Evropa si ideologji

/Arlind Qori/ Pjesa e mëposhtme është botuar më parë në revistën e Departamentit të Shkencave Politike (Universiteti i Tiranës) Politikja me titullin “Ideja e Evropës si pikë nyjore e ideologjisë shqiptare” dhe, në formë të reduktuar e me titullin e këtushëm, në të përjavshmen Gazeta që më 2011. Entuziazmi ideologjik post-marrjes së statusit të vendit kandidat në BE lyp ribotimin (elektronik) të artikullit të mëposhtëm. 

Radhët në vijim mëtojnë të kritikojnë ideologjinë shqiptare të 20 viteve të fundit duke iu qasur asaj si ligjërim që synon e arrin të hegjemonizojë fushën e ligjërueshmërisë nëpërmjet themelimit rreth një qendre  (pikë nyjore), e cila në rastin konkret trupëzohet në idenë e Evropës, e cila trupëzon qoftë aspektin kulturor-qytetërimor e qoftë atë institucional-politik.  Kjo ide nuk përbën elementin e vetëm të ligjërimit politik shqiptar të shndërruar në ideologji, por rëndësia e saj parësore gjendet në të qenurit shpjegues e legjitimues i elementëve të tjerë të ideologjisë si p.sh. perëndimi, tregu i lirë, demokracia etj. Nëse i referohemi qasjes kritike të hegjemonisë ligjërimore të Laclau-t e Mouffe-s, çështja e ideologjisë do të mund të shprehej si krijim i pikave nyjore të një ligjërimi, i cili hegjemonizon duke skajuar e heshtuar ligjërimet alternative, çka e redukton pluralitetin si domosdoshmëri të qasjes kritike[1]. Po cili është mekanizmi i reduktimit ideologjik të fushës së ligjërueshmërisë? Një ligjërim hegjemonizon jo duke u mbështetur në terrenin e fortë të ndonjë materialiteti apo objektiviteti, por duke e paraqitur pambështetshmërinë dhe relativitetin e pikës nyjore si të vetëthemeluar, të vetëmjaftueshme apo vetëreferuese. Më konkretisht, Slavoj Žižek-u, duke iu referuar pikës nyjore, pohon se ajo përbën një shënjues të zbrazët ose më saktë shënjues pa të shënjuar, rëndësia e të cilit është funksionalisht strukturore[2]. Ajo ekziston në ligjërim si fantazma, pa ekzistencën e së cilës elementëve të tjerë të ideologjisë do t’u mungonte lidhja identifikuese. Në rast se përdoret ky përkufizim në kritikën e ideologjisë shqiptare do të vihet re se ideja e Evropës paraqet pikën nyjore e cila në vetvete nuk do të thotë asgjë (në kuptimin e lidhjes së drejtpërdrejtë me ndonjë përmbajtje të fiksuar), por pikërisht asgjëja i mundëson të shërbejë si nyja ku lidhen elemente, raporti i të cilave me njëra-tjetrën përndryshe interpretohet si kontradiktor. Kështu ideologjia mundet që kontradiktën apo paradoksin ta shndërrojë në pajtim e koherencë. Në ligjërimin politik shqiptar, cilësitë e Evropës rreken të harmonizojnë ide përndryshe jo të përputhshme ose pa lidhje mes tyre. P.sh. Evropa është mishërimi i tërësisë vlerore deontologjikisht të imitueshme e njëkohësisht hapësira ku secili botëkuptim vleror është i pranueshëm; ajo është moda dhe refuzimi për hir të autenticitetit; emancipimi shoqëror që kuptohet si kult i sipërmarrjes individuale; demokracia e sundimi elitar njëkohësisht; mirëqenia për të gjithë e triumfi ekonomik i disave; toleranca ndaj tjetrit e po ashtu higjienizimi i pranisë së tij; barazia së bashku me epërsinë racore-kulturore. Ligjërimi politik shqiptar tregohet ideologjik pasi mundet në shfaqjen e vet publike t’i harmonizojë në një të tërë organike të gjithë elementët e mësipërm duke ndërtuar si çati fantazmën e shënjuesit pa të shënjuar me emrin Evropë. E