Aksioni politik radikal: dilema dhe dialektika

/Klodi Leka/ Historikisht ekzistojnë dy metoda politike për të nxitur mendimin dhe veprimin emancipues kolektiv: së pari, përmes gjendjes së jashtëzakonshme, përmes situatave të dhunshme ku gjërat dhe njerëzit lëvizin aq shpejt, saqë edhe mendimi është i kushtëzuar të ndjekë rrjedhën e tyre; dhe së dyti, përmes këmbënguljes dhe vazhdimësisë, ku veprimi kushtëzohet në lidhje të drejtpërdrejtë nga të menduarit dhe jo të menduarit nga veprimi. Pra këto dy forma aksioni politik kanë ndjekur hap pas hapi historinë njerëzore, me rezultate sa katastrofike, aq edhe domethënëse për kujtesën e botës. Ia vlen të ndërmendim dy raste konkrete që shprehin më së miri format e sipërthëna, jo edhe aq për të formalizuar kundërshtitë e papajtueshme midis tyre, gjë që nuk është e vërtetë, por për t’i dhënë konturet simbolike secilës formë veprimi. Të trija rastet kanë ndodhur përgjatë dekompozimit të një ndër fuqive më të mëdha perandorake që kanë njohur deri më tash sytë e njeriut, në Perandorinë Romake, që për ironi të fatit i shkon për shtat rendit ekzistues botëror dhe politikave të tij të palirisë. Rasti i parë është Revolta e Spartakut, ku me mijëra skllevër të perandorisë romake, të revoltuar me pozitat e tyre shoqërore në rendin ekonomik, politik dhe juridik të kohës që i cilësonte dhe reduktonte në thjesht mjete pune, në shtazë, në gjallesa pa mendim e pa zë, u hodhën në revoltë kundër padronëve të tyre, klasës drejtuese romake. Kjo revoltë, e cila e gjente fuqinë dhe legjitimitetin e saj jo vetëm në shtypjen shumëshekullore të shumë popujve e brezave, por edhe në figurën karizmatike të prijësit të saj, Spartakut, arriti t’i dridhte themelet e perandorisë së kohës, që ngrihej mbi plaçkitjen dhe punën e skllevërve e kalbej në shthurjet e babëzitura të drejtuesve të saj. Mirëpo përtej shtypjes së padurueshme të skllevërve dhe thirrjes universale të revoltës së tyre, që arriti të mblidhte rreth vetes gjithë të shfrytëzuarit e kohës dhe përkundër gjasave (e maktheve) arriti të avanconte me shpejtësi drejt qendrës perandorake, kjo revoltë u shtyp. Poezia çliruese e saj nuk mjaftoi, dhe më shumë mundësi kurrë nuk ka për të mjaftuar, për sa kohë mbetet poezi, sado e fuqishme qoftë. Revoltës së skllevërve i mungonte jo edhe aq fuqia, por projekti që e kanalizon këtë fuqi drejt ndërtimit të një rendi shoqëror tjetër, më të drejtë e më të barabartë. Rasti i dytë konsiston në historinë e krishterimit të hershëm dhe përndjekjes mizore të tij nga perandorët histerikë romakë si Neroni dhe Kaligula. Kjo histori, e mbushur me tmerre dhe persekutime, rrëfehet më së miri në romanin historik “Quo Vadis?” (Ku shkojmë?) të Henrik Sienkevicit, në të cilin paraqitet përmes një qartësie pothuajse të pamundur i gjithë degradimi perandorak, raportet e pushtetit me vetveten e të shtypurit, marrëdhëniet ekonomike dhe idetë mbizotëruese, nëntoka dhe rezistenca e të krishterëve ndaj vanitetit steril dhe pushtetit çmendurak. Në këtë roman skicohen mjaft mirë bazat fillestare filozofike të krishterimit, të hedhura këto në gojën e Palit tek propagandon sheshimin e të gjitha dallimeve pasurore, politike, kulturore, nacionale etj. Po ashtu edhe veprimi praktik i të krishterëve që