Agjitacion global (ii)

/David Harvey/

Vijim

Sigurisht ka disa probleme shumë të rënda që kërkojnë zgjidhje në formën neoliberale të kapitalizmit, por nuk jam dakord mbi faktin se problemi themelor është neoliberalzmi. Si fillim, ka vende të botës ku kapitalizmi neoliberal nuk është mbizotërues dhe ku sidoqoftë modeli ekonomik nuk funksionon për shumicën e njerëzve. Problemi, për t’i rënë shkurt, është kapitalizmi, jo ky model i veçantë neoliberal. Mendoj se po e kuptojmë gjithnjë e më shumë se ky është thelbi i problemit.

Vala aktuale e protestave shfaq shumë pak karakteristika të reja. Në tridhjetë vitet e fundit kemi parë disa lëvizje protestash, shumë prej të cilave janë përqendruar mbi përkeqësimin e cilësisë së jetës së përditshme, veçanërisht në zonat urbane. Ka pasur edhe protesta të punëtorëve, por është e qartë që lëvizjet realisht popullore e kanë pasur bazën kryesisht në kontekste urbane, dhe janë  zhvilluar duke ndjekur një logjike të ndryshme, të frymëzuara nga një përbërje e ndryshme klasore dhe shoqërore po t’i krahasojmë më luftërat proletare dhe ato të klasës punëtore, të cilat i kanë karakterizuar tradicionalisht luftërat antikapitaliste dhe teorinë antikapitaliste.

Për shembull, në Turqinë e 2013 ka pasur protesta kundër propozimit për ta zëvendësuar parkun Gezi, që ndodhet në zemër të Stambollit, me një qendër tregtare. Pas kësaj kanë marrë jetë një sërë ngjarjesh. Policia, me urdhër të presidentit Erdogan, i ka sulmuar dhunshëm protestuesit. Megjithatë në shesh kanë dalë edhe më shumë njerëz për të kundërshtuar dhunën e policisë. Sakaq protesta popullore kanë shpërthyer jo vetëm në Stamboll, por edhe në qytetet e mëdha të Turqisë. Për një periudhë të gjatë në të gjithë vendin ka pasur manifestime kundër mungesës së konsultimeve publike dhe një qeverie demokratike, efektet e të cilave ndihen ende sot.

E njëjta gjë ka ndodhur pak javë më vonë në Brazil. Në San Paolo një rritje e çmimit të biletave të autobusit ka shkaktuar protesta të studentëve. Guvernatori i shtetit (në vend të kryebashkiakut të San Paolos) e ka urdhëruar policinë ta shtypë me dhunë protestën, duke shkaktuar një lëvizje të gjerë rezistence popullore (pjesërisht të organizuar nga anarkistët e Black Bloc-ut) nga ana e studentëve. Në pak kohë protestat janë përhapur në qindra qytete të tjera të Brazilit. Në Rio ato kanë vazhduar ditë e natë. Protestat kanë shkuar përtej problemit të transportit. Zemërimi popullor për shpenzimin e shifrave të jashtëzakonshme për ndërtimin e stadiumeve dhe infrastrukturave të reja për Kupën e Botës në futboll dhe të Olimpiadës dhe për korrupsionin kanë nxjerrë në shesh një numër të stërmadh protestuesish. Nuk është se brazilianët nuk e duan futbollin, por ishin të zëmëruar me mënyrën se si u shpenzuan shuma kaq të mëdha parash për të tilla infrastruktura, ndërkohë që mungonin fondet për spitale dhe shkolla dhe për të gjitha shërbimet e tjera të nevojshme për përmirësimin e cilësisë së jetës.

