Grushti migjenian

/Klodi Leka/

 

Që pas nisjes së rezistencës qytetare ndaj ndërtimit betonizues dhe klientelist te Parku i Liqenit, duket sikur shumëçka, e konsideruar sekret publik deri më sot, ka nisur të qartësohet: për shembull, e vërteta se shumë gazetarë, gazeta dhe televizione nuk janë gjë tjetër veçse leva në duart e njerëzve më të pushtetshëm në vend, e një grushti të vogël njerëzish. Siç e keni parë edhe vetë o lexues të nderuar, në rubrikat e përnatshme televizive, ku prej njëzetepesë vitesh përmirren të njëjtit njerëz, përplasja midis qytetarëve aktivistë dhe policive të të gjitha llojeve ose është censuruar, ose manipuluar. Këtu s’ka asgjë për t’u habitur. Politikat redaksionale janë jo vetëm të ndryshueshme, të lëvizshme, por edhe të përmbysshme. Kjo në varësi të tenderave dhe luftës së brendshme për pushtet. Pra mos u çudisni nëse televizioni që deri më dje mbronte me zell thuajse kriminal një kryeministër vrasës, të ngrejë këmbt’ përpjetë dhe të mbrojë kundërshtarin politik të këtij vrasësi. Ose gazeta që deri më dje konsiderohej viktimë e censurimit të fjalës së lirë ta përbaltë  edhe më rëndë shprehjen e lirisë qytetare.

Pak javë më parë, kur me dhjetëra aktivistë të organizatave të ndryshme rriheshin paq nga policia e shtetit, televizionet dhe opinionistët vrapuan të regjistronin pamjen e rrahjes. Mirëpo, prej atyre pamjeve, s’u nxor asnjë mësim i ri, veç riciklimit të përbaltjeve të vjetra. I pamë po të njëjta fytyra të urryera rrogëtare të legjitimonin gjer në pështirosje dhunën e paarsyeshme të policisë. I prisja këto gjëra deri diku. Por jo deri në pikën kur gazeta si “Tema” dhe gazetarë si Baze, të cilën i njihnim dhe i respektonim të gjithë për kundërshtinë e fortë ndaj regjimit të Berishës, të përçudnoheshin në një fahriballizëm tashmë të rilindur. Kujtonim, me shpresa cinike, se ikja e atij regjimi do të shoqërohej me rënien e standardit të neveritshëm të propagandës gazetareske në shërbim të pushtetit. Ditën e dhunimit policor, gazeta “Tema”, si çdo gazetë tjetër, kish’ nxjerrë punëtorët e vet (punëtorë rëndom të keqpaguar, se gazetari është gjë tjetër) në terren. Por ajo çka pamë nuk ishte raportimi serioz mbi zhvillimin e ngjarjeve. Dy artikuj gjithsej. Njëri thoshte se “ja kush fshihet pas protestës” – pra PD-ja, ose më saktë, dy tri figura të ndyra pëdëiste tridhjetë metra larg qytetarëve dhe aktivistëve, që veç fotografonin dhe nuk përfshiheshin fare. Artikulli tjetër ishte i Meros, ku ftonte kryebashkiakun dhe policinë e shtetit t’i rrihte protestuesit, se këta qenkan të PD-së, sepse kështu ka thënë Lulzim Basha. Pra Meroja që prej tri vitesh nuk beson asnjë rrenë të Bashës, u ngrit një ditë të bukur me diell dhe fjalën e lulushit e bëri të vërtetë ungjillore. Bazja i fjalës së lirë fton për rrahje të rebelëve. Sa e çuditshme ë! Rroftë argumenti!

Sikur ky manipulim brutal të mos mjaftonte, Meroja kishte porositur punëtorët e tij të rrëmonin në facebook-et e protestuesve, të gjenin gjëra diskretituese (sipas tij) dhe t’i përvetësonin ato pa pyetur dhe pa kurrfarë përgjegjshmërie. Kështu ndodhi edhe me publikimin në llogarinë time në rrjetin social, ku kritikoja, me konotacione të ashpra, cinizmin e një gazetareje të njohur, që përballë pamjes ku dhunohesha nga njëzet policë dhe arsyetimit tim se në një republikë demokratike i shenjtë nuk është polici por qytetari, ngulmonte në “arsyetimin” se argumentimi im ishte i ekzagjeruar. Më thoni ju lutem, çfarë është e ekzagjeruar, të kërkosh që policia mos të të rrahë në çdo dalje publike apo një gazetare që bekon njëzet policë që të rrahin? Por Meroja, ky feniks i fjalës së lirë, kishte shpallur një fletërrufe skandaloze: “A po lind në Tiranë një lëvizje ekstremiste”? – duke ndërsyer me kopili një kope militantësh histerikë që janë të gatshëm të t’pushkatojnë për hir të partisë.

