Ç’po ndodh në jetën universitare?

/Klodi Leka/ ***  Ne jemi të shtetit, por shteti nuk është i yni  Dy javë  më parë, një kolektivitet studentësh të transferuar nga universitetet private drejt universiteteve publike bllokuan në mënyrë paqësore hyrjen e Fakultetit të Mjekësisë Teknike, për të shprehur kështu mospajtimin e tyre me tarifat dhe trajtimin e pabarabartë brenda publikut, si dhe kundërshtimin e reformës për arsimin e lartë, prej së cilës nisën dhe politikat diskriminuese kundrejt tyre. Pas dyzetetetë orësh mosbindjeje dhe shpërfilljeje institucionale, studentët  kaluan në grevë urie. Ky akt, për një çast,  bëri që vëmendja publike të përqendrohej e gjitha te ngjarja e sapondodhur, aq sa detyroi edhe ministren Nikolla të shkonte e të ulej këmbëkryq në mesin e studentëve. Vizitë që nuk përfundoi mirë. Pak orë pasi ministrja u rikujtoi studentëve të transferuar detyrimet e nënshkruara kontraktuale, të cilat nuk mund të diskutoheshin kurrsesi, forca të shumta policore ndërhynë dhunshëm orëve  të para të mëngjesit, duke përfituar nga terri informativ dhe drobitja fizike, për të shpërndarë dhunshëm grevën studentore. Kjo ndërhyrje rezultoi me shumë studentë të rrahur dhe të ndaluar. Por rezistenca e studentëve të transferuar nuk përfundoi me kaq. Pak ditë më vonë, kolektivi studentor vendosi të hidhej sërish në grevë; kësaj radhe jo në mjediset e dhunuara  universitare, por rrëzë Rektoratit të Universitetit të Tiranës. Edhe ky akt ra në vesh të shurdhër. Asnjë nga zyrtarët e lartë të Ministrisë së Arsimit nuk denjoi t’i vizitonte studentët dhe, sikur të mos mjaftonte kjo, kryeministri i vendit zuri të tallej publikisht me gjendjen dhe kërkesat e tyre. Pas tij, e gjithë makineria e medias qeveritare nisi të spekulonte rreth prapavijës së mundshme politike të ngjarjes, spekulim që u forcua më tej në dëm të kauzës nga përpjekjet e opozitës për të nxjerrë kapital thjesht politik nga trupat e dhunuar të studentëve. Shpërfillja institucionale, indiferenca shoqërore dhe universitare bënë që greva të mbyllej pa zhurmë dhe me të vetmin rezultat konkret mbledhjen e 28 firmave të nevojshme parlamentare për ta çuar çështjen në Gjykatën Kushtetuese – firma, që në kushtet e përbuzjes së gjerë publike, u siguruan nga deputetë të opozitës. Tashmë pritet prononcimi i Gjykatës Kushtetuese rreth ligjshmërisë së trajtimit të pabarabartë në universitetin publik. Dy konkluzione të rëndësishme mund të nxirren rreth kësaj ngjarjeje: së pari, studentët e transferuar nga universitetet private drejt publikut po studiojnë në kushte aparteidi me veçimet përbuzëse në tarifa, auditorë dhe të drejta universitare. Ata po përbuzen nga Ministria e Arsimit, tallen nga kryeministri, përbalten nga media dhe rinia partiake dhe përçmohen nga studentet e tjerë e opinioni publik. Kjo situatë duhet të marrë fund. Vënia e këtyre studentëve në pozitat e të privilegjuarve dhe të pamerituarve, për shkak të të cilëve universiteti publik nuk shkon në rrugën e drejtë, është grackë logjike e pushtetit që synon ta thyejë solidaritetin e mundshëm universitar, për të neutralizuar çdo rrezik të rezistencës në përmasa të gjera. Së dyti, është vetë ministria që në pranimin e këtyre studentëve në universitetin publik nuk ka vënë si kusht themelor ndonjë provim të detyrueshëm të njohurive, por rritjen e papërballueshme të tarifave dhe pagesën e tyre në momentin