Historia e këtyre mobilizimeve është e gjatë. Përgjithësisht ato nuk zgjasin shumë; lindin kryesisht pa sinjale paralajmëruese e më pas shuhen, për të shpërthyer përsëri. Në tridhjetë vitet e fundit numri mobilizimeve popullore është rritur mjaft. Mbase gjithçka ka nisur me lëvizjen antiglobalizim kur u kundërshtua samiti i Organizatës Botërore të Tregtisë në Siatëll. Delegatët e OBT-së nuk mundën të mbërrinin në vendet e takimeve të tyre. Paskëtaj ka pasur një periudhë ku çdo takim i G20-ës, G8-s, FMN-së apo Bankës Botërore ishte motiv për të protestuar në mënyrë masive. Më vonë, më 2011 ka ndodhur Occupy Wall Street-i, që u kopjua nga lëvizje të ndryshme kudo në botë. Kemi parë vazhdimisht lëvizje popullore të këtij lloji që në shumicën e rasteve kanë pasur efekte te njëra-tjetra. Protesta në një pjesë të botës nxisin protesta edhe në zona të tjera të largëta.

Sidoqoftë, asnjëra prej tyre nuk ka zgjatur shumë, ndonëse rilindin në mënyrë periodike. Shpesh kanë qenë edhe mjaft të fragmentuara. Në këto mobilizime popullore marrin pjesë grupe të ndryshme që rrallëherë janë të koordinuar mes tyre, pavarësisht se zbresin të gjithë në të njëjtin shesh. Megjithatë, mbase gjërat po ndryshojnë. Libani, për shembull, ka pasur një histori të gjatë e të hidhur konfliktesh dhe luftërash civile, në pjesën dërrmuese për shkak të përplasjeve mes fraksioneve dhe grupeve fetare në luftë mes tyre. Sot (2019), nga ana tjetër, për herë të parë pas shumë vitesh të gjitha fraksionet fetare janë bashkuar (veçanërisht të rinjtë pa asnjë perspektivë ekonomike) dhe kanë nisur të protestojnë kundër formës së qeverisjes kleptokratike, autokratike dhe oligarkike të vendit dhe kundër mungesës totale të mundësive ekonomike, veçanërisht për të rinjtë. Me fjalë të tjera, të gjithë, pavarësisht përkatësisë fetare, janë pajtuar që modeli politiko-ekonomik i vendit nuk funksionon dhe që dallimet duhen lënë mënjanë për hir të ndërtimit të diçkaje të re. Për herë të parë fraksione të kundërta janë pajtuar dhe kanë nisur të dialogojnë për të protestuar kundër modelit politiko-ekonomik dhe për të kërkuar përpunimin e zgjidhjeve alternative (megjithëse  lloji i zgjidhjeve mbetet i panjohur).

Diçka të ngjashme e kam parë me sytë mi në Brazil, pas zgjedhjes së Bolsonaro-s, i cili është në krye të një qeverie thellësisht të djathtë, autoritare dhe krishtero-evangjeliste, megjithëse ithtar i neoliberalizmit. Në Brazil ka parti të ndryshme të majta në opozitë; është Partia e Punëtorëve, e cila është partia më e madhe e cila ka qenë më parë në pushtet, por ka edhe parti të ndryshme të vogla që kanë një përfaqësim politik. Çdo parti ka think tank-un e vet të financuar nga shteti: nëse ke deputetë në parlament, ke në dispozicion fonde për të krijuar think tank-e që kryejnë hulumtime politike. Ekzistojnë gjashtë parti politike të majta të cilat në të shkuarën nuk kanë dialoguar kurrë mes tyre. Përkundrazi, ato shpesh kanë qenë në një kontrast të dhunshëm. Mirëpo, kur kam shkuar në Brazil në pranverën e 2019-s, të gjashta partitë kishin rënë dakord për të organizuar një javë diskutimesh mbi situatën politike. Në përfundim të kësaj jave është thirrur një protestë popullore e përbashkët, ku kanë marrë pjesë të gjithë liderët politikë, të cilët kanë mbajtur fjalimet e tyre, janë përqafuar në skenë dhe që këtej ka lindur ideja e një të majte që mund të punojë bashkë në mënyrë të pashoqe. Nga ajo që di, e njëjta gjë po ndodh edhe në Kili: grupe të ndryshme të së majtës janë takuar dhe kanë nisur të flasin së bashku për perspektivën e shkrimit të një Kushtetute të re.

