/Anelmo Spahija/
Shfaqja e ekonomisë kapitaliste në Shqipëri ndodhi relativisht vonë, krahasuar me vendet e Evropës Perëndimore apo edhe me vendet fqinje ballkanike. Dominimi i tejzgjatur i strukturave feudale dhe esnafore deri në gjysmën e shek XIX lidhet me faktin se vendi ynë ishte pjesë e Perandorisë Osmane, e cila duke filluar që nga shek. XVII ishte në dekadencë të plotë. Por zhvillimi i shteteve perëndimore nuk mund të mos ndikonte edhe në Evropën Juglindore. Për shkak të dobësimit të vazhdueshëm të saj dhe për të mundësuar mbijetesën e vet, Perandoria Osmane veproi në dy mënyra: Së pari, u detyra që t’u lejonte një regjim preferencial mallrave që borgjezia evropiane eksportonte në perandori. Këto të drejta që tregtarët e më vonë shoqëritë monopoliste evropiane gëzonin njihen si kapitulacione. Së dyti, Porta e Lartë ndërmori një sërë reformash që synonin nga njëra anë rimëkëmbjen e makinës burokratike shtetërore sipas modelit perëndimor e nga ana tjetër shkatërrimin e strukturave tradicionale ekonomiko-shoqërore, si edhe nxitjen e zhvillimit të një ekonomie kapitaliste. Pikërisht këto dy politika patën rezultatet e tyre edhe në Shqipëri dhe shërbyen si faktorë për shfaqjen e ekonomisë së tregut. Vërshimi i mallrave të huaja dhe konkurrenca që ata u bënin prodhuesve të vegjël artizanalë ndikoi në dobësimin e esnafeve. Gjithashtu, vërshimi i kapitalit të huaj, sidomos italian dhe austro-hungarez, rriti kërkesën për krah të lirë pune, i cili mund të gjendej te mjeshtrit artizanë të varfëruar, fshatarët e mbytur me borxhe etj. Nga ana tjetër, për t’i bërë ballë konkurrencës, disa tregtarë dhe mjeshtra filluan të përdornin një teknologji më të avancuar për prodhimin. Kështu, më 1880 tregtarët shkodranë sillnin nga jashtë makineri për përpunimin e mëndafshit. Rritja e konkurrencës dhe futja e teknologjive të reja çon gradualisht drejt shthurjes së esnafit, shfaqjes së një shtrese pronarësh të vegjël që shkon drejt falimentimit, e të një pakice që i mbijeton konkurrencës, shmang punën e çirakut dhe kallfit dhe fillon të shfrytëzojë punën e punëtorit mëditës. Sakaq reformat e ndërmarra nga Porta e Lartë i zhvilluan më tej këto procese. Me dekret sulltanor u eliminuan privilegjet e esnafeve. Ndërkohë, depërtimi i marrëdhënieve kapitaliste në fshat u shoqërua përqendrimin e tokave në duart e çifligarëve të mëdhenj dhe të borgjezisë agrare(fshatarë apo qytetarë të pasur që blinin tokat nga çifligarët), si dhe me varfërimin e vazhdueshëm të pjesës më të madhe të fshatarëve (nuk mund të përballonin konkurrencën nga prodhuesit e mëdhenj e si pasojë hyjnë në borxhe dhe rrënohen.), një pjesë e të cilëve mërgonin drejt qyteteve vendase apo të huaja, dhe pjesa tjetër punonte me mëditje në tokat e çifligarëve apo fermerëve të pasur.