takoheshin tinëzisht nën ura, në gurore, në pyje dhe lagjet periferike romake për të kryer ritualet fetare. Interesante është edhe ndërlidhja mes veti e të krishterëve, të cilët gjendeshin kudo, që në lagjet e mjeruara në pallatet perandorake, në kopenë e qenieve pa mendim e pa zë deri në nomenklaturën e artistëve, ushtarakëve dhe të privilegjuarve të kohës. Një rrjet i madh dhe i shkëlqyer rezistence, ku ndërlidheshin trupa dhe ide, gjuhë dhe të vërteta, por që për fatin e keq kjo rezistencë ishte tejet pasive. Aq pasive, saqë edhe në çastin e persekutimit mizor, të djegies në turrën e druve apo hedhjes në mesin e luanëve, të krishterët, që ishin me shumicë në mesin e spektatorëve, heshtin dhe shikonin me shpresën se tiranëve do t’i vrasë ndërgjegjja për këto akte dhe se faji do t’i gërryente gjer në vdekje, gjë që natyrisht nuk ndodhte. Dallimi midis këtyre dy forcave të rezistencës, që do të përmblidhen në formë sinteze dialektike përmes një tjetër rezistence të të shtypurve brenda Perandorisë Romake, ka të bëjë me faktin se spartakistët kishin fuqinë pa ide, ndërsa të krishterët idenë pa fuqi. Vetëm ndërthurja e këtyre dy komponentëve, idesë dhe fuqisë, mund ta finalizohet me produktivitet rezistenca, si kritikë dhe si krijim. Sot, thellimi i mëtejshëm dhe i ashpërsuar i ndarjes shoqërore brenda kapitalizmit të vonë global, i shprehur në politikat qeveritare neoliberale dhe rezultatet katastrofike të realizimit të tyre, ka hedhur në mes të katër rrugëve me qindra-mijëra qytetarë, kryesisht të klasave të varfra e periferike, të cilët pak nga pak kanë nisur të mobilizohen rreth një rrjeti të madh rezistence. Siç kemi parë kohëve të fundit, protesta të dhunshme po ndodhin kudo, në zemër të qytetërimit perëndimor, në Ballkanin e përzhitur, në Lindjen e prangosur, në viset amerikano-latine, madje dhe në “perandorinë e lirisë”, në Amerikë, ku segregacioni social dhe racor po merr përmasa të paparashikueshme. Kjo rezistencë buron nga tri qendra të pakënaqësive: nga universiteti, nga lagjet periferike dhe masat e shpunësuara punëtore. Ajo është shfaqur në format e protestave paqësore, të dhunës pasive (ekspozimi i trupave) apo përplasjes fizike të forcave. Ato organizohen nga anarkistët, antikapitalistët, antiqeveritarët, antiglobalistët. Nga “anti”-t. Mirëpo, problemi i kësaj rezistence, edhe pse drejtohet kundër politikave privatizuese neoliberale në universitet, në ekonomi, në shërbime sociale etj. konsiston në faktin e mosndërlidhjes së tyre brenda një fronti ndërkombëtar, një Internacionaleje që përvijon kritikat dhe kërkesat rreth projekteve të pranuara ndërkombetarisht nga të gjitha forcat progresiste dhe revolucionare. Pra mungon një pakt. Sepse gjer më sot, dhuna e anarkistëve dhe pacifizmi i masave milionëshe nuk po jep asnjë rezultat. Procesi i shpronësimit, shpunësimit dhe përplasjes sociale shkon i sigurt drejt degradimit të mëtejshëm të tij. Neoliberalizmi shfaqet si i parrëzueshëm, si i vetmi dhe i pamposhturi, a thua se përtej tij nuk ekziston asgjë pos kaosit, tmerrit të së shkuarës të rikthyer (stalinizmave) dhe pamundësisë së rikthimit të po kësaj të shkuare (shtetit social të shoqërive industriale). Por jo vetëm ne ide, por edhe në praktikë, në qëllime duket se rezistenca