atëherë kur brenda çadrës ka konflikt të hapur, rrufeshëm vjen kërkesa lutëse nga artikuluesit pushtetorë të ideologjisë që për hir të koherencës fantazmore të kësaj të fundit kërkojnë unitet me çdo kusht, çka ndodh p.sh. kur shtrohet pyetja se ç’ndodh nëse Bashkimi Evropian shpërbëhet ose vende “themeluese” të Evropës përplasen papajtueshëm mes tyre. Lidhur ngushtë me “autonominë” kuptimore të pikës nyjore që përmbledh ideologjinë, mund të thuhet se kjo e fundit nuk duhet kuptuar rëndom si iluzion apo gënjeshtër priftërore për të mbajtur nën hyqëm shoqërinë. Kompleksiteti, çka shkakton edhe jetëgjatësinë e ideologjisë,  qëndron në faktin se ajo nuk ndërton një gënjeshtër që konspirativisht maskon realitetin, por në një kuptim sendërtues, ideologjia e strukturon realitetin përmes një fantazie (pikës nyjore) duke i dhënë përgjigje reale problematikës joreale[3]. Çështja e ideologjisë e ndërton realitetin duke e reduktuar në vërtetësinë instrumentale të tij duke fshirë përmes hegjemonizmit të fushës së ligjërueshmërisë çdo të vërtetë joinstrumentale. Në këtë mënyrë, ideologjia nuk përbën përgjigjen e gabuar ndaj pyetjes së drejtë, por përgjigjen e drejtë ndaj pyetjes së gabuar. Brenda ngushticës së reduktimit ideologjik, çështjet shtrohen duke parakuptuar pa debat e arsyetim kritik qëllimin apo pikëmbërritjen, duke i lënë mendimit thjesht funksionin e përgjigjes rreth rrugës më të shpejtë për arritjen e qëllimit të paracaktuar. Kështu, ideologjia shqiptare e merr si të mirëqenë qëllimin gjithëshqiptar së të qenit si Evropa kulturalisht e integrimit në institucionet evropiane politikisht, e pyetja që shtron nuk është ajo e hulumtimit kritik se sa e pse janë të rëndësishme qëllimet, por se si arrihet më shpejt te to. Kjo bën që përgjigjet brenda këmishës së forcës ideologjike të jenë të sakta, ose të përshkruajnë “realitetin’, pasi nëpërmjet shtrimit të pyetjeve apo çështjeve ndërtohet në ligjërim e praktikë realiteti shoqëror e politik. Përveçse eliminojnë fuqinë kritike të mendimit për të mos marrë për të mirëqenë asgjë, reduktimi ideologjik mishëron kanalizimin e fuqive shoqërore kah gjetja e ilaçit për sëmundjen fantazmore, e cila në rastin shqiptar një prej alternativave (integrimin apo ngjasimin) e shndërron në të vërtetë të pakuptueshme duke e tredhur debatin në instrumentalitet. Instrumentaliteti i mendimit përmbushet kur fusha e ligjërueshmërisë reduktohet si pasojë e ngurtësimit të kategorive kuptimore. Në këtë mënyrë, ideologjia rreket të natyralizojë e përherësojë atë çka përndryshe është proces zhvillimor historik. Kështu, ideologjia shqiptare e interpreton krejt historinë shqiptare si pasurim të një prirjeje të natyrshme të ekzistencës sonë evropiane. Kjo e fundit nis me identitetin pellazgo-ilir, çka nënkupton se jemi thuajse evropianë autoktonë e çdo lëvizje politike e historike kuptohet si pohim i thelbit natyror evropian ose si devijancë historike e korrigjueshme në kohë drejt këtij telosi. Qëllimi gjendet tek origjina e për pasojë pikëmbërritja shënjon thjesht plotësimin e pasurimin e të lindurës. Kjo i mundëson ideologjisë shqiptare ta paraqesë historinë shqiptare si përkatësi e prirje popullore evropiane që nis nga errësira e kohërave  në përballje me deviacione të panatyrshme subversive. Në këtë kontekst, aktorët historikë si Skënderbeu, rilindësit, evropëdashësit bashkëkohorë etj përballen me fenomene historikisht subversive e me origjinë kombëtare të dyshimtë si pro-osmanët, haxhiqamilistët, zogistët, enveristët, opozitaristët, orientalistët etj. Këta elementë subversivë e patogjenë mund ta vonojnë me shekuj telosin shqiptar, por natyraliteti i rrugës dhe providenca e çudibërësve mikpritës evropianë ka fuqinë mrekulluese të arritjes së qëllimit pavarësisht pengesave, aq sa aty për aty kokulur i falënderohemi “mrekullisë së lirisë”.