Pra mund të themi se fillon të formohet bërthama e klasës punëtore, e cila del nga ish-mjeshtrit e rrënuar, çirakët dhe kallfët, si dhe fshatarët e varfëruar. Duhet të kemi parasysh se kushtet e punës në punishtet e para manifakturore nuk ishin optimale. Punohej 12-14 orë në ditë për një pagë mesatare prej 5-6 grosh në ditë. Mund të përmendim rastin e grave përpunuese të mëndafshit në Shkodër, të cilat punonin 16 orë për 6 grosh në ditë. Madje, në dimër kur dita ishte e shkurtër detyroheshin që me shpenzimet e tyre të mbanin kandilin për të vazhduar punën. Në një gjendje të tillë ishin edhe punëtorët hamej, elhakçitë (vjen nga fjala hak-pagë) që punonin ne punishte të ndryshme, larëset e leshit etj. Një gjendje e tillë varfërimi gradual u shoqërua me reagimin që vinte nga njëra anë nga intelektualë të caktuar, dhe nga ana tjetër nga vetë vegjëlia, e përbërë nga këta artizanë dhe fshatarë të rrënuar që shkonin drejt pauperizimit. Kështu, në fillim të shek. XX fillon organizimi i kësaj vegjëlie në shoqëri ndihmëtare, ku përfshiheshin intelektualë, punëtorë, prodhues të vegjël artizanalë, çirakë, kallfë e shegertë, interesat e të cilëve vinin gjithnjë duke u afruar. Dhe do të jetë pikërisht qyteti i Shkodrës, qytet me një zhvillim të madh ekonomik e shoqëror në Shqipërinë e atyre viteve, vatra ku do të lindin këto organizata.
Në mars 1905 me iniciativën e Kol Dikës, shitës ambulant që njihej edhe si studiues i letërsisë perëndimore, u formua në Shkodër një grup i vogël ilegal në të cilin bënin pjesë zejtarë dhe punëtorë, si dhe intelektualë (mjekë e farmacistë). Me iniciativën e tyre u formua një shoqëri punëtore për ndihmë reciproke. Dy mjekët që bënin pjesë në shoqëri vizitonin të sëmurët dhe jepnin barna falas. Shoqëria mbahej me kuotat e anëtarëve. Por autoritetet turke e gjurmuan këtë shoqëri, e cila nuk e pati jetën të gjatë. Po në vitin 1905 në Shkodër shpërthen greva e punëtorëve këpucëtar. Për të kapërcyer vështirësitë e tyre që vinin nga konkurrenca e prodhimeve të huaja dhe nga kriza ekonomike, mjeshtrat zejtarë ulën pagat dhe shtuan orët e punës, duke i detyruar punëtorët të punonin edhe natën me kandil. Prandaj këta të fundit formuan një komision që paraqiti kërkesën për rritjen e pagave dhe pakësimin e orëve të punës. U vendos që asnjë punëtor të mos paraqitej në punë. Shpërtheu kështu greva e parë e punonjësve shqiptarë. Të 60 e ca grevistët marshuan nëpër rrugët e qytetit duke kënduar, deri sa u mblodhën jashtë qytetit, ku u fol për grevën, të drejtat e punëtorëve etj. Por autoritetet turke, me thirrjen e pronarëve të punishteve, ndërhynë dhe arrestuan disa nga krerët e lëvizjes. Kundërpërgjigjja e punëtorëve qe gjithashtu violente. Të zemëruar ata iu drejtuan punishtes së mjeshtrit Palok Kiri, ku thyen xhamat, shpërndanë e nxorën në rrugë veglat e punishtes. Si përfundim, pronarët u detyruan të bëjnë lëshime dhe të pranojnë kërkesën e punëtorëve që “të punohej pa kandil”(pra të pakësoheshin orët e punës) dhe të rritej rroga me një grosh e gjysmë. Greva që bënë punonjësit këpucëtar nxiti gjithashtu grevën e punëtorëve të duhanit. Me 1 prill 1907 u formua “Shoqëria ndihmëtare”, e cila sipas një lajmërimi