e regjistrimit. Ky kusht ka qenë thelbësor për nënshkrimin e kontratës midis të dyja palëve. Kontrata në fjalë është shprehje e pastër e shkeljes së natyrës barazimtare të institucioneve publike dhe kthimit të tyre në ndërmarrje në tregtarizim e sipër. Ndaj studentëve u mbetet të solidarizohen me njëri-tjetrin jo vetëm për të kundërshtuar padrejtësinë e ndërmarrë mbi këtë kategori studentësh, por edhe kundër karakterit të ri përjashtues të institucioneve publike dhe projektligjit për reformimin e arsimit të lartë që na rrezikon të gjithëve njësoj: si studentë me përshkallëzimin e papërballueshëm ekonomik të tarifave, si universitarë me masat antidemokratike dhe si qytetarë me privatizimin e universitetit publik. Ky projektligj nuk duhet të kalojë. *** Nga sezoni në sezon  Pas shumë e shumë peripecish, studentët e bachelor-it mbyllen këtë javë stinën munduese të provimeve. Problemet që e karakterizojnë këtë proces kaq të rëndësishëm universitar mbeten po ato: kurrikulat voluminoze dhe të kushtueshme mësimore; pritjet në radhët e gjata pas dyerve të sekretarive; mosregjistrimi dhe humbja në jo pak raste e të drejtës për të hyrë në provim apo e vetë provimit për shkak të çorganizimit burokratik etj. Edhe në kriteret e vlerësimit të pikëve të fituara gjatë seminareve janë vërejtur probleme të mëdha pasi në disa universitete ky vlerësim është tekanjoz dhe në disa të tjera nuk njihet fare. Por përtej këtyre dukurive të zakonshme tashmë, gjatë kësaj stine provimesh u vërejt rritja aspak simbolike e tarifave të studimit dhe kushti i vërtetimit të pagesës për të hyrë në sallën e provimeve. Ky akt është i paprecedent për dy arsye: sepse duket se reforma ka hyrë në fuqi akoma pa marrë miratimin parlamentar dhe se vërtetimi i kuponit të pagesës ka rrëzuar çdo fytyrë sadopak sociale të universitetit. Këto ditë, fill pas mbarimit të stinës së parë të provimeve, një tjetër kategori studentore sapo e ka nisur atë dhe këta janë studentët e nivelit master. Edhe për këta studentë, problemet burokratike qëndrojnë po aq sa të sipërpërmendurve. Këtu tarifat e studimit janë rritur me hapa edhe më marramendës, me rreth pesëdhjetë mijë lekë të reja me shumë, duke humbur dallimin midis ndjekjes së studimeve master në universitetet private krahasuar me ato publike. Mjaft studentë janë detyruar t’i ndërpresin studimet për shkak të papërballueshmërisë ekonomike të tarifave dhe mundësia e fituar me shumë përpjekje është nxjerrë në shitje për ata që kanë mundësi ta paguajnë dhe në shumicën dërrmuese të rasteve jo ta meritojnë. Sot studentëve të masterit, pas pagimit të këstit të parë të tarifës si kusht për t’u regjistruar në vitin përkatës, u duhet të paguajnë këstin e dytë për t’u regjistruar në dhënien e provimeve. Kjo situatë ka bërë që mjaft studentë të indinjohen ndaj këtyre praktikave të papërgjegjshme institucionale, të cilat në vend të merrnin parasysh sprovat e vështira studimore dhe sociale që duhet të kalojë studenti, ia pamundësojnë edhe më tepër kushtet normale të studimit  dhe të jetuarit këtij të fundit. Nga sezoni në sezon dhe nga zhvatja në zhvatje. ***  Një tjetër mars pa mimoza Në kujtesën historike të 7 marsit, përveç hapjes të së parës shkollë shqipe dhe ditës së bukur të mësuesit, u shënua dhe prezantimi i gazetës studentore “Universitari” në mjediset e qendrës sociale “Logu i Shkëndijës”.  