[4] Natyraliteti sjell si pasojë kuptimin e historisë si të pandryshueshme, ku fati i një populli shënjohet në origjinë të tij. Prandaj ideologjia shqiptare e paraqet rrugën e shqiptarëve kah evropianizimi si të vetme e me gjithë pengesat patogjene, të arritshme ose të paktën të meritueshme. Kështu, integrimi në Bashkimin Evropian rresht së kuptuari si alternativë mes alternativash, por si domosdoshmëri e historisë së kuptuar si natyralitet i pashmangshëm. Madje mund të thuhet se ndryshe nga spekulimet hegjemoniste ideologjia nuk ka për tipar premtimin e utopisë së të nesërmes, por atë të pashmangshmërisë së të sotmes e të ardhmes, ku edhe vëzhgimi i të keqes merr kuptimin e të keqes më të vogël. Megjithëse herë pas here ideologjia premton parajsën utopike, tipar thelbësor i saj është krijimi i vetëdijes dorëzuese se më mirë nuk ka. Utopia ka karakteristikën flakëruese të nxitjes herët a vonë të rezistencës shoqërore që buron nga mospërmbushja e premtimit utopik. Kështu, ideologjia enveriste dështon të formësojë përgjithnjë vetëdijet shoqërore pasi kërkon bindje ne emër të premtimit utopik. Ky i fundit e plotëson funksionin e vet në kohërat e para kur shoqëria gatitet të hidhet në zjarr për hir të së ardhmes, por kur kjo e fundit shtyhet si vija e horizontit, lind skizoja ose çarja e madhe midis premtimit dhe faktit, çka e bëri enverizmin të përmbysshëm në Shqipëri. Prandaj utopia edhe kur përdoret ideologjikisht mbart farën e përmbysjes së status quo-së ideologjike. Ndërkohë që në ligjërimin ideologjik bashkëkohor shqiptar, ideja e Evropës gjithnjë e më shumë i ngjet pashmangshmërisë që edhe problematikën e kupton si të keqen më të vogël, e po ashtu çdo tentativë kritike e rezistence e skajon duke e konsideruar utopiko-terroriste. Në të njëjtën kohë, ideologjia rreket t’u japë kategorive të gjykimit politik identitete të vetëmjaftueshme, të mbyllura e jo relacionale. Për ideologjinë shqiptare, Evropa si pikë nyjore kuptohet si një e vetme, e pandashme, e pandryshueshme e mbi të gjitha vetëreferenciale. Të qenit evropian nuk pranon larmishmëri apo konfliktualitet me veten e po ashtu nuk ndërtohet si rezultat i marrëdhënies me atë çka përjashton. Sigurisht që Evropa rrethohet nga kategori gjykimore politike të kundërta, por secila prej tyre kuptohet si e vetëthemeluar e kështu identarisht e mbyllur. Prandaj në ideologjinë shqiptare, të qenit evropian rroket si tërësi vlerash që ndërtohen në ishull e prej tij miklojnë gjithkënd, por pranojnë vetëm ata që prej natyre i përkasin familjes kulturore-institucionale. Çka e lidhur me të mësipërmet, do të thotë se shqiptarët meritojnë prej natyre të jenë pjesë e një bashkësie ku konflikti nuk ekziston (ose edhe në ekzistoftë ka karakter të moderuar e i shërben sintezës më të lartë identitare) sa kohë identiteti është absolut. Gjithsesi elementi më tuhajësues politikisht i ideologjisë, përtej bllokimit të vetëdijes kritike, është