në gazetën “Drita” kishte për qëllim të ndihmonte të varfrit e të sëmurët duke u dërguar mjekun dhe barnat pa të holla. Edhe kjo shoqëri mbahej me kuotat e anëtarëve. Ajo pati jehonë të gjerë në Shkodër dhe në shtypin vendas e të diasporës, i cili vinte në dukje faktin se anëtarët e saj mësonin shkrimin dhe këndimin shqip dhe përhapnin idetë përparimtare. Megjithatë nën presionin e autoriteteve turke dhe atyre klerikale shoqëria pushoi së funksionuari. Në shtator u arrestuan udhëheqësit e shoqërisë dhe u sekuestruan të gjitha orenditë e zyrës, librat, defterët etj. Të ngjashme me të u krijuan edhe “klubi i detarëve” dhe një shoqëri tjetër ndihmëtare në vitin 1912. Sipas gazetës “Shpresa e Shqypnis” që botohej në Dubrovnik, në vitin 1907 u festua për herë të parë 1 maji: “Sot në ditën e parë të Majit, siç asht zakoni në të gjithë botën, punëtoria me shumë të tjerë dalin për me përgëzumun pranverën. Kështu pra u ba edhe këtu në Shkodër sivjet. U mblodhëm nadje heret të gjithë së bashkut punëtorë, shegertë e të tjerë pa numër, e dulëm tue këndue valle… U gëzue gjithë qyteti me ne, e kemi shpnesë me tjera herë gëzimi e lulëzimi ka me qenë edhe ma i plotë e i fortë, sepse përgjithë vjet’ asht tuj u afru dita e lirisë e përparimit, e mirësimit të përgjithshëm”. Ky artikull, i shkruar nga autori me pseudonimin “I Mjeri”, përfundonte me thirrjen: “Rrnoftë Shqypnija e lirueme! Rrnoftë vllaznia e bashkënia! Rrnoftë e para ditë e Majit!”.
Tendenca për formimin dhe forcimin e organizatave punëtore e profesionale u zhvillua më tej pas Luftës së Parë Botërore. Kjo lidhet me dy faktorë kryesore. Së pari, pas vitit 1918 pati një rritje në numër të klasës punëtore. Kapitali shqiptar, si pasojë e çlirimit nga pengesat që më parë krijonte shteti osman, tashmë kishte rrugë të lirë të zhvillohej. Kështu u ngritën disa fabrika si fabrikat e sapunit (1918), alkoolit (1922), bomboneve në Shkodër, fabrika e cigareve në Durrës (1920), si dhe u ngritën disa shoqëri anonime si “Stamles” në Durrës, “Maliq”etj. Ky zhvillim i industrisë së lehtë dhe i borgjezisë kombëtare nxiti rritjen në numër të klasës punëtore. Kjo rritje e numrit të punëtorëve erdhi edhe nga roli gjithnjë e më i madh që luajti kapitali i huaj, sidomos ai italian. Kështu në minierën e Selenicës e cila ishte marrë me koncesion nga grupi italian “Parodi e Delfini” punonin rreth 500 punëtorë. Duke bashkuar numrin e punëtorëve të punishteve të vogla me atë të punonjësve të industrisë, mund të themi se numri i tyre shkon në rreth 19000. Së dyti, formimi dhe forcimi e organizatave punëtore e profesionale u nxit edhe nga përkeqësimi i kushteve të jetesës që shoqëroi vitet e pasluftës jo vetëm në Shqipëri, por në të gjithë Evropën. Pagat e ulëta dhe mungesa e të drejtave minimale në vendin e punës e bënin të pamundur për punëtorin shqiptar të përballonte ngritjen e çmimeve. Gazeta “Ora e Maleve”, që botohej në Shkodër, shkruante në prill 1923: “Kaq poshtë ka ra sod punëtori sa me tu xanë sytë me e shikjue”. Përveç kësaj, mungonin rregullat minimale për sigurinë në punë e për pasojë aksidentet ishin të shumta. Ndërkaq, në punë merreshin edhe fëmijë të moshave të reja nën 16 vjeç.