Edhe dje Meroja kishte hyrë në facebookun tim për të marrë po prapë pa pyetur një foton time, ku bashkë me disa aktivistë, pak para nisjes së protestës paqësore të Parku i Liqenit, u bënim thirrje studentëve dhe aktivistëve të tjerë të bashkoheshin me entuziazmin tonë. Rrugës blemë lule të kuqe për t’ua dhuruar policëve, për t’u treguar se nuk kishim ndërmend të përplaseshim. Me të vërtetë nuk kishim ndërmend të rriheshim, ngaqë jemi të lodhur nga rrahjet, nga marrja zvarrë, nga mbajtja në komisariat, nga shantazhi i shefave të ngrefosur, edhe pse këmbëngulim njësoj në faktet dhe arsyetimet tona. Por jo, për Mero Bazen ne studentët aktivistë jemi ekstremistë, tekanjozë, të rrezikshëm, dhunues të pacipë të figurave të larta të pozitës dhe opozitës – çështje kohe për t’u shpërndarë si organizatë e paligjshme. Ai spekulonte me organizatën tonë. Pak përpjekje të bënte dhe do ta kuptonte historikun dhe qëllimet e kësaj organizate “ilegale”, Organizatës Politike, mirëpo kjo është punë me rrezik, se histerikët e komanduar mund t’i ktheheshin kundër. Me ç’duket Meroja i “Temës” ka mësuar shumë nga kundërshtarët e tij, sidomos nga metodat e shtematizimit të ndodhive domethënëse, duke humbur çdo dallim me ta.

Fotoja që përmenda ka një mëkat të pafalshëm. Aty, disa prej nesh ngrenë grushtet. Kaq mjaftoi që një tjetër “gazetar”, Enkel Demi, që me thënë të drejtën kurrë nuk e kam kuptuar ç’është e ç’e ka bërë personazh publik. Enkeli, porsi dem, ishte verbuar nga ngjyra e kuqe, nga grushti. Akuzonte një nga miqtë tanë aktivistë, ambientalist i njohur, të bashkuar në qëllimin për të parandaluar betonizimin e mëtejshëm të hapësirave të gjelbërta publike, sesi një dashuronjës i filozofisë të rrijë tok me ekstremistët që i ngulen lopatën në gjoks policit të mirë e babaxhan. Shkrimin e quante V.F.L.P.

Dy pyetje më vërviteshin ndërmend me jo pak zemërim kur bluaja trapllëqet e tij. Së pari, si ka mundësi që e ka përthithur shabllon idiotësinë propagandistike të kryebashkiakut për nguljen e lopatës në gjoksin e policit, kur ka mjaft pamje filmike të policit bashkiak i cili ra në tokë jo nga ndonjë lopatë kriminale, por nga të fiktit?! Është e njohur dobësia e tij dhe gruas deputete mbi ndjenjat policore, mbi policët që rrahin gra e të rinj pa të keq, apo më ndyrë akoma, t’i vrasin në zemër të bulevardit ata. Së dyti, si ka mundësi të jetë kaq injorant?! Grushtin e bashkimit dhe rezistencës qytetare në mbrojtje të publikes e simbolizon me diktatorin Hoxha? Janë budallenj apo budallenj të këqij këta? Ore, më thoni, si ka mundësi që një gazetar të jetë kaq klishe, paranojak, provincial, i padijshëm, në kohën kur grushti i rezistencës sociale po ngrihet gjithandej, që nga Amerika e Berni Sandersit te Greqia e Aleksis Ciprasit, nga Spanja e Pablo Iglesias gjer në Anglinë e Xheremi Korbinit?! Për të mos përmendur pastaj se si mbledhjen e grushtit e patën përdorur edhe anarkistët gjatë Luftës Civile Spanjolle, të masakruar një herë nga falangat fashiste të Frankos e herën tjetër nga stalinistët, e po ashtu veprimtarët afro-amerikanë në lëvizjen për të drejta civile në SHBA-në e viteve ’60. Përse nuk zemërohet për gjuhën e urrejtjes dhe përçmimit të kryebashkiakut, por me thirrjet dhe rënkimet e dhimbjes së protestuesve?! Përse nuk shqetësohet kur Rama dhe Basha inflacionojnë sipas qejfit fjalën revolucion dhe tmerrohet kur e ngrënë në formën e grushtit njëzetvjeçarët që s’kanë kurrfarë lidhjeje mendore dhe praktike me  regjimin stalinist të Hoxhës?! Dhe pastaj flet për filozofinë. O pikaaaaaaa!

