Jemi një!

/Maria Aliko/ Tani e dimë mirë se kush e ka hartuar, mbështetur e miratuar këtë projektligj. E ka hartuar qeveria e shkuar, ajo e cila sot hiqet si opozitë. E ka mbështetur qeveria e sotme dhe e kanë miratuar të dyja. Po! Të dyja. Edhe pse deputetët e Partisë Demokratike mungonin fizikisht gjatë votimit në parlament, ata e kanë mbështetur miratimin e këtij projektligj me heshtjen e tyre mbi njëvjeçare. Heshtja konsiderohet bashkëpunim në krim, ashtu të paktën thotë legjislacioni që kemi. Ndaj këtë të mërkurë, në orët e para të mëngjesit, 140 kriminelë vranë të ardhmen e brezit të ri, vranë të ardhmen e Shqipërisë. Me zërin e tij melodioz ku dallohej lehtë një ton vetëkënaqësie dhe me qetësinë e dashurinë që e karakterizon, Kryetari i Parlamentit na vrau jo vetëm ne që po protestonim jashtë parlamentit, por çdo të ri shqiptar, kur duke qeshur tha: ‘’Miratohet. Faleminderit deputetët që ishin të pranishëm!’’ Por ne do ua mbajmë mend fytyrat sa herë që do të na duhet të firmosim marrëveshjet e kredive studentore me bankat, sa herë liria e fjalës akademike do të cenohet nga elementët partiakë që do të shtrijnë tentakulat e tyre brenda hapësirave universitare për t’i kontrolluar ato. Do t’i kujtojmë fytyrat e tyre kur do të rritet numri i emigrantëve, papunësisë dhe kriminalitetit. Sa herë që do të ndjejmë pasojat e kësaj reforme do të dimë se cilët kanë qenë fajtorët. Kryeministri, edhe pse u miratua një nga reformat e tij më të suksesshme, siç e ka quajtur reformën për arsimin e lartë, vazhdon të mos jetë i qetë. Ai vazhdon duke mashtruar çdo qytetar shqiptar kur thotë se për arsimimin e të varfërve do të kujdeset shteti. Por cili shtet? Shteti i privatëve? Shtet i Çilit? Do të kujdeset Çili për të varfrit?! Atë natë, kryeministri dukej qartë se ishte i frikësuar prej nesh. I frikësuar jo prej faktit se ne mund ta sulmonim atë fizikisht. Në këtë drejtim ai ishte i qetë, fundja derrat e tij të armatosur kurrë nuk do të na lejonin. As spiunët e tij civilë që qëndronin brenda makinave luksoze duke na ndjekur me sy për çdo hap. Kryeministri ynë ishte i frikësuar sepse atë natë iu bë e qartë se të rinjtë shqiptarë nuk janë të rinjtë e kafeneve, pushimeve të jugut dhe protestues facebook-u. Ata janë dhe do të jenë aty për të mbrojtur universitetin. Ai na ofendoi në mënyrë arrogante, na quajti sharlatanë, studentë e pedagogë të cilët përfitojnë nga gjendja aktuale e universiteteve dhe kjo tregoi qartë frikën e tij, njësojë si qeni i cili të sulmon për t’u mbrojtur. Tanimë, ne që ishim jashtë parlamentit në ditën më të nxehtë të vitit dhe ju zoti kryeministër që ishit brenda tij, ulur në karrigen tuaj të rehatshme, e kemi një të përbashkët. E dimë të dy që ju zoti kryeministër i keni punët pisk. Studentët anembanë Shqipërisë ndihen të përjashtuar e të revoltuar me miratimin e këtij projektligji dhe herën e fundit që studentët shqiptarë u revoltuan, pushtetarët s’i kishin punët mirë. Të dashur universitarë! Ju që atë natë qëndruat para parlamentit me orë të tëra, ju që keni qenë të pranishëm nëpër protesta, zaptime dhe marshime të organizuara nga Lëvizja Për Universitetin, ju që keni firmosur peticionin drejtuar Këshillit të Ministrave, ju që luftuat dhe besuat që kjo reformë nuk do të kalonte ashtu siç besova dhe luftova unë, kuptuat qartë që kjo qeveri private dhe antidemokratike nuk merr parasysh vullnetin e popullit. Megjithatë, ky konstatim nuk duhet të shërbejë si justifikim për të qëndruar kokulur dhe për t’u dorëzuar, por për t’u revoltuar dhe për të luftuar më fortë kundër qeverisë së Çilit dhe pro demokracisë. Asgjë nuk ka përfunduar, përkundrazi! Lufta sapo ka filluar. Jemi një!
This image has an empty alt attribute; its file name is direct
Ky artikull është botuar nën licensën CC BY-SA 4.0.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.