Kërkesë e hapur drejtuar kryeministrisë

/Lëvizja Për Universitetin/ Sot jemi mbledhur për të ritheksuar qëndrimin tonë para kryeministrisë në lidhje me proçesin e reformimit të arsimit të lartë. I kërkuam dhe i kërkojmë Kryeministrit të Republikës që me urdhër të tijin, ashtu siç nisi procesi, të anulojë draftin për reformimin e arsimit të lartë të publikuar me 25 prill të këtij viti dhe të shpërbëjë komisionin që e ka hartuar draftin. Arsyet tona ishin dhe janë të njëjta si më poshtë dhe ne u qëndrojmë fort atyre: 1) Procesi ka qenë dhe është ilegjitim pasi nuk janë përfshirë studentët dhe pedagogët e Universiteteve Publike në diskutimet mbi problematikat dhe reformimin e arsimit të lartë, por është ofruar një draft i gatshëm si dokumenti bazë për reformimin e sistemit. 2) Mbi komisionin që ka hartuar draftin ngrihen dyshime legjitime për konflikt interesi pasi nuk dihet nëse natyra e tij është ajo e një komisioni ekspertësh apo përfaqësuesish grupesh interesi privat për reformimin e Universiteteve Publike; 3) Puna e komisionit, pra drafti i propozuar është një raport amatoresk për nga formulimi i tij si dokument, ka mungesë totale serioziteti në formë duke mos pasur asnjë referencë studimore dhe fakte të gabuara dhe është i frikshëm për nga përmbajtja duke sugjeruar rritje tarifash, borxh studentor, kthimin e Universitetit publik në fondacion dhe sh.p.k dhe shumë pika të tjera problematike. Ndërkohë, kryeministri i Shqipërisë është shprehur se do t’i japë kohë të njëjtit komision të dyshimtë të punojë gjatë verës me sugjerimet e dërguara nga Universitetet për t’ia shtuar të njëjtit raport qesharak dhe për të nxjerrë një raport të dytë. Nëse herën e parë procesi ishte amatoresk dhe i paqartë, tani ai po kthehet në farsë, ku punohet për reformimin e arsimit të lartë gjatë verës kur Universitetet janë mbyllur dhe studentët dhe pedagogët janë për pushime verore. Përkundër kësaj ne ritheksojmë dhe i qëndrojmë fort premisës tonë qendrore se ‘reformimin e bëjmë vetë, ne universitarët. Dy parimet tona bazë janë: 1) E drejta e vendimmarrjes mbi Universitetin Publik nuk është as e kryeministrit, as e një komisioni të dyshimtë dhe as e një strukture të lodhur burokratike si ajo aktuale e Universiteteve. E drejta e vendimmarrjes për Universitetin i përket vetë Universitarëve (pra studentëve dhe pedagogëve). 2) Një reformë e thellë në arsimin e lartë duhet të nisë nga një analizë serioze e kushteve të jetesës dhe të studimit të vetë studentëve të Universiteteve Publike. Duke u qëndruar besnikë parimeve tona sugjerojmë: Formimin e një komisioni Universitarësh, pra studentësh dhe pedagogësh, i zgjedhur demokratikisht nga trupa e universitarëve, i cili do të funksionojë si një sekretariat që organizon procedurën e diskutimeve mbi reformën e arsimit të lartë duke u bazuar mbi dy parimet e sipërpërmendura. Detyrë e komisionit do të jetë çelja e hapësirave të diskutimit brenda Universiteteve e hapësirave studentore mbi Kushtet e studimit dhe të jetesës së Universitarëve, mbledhja e të dhënave dhe qasjeve mbi problematikat dhe alternativat e reformimit të arsimit të lartë duke ndjekur procedura publike dhe sintetizimi i pjesshëm i tyre duke përdorur metoda serioze shkencore të klasifikimit dhe përpunimit të të dhënave. Sinteza e pjesshme dhe disaplanëshe do të kthehet në trupën e universitarëve për t’u ridiskutuar dhe tentuar një sintezë përfundimtare të reformimit të arsimit të lartë. Detyra e qeverive është të mbështesin reformën e Universitarëve! Nëse qeveria këmbëngul në procesin aktual për reformimin e arsimit të lartë dhe nuk mbështet nismën e Universitarëve, ne, studentë dhe pedagogë të Universiteteve Publike, paralajmërojmë përshkallëzim të veprimeve tona nga bojkotimi i mësimit, në protesta masive universitarësh deri në referendum popullor për abrogimin e një ligji për arsimin e lartë që do miratohet duke u bazuar në idetë dhe procesin aktual për reformimin e sistemit.
This image has an empty alt attribute; its file name is direct
Ky artikull është botuar nën licensën CC BY-SA 4.0.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.