Prandaj, si reagim ndaj kësaj situate, kalohet në një fazë tjetër të lëvizjes së organizuar punëtore. Tashmë krijohen organizata e shoqëri të cilat kanë një program gjithnjë e më të qartë, ndryshe nga shoqëritë e para që kishin vetëm funksion ndihme e bamirësie. Më 1920, me iniciativën e një grupi zejtarësh e punëtorësh, u formua në Shkodër “Shoqëria ndihmëtare e punëtorisë”. Në rregulloren e botuar shpalleshin qëllimet e shoqërisë, ku përfshihej: shërbim mjekësor falas për punëtorët, krijimi i një zyre pune, krijimi i një kase huaje për të ndihmuar punëtorët në vështirësi etj. Shoqëria bëri një hap përparimtar me ngritjen e organizatave të veçanta sipas profesioneve. Të tilla ishin 17. Në krye të secilës organizatë profesionale caktohej nga një kujdestar. Nga përfaqësuesit e këtyre organizatave ngrihej këshilli i Shoqërisë Ndihmëtarë të Punëtorisë. Shoqëria kishte një kryetar, një sekretar dhe një arkëtar. Në saje të këtij organizimi dhe të veprimtarisë që zhvilloi, shoqëria arriti të përfshinte në radhët e saj deri në 800 anëtarë. Nën drejtimin e kësaj shoqërie u organizuan greva e demonstrata, ku mund të veçojmë demonstratën e 1 Majit 1922, në të cilën punëtorët të ndarë sipas profesioneve parakaluan nëpër rrugët e qytetit, si dhe u mbajtën fjalime.
Me rëndësi për këtë periudhë është edhe greva e punëtorëve të minierës së Selenicës, që siç e përmendëm më lart zotërohej nga një kompani italiane. Problemeve të pagave të ulëta, ndotjes dhe mungesës së sigurisë në punë u shtoheshin edhe keqtrajtimi dhe përbuzja që shfaqej inxhinierët italiane ndaj punëtorit shqiptar, si dhe spekulimi me çmimin e drithit, që shoqëria ia shiste punëtorëve me kredi, duke i mbajtur ata të lidhur pas vetes. Duke shfrytëzuar kërkesën e lartë për drithë, kompania ia shiste atë me çmime të larta punëtorëve. Në pamundësi për të duruar më tej një gjendje të tillë, në tetor 1923 punëtorët nisën grevën e përgjithshme e cila bashkoi njëri pas tjetrit punëtorët e galerive, punëtorët e pastrimit të impiantit të bitumit dhe të transportit. Komisioni i punonjësve që u ngrit i paraqiti shoqërisë një peticion me shkrim, ku kërkohej rritja e pagave, pakësimi i orëve të punës, përmirësimi i kushteve të punës, sigurimi i punëtorëve që sëmureshin ose aksidentoheshin, si dhe largimi i disa kryepunëtorëve italianë e shqiptarë që silleshin keq me punëtorët. Fillimisht këto kërkesa nuk u pranuan nga shoqëria, e cila kërcënoi se do të punësonte punëtorë të tjerë. Me gjithë vështirësitë e krijuara, greva pati sukses për shkak se me punëtorët u bashkuan edhe banorët e fshatrave përreth. Pas një muaji shoqëria u detyrua të pranonte shtimin e pagave me 30-50%, pushimin nga puna dhe transferimin e disa inspektorëve dhe sigurimin e shërbimit mjekësor për punëtorët në rast nevoje.