Mirëpo, përtej këtyre pyetjeve më revolton shikimi i tij. Shikimi jo vetëm si botëkuptim, por edhe si okulistikë. Demi shikon vetëm grushtin tonë të bashkimit dhe rezistencës, dhe jo shkrepjen prej adhuronjësi të Duçes të policit “aktivist shembullor”. Ai sheh propagandën bashkiake, dhe jo faktin se (sipas numërimit tonë) në mbrojtje të paligjshmërisë dhe klientelizmit te Parku i Liqenit ishin vendosur 203 policë dhe 16 makina policie. Ai sheh dhunën e drejtë tonën ndaj fytyrave idiote pëdëiste si Flamur Noka, që ndyjnë çdo kauzë të drejtë, dhe jo arsyen përse Flamuri erdhi në komisariat: për të liruar anëtarin e kryesisë së Partisë Demokratike Ilirjan Hoxhën i cili rrahu vendçe në sy të të atit, kryetar i të përndjekurve politikë, në një mejhane mediokre pak metra larg komisariatit një aktivist tetëmbëdhjetë vjeçar vetëm se ky i fundit nuk pranoi të bëhej sfond mishi për fjalimin pa lidhje të “heroit” antikomunist përballë komisariatit. Heroit që bashkë me Sali Berishën na shau, na quajti drogaxhinj dhe na rrahu në raki e sipër. Flamuri erdhi dhe Ilirjani u lirua për çështje minutash, ndërsa ne të arrestuarit e tjerë, rreth dymbëdhjetë, ndenjëm aty për dhjetë orë, kurse djaloshi aktivist u shantazhua nga punonjësit e policisë me “arrestim të të gjithëve para komisariatit”, “burgosje”, “ndjekje penale” etj. Imagjinojeni pak se sa të mbrojtur jemi në brezi i të rinjve aktivistë kur policia na rreh si t’ia dojë qejfi, media na rreh me keqinformim dhe zagarët pëdëistë jo vetëm na rrahin, por edhe lirohen para syve tanë, nën mbrojtjen e politikës dhe policisë. Por këto nuk i sheh Demi. Ai është i verbuar nga e kuqja dhe grushti.

V.F.L.P.? S’po i hyjmë kontekstit historik ku u farkëtua kjo shprehje (se si këmishëzinjtë pushkatonin e syrgjynosnin antifashistët e çdo rryme politike). Ne nuk thërrasim vdekjen e askujt. Grushti ynë nuk është dora e djathtë e mbledhur me anë të së cilës një njeri godet një tjetër, siç e kanë zakon policët e PS-së dhe halabakët e PD-së. Grushti është bashkimi i trupave tanë, mbulimi i shoqes e shokut nga dhuna policore dhe përpjekja e pareshtur për të rrëzuar me trupat tanë malin e heshtjes, manipulimit dhe privilegjeve. Ne, brezi i të rinjve të atij që na mësojnë ta quajmë tranzicion, nuk kemi më asgjë për të humbur. Ç’kishin për të na marrë, na i kanë marrë prej kohësh. Ama kemi shpresën e të fundmëve të cilët nuk do të jenë të parët e mbretërisë së Zotit, por të barabartët e republikës së rithemeluar: shpresën se mund të jetohet me të vërtetën në vend të piarit, me arsye në vend të shkopit të gomës, me dinjitet në vend të privilegjit dhe në fund, pse jo, edhe me gazetari që fshikullon pushtetet dhe nuk u bëhet shollë çizmeve të tyre.

Ky artikull është botuar nën licensën CCA 4.0 (Creative Commons Attribution 4.0 International License).

Lexojmë dhe shpërndajmë!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.