Feshizëm

/Klodi Leka/

 

Fashizmi, ndryshe nga teoritë dhe shtetet e tjera totalitariste, nuk është sistem i njësuar rreth figurës karizmatike të Fyhrerit, përballë të cilit çdo sektor shoqëror dhe strukturë shtetërore është e papërfillshme, as shëmbëlltyra e fytyrës së tij. Përkundrazi, fashizmi është regjim më plural, me më shume forca qeverisëse, edhe pse hiçfare demokratik. Fashizmi është njësim i të gjitha forcave të klasës sunduese rreth figurës karizmatike të njeriut të zgjedhur konsensualisht prej tyre. Pra, është bashkim i ushtrisë, policisë, partisë, fesë, monarkisë, korporatave dhe shtresave më konservatore të shoqërisë rreth njeriut të tyre i cili, për të sunduar, duhet të kënaqë vazhdimisht dhe nëpërmjet dhunës interesat e tyre përkatëse. Prijësi fashist është sa i kufizuar aq dhe i plotfuqishëm. I kufizuar me sundonjësit e tjerë, dhe i plotfuqishëm mbi shtresat e gjëra të popullit, sidomos mbi shtresat e dobëta e të varfra, punëtore dhe opozitare. Mirëpo, përtej dhunës dhe qesharakëzimit monstruoz, fashizmi nuk e braktisi kurrë pretendimin popullor të vetes, të qenit sistem i të gjithëve, ndërsa mbyste me përfytyrime të rreme kombëtariste e kulturore kontradiktat e mëdha sociale midis punëtorit dhe pronarit, shoqërisë dhe kombit, mirëqenies dhe luftës, lirisë dhe autoritarizmit, gjithnjë në dobi të të dytëve.

E pashë të nevojshme ta bëja një dallim të tillë për shkak se fashizmi, sidomos në vendin tonë, ku kultura politike dhe konceptuale lë fort për të dëshiruar, shikohet si realitet i pakthyeshëm apo realitet nostalgjik i prodhuar dhe rrënjosur në kujtesën tonë kolektive përmes kinematografisë së socializmit burokratik – Kinostudios. Madje fashizmi si kulturë ka nisur të normalizohet në opinionin publik, t’i ngrihen lavde, sidomos nga grupe arkitektësh qeveritarë, që në Tiranën tashmë të shpërfytyruar prej betonizimit biznesor kërkojnë të ngjallin gjurmët e projektit fashist të qytetit, nisur nga godinat e ndërtuara në zemër të kryeqytetit gjatë kohës së okupimit italian. Apo akoma më keq, në libraritë tona prej shumë kohësh qarkullon “Lufta ime” e Hitlerit, i botuar nga dy shtëpi të ndryshme, libër ky skandali i të cilit nuk konsiston dhe aq në leximin e tij, ngaqë kush ka dy pare mend arrin të distancohet gjer në neveritje nga pallavrat e atyshme, sesa nga botimi i tij pa parathënie, pa një lexim kritik historik, pa udhëzime, pa shënime, pa sugjerime – thjesht manual brutal. Një tjetër normalizim i fashizmit, ose njohje e brezave të rinj të popullsisë me historinë e kësaj ideologjie, po ndodh me shpejtësi në blogjet dhe rrjetet sociale, ku prijësit famëkëqij dhe përgjegjësit për vdekjen e dhjetëra miliona njerëzve nuk portretizohen për krimet e tyre, por për “zbulimet” rreth seksit, pëlqimeve, aventurave etj., duke i komercalizuar gjer në pikën kur këta njerëz të ngjallin simpati për stomakun e shoqërisë së konsumit.

Ndërkohë, tendencat kulturaliste të fashizmit nuk kanë nisur të ngjallen vetëm në rrafshin kulturor dhe televiziv, por edhe në atë politik. Kriza ekonomike është çasti historik kur kjo ideologji nxjerr krye e shpërfytyruar. Kështu po ndodh edhe në Tiranë. Prej shumë javësh protesta të ndryshme të qytetarëve, grupeve të interesit dhe organizatave të aktivizmit po reagojnë fuqishëm kundrejt veprave qeveritare të cilat, në thelb, janë privatizuese dhe përjashtuese. Kundër këtij reagimi të fortë qytetar është mobilizuar brutalisht policia e shtetit me krijimin e skuadriljeve dhunuese, arrestimet masive, rrahjet publike, procedimin penal të protestuesve etj. Do të ishte çudi të mos ndodhte. Si një nga reformat më të rëndësishme të saj, kjo qeveri konsideron armatosjen gjer në dhëmbë të policisë, shtimin e radhëve të saj, përkëdheljen e sedrave të sëmura, shenjtërimin e shkopit “të ligjit” dhe rritjen e rrogave për këto struktura rendruajtëse, që përtej promovimit të figurës së policit si autoritet të respektueshëm, po shkon me shpejtësi drejt uniformizimit të halabakërisë. Urdhëroni disa shembuj jo vetëm të dhunës policore si qëllim në vetvete, gjë që nuk ka kuptim, por të dhunës policore si zbatuese të politikave qeveritare dhe interesave të një grushti oligarkësh.