Mbase kthesa djathtas në politikën e të gjithë botës po frymëzon një shpirt më bashkëpunues tek e majta. Mbase këtë herë ka diçka ndryshe. Mbase mobilizimet e fundit mund të institucionalizohen dhe organizohen, në mënyrë që të kenë një fuqi që zgjat në kohë. Ka një dallim shumë të madh mes mobilizimit dhe organizimit. Në tridhjetë vitet e fundit është vënë re një aftësi e jashtëzakonshme e mobilizimeve thuajse të menjëhershme, pjesërisht falë mediave sociale. Edhe në Shtetet e Bashkuara kemi parë marshime të mëdha të grave, protesta për të drejtat e emigrantëve, Black Lives Matter, Me-Too e me radhë. Mobilizimi ka qenë spektakolar, por duket sikur mungon një aftësi organizuese në afatgjatë. Ajo që shohim tani është mbase fillimi i një afrimi mes të gjithë atyre ndiejnë se ka diçka të gabuar në modelin ekonomik; se duhet ndryshuar rrënjësisht në mënyrë që pjesës dërrmuese të popullsisë t’i garantohet shëndeti, mirëqenia, arsimi cilësor, pensioni i mirë e me radhë, në vend të një rritjeje të fortë ekonomike dhe rritjes së fitimeve të mëdha ekonomike për 1-përqindëshin ose 10-përqindëshin e parë.

Jam orvatur të mendoj thellë se ç’do të thotë kjo: ka një kontradiktë qendrore në mënyrën se si funksionon kapitali sot me të cilën duhet vërtet të përballemi. Dhe, nëse është kështu, cila na qenka kjo kontradiktë? Një problem natyrisht i madh është niveli i pabarazisë shoqërore. Pothuajse të gjitha vendet e botës kanë pësuar një rritje të pabarazisë shoqërore gjatë tridhjetë viteve të fundit. Shumë njerëz mendojnë se është kaluar shumë caku dhe që tani duhet të formohet një lloj lëvizjeje e cila të përpiqet të arrijë një nivel shumë më të lartë barazie në shoqëri, dhe që masave popullore t’u garantohen shërbime më të mira publike. Ky është njëri aspekt.

Aspekti i dytë është problemi i ndryshimeve klimatike dhe, më në përgjithësi, i degradimit të ambientit. E dimë që ndryshmi klimatik ka arritur një nivel që kërkon një përgjigje kolektive: kjo bëhet gjithnjë e më e qartë për një numër gjithnjë e në rritje personash në të gjithë botën. Grafiku i anhidridit karbonik gjatë 800,000 viteve të fundit, i realizuar nga National Oceanic dhe Atmospheric Administration, në Shtetet e Bashkuara ka pasur një përhapje të gjerë dhe implikimet e tij politike janë diskutuar mjaft. Ka probleme të rënda, në dukje të pazgjidhshme, të pabarazisë shoqërore dhe degradimit mjedisor, por ka edhe motive të tjera për ta konsideruar kapitalin jo vetëm gjithnjë e më të paarsyeshëm dhe të padrejtë në procesin e tij evolutiv, por edhe barbar e madje vrasës. Saktësisht ashtu sikundër Marksi mbeti i skandalizuar nga kushtet në fabrikat angleze (siç i kishin nxjerrë në pah Engelsi dhe relacionet e inspektorëve të fabrikave), duke i konsideruar ato çnjerëzore e tërësisht të papranueshme, edhe ne mund t’i shohim kushtet aktuale të fabrikave në Bangladesh apo në Kinë dhe të dalim në përfundimin se “nuk është kjo mënyra se si një botë e qytetëruar do duhej ta organizonte prodhimin e vet”. Po atëherë përse kapitali vazhdon ta organizojë në këtë mënyrë prodhimin, kur ekziston teknologjia për ta organizuar ndryshe?