është e shpërndarë, e izoluar, fragmentare. Anarkistët vazhdojnë t’i bien të pashqetësuar teneqes dogmatike të shkuljes së shtetit, pa marrë në analizë kritike qëndrimet dhe praktikat e të shkuarës së tyre, duke u qëndruar besnikë çasteve melankolike të viktimizimit. Pacifistët konsumojnë këngë dhe poezi. Radikalët mbeten të pavendosur. Komunistëve u ka mbetur rraketikja diku gjetkë. Antiqeveritarët mendojnë se zbukurimi i krizës do të zbuste krizën. Feministet vrapojnë nudo nëpër qytet. Blokupistët dhe antikapitalistët e tjerë kanë ngecur në romantizma pa horizont. Ekologjistët nuk arrijnë të formulojnë kritika dhe kërkesa të qarta. Ndërsa liberalët dhe socialdemokratët nuk kanë ç’të thonë rreth krizës pasi çdo mendim dhe akt i tyre çon në krizë. Rezistenca endet në agoninë e pamundësisë për ta ndaluar shtetin të ndjekë politikat represive, për t’i imponuar politika antikrizë apo dhe për ta marrë shtetin në kontroll. Si tërheqja, edhe si revanshi në raport me shtetin duket se nuk prodhon rezultat. Si detyrimi, edhe si marrja në dorë e shtetit, në kushtet ku shteti është reduktuar ne thjesht mekanizëm ndërlidhës i qarkullimit të kapitalit global, nuk çon gjëkundi veçse në izolim dhe varfëri. Rendi i kapitalizmit të vonë global është regjimi më i sofistikuar dhe i fuqishëm i historisë njerëzore. Rënia e tij është e barazvlefshme me djegien e Romës, që përshkruhet me bukuri të tmerrshme te “Quo Vadis?”-i. Apo në poezinë e Podrimjes tonë të madh: “Kthehu andej nga erdhe/ në vargun e Homerit/ Troja ra/ dhe Marsejezën kahmot s’e këndojnë më njerëzit”. Pra, ç’të bëjmë? Ç’të bëjmë kur të gjitha format e dermëtanishme të rezistencës nuk premtojnë rezultate domethënëse? Si ta ndërlidhim fuqinë nihiliste të spartakistëve me durimin e të krishterëve? Kjo nuk është pyetje e thjeshtë. Madje, dhënia e një përgjigje të qartë kësaj pyetjeje do të ishte zgjidhje e një gjëegjëze që për shumë dekada me radhë ka shqetësuar mendimin teorik dhe lëvizjet emancipuese moderne. Gjëegjëzës së raportit problematik të lëvizjeve masive shoqërore me shtetin, përmbajtjen dhe format e organizimit te tij, pjesëmarrjen dhe demokracinë direkte marrëdhëniet me klasat dhe shtetet e tjera. Përgjigje që as që më shkon ndërmend ta jap unë, jo vetëm prej kufizimit në përgatitjen teorike dhe përvojën praktike, por edhe prej mungesës së një guximi të tillë, prej vetëdijes se çdo sistem shoqëror i ndërtuar përfundimisht herët a vonë do të çojë ne kontradikta të mëdha dhe, për rrjedhojë, në domosdonë e tejkalimit të vetes: spekulimit dhe abstragimit metafizik. Mirëpo nisur nga historia politike e Romës, së cilës dhe i referohemi, mund të parashtrojmë si sintezë dialektike midis fuqisë spartakiste dhe idesë së krishterë një nga ngjarjet më domethënëse të historisë politike romake: revoltën e madhe të plebenjve, Secessio plebis-in në Aventin. Një ditë të bukur, masa e plebenjve të Romës, të diskriminuar në raport me patricët, tërhiqen në kodrat e Romës. Ata shpallin bojkotin. Ky bojkot do të çonte në paralizimin e plotë të jetës ekonomike dhe sociale romake. Por jo vetëm kaq. Romakët, që për shumë breza me radhë qenë mësuar se shfrytëzimi i kësaj klase ishte diçka normale, u tromaksën kur mësuan se kjo revoltë nuk ishte thjesht