Statusi i Lulëve të vecërr

/Suzana Kurtallari/ “Where the children of tomorrow dream away in the wind of change” këndohej njëzëri në vitet ’90. Diktaturave u erdhi fundi në Europën Lindore, bashke me to edhe në Shqipëri. Studentët shqiptarë, të frymëzuar nga ngjarjet në vendet e tjera komuniste, arritën të rrëzonin diktaturën 50-vjeçare të Enver Hoxhës. “Wind of Change” kishte ardhur dhe frynte në drejtim të Bashkimit Europian. “E duam Shqipërinë si gjithë Europa” u bë refreni  i shqiptarëve në vitet ’90. Tani rruga drejt saj dukej e thjeshte dhe pa pengesa. Më në fund ëndrra 50-vjeçare do bëhej shumë shpejt realitet. Ka kaluar rreth çerek shekulli që atëherë dhe ne, “the children of tomorrow” të viteve ’90 jemi bërë studentë, kemi moshën që shumica prej prindërve tanë kishin në vitet e rrëzimit të madh. Na quajtën brez me fat ne të pas ’90-s. Ishim brezi që do ëndërronim larg, e ardhmja na takonte neve. Ne s’mund të kuptonim vuajtjet që kishin kaluar prindërit tanë, nuk i kishim përjetuar. Ne do ishim brezi që do preknim ëndrrën europiane. “Gëzuar statusin Shqipëri” dëgjohet rëndom në këto ditë. Ia dolëm më në fund! Pas 20 e kusur vjetësh jemi në gjysmë të rrugës për në Europë dhe kjo duhet të na gëzojë. Ndërkohë që vendet që brohoritën bashkë me ne para çerek shekulli kanë vite që janë bërë pjesë e strukturave europiane. Ne duhet të jemi të lumtur për  një “copë” statusi, që nuk e dimë në e morëm apo na e dhanë, por edhe sikur ta kishim merituar ç’ndryshim do kishte?! Ne, “the children of tomorrow” arritëm të preknim një gjysmë ëndrre europiane, ndoshta do na duhen dhe disa vite të tjera që kjo ëndërr të behet e plotë. Ndërkohë ne vazhdojmë të ëndërrojmë. Ëndërrojmë për një punë në profesion, ëndërrojmë sikur të kishim para për të paguar tarifën e shkollës, ëndërrojmë para dyerve të financës për një gjysmë burse, ëndërrojmë para grumbullit të studenteve që piqen në diell për të marrë një abone. Ëndërrojmë dhe i lëmë ëndrrat call center-ave dhe lokaleve ku punojmë me orar të zgjatur. Ëndërrojmë të mos (keq)ushqehemi më mensave me çmime tregu, ëndërrojmë “gjellë pasanikësh” si “lulëkuqet mbi mur”. Jemi “Luli i vocërr” i shekullit të ri, jemi “Lulëkuqet mbi mur” të një filmi që luhet çdo ditë ndër studentë. Këpucët e Lulit student do hanë mësuesin dhe mirë do bëjnë në fakt. Duhet t’i hanë ata mësues që shesin libra me listë, ata mësues që kërkojnë 100 euro për provim (euro dhe jo para, në këtë mënyrë ndihemi më europianë). Duhet t’i hanë ato fakultete private që shesin diploma. Por duhet të hanë edhe qeveritë e demokracisë sonë europiane që hartojnë draftreforma për arsimin e lartë, e thënë ndryshe që shesin Universitetin Publik te ca biznesmeno-intelektualë me interesa pa mend apo mend sa për interesa. Nëse s’do i hamë ne, do na hanë ata, tashmë rrugës janë. “The children of tomorrow” të Shqipërisë s’paskan qenë aq me fat sa ç’pandehej. Ndryshoi vetëm forma e shfrytëzimit dhe vuajtjes, u bë më moderne, më europiane. U bë e tillë sepse ne nuk punuam kurrë për hir të vetvetes. Ne punuam sepse ashtu na thoshte Europa, duhet t’i plotësojmë pikat që na ka vendosur Europa. Europa! Europa! Europa! – kemi dëgjuar që nga lindja ne “the children of tomorrow”, kudo, në televizor, kafe, rrugë, shtëpi. Na kanë brumosur mirë ne brezin “me fat” të pas viteve ’90. Ndërsa ne call center-istët me diplomë 10 nuk kemi zili as bashkëmoshatarin tonë që merr diplomën pa shkelur asnjëherë në fakultet, as atë që punon në profesion pa marrë ende diplomën, as atë që shkon të studiojë jashtë vendit, as ata që na shohin shpërfillshëm si call center-istët e rëndomtë. Ne kemi zili vetëm dikë dhe ata janë pikërisht brezi i prindërve të mi. Ata arritën të rrëzonin një mit, ne nuk po mundemi.
This image has an empty alt attribute; its file name is direct
Ky artikull është botuar nën licensën CC BY-SA 4.0.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.