Sot ekziston një tjetër faktor që Marksi nuk e kishte trajtuar, por që tani është thelbësor. Kapitali kërkon gjithnjë rritjen, dhe kjo sepse ai është i frymëzuar nga ndjekja e fitimit. Ekonomi kapitaliste e shëndetshme është ajo në të cilën të gjithë kanë fitime, që do të thotë se në fund të ditës ekziston më shumë vlerë se ç’kishte në fillim. Vlera që tepron në fund të ditës përdoret më pas, falë forcës së “ligjeve shtrënguese” të konkurrencës, për të krijuar vlerë tjetër. Rritja kapitaliste është rritje e përbërë dhe rritja e përbërë është sot problemi. Dimensionet e ekonomisë globale dyfishohen afërsisht çdo 25 vjet.

Në kohën e Marksit dyfishimi i dimensioneve të ekonomisë çdo 25 vjet nuk përbënte realisht një problem, mirëpo nuk është më kështu. Ekonomia prej 4000 miliardë dollarësh e 1950 është bërë një ekonomi prej 40.000 miliardë dollarësh në 2000, për të arrirë në 80.000 miliardë dollarë sot (në dollarë konstantë nga 1990). Nëse vazhdohet kështu, sipas ligjeve të lëvizjes së kapitalit, në 2050 do të kemi një ekonomi prej 160.000 miliardë dollarësh, prej 320.000 miliardë dollarësh në 2075 dhe 640.000 miliardësh në fund të shekullit. Kështu funksionon rritja e përbërë: kapërcen çdo barrierë dhe çdo kufi, megjithëse në vetvete duket se postulon pamundësinë për të plotësuar spiralen e saj të pafundme të rritjes.

Marksi citonte Richard Price-in i cili, më 1772, kishte shkruar një traktat mbi interesin e përbërë. Price-i kishte llogaritur që nëse dikush do të kishte investuar, në interes të përbërë prej 5 përqindësh, një penny në vitin e lindjes së Krishtit, më 1772 do të kishte pasur nevojë për 150 sfera të dimensionit të Tokës, të gjitha prej ari, për të qenë baras me vlerën e investimit të tij. Nëse penny do të investuar në interes të thjeshtë, më 1772 do të kishte pasur një vlerë prej 7 shilingë (ca të vogla). Marksi ishte kategorik mbi pamundësinë e një interesi të përbërë në afatgjatë, por ligjet abstrakte të botës së kapitalit sjellin një akumulim të pafundmë të kapitalit, pa limit. Që kjo rritje e përbërë të kishte potencialin për të arritur përmasa të tilla nuk kishte një problem i dukshëm kur shkruante Marksi. Mbase ai mendonte se ishte e paimagjinueshme që kapitali të mbijetonte kaq gjatë. Rritja eksponenciale e disponibilitetit global të parasë dhe valutave të kredisë globale duke nisur nga 1970 dëshmon për trajektoren e rritjes së përbërë dhe problemeve kritike që i shkaktohen prodhimit, shpërndarjes, konsumit dhe realizimit të vlerës në tregjet botërore në qeverisjen e kapitalit. Kapitali po ndesh në vështirësi reale në gjetjen e mundësive fitimprurëse të investimit për 80.000 miliardë dollarët që disponohen tani (shumë prej të cilëve të bllokuar në fonde investimi) dhe, pasi të gjenden, duhet t’ia nënshtrojë të gjithë fuqinë punëtore një shfrytëzimi të jashtëzakonshëm për të sanksionuar krijimin kompleksiv të vlerës së këmbimit në format e parave të krijuara. Ku dhe si kapitali para mund të investohet në mënyrë fitimprurëse është një problem kritik, veçanërisht sepse ekziston  vetëm një lloj kapitali që mund të akumulohet pafundësisht, dhe ky është kapitali para. Perspektiva për ta përdorur këtë masë të stërmadhe parash investimi për t’u bërë ballë dy problemeve themelore, degradimit mjedisor dhe pabarazisë shoqërore, pa ndërhyrjen e një qeverie botërore ose të paktën një koordinimi të fortë mes qeverive të botës, është afër zeros.

E përktheu Alfred Bushi

Imazhi: Reddit

Leave a Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.