë dalë ende në pension, që nuk kanë plasur ende prej poshtërimit të vazhdueshëm ndaj të cilit janë të ekspozuar.

Një punëtor është i pasigurt jo vetëm për shkak të pasigurisë së punës së tij, por mbi të gjitha sepse janë të pasigurta shkolla, shtëpia, shërbimi shëndetësor, transporti, mjetet e informimit, kultura, ushqimi që ha dhe uji që pi, energjia që konsumon dhe rrobat që vesh.

Në të kundërt, unë them se shkolla është vetëm publike. Them se shkolla private është një çështje private. Them se të pranosh sot një reduktim të të drejtave në fabrikë nënkupton që nesër ato të drejta do të reduktohen edhe më shumë. Them se nëse një punëtor pranon të punojë për një pagë qesharake, nuk bën thjesht një zgjedhje personale, por është duke shtrënguar të gjithë të tjerët për të qenë të nënpaguar; njësoj si një punëtor që hyn në grevë dhe i njihet një e drejtë, e bën edhe për atë që fillon punë më vonë. Them se 600 euro qira për një garsoniere bodrumi në periferi (ka pasur një tabelë në sheshin e lagjes time deri pak javë më parë) është vjedhje, dhe kur shtëpia nuk gjendet: merret/zaptohet.

Them se nëse blej disa palë këpucë nën çmim, jam duke shfrytëzuar një punëtor; e nëse i blej fëmijës tim një top të qepur nga një fëmijë i moshës së tij në anën tjetër të botës, jam më keq se një pedofil. Them se nëse blej ujë për të pirë në supermarket dhe e përdor ujin e pijshëm që del nga rubineti vetëm për të larë banjën, jam një i çmendur i rrezikshëm. Them se nuk jam njeri modern nëse pranoj shkatërrimin e një lugine për të kaluar një tren i shpejtë që më çon në Francë një orë më herët: jam kriminel.

Mendoj një grua nga Trentinoja që shkon në supermarket për të blerë një kile mollë kiliane. Që mollët në fjalë të kushtojnë më pak nga ato që kultivohen poshtë shtëpisë tënde, është e qartë se në Kili ka një fermer të shfrytëzuar dhe një të Trentinos që është i papunë, një avion që ndot në mënyrë të panevojshme oqeanin dhe një dyqan të vogël frutash që mbyllet.

Puna ishte e pasigurt 20 vite më parë. Sot i paqartë e i pasigurt është vizioni ynë për botën.

Unë nuk kërkoj vota për zgjedhjet e ardhshme, as tesera për fushatën e ardhshme të anëtarësimeve. Nuk kam nevojë për mish për top në luftën e ardhshme humanitare apo për viktima të fatit për tërmetin e radhës. Nuk dal në shesh për një punë me kohë të papërcaktuar apo për disa qindarka që ministri i kulturës heq nga serbatorët e benzinës. Nuk dua të vë në rendin e ditës të mbledhjes së radhës së qeverisë apo të talk show-t të radhës, të monologut teatral të radhës apo të këngës së radhës muhabetin e zakonshëm të të riut të nënpaguar apo të papunë.

Unë them se ky sistem i dhunshëm më frikëson dhe di që për t’u çliruar duhet që “paqësisht” ta frikësojmë sistemin.

 

E përktheu Xhuliano Bregasi

Ky artikull është botuar nën licensën CCA 4.0 (Creative Commons Attribution 4.0 International License).

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.