prirja për “integrim” shoqëror duke fashitur konfliktualitetin e pazgjidhshëm shoqëror në rrethanat e një shoqërie përjashtimore. Nëse i referohemi sërish ndërthurjes žižeko-laclau-mouffe-iane, do të vërejmë se konfliktualiteti shënjon realen traumatike të një shoqërie e cila mund të vetëpohohet si e plotë vetëm nëpërmjet zhdukjes ose sublimimit të konfliktit. Prandaj Žižek-u thotë: “Ideologjia nuk është një iluzion ëndërrimtar që ne e ndërtojmë për t’u arratisur nga realiteti i padurueshëm; në dimensionin e vet bazik, ajo është një ndërtim-fantazi që shërben si mbështetje e vetë “realitetit” tonë: një “iluzion” që strukturon marrëdhëniet tona shoqërore reale e për këtë arsye maskon bërthamën e pamundur, reale e të padurueshme (e konceptualizuar nga Ernesto Laclau dhe Chantal Mouffe si “antagonizëm”: një ndarje shoqërore traumatike që nuk mund të simbolizohet). Funksioni i ideologjisë nuk është të na ofrojë një pikë arratie nga realiteti ynë, por të na e ofrojë vetë realitetin shoqëror si arrati nga një bërthamë reale e traumatike.”[5] Në këtë frymë, ideologjia shqiptare mund ta krijojë koherencën shoqërore të qëllimit të vetëm evropian vetëm duke fashitur antagonizmin e pashmangshëm social-ekonomik. Duke mos duruar realen traumatike të pazgjdhshmërisë së konfliktit social-ekonomik, ajo rreket të krijojë unitetin fantazmor të rrugës së vetme evropiane, si mishërim i parajsës së ardhshme ku magjishëm çdo konflikt do të zgjidhet. Për pasojë, çdo tentativë ligjërimore e vepruese që rizgjon antagonizmin përballet me pamundësinë e koordinatave të realitetit të strukturuar në atë mënyrë që të shërbejë si arrati nga realja traumatike social-ekonomike. Po ashtu, qasjet kritike lëkunden midis shpërfilljes si utopike e mallkimit si djallëzore. Ajo çka ndodh është se në koordinatat e realitetit empirik e më pas edhe moralizues, alternativa ngjason si e pamundur ose nëse këmbëngul në kthimin e timonit të historisë, si heretike. Element tjetër i ideologjisë është pretendimi i universalitetit, i cili i analizuar në imtësi rreket të fshehë aktin vetëthemelues: përjashtimin. Universaliteti i ideologjisë nuk përbën gjë tjetër përpos kufizimit të fushës së ligjërueshmërisë dhe shpalljes së vetes nga pozita pjesore si përgjithësuese. Nëse i rireferohemi Žižek-ut, ideologjia mishëron … “përcaktimin e një pike thyerjeje heterogjene ndaj fushës së dhënë ideologjike dhe në të njëjtën kohë të domosdoshme për atë fushë që të realizojë mbylljen e vet, formën e vet të përmbushur…Çdo Universale ideologjike – si p.sh. liria, barazia – është ‘e rreme’ përderisa përfshin medoemos një rast specifik që thyen unitetin e saj, dëfton falsitetin e saj.”[6] Prandaj unviersaliteti ideologjik është i rremë, pasi pohon se të vërtetat e saj janë të pakundërshtueshme e njëkohësisht përkufizon kundërshtarët e vet. Në rastin e ideologjisë shqiptare, universaliteti i Evropës gjendet në faktin se krejt shqiptarët e meritojnë atë, përveçse…gjithkujt që hedh dyshime apo i reziston natyralitetit të fatit shqiptar. Kështu, çdo shqiptar është evropian përveç atyre shqiptarëve që nuk e duan Evropën e të cilën në këtë mënyrë i bie të mos jenë as shqiptarë. Prandaj kategoritë universalizuese të shqiptarit e evropianit mbështeten mbi përjashtimin e ndocave që s’janë as njëra e as tjetra, por një farë përbindëshi si mishërim i çnatyralitetit. Si rrjedhojë e elementeve të mësipërme, do të ishte i mundur edhe përcaktimi i funksioneve politiko-shoqërore të ideologjisë. Nëpërmjet reduktimit të pluralitetit ideor e programor, ideologjia synon të sundojë nëpërmjet integrimit. Nëse i referohemi sociologjikisht Weber-it, “Meqë ideologjia shërben si kod interpretimi që siguron integrimin, ky i fundit kryhet nëpërmjet justifikimit të sistemit aktual të autoritetit.”