Rreth teatrit politiko-kriminal

/Organizata Politike/ Këto ditë shoqëria shqiptare ndodhet në pozitat më çmeritëse spektatoriale të këtyre dy dekadave teatri politik. Rasti i denoncimit të parlamentarit Doshi se titullarë të strukturave më të larta shtetërore kanë paguar për eliminimin e tij dhe të parlamentarit Fufi mundësoi daljen në pah të llumit ku janë përfshirë të gjithë: pushtetarë të sotëm e të djeshëm, gangsterë dhe gjykatës, gazetarë dhe prokurorë, akuzues dhe të akuzuar, vrasës me kollare dhe pa kollare. Me pak fjalë, të gjitha forcat legale dhe jolegale që mëkëmbin rendin shoqëror ekzistues. Në këto kushte, çështja nuk është të gjesh fajtorin te pozita apo opozita parlamentare dhe as të besosh se gjykata do t’i japë zgjidhje kësaj ngjarjeje sepse kështu biem në grackat e arsyes zyrtare: të pozicionimit në cirkun e gënjeshtërt të hedhjes së fajit. Zgjidhja konsiston te denoncimi dhe distancimi i plotë prej klasës politike, që me veprimet dhe mosveprimet e saj shkakton çdo ditë viktima në radhët e popullsisë. Sakaq të besosh te prokuroria, është po aq kotësi cinike sa i të akuzuarve shtetërorë që bëjnë thirrje t’i drejtohesh gjykatave në pozitat e akuzuesit dhe nuk besojnë te drejtësia e saj në pozitat e të akuzuarit. Drejtësia e vërtetë nis me akuzimin frontal të kësaj klase politike dhe mobilizimin e gjerë popullor për rrëzimin e saj. Procesi i dekriminalizimit në emër të të cilit po luhet ky teatër politik është sa i pamundur, aq dhe iluziv. I pamundur pasi vetë partitë politike dhe fuqia e tyre parlamentare mëkëmben nga struktura të paligjshme që përmes parave të pista, lidhjeve fisnore dhe autoritetit kriminal sigurojnë u elektoratin legjitimues në këmbim të administratës lokale. Iluziv pasi krimi nuk konsiston vetëm në figura periferike me të kaluar kriminale, por edhe te modeli ekonomik neoliberal i pushtetarëve të djeshëm e të sotëm, parlamentarëve të korruptuar dhe intelektualëve të kompromentuar, efektet e të cilit janë ku e ku më të rënda se ato të çdo banditi analfabet funksional me veshje zyrtari. Ky model po shtyn gjithnjë e më shpejt sa e sa njerëz drejt varfërisë, dëshpërimit, kriminalitetit dhe vetëvrasjes. Ky është krimi i të gjitha krimeve. Ne, aktivistët e Organizatës Politike, dënojmë me mllef e bindje këto akte që shpërfaqin natyrën e vërtetë të përfaqësuesve tanë politike dhe nxisim gjithkënd të artikulojë mospërfaqësimin e vet prej këtyre forcave që e kanë çlegjitimuar pa kthim veten dhe institucionet që mbajnë të pushtuara prej kohësh. Ky shtet dhe këta shtetarë nuk janë më tanët. Pushteti duhet rikthyer te populli, pasi buron nga populli dhe duhet të ushtrohet për popullin.
This image has an empty alt attribute; its file name is direct
Ky artikull është botuar nën licensën CC BY-SA 4.0.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.