Në fillimin e viteve 20’ fillon të shfaqet edhe një lëvizje e organizimit të arsimtarëve. Në një artikull të gazetës “Kuvendi”, që botohej në Romë përshkruhej gjendja dhe vështirësitë që hasnin ata në jetën e përditshme: “Mësuesit nuk janë kamës. Edhe në konditat e këqija që rrojnësot atyre nuk u arrin rroga. Ç’bëhet kur ata sëmuren, kur ata mplaken?”. Kështu fillojnë të ngrihen në disa qytete të vendit organizatat profesinale të mësuesve. Në korrik 1921, me iniciativën patriotit Avni Rustemi formohet në Gjirokastër “Lidhja e mësuesve”, në programin e së cilës përfshihej mbrojtja e të drejtave të mësuesve. Përveç problemit të pagave të ulëta, shumë prej mësuesve nuk u paguhej rroga me rregull. Pikërisht një problem i tillë u trajtua në Kongresin e Arsimtarëve që u mbajt në Tiranë në gusht 1923. Në fillim të vitit 1924, në qytete të ndryshme si Shkodër, Korçë, Tiranë, Vlorë etj, filluan të organizoheshin protesta e greva nga ana e arsimtarëve. Vlen të përmendet sidomos greva e mësuesve të Korçës, të cilët kërkonin dhënien e rrogave të prapambetura. Lëvizja mori shkallë të gjerë pasi me mësuesit e qytetit u bashkuan edhe ata të fshatit, gjë që çoi në mbylljen e pjesës më të madhe të shkollave në të gjithë rrethin. Gazeta “Shqiptari i Amerikës”, duke përshkruar situatën e krijuar, shkruante: “Populli shpirtërish është i lidhur me mësonjësit. Ai tregon simpati të madhe për përçapjen e mësonjësve të vendur për një durim të gjatë e shembullor”. Prandaj, përpara një situate të tillë, qeveria u detyrua të tërhiqej dhe të paguante rrogat e prapambetura. Pas revolucionit të qershorit 1924, lëvizjet punëtore e sindikaliste shkojnë drejt shuarjes. Rikthimi i Zogut në pushtet u shoqërua përkohësisht me eliminimin e të gjithë zërave opozitar dhe protestues. Megjithatë, siç do të shohim më poshtë, kriza botërore ekonomike, e cila pati ndikimin e saj edhe në Shqipëri, ndikoi në nxitjen e lëvizjeve të tilla dhe kalimin e tyre në një fazë të re, më të organizuar.
Duke filluar që nga viti 1930, Shqipëria u ndodh në një situatë të rënduar ekonomike, e cila vinte si rezultat i krizës ekonomike të kapitalizmit (1929-1933). Si një vend i prapambetur bujqësor, Shqipëria varej nga tregu i jashtëm. Me fillimin e krizës ekonomike, shtetet me të cilat Shqipëria zhvillonte tregti si Italia, Greqia, Turqia, ShBA etj, ndoqën politika proteksioniste që ndikuan në rënien drastike të eksporteve shqiptare. Pakësimi i eksporteve krijoi një kontingjent prodhimesh të tepërta, gjë që çoi në rënien e çmimeve. Kjo krijoi vështirësi për prodhuesit vendas, që nga industrialistët e paktë e deri tek prodhuesit e vegjël të fshatit dhe qytetit, dhe çoi shumë prej tyre drejt rrënimit. Rënia e çmimeve dhe pakësimi i fuqisë blerëse çoi në falimentimin e tyre dhe u shoqërua me rritjen e papunësisë, përhapjen në mënyrë masive të varfërisë etj. Këtë situatë të vështirë e vuajtën kryesisht prodhuesit e vegjël të fshatit për shkak se prodhimet e tyre blegtorale, që përbënin 60-70% të eksportimeve të Shqipërisë, duke mos gjetur tregje shitjeje jashtë vendit, pësuan një ulje të ndjeshme të çmimeve. Gjithashtu, shumica dërrmuese e zejtarëve u rrënuan ekonomikisht, ndërkohë që shumë fabrika si SCALA, dega e STAMLES në Shkodër etj, e ndërprenë prodhimin, gjë që çoi në rrënimin e disa degëve të industrisë si e çimentos, duhanit, alkoolit, blojës, etj. Rritja e papunësisë në vendet e zhvilluara kapitaliste ndikoi në pakësimin e të ardhurave të siguruara nga dërgesat në të holla të emigrantëve. Edhe kreditë e SVEA-s pësuan rënie.
