Historia e një nëpunësi

/Hajdi Bengu/ Albumi “Historia e një nëpunësi” (Storia di un impiegato) i kantautorit Fabrizio de Andrè u lançua në një dekadë të mbushur me ndryshime të mëdha dhe lëvizje sociale (1968-1977), gjatë së cilës muzika ishte një nga mjetet kryesore që u lejonte klasës punëtore dhe studentëve të gjenin mbështetje morale për lëvizjet dhe protestat e tyre. Këngët përmbanin një vlerë të madhe simbolike dhe jo vetëm kaq. Siç ndodh me shumë albume të tjera të Fabrizio de Andrèsë, edhe albumi i titulluar “Historia e një nëpunësi” është një ‘koncept-album’. Kjo do të thotë se të gjitha këngët e albumit janë të lidhura, në mënyrë kronologjike, me një koncept të përbashkët, me një ide qendrore që përfaqëson temën kryesore të albumit, si të ishin kapituj të një libri. Asnjëra prej këngëve nuk mund të konceptohet jashtë albumit, e veçuar nga këngët e tjera. Në rastin e albumit “Historia e një nëpunësi”, ky koncept rezulton edhe më i rëndësishëm për shkak se nëpunësi ynë pëson ndryshime në karakter nga kënga në këngë. Lista e këngëve të albumit është:
  1. Hyrje 2. Kënga e Majit 3. Bomba brenda kokës 4. Në ballon me maska 5. Ëndrra numër dy 6. Kënga e babait 7. Bombëvënësi 8. Do vijnë të të pyesin për dashurinë tonë 9. Në çastin tim të lirisë
‘Kënga e Majit’ është një riprodhim në italisht i këngëve të studentëve francezë, të cilët ishin të parët që i dhanë zë revoltës emancipuese të majit ’68 në Paris. Në këtë këngë, De Andrèja na kujton se armiqtë e ndryshimit nuk janë vetëm policët dhe pronarët, por edhe të gjithë ata që, megjithëse mund të merrnin pjesë në demonstrimet dhe përplasjet në rrugë, preferuan të mbylleshin në shtëpi dhe në këtë mënyrë ndihmuan në rrëzimin e manifestuesve dhe të revoltës studentore. “Edhe pse ju mendoni se jeni të pafajshëm/Jeni gjithsesi të përfshirë” është një nga vargjet ikonë të kësaj kënge, që e këndojnë studentët te cilët, edhe pse të mundur, kërcënojnë se do të dalin sërish në shesh, edhe më të fortë. Megjithatë nuk është revolta e majit ’68 tema kryesore e albumit, por historia e një nëpunësi të thjeshtë rreth të tridhjetave i cili, si shumë nëpunës të kategorisë të tij, është i dhënë më shumë rreth çështjeve të përditshme dhe familjare. Te ‘Bomba brenda në kokë’, duke dëgjuar koret e studentëve protestues, nëpunësi pyet veten se pse djem dhe vajza pak më të rinj se ai, në vend që të jepen pas një jete të thjeshtë me një vend pune të sigurt, dalin në manifestime të egra dhe revolta të dhunshme të predestinuara të dështojnë. Kështu, pak nga pak ai e kupton se bën pjesë në ata persona kundër të cilëve studentët po luftojnë, i mbyllur në botën e tij të vogël borgjeze për shkak të nënshtrimit automatik që të imponon pushteti kur e pranon. Pikërisht në atë moment ai kupton se ka forcën e duhur për t’u rebeluar i vetëm fillikat kundër pushtetit, edhe pse protestat studentore kanë mbaruar. Dhe fillon të ëndërrojë. De Andrèja i projekton kronologjikisht ëndrrat në këngët 4, 5 dhe 6 të albumit. Në këto këngë, nëpunësi i kategorizon format e ndryshme të pushtetit, duke përfshirë atë borgjez dhe atë prindëror, dhe duke gjetur një fije që i lidh këto pushtete. Fillimisht ëndërron vendosjen e një bombe në një ballo me maska, në të cilën janë mbledhur të gjitha ato personazhe që simbolizojnë pushtetin. Në këtë ballo është Krishti, që përfaqëson klasën e klerikëve, tashmë të pasur dhe egoiste. Është edhe admirali Nelson, pushtues krenar kolonialist, i cili i solli triumfin flotës së tij në Trafalgar, por humbi jetën në betejë. Çfarë alegorie për të dënuar absurditetin e luftës! Bomba nuk kursen askënd. Ajo është gjithëpërfshirëse, shkatërron çdo dashuri dhe çdo urrejtje, çdo shpresë dhe çdo keqardhje. Në ballo janë edhe prindërit e nëpunësit, figurat që në jetën e gjithsecilit janë të parat që simbolizojnë pushtetin. Edhe