[7] Kjo paraqitje sociologjike është e interpretueshme kritikisht si funksionalizëm i krijimit të bindjes që ndodh nëpërmjet fashitjes së antagonizmave shoqërorë. Ideja e Evropës i shërben ideologjisë shqiptare për ta shtyrë problematikën e konfliktit në të ardhmen gjithëpajtuese evropiane, para madhështisë së të cilës do të shfaqej lakuriq meskiniteti i konflikteve të rëndomta shqiptare, duke i zhveshur kështu konfliktualitetit, sidomos atij social-ekonomik, peshën e tragjizmit të vet. Funksionet e mësipërme ideologjia i arrin nëpërmjet përdorimit të taktikave që rreken të fshehin karakterin pjesor e sundues ideologjik të saj në njërën anë e rrekjes për ta pafuqizuar tjetërsinë jo në përjashtim radikal, por në zbehje dobësuese integruese. “Ideologjia paraqitet si e kundërta e vet, si jo-ideologji, si bërthama e identitetit tonë njerëzor nën çdo emërtesë ideologjike.”[8] Ajo mund të paraqitet e tillë sa kohë ka hegjemonizuar fushën e ligjërueshmërisë dhe i ka shndërruar elementët e vetë si të vërteta të pakundërshtueshme. Meqë fjalori konceptual rreket t’i përshtatet domosdoshmërive ideologjike, vërtetësia e pohimeve ideologjike ngjan e pakundërshtueshme. Në kontekstin shqiptar, ideja e Evropës si epërsi qytetërimore e fat i pashmangshëm politiko-institucional mëton të jetë përtej ideologjik sa kohë të vërtetat e saj vetëshpallen të vetëkuptueshme. Po ashtu, ideologjia fuqizon sundimin jo thjesht duke e mposhtur tjetërsinë, pasiqë si mungesë ajo do të mund të kërcënonte si fantazmë, por duke e integruar atë brenda kufijve të vetë. Ideologjia arrin sukses jo kur e zhbën kundërshtinë, por kur e redukton në një cep ose e paraqet si hosten që i shërben për t’u përkryer. Sipas Žižek-ut, “Ideologjia nuk është thjesht një operacion i mbylljes, i vizatimit të vijës midis asaj çka përfshihet dhe asaj çka përjashtohet/ndalohet, por rregullimi i vazhdueshëm i mos-mbylljes.”[9] Kjo i fal lakueshmërinë teorikisht e shoqërisht të domosdoshme ideologjisë për të gëlltitur rezistencën. Ideologjia e hegjemonizon fushën e ligjërueshmërisë jo duke përjashtuar përfundimisht, por duke hegjemonizuar; pra duke u rrekur ta integrojë kundërshtinë duke i dhënë asaj kuptimin funksionalisht të përshtatshëm për jetëgjatësinë ideologjike e sunduese. Në rastin e idesë së Evropës, kjo e fundit nuk mbështetet në përjashtimin ligjor apo linçimin publik të opozitarizmit ndaj kësaj ideje, por reduktimin e opozitarizmit në mjet të domosdoshëm për me qenë autentikisht evropianë. Prandaj, kritika në mos qoftë e përqeshur si marrëzi utopike anarkistësh adoleshentë, mikpritet vetëm sa kohë i hiqet fitili i shpërthimit të situatës për ta ripluralizuar fushën e ligjërueshmërisë duke epur disi kufijtë e kësaj fushe, por jo logjikën e saj hegjemonike. P.sh. vetëm në një shoqëri evropiane mundesh me u sjellë disi apo menduar e shprehur si joevropian; kuptohet me kushtin që këto akte rezistence teorike e praktike të mos kërcënojnë rrugën e përcaktuar që në agim të historisë. Si