rebelim biologjik për trajtim më të zbutur dhe për më shumë gjellë, por ishte revoltë e pastër politike. Plebenjtë e tërhequr në kodra formuan menjëherë asambletë dhe këshillat, kritikat dhe kërkesat, institucionet që bënin të mundur komunikimin demokratik midis tyre dhe përfaqësuesit që do të drejtonin negociatat me patricët. Patricët fillimisht zunë t’i kërcënonin, dhe kur kjo nuk dha rezultat përballë rezistencës kolektive e paqësore, shkuan t’i vizitonin me të dërguar të posaçëm, të cilët, po ashtu u tronditën nga bindja e plebenjve në kërkesat e tyre: ata kërkonin barazi në qytetarinë romake dhe pikë. Gjë që ndodhi pjesërisht, por që gjithsesi nuk e humbiste domethënien e madhe historike që do të frymëzonte shumë popuj te tjerë shekujve pasardhës për t’i hyrë rrugës së gjatë e të mundimshme të lirisë. Që këtu lindi edhe koncepti proles, pra njerëz që gjatë regjistrimit si qytetarë romakë nuk kishin pasuri tjetër veç fëmijëve. I referohem kësaj ngjarjeje për të vënë në dukje dy dobësitë e fuqisë spartakiste dhe idesë së të krishterëve që në kontekstin politik aktual përkthehen në dy dobësitë e projektit politik të atyre që tentojnë tejkalimin e shoqërisë së organizuar sipas sistemit kapitalist dhe atyre që synojnë përmirësimin e tij në kushtet aktuale. Së pari, nuk mund të kërkosh tejkalimin e rendit shoqëror ekzistues, gjë që mund ta bëjnë vetëm forca të mëdha shoqërore si punëtoria, studentët, fshatarësia dhe masa e madhe e të përjashtuarve periferike. Nuk mund ta kërkosh pasi punëtoria klasike nuk ekziston, studentët nuk janë të ndërgjegjësuar, fshatarësia nuk prodhon dhe të përjashtuarit periferikë në pamundësi ndërgjegjësimi mobilizues priren drejt formave ekstremiste të shprehjes së pakënaqësisë. Së dyti, nuk mund të kërkosh ndryshimin brenda suazave të tanishme të rendit shoqëror që priret drejt shpërndarjes së çdo forme të organizimit kolektiv dhe çdo kategorizimi shoqëror drejt reduktimit të njeriut në konsumator, individ, votues, taksapagues – pra në thjesht instrumente pa mendim dhe zë publik. Ndaj edhe domethënia e revoltës së plebenjve dhe tërheqjes së tyre në Aventin mund të përkthehet si tërheqje masive e jona nga sistemi politik aktual përmes bojkotit të zgjedhjeve dhe formave të tjera të demokracisë së reduktuar në procedurë. Përmes grevave në fasoneri, në call centera, në miniera dhe fabrika, në transportin publik dhe sipërmarrjet e tjera ekonomike. Përmes zaptimit dhe vetadministrimit demokratik të universiteteve. Përmes bindjes së të përjashtuarve të periferive urbane dhe rrethinave rurale që t’i bashkohen pjesës tjetër të shoqërisë. Pra duhet një bojkot masiv që e organizon popullin në sindikata punëtore dhe në bashkime studentore, në këshilla dhe asamble, në klasa dhe kategori sociale që do ta detyronin shtetin t’i kthehej popullit dhe popullin vetvetes. Siguri kjo që do të ruhej në çdo moment në kushtetuta dhe nga organizimet e sipërpërmendura. Ky është mësimi i vyer i Aventinit. Ky është aksioni politik radikal që do t’i jepte zgjidhje dialektike dilemave dhe do të ndërtonte Aventinin tonë të ri.
This image has an empty alt attribute; its file name is direct
Ky artikull është botuar nën licensën CC BY-SA 4.0.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.