ata do të shpërthejnë nga bomba, duke e liruar nëpunësin nga autoriteti i tyre. I fundit shpërthen miku që i ka mësuar nëpunësit artin e vendosjes së bombës. Këtu vjen në dritë pika më e lartë e individualizmit, ajo liri që për të qenë e plotë nuk duhet të kursejë apo falënderojë askënd dhe të mos i kërkojë falje askujt. Kjo tregon se në album tregohet fillimisht historia e një individualisti të mundur. Aksioni vetmitar, hakmarrja vetmitare, gjithçka shikohet në funksion të lirisë nga gjithçka sepse gjithçka është pushtet: pronarët, policët, miqtë, prindërit. Por iluzioni i nëpunësit do të zgjasë pak. Në këngën e radhës (ëndrra numër dy) nëpunësi është kapur në flagrancë dhe gjendet para një gjykate. Zbulon aty, përmes fjalëve të gjykatësit, se pushtetarët e falënderojnë për bombën sepse pushteti duhet rinovuar, nuk mund të qëndrojë për shumë kohë në të njëjtat duar. Kështu, duke shkatërruar me anë të bombës një pjesë të pushtetit, nëpunësi fillon të bëjë pjesë në pushtetin që ai vetë donte të asgjësonte. Ja pushteti, që tregohet çuditërisht i pamposhtur prej individëve që veprojnë të vetëm: nëse rebelohesh, të tërheq në radhët e tij; nëse kërkon ta godasësh, e ke ndihmuar. Kënga e radhës (kënga e babait) ngre shumë pikëpyetje, të cilave vetëm de Andrèja do të mund t’u jepte përgjigje. Siç duket, nëpunësi është në një gjendje mendore konfuze. Ai zë vendin e babait të tij në piramidën komanduese të pushtetit që në këngë simbolizohet nga një urë prej të cilës ai shikon anijet e vogla, të cilat mund t’i drejtojë ku të dojë dhe anijet e mëdha, të cilat e dinë vetë se ku do të shkojnë. Metafora është e qartë: je pjesë e pushtetit dhe mund të komandosh dikë, por gjithashtu do të të komandojë dikush. Nëpunësi në këtë pikë zgjohet nga ëndrra. Është i djersitur, por i ka idetë e qarta. Kënga tjetër është “Bombëvënësi” (Il bombarolo), një nga baladat më të bukura të de Andrèsë. Nëpunësi e ka kuptuar se objektivi i tij nuk mund të jetë një ballo e rëndomtë me maska e borgjezisë, por vetë p-parlamenti, vendi ku pushteti kryen fizikisht rolin e tij. Për fat të keq, aftësia bombëvënëse e nëpunësit mbeti në ëndërr dhe, në vend të parlamentit, ai hedh në erë gabimisht një kioskë gazetash. Në këtë moment dëshpërimi, imagjinata e nëpunësit arrin pikën kulmore, ku i duket se shikon fytyrën e të dashurës e cila distancohet prej aktit të tij në njërën prej gazetave. Nga burgu i shkruan asaj një letër që tregon historinë e tyre të dashurisë (kënga “Do vijnë të të pyesin për dashurinë tonë”). Aty përshkruhen edhe mospërputhjet ideologjike midis të dyve. Në këtë këngë ka shumë trishtim për shkak të faktit se e dashura e nëpunësit nuk mundi dot t’u rezistonte veseve të shoqërisë borgjeze dhe iu dha burrit të parë që do mund ta mbante. Kënga e fundit e albumit (Në çastin tim të lirisë) tregon për burgun, institucioni i heqjes së lirisë, sipas mendimit të përgjithshëm. Por edhe burgu është një metaforë e botës: gardianët janë pushteti, të burgosurit janë viktimat e këtij pushteti. Këtu ai kupton se mënyra e vetme për të mposhtur pushtetin nuk është individualizmi egoist dhe steril, por mendimi dhe veprimi kolektiv. Individualizmi zëvendësohet nga një formë tjetër lufte: revolta në masë, pikërisht si studentët dhe punëtorët francezë të Majit 1968. Fundi i këtij albumi të mrekullueshëm është një lloj ftese që de Andrèja u bën të gjithëve, që edhe një herë, pavarësisht gjithçkaje, të tentojnë revolucionin masiv që në shekullin e kaluar u frymëzua nga idealet e barazisë, dinjitetit dhe mirëqenies për të gjithë. Albumi mbyllet me vargjet me të cilat u hap: “Edhe pse besoni se jeni të pafajshëm, jeni gjithsesi të përfshirë.”
This image has an empty alt attribute; its file name is direct
Ky artikull është botuar nën licensën CC BY-SA 4.0.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.