Një: një muaj më parë, me qindra policë të të gjitha uniformave, krijuan një situatë shtetrrethimi diku në periferi të Tiranës, me qëllim përzënien prej barakave të disa familjeve të komunitetit rom, sepse përmbi çatitë e kolibeve  do të kalonte rruga e re qytetase. Shteti, në vend që të pyeste përse qytetarët më modestë të republikës ndodheshin në atë mjerim, u përgjigj se ato nuk ishin shtëpi, se banorët nuk meritonin çati të re, se burrat e papunë duhej të kapeshin prej rreckash e të çoheshin në komisariat, se gratë dhe fëmijët duheshin terrorizuar nga robokopët, se rruga e re dhjetëra miliona euroshe duhet të bëhej, ndërsa qytetaret të braktiseshin në mes të katër rrugëve pa një dyshkë në xhep. Për mua si njëzetetrevjeçar, ajo pamje ishte traumatike dhe paralajmëruese e fytyrës së re të shtetit tonë.

Dy: tetë aktivistë studentorë, të cilët prej dy vitesh me radhë kanë kundërshtuar me të gjitha mjetet demokratike reformën klienteliste në arsimin e lartë dhe që arritën të kundërshtonin praninë e papajtueshme të kryeministrit brenda universitetit publik duke e gjuajtur me vezë, janë dërguar për ndjekje penale me akuzat banale të kundërshtimit të forcave policore dhe goditjes për shkak të detyrës. Sikur të mos mjaftonte fakti që gjatë arrestimit me dhjetëra policë iu vërsulën me të rrahura disa vajzave dhe djemve të rinj, tashmë ata po çohen para dyerve të gjykatave vetëm përse mbrojtën interesin/institucionin publik dhe kundërshtuan kapjen e shtetit nga oligarkia dhunuese.

Tre: dje pamë sërish pamje skandaloze në televizion, ku dhjetëra banorë, shtëpitë e të cilëve do të jenë viktimat e radhës së bulevardit të ri luksoz, u rrahën paq në sy të të gjithëve nga  skuadriljet policore të ndërhyrjes së shpejte. Gra dhe vajza përfunduan në spital. Burra dhe djem në komisariate. Këto pamje janë bërë tashmë të përditshme. Fshatarë që u sekuestrohet ai pak spinaq, presh a pagurë qumështi në emër të luftës kundër informalitetit ekonomik. Ambulantë të vegjël të cilëve u merren cigaret dhe çamçakëzët për mosdhënie kuponi fiskal. Tregtarë që u vendosën haraçe nga xhandarë e taksidarë që shteti të ndërtojë vepra luksoze. Romë që përzihen akoma dhe më në thellësi të periferive në emër të luftës ndaj zhulit etj etj. Estetika është rrafshi më i ri i fashizmit institucionalist.

Katër: prej tri katër javësh, në mbrojtje të t’fundmes hapësirë të gjelbër publike kundër betonizimit biznesor, është ndezur një betejë e vërtetë midis qytetarëve dhe aktivistëve kundër paligjshmërisë bashkiake dhe interesave klienteliste që po realizohen përmes dhunës policore. Këto kohë kemi parë mjaft situata të kësaj beteje, ku shumë qytetarë dhe aktivistë rrihen, merren zvarrë, arrestohen, përbalten, demonizohen etj. Kjo përballje sjell ndërmend shumë rrjedhoja të rëndësishme për sa i përket praktikës dhe konceptit qeverisës të rrënjosur në skenën politike shqiptare: faktin se institucionet kryesore po ndjekin tendencat e privatizimit të çdo gjëje publike dhe raportin përçmues me qytetarët; se për t’iu shërbyer interesave klienteliste, të cilat i sjellin në pushtet politikanët, këta janë të gatshëm të bëjnë çdo gjë, të shkelin ligje, moratoriume, procedura, etikë, trupa njerëzore, gjithçka. Sot, për t’u ngjitur në hierarkinë e pushtetit fillimisht duhet të merresh peng, të krijosh rrethin e oborrtarëve oligarkë, dhe më pas pengmarrjen ta shndërrosh në “qeverisje për qytetarët”.