Kjo gjendje e vështirë ekonomike ndikoi gjithashtu edhe në rritjen e papunësisë. Deflacioni detyroi fabrikat dhe punishtet që të pakësonin numrin e punëtorëve e të ulnin pagat. Orët e punës vazhdonin të ishin të gjata (mesatarisht 12), ndërkohë që kushtet dhe siguria në punë as që llogariteshin. Kriza çoi drejt falimentimit edhe mjaft prodhues të vegjël të qytetit e të fshatit që u gjendën të papunë. Kjo gjendje e rënduar e shtresave punonjëse reflektohej edhe në shtypin e kohës. Gazeta “Ora” evidentonte faktin që nuk kishte asnjë rregullore që të përcaktonte marrëdhëniet mes pronarit dhe punëtorit: “Nuk ka kontrato të shkruar, nuk ka kontrato kolektive, nuk ka ligje, nuk ka rregullore…”. Ndërkohë, tek “Shqipëria e Re”, në një artikull të janarit 1930 vihej në dukje se në fabrikën Stamles punonin edhe të mitur: “Këtu mëhoqi vëmendjen një tok 7-8 çupash prej 6 deri 8 vjeç, të cilat shumë të bindura, me doçkat e tyre të vogla, po thyenin anët e kutive të cigareve me një shpejtësi të madhe. Të thyhet zemra duke parë këto foshnja të marrin përsipërqë sot gajlen e ekzistencës dhe të jetës…”. Në një gjendje të tillë të rritjes së papunësisë, të rënies së fuqisë blerëse dhe të pauperizimit të përgjithshëm rifillon organizimi nga ana e punëtorëve dhe krijimi i shoqërive me karakter profesional.
Në janar 1934 në Korçë u themelua “Shoqëria e Punëtorëve rrobaqepës të Korçës”. Programi i saj përfshinte: punën për grumbullimin e të gjithë punëtorëve rrobaqepës dhe të fabrikave tekstile në organizatë, ndihmën morale e materiale për të gjithë anëtarët, të luftohet në një fazë të parë që rrogat të mos ulen e punëtorët të mos pushohen nga puna e më pas të bëhen kërkesa për rritje pagash, gjetjen e punës për të papunët, pakësimin e orëve të punës etj. Ajo zhvilloi një veprimtari të dendur duke luftuar kundër abuzimit në punë të punëtorëve të mitur dhe arriti në një marrëveshje më punëdhënësit për vendosjen e një kufiri moshor. Gjithashtu, shoqëria bëri që të dështonin tentativat e disa pronarëve për rritjen e orareve të punës. Në vitin 1938, së bashku më organizatën sindikale të këpucëtarëve u organizua edhe një fushatë për 8-orëshin në punë, por pa sukses. Megjithatë, kjo organizatë sindikale pati edhe kufizimet e veta, pasi p.sh. ndihmësve të profesionistëve nuk u njiheshin të drejta të barabarta me të tjerët. Nga ana tjetër, shoqëria mbajti qëndrim armiqësor ndaj punonjësve sezonalë që vinin nga fshati.
Shoqëri të ngjashme, me elementët përparimtarë, por edhe me kufizimet e tyre u përhapën në disa qytete të Shqipërisë. Por rolin kryesor e luajti shoqëria “Puna” e ngritur në Kuçovë nga punonjësit naftëtarë në Kuçovë, me iniciativën e një grupi prej 5 punëtorësh me në krye Mafuz Lazen. Tri shoqëritë që kishin marrë në koncesion naftën “Anglo-Persian Oil”, “AIPA” dhe “SIMSA”, sipas studiuesit Koço Misha përmbanin rreth 1800 punëtorë, të cilët jetonin në kushte të mjerueshme për të gjitha arsyet që radhitëm më sipër. Prandaj, shoqëria “Puna” i dërgoi një peticion parlamentit dhe qeverisë shqiptare, ku paraqitej gjendja dhe kushtet e rënda të jetesës për punëtorët e Kuçovës, si dhe një sërë kërkesash, për përmirësimin e situatës. Kërkesat kryesore që përfshinte peticioni ishin: të detyrohet shoqëria AIPA t’u japë shpërblime familjeve të punëtorëve të vdekur ose të aksidentuar, të caktohet orari i punësh prej 8 