përfundim i kritikës së ideologjisë e asaj shqiptare në konkretësi, mund të thuhet se kjo e fundit synon ta shndërrojë qytetarin në pësues të të vërtetave sistemore, duke i pamundësuar qysh në nisje çdo akt shndërrimi rrënjësor. Pasivitetit shoqëror të fatit të shkruar e të pashmangshëm i bashkëngjitet keqinterpretimi fetishist sipas të cilit identiteti evropian jo vetëm është vetëreferencial e i vetëmjaftueshëm, por duke mos parë karakterin relacional të koncepteve e aktorëve shoqërorë, këta të fundit i redukton në pasojë e jo në shkak të veprimit. Ideologjia arrin të fetishizojë marrëdhëniet pasi stabilizon situatën në të cilën nuk është shoqëria ajo që vetëndërtohet, por idetë bllokuese e sunduese ato që e bëjnë atë t’i shohë marrëdhëniet në kokëposhtësinë e dhomës së errët ideologjike. Në këtë frymë, Marksi thotë te Kapitali: “Ky njeri, për shembull, është mbret vetëm sepse njerëz të tjerë sillen si nënshtetas ndaj tij. Ata mendojnë, anasjelltas, se janë nënshtetas, sepse ai është mbret.”[10] Kjo do të thotë se ajo çka keqkupton ideologjia shqiptare është raporti mes shqiptarëve dhe Evropës. Kjo e fundit nuk ka rëndësi në vetvete sikundër ideologjia e pasqyron, por vetëm sa kohë shqiptarët si shoqëri e pamëkëmbur e vetëvendosëse politikisht e njohin si pikë reference, duke i dhënë karakteristikat e të mirës absolute. Nëse sillet në vëmendje pohimi lakanian sipas të cilit mbreti që e quan veten mbret nuk është më pak i çmendur se i çmenduri që e quan veten mbret, mund të arrihet në përfundimin: Evropa që në kuadrin e vetëmjaftueshmërisë dhe vetëreferencës ideologjike e merr veten seriozisht për Evropë nuk është më pak e çmendur se i çmenduri që e konsideron veten mbret.  [1]“ Çdo ligjërim ndërtohet si një përpjekje për të dominuar fushën e ligjërimësisë, të ndalojë rrjedhën e diferencave, të ndërtojë një qendër. Ne do t’i quajmë pikat ligjërimore të privilegjuara të këtij fiksimi të pjesshëm, pika nyjore.” Laclau, Ernesto. Mouffe, Chantal. (2001). Hegemony and Socialist Strategy:Towards a Radical Democratic Politics, f. 112. London: Verso [2]“ Në vetvete, ai nuk është tjetër përpos një “diferencë e kulluar”: roli i tij është pastërtisht strukturor, natyra e tij është pastërtisht performative – domethënia e tij përkon me vetë aktin tij të thënies; me pak fjalë, ai është një ‘shënjues pa të shënjuar’”. Žižek, Slavoj. (2009). The Sublime Object of Ideology, f. 109, London: Verso [3] “Niveli themelor i ideologjisë nuk është ai i një iluzioni që maskon gjendjen reale të gjërave, por ai i një fantazie (të pandërgjegjshme) që strukturon vetë realitetin tonë shoqëror.” – Po aty, f. 30 [4] “Mrekullia është ura e caktuar për gomarë nga mbretëria e ideve në mbretërinë e praktikës.” – Marks, K. Engels, F. (1983). Ideologjia gjermane, f. 568, Tiranë: 8 Nëntori [5] Žižek, Slavoj. The Sublime… f. 45 [6] Po aty, f. 16 [7] Ricoeur, Paul. (2005). L’ideologie et l’utopie, f. 32, Paris: Points essais [8] Žižek, Slavoj. (2009). First as Tragedy than as Farce, f. 39, London: Verso [9] Žižek, Slavoj. (2009). In Defense of Lost Causes, f. 29, London: Verso [10] Marks, K. (1968). Kapitali, kritikë e ekonomisë politike, Vëllimi i parë 1, f. 88, Tiranë: Naim Frashëri
This image has an empty alt attribute; its file name is direct
Ky artikull është botuar nën licensën CC BY-SA 4.0.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.