Këta janë vetëm disa nga shembujt praktikë, të prekshëm, mbi fytyrën e fashizmit politiko-policesk në Shqipëri. Por siç e dimë të gjithë, një sistem dhunues nuk mund të mbahet në këmbë vetëm përmes bajonetave. Ai do propagandë. Media, e shumakuzuar për kapje klienteliste, përmes përcjelljes së mangët e manipulative të lajmeve, po i vërteton akuzat e hershme të saj. Që prej nisjes së rezistencës qytetare, demonizimi i protestuesve, përpjekja për t’i dhënë konotacione partiake, mbyllja e tyre ndaj zërit kritik, hapja ndaj propagandës qeveritare, shpërqendrimi i vëmendjes etj. kanë shërbyer si mbytëse të zemërimit publik gjithnjë e në ngritje. Në shumë raste, ajo luan rolin e prokurorisë. Nuk është për t’u habitur nëse një media, e komanduar nga lart, thyen çdo normë etike, të mbrojtur edhe nga ligji, për të cenuar privatësinë tënde. Ose të të demonizojë, siç ndodhi me studentin kosovar, që pasi u vendos në qendër të vëmendjes, bazuar jo në ndonjë dëshmi të saktë, madje në kundërshtim me filmimet e saj dhe në përputhje me grackën e paturpshme spekulative të kryebashkiakut, u bë rrugaç, vrasës, djall, iu cenua privatësia, u linçua publikisht dhe shumëçka tjetër. Por rezultoi që ky student nuk kishte bërë asgjë. Askush nuk i kërkoi falje. Vëmendja u shpërqendrua drejt një tjetër viktime, po prapë të inskenuar, dhe mjaft televizione e gazeta i dhanë publikut të hanin mish njeriu. Nëse fashizmi i vjetër e mbante veten gjallë përmes idhujtarisë, fashizmi i ri ka shpikur një fe të re, televizionet, aty ku dallimi midis të qartës dhe mjegullnajës, të vërtetës dhe gënjeshtrës, faktit dhe trushpërlarjes ka humbur frikshëm çdo prag të dukshëm.

Fundja, ky është vetëm fillimi. Procesi i privatizimit të gjithçkaje, i quajtur ndryshe neoliberalizëm, ka në thelb kalimin e çdo pasurie publike në duart e privatëve, dhe rrafshimin me buldozer të çdo të drejte dhe lirie sociale. Nëse më parë shteti të siguronte të drejtat sociale për arsim, shëndetësi, punësim dhe ndihmë sociale përmes administrimit të mirë të pronave publike, sot nuk të siguron asgjë, pasi këto prona kalojnë në duart e klientelave të babëzitura për fitime dhe, për rrjedhojë, e drejta bëhet privilegj. Në këto kushte, për privatët, e vetmja mënyrë për të nxjerrë sa më shpejt të jetë e mundur lekët e pronës së blerë dhe fitimet e dëshiruara është rritja skandaloze e çmimeve, pagimi i të cilave kryhet ose përmes borxhit, ose përmes policisë private, në shumë raste e ndihmuar nga shtetërorja. Që këtej, dhuna bëhet e pashmangshme. Publicisti Fatos Lubonja i ka dhënë një përkufizim të qartë kësaj dukurie si fashizëm ekonomik. Shteti ka rrëzuar çdo detyrim ndaj qytetarëve, dhe kontrata sociale, ajo që pajton një shtet me qytetarët e tij, ka rënë. Dhuna është fija lidhëse. Dhe kësaj dhune, sipas kryeministrit, duhet t’i bindemi, pasi është legjitime, synon të kulturojë një popull rrumpallë, që shtyhet në rezistencë nga “çifutët”, “gënjeshtarët”, “vandalët”. Bindju shtetit, edhe pse ky shtet nuk është më i yti, por i oligarkëve, i klientelave, i tenderave! Bindju policisë, edhe pse policia vjen ose të të rrahë, ose të të vjedhë! Bindju propagandës sepse ti nuk di se ç’do, se e vërteta kaq e dukshme është iluzion!Dëgjomë mua dhe hesht! Kjo është demokracia. Këto janë arsyetime tipike fashiste të kryebashkiakut Veliaj dhe kryeministrit Rama, që në një reprezalje sociale të paparë gjer më sot, pretendojnë akoma të jenë përfaqësues demokratikë të popullit.

Ky është feshizmi lexues të nderuar! Përse feshizëm e jo fashizëm? Edhe pse të gjithë oligarkët biznesorë, klasa e korruptuar politike e tranzicionit, korporatat mediatike dhe policitë e të gjitha llojeve janë bërë bashkë, këtij feshizmi i mungon vetëm shpallja formale për t’u bërë fashizëm. Por janë aq të zgjuar sa për të mos u shpallur. Gjer atëherë e zbukurojnë pushtetin e tyre të dhunës dhe pasurimit monstruoz. Quajnë demokraci policinë. Interes publik interesin privat. Popull klientelat. Të vërtetë gënjeshtrën. Ajo çka na mbetet në këto kushte është kthimi i zemërimit në organizim dhe i organizimit në revoltë. Kush kërkon të drejtën tek të padrejtët, është budalla i madh. E drejta, etika, morali, detyrimi ndaj qytetarëve janë norma të cilat kanë rënë me kohë. E drejta dhe liria merren. S’ka kuptim  të zemërohesh pa organizim sepse kështu e dëshpëron veten më shumë. Koha jonë thërret për durim dhe ngritje të arsyes në revoltë. Thërret për të gjithë. Nuk ka më përligjje, arsyetim, ndrojë, frikë dhe kapje që justifikon shpërfilljen kur gjithçka na thërret e na shtyn për të dalë në rrugë. Erdh’ çasti të kryengrihemi.

*”Feshizëm” është koncept i përdorur më 20 shkurt nga artisti Ergin Zaloshnja gjatë protestës performative përballë kryeministrisë, ku denoncohej shtypja e vjetër në forma të reja.

Ky artikull është botuar nën licensën CCA 4.0 (Creative Commons Attribution 4.0 International License).

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.