Kjo shkëndijë mblodhi rreth saj shumë studentë dhe pedagogë të universitetit publik, të cilët ndanë pikëpamjet e tyre rreth domosdoshmërisë dhe përmbajtjes së gazetës, duke premtuar kontribut në vazhdimësinë e saj si dhe në kritikën dhe mobilizimin kundër projektligjit përfundimtar për arsimin e lartë të paraqitur së fundmi. Sipas të pranishmëve, edhe versioni i fundit i projektligjit kishte ndryshuar vetëm në disa aspekte formale që synojnë zbutjen e rezistencës universitare përmes disa lëshimeve të vogla për profesoratin dhe masën studentore. Përmbajtësisht, ndarja e fondit shtetëror për arsimin e lartë midis universiteteve publike dhe atyre private, rritja e përshkallëzuar e tarifave  studimore dhe mosmarrja parasysh e kushteve studentore kanë mbetur të paprekura në projektligj. Ajo që ka lëvizur paksa në rreshtat e draftreformës përfundimtare në raport me dy të parat është “vlerësimi” i votës studentore me 10% të peshës totale  dhe përjashtimi i profesoratit aktual prej kontratës njëvjeçare, aq shumë të kritikuara nga masa universitare, por që nuk sjellin ndryshime demokratike në universitet. Kjo reformë, sipas të pranishmëve, nuk duhet lënë  të kalojë, ndaj meriton një kundërpërgjigje të fortë unitare. Gjithsesi, gjendja e vështirë në të cilën ndodhet arsimi publik shqiptar nuk shpërfaqet vetëm në universitet. U bënë vite që shkolla e mesme publike është dobësuar ndjeshëm si në rezultate mësimore, ashtu edhe si në përgatitjen e të rinjve drejt rrugëve të reja të jetës. Kjo për shkak të disa faktorëve. Së pari, emërimet e pakontrolluara partiakë në drejtimin e gjimnazeve kanë prodhuar struktura të dobëta dhe të korruptuara shkollore. Së dyti, buxheti i pamjaftueshëm për  arsimin publik, më i ulëti në rajon dhe historinë pluraliste prej mbi dy dekadash, bën që në gjimnazin publik të mungojnë shumë gjëra elementare për zhvillimin normal të mësimdhënies dhe mësimnxënies ditore, ndër të cilat theksohet infrastruktura e amortizuar, keqpagimi i trupës mësimore dhe mungesa e ngrohjes në klasa. Së treti, ndryshimet kurrikulare në gjimnazet publike, ku disa lëndë të rëndësishme shoqërore (si filozofia për shembull) janë zëvendësuar me lëndë të papërshtatshme dhe joedukative (si “këshillim karriere”). Së katërti, marrëdhëniet e konservuara të gjimnazistëve, prindërve dhe mësuesve në raport me shkollën e kanë kthyer këtë të fundit jo rrallë herë drejt imponimit shtypës të pozitave autoritare dhe pasqyrim të dhunës së gjithanshme shoqërore. Ndërkohë, sipas disa testimeve të Ministrisë së Arsimit dhe Sporteve, në të gjitha shkollat 9-vjeçare publike gjendja është katastrofike. Në gjuhë dhe letërsi 24% e nxënësve nuk arrijnë të shkruajnë një hartim, ndërsa 31% e tyre kanë arritur të marrin vetëm 1 pikë në këtë detyrë. Ndërsa në njohuritë matematikore 45%  e nxënësve nuk arrijnë të kryejnë llogaritjet përkatëse aritmetike duke marrë 0 pikë në provim. Kjo situatë, e rënduar sidomos në shkollat dhe komunitetet e margjinalizuara periferike, tregon se keqshkollimi deri në analfabetizëm po rritet me hapa të shpejtë në mesin e popullsisë së re. Edhe këtu, siç kanë dëshmuar mjaft pamje publike dhe skandale gazetareske, kurrikulat lenë për të dëshiruar me gabime serioze gjuhësore dhe konceptuale. Ky ishte një tjetër mars pa mimoza. Nxënësi nuk kishte çfarë t’i dhuronte mësuesit dhe anasjelltas. Dija dhe institucionet e arsimit përbejnë shtyllën