Agjitacion global

/David Harvey/

Shpërthimi i luftërave politike gjithandej gjatë vjeshtës së 2019-s, nga Santiago i Kilit në Bejrut, Bagdad, Teheran, Paris, Kuito, Hong Kong, Indi, Algjeri, Sudan dhe shumë vende të tjera, të bën mendosh që ka diçka kronikisht të gabuar në botë. Problemet mund të lidhen pjesërisht me dështimin e qeverisjes demokratike dhe me shkëputjen nga praktikat politike mbizotëruese. Aspekti tjetër që shkakton shpesh pakënaqësi është modeli ekonomik sundues i cili do duhej të na garantonte një punë me të ardhura të përshtatshme, të na ofronte ushqim me çmim të përshtatshëm, rroba, këpucë, telefona dhe makina, duke ofruar njëkohësisht një sërë shërbimesh të përbashkëta (shëndetësi, arsim, strehim dhe transport) që mundësojnë një cilësi të mjaftueshme të jetesës së përditshme.

Ngjarjet e fundit në Kili duken paradigmatike jo vetëm të natyrës së problemeve, por edhe të mjeteve me të cilat këto probleme përballohen politikisht. E ndjek prej kohësh atë që po ndodh në Kili sepse ka qenë një prej vendeve që e kanë nisur rrugëtimin neoliberal që më 1973, kur gjeneral Pinochet rrëzoi nga pushteti, me anë të një grushti shteti ushtarak, Salvador Allende-n, presidentin socialist të zgjedhur demokratikisht, dhe solli “Chicago Boys”, ekonomistët që i dhanë vendit një model ekonomik neoliberal. Në një intervistë dhënë “Financial Times”-it në fillim të tetorit të 2019-s, presidenti Piñera, një sipërmarrës konservator, e përshkruante Kilin si një “oazë” të rritjes së shëndoshë, një ekonomi e fortë me indikatorë të shkëlqyeshëm. Vendi, thoshte ai, ishte në një gjendje të mirë, një model për vendet e tjera të Amerikës latine. Rreth tre jave më vonë, lajmet njoftonin për revolta në Santiago. Shkëndija fillestare ishte rritja e tarifave të linjave të metrosë. Në shenjë proteste nxënësit e shkollave të mesme dolën në rrugë (siç kishte ndodhur edhe më 2006). Piñera, i rehatuar në një restorant luksoz, premton se do t’i shtypte këto fundërrina  provokatorësh të jashtëligjshëm. Kjo ishte një ftesë e heshtur ndaj policisë për të vepruar dhe për ta shtypur pakënaqësinë më dhunë. Policia këtë po priste. Shumë persona iu bashkuan protestave. Disa stacione të metrosë, përpos tre kishave, u dogjën. Protestuesit iu mësynë supermarketeve. Qeveria shpalli gjendjen e emergjencës. Ushtria u nxor në rrugë dhe shumë shpejt miliona qytetarë të indinjuar zbritën në shesh për të protestuar në mënyrë paqësore kundër gjithçkaje, edhe kundër pranisë së ushtrisë (e cila nuk kishte dalë në rrugë që nga koha e diktaturës). Piñera në fund e kuptoi që duhej të dëgjonte dhe të bënte diçka. Ai vendosi të rriste pensionet dhe sigurinë shoqërore, si dhe rriti pagën minimale. Hoqi gjendjen e emergjencës dhe urdhëroi tërheqjen e forcave të sigurisë. Shumë shpejt u përhap kërkesa për një kushtetutë të re: ajo ekzistuese neoliberale ishte bërë gjatë diktaturës ushtarake dhe e bënte të detyrueshme privatizimin e pensioneve, asistencës shëndetësore, arsimit e me radhë. Në fund, pas marrëveshjes për rishikimit të kushtetutës, u propozua një referendum për prillin e 2020 (i cili u shty për shkak të koronavirusit). Në vend u vendos një paqe e paqëndrueshme.

Ngjarjet në Kili nuk ishin një fenomen i izoluar; diçka e ngjashme kishte ndodhur më parë në Ekuador. Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) i kishte vendosur Ekuadorit ndryshime strukturore: kjo donte të thoshte taksa të reja dhe heqje e subvencioneve për karburantin. Pas kësaj shpërthyen protesta masive. Popullsia indigjene, e cila ishte tashmë në revoltë, marshoi në