orësh, të merren masa nga shoqëria italiane për ndërtimin e barakave për fjetjen e punëtorëve dhe sigurimin e gjendjes së tyre shëndetësore, të hartoheshin rregullore që do të përcaktonin marrëdhënien mes punëtorëve dhe pronarëve, si dhe të caktoheshin nga ana e kompanisë italiane ditët e festave kombëtare si ditë pushimi. Duke hedhur një vështrim krahasues mbi këtë peticion, mund të themi se këto ishin kërkesat më të avancuara që një organizatë sindikaliste kishte bërë në Shqipëri deri atëherë. Duke qenë se nuk morën mbështetje nga qeveria e drejtuar nga Mehdi Frashëri, me 5 janar 1936 shpërtheu greva. Pas 4 ditësh, duke qenë se nuk arriti të gjente grevëthyes për të zëvendësuar punëtorët, AIPA arriti në një marrëveshje më grevistët ku përfshihej një rritje e vogël e pagave, si dhe pakësimi i orëve të punës në 10. Mirëpo, menjëherë pas kësaj, pronarët filluan të bënin presione për shkarkimin nga puna të udhëheqësve të grevës. Gjithashtu, ata kërkuan edhe ndihmën e autoriteteve qeveritare shqiptare për shpërbërjen e shoqërisë “Puna”. Presioni i shoqërisë italiane bëhej edhe përmes gjobave të shpeshta që iu vunë punëtorëve. Një situatë e tillë bëri që në fund të janarit punëtorët e centralit elektrik të Kuçovës të fillonin grevën. Ndërkohë, prefekti i komunës lëshoi urdhrin që ata punëtorë që përfshiheshin në veprimtarinë e shoqërisë“Puna” të largoheshin nga Kuçova. Kështu, më 11 shkurt, si kundërpërgjigje, me iniciativën e organizatës sindikale rifilloi greva. Ndryshe nga një muaj më parë, punëtorët e të gjitha degëve ndalën punën. Ishte greva e përgjithshme! Revolta e punëtorëve nuk mund të ndalej ndryshe veçse me forcën e armëve. Vetë ministri i brendshëm Et’hem Toto erdhi në Kuçovë në krye të xhandarmërisë, dhe me 12 shkurt arrestoi të gjithë anëtarët e shoqërisë “Puna”, si dhe dha urdhrin për transferimin e 300 punëtorëve drejt qyteteve të tjera. Pjesa tjetër e punëtorëve, duke mos pasur zgjidhje tjetër, u detyrua t’i kthehej punës. Së fundi, nuk munguan edhe falënderimet e Legatës Italiane për rolin e luajtur nga autoritetet shqiptare: “Ndërhyrja e ministrit të brendshëm na shpëtoi jo vetëm pse i dha fund grevës, por sepse masat e marra do jenë shembull për të ardhmen”.
Me gjithë përfundimin aspak të dëshiruar, greva e punëtorëve të naftës në Kuçovë dhe krijimi i shoqërisë “Puna” përfaqësojnë stadin më të lartë në lëvizjen sindikaliste shqiptare. Ndryshe nga shoqëritë e mëparshme që përbëheshin jo vetëm nga punëtor, por edhe nga prodhues të vegjël artizanalë, shoqëria Puna u ngrit si një organizatë sindikaliste që kishte si qëllim në mënyrë ekskluzive mbrojtjen e interesave të punëtorëve. Vumë re kështu kalimin nga shoqëritë e para ndihmëtare, me karakter bamirës dhe të ndihmës reciproke mes punëtorëve, në organizatat e viteve 30’ që marrin gjithnjë e më tepër karakter sindikalist, që kanë si qëllim final 8-orëshin e punës, hartimin e kontratave padron-punëtorë, sigurimin e të aksidentuarve në punë etj. Ky zhvillim dhe përsosje e karakterit të organizatave dhe shoqërive të tilla lidhet në mënyrë të drejtpërdrejtë me rritjen në numër të klasës punëtore në Shqipëri dhe kushtet e vështira në të cilat ajo gjendej, gjë që e bën t’i shprehë kërkesat e veta në mënyrë gjithnjë e më të organizuar.
Ky artikull është botuar nën licensën CCA 4.0 (Creative Commons Attribution 4.0 International License).