jetike të përparimit shoqëror, të ndërtimit të vetëdijes kolektive dhe qytetare. Por për masën milionëshe të riosheve tanë, pranvera ende nuk ka ardhur. Sistemi aktual i shkollave publike të të gjithë rangjeve nuk përfaqëson më misionin e dijes dhe përgatitjes së qytetarit shembullor, ndaj mbetet domosdoshmëri reformimi i tij rrënjësor. Por reforma e propozuar deri më tani nuk e premton diçka të tillë. Në takimin jubilar të kësaj date ministrja Nikolla mbajti një fjalim të gjatë dhe metaforik, në thelb të së cilit nuk thuhej asgjë. Njësoj si një shekull më parë, ekzistenca e shkollës shqipe vihet në rrezik nga burokratë të papërgjegjshëm, prirja për ta tregtarizuar atë dhe reformat privatizuese qeveritare. Po ashtu, shkolla shqipe sot më shumë se kurrë kërkon hapjen e saj drejt horizonteve te reja.  Në atë botë, nxënësi do të çojë mimoza për mësuesin dhe mësuesi pranverën për nxënësin. *** Universitetin universitarëve, as biznesit, as qeveritarëve!  Dy javë më parë në mjediset e Qendrës Kulturore Ortodokse u prezantua projektligji përfundimtar për reformimin e arsimit të lartë. Në këtë takim të lajmëruar vetëm pak orë para mbajtjes së tij dhe të rezervuar për publikun e gjerë, u shfaq edhe njëherë trupa përkrahëse e këtij projektligji si zyrtarë të Ministrisë së Arsimit dhe Sporteve, komisionarët privatë të hartimit të reformës, parlamentarë dhe ushtarakë, figura të njohura publike dhe radhë duartrokitëse të rinisë partiake. Pra të ashtuquajturit grupe interesi, që në të vërtetë nuk përfaqësojnë kurrfarë interesi publik, por vetëm interesa private, partiake dhe privilegjuese. Pas marrjes së lajmit, disa aktivistë të lëvizjes “Për Universitetin” u grumbulluan në hyrje të Qendrës Kulturore për të shfaqur mospajtimin e tyre me natyrën e rezervuar jodemokratike të takimit dhe premisat parimorë të këtij projektligji kundrejt zyrtarëve më të lartë të institucioneve arsimore dhe vetë kryeministrit të vendit. Por përveç zv.ministrit të Arsimit dhe Sporteve A. Mazniku dhe ardhjes me veturë të zezë luksoze mu në mjediset kishtare të ministres Nikolla, kryeministri nuk erdhi. Me gjithë prezencën e panevojshme të njësitit policor, shpërfilljes së medias dhe mosardhjes së kryeministrit, aktivistët qëndruan për rreth një orë pas nisjes së takimit, për t’u shpërndarë më pas me premtimin se kjo reformë nuk duhet lënë të kalojë. Në komunikatën e lëshuar për shtyp, aktivistët e kësaj lëvizjeje ndër të tjera thonë: Kryeministri Rama, së bashku me shpurën e burokratëve të kompromentuar, pronarët e diplomoreve private dhe rininë e falimentuar partiake, prezantoi projektligjin për reformimin e arsimit të lartë. Ky projektligj na bëri ne, aktivistët e lëvizjes “Për Universitetin”, të dalim në rrugë për shkak të natyrës së tij përjashtuese, privuese dhe privatizuese. Ky projektligj e thellon keqbërjen qeveritare në arsimin e lartë: ndan fondet shtetërore midis universiteteve publike dhe atyre private, i kthen universitetet publike në ndërmarrje ekonomike, rrit tarifat studentore dhe i zhvesh studentët nga e drejta e vendimmarrjes brenda universitetit. Ky projektligj nuk duhet dhe nuk ka për të kaluar! Universitetin universitarëve! As biznesit, as qeveritarëve!”
This image has an empty alt attribute; its file name is direct
Ky artikull është botuar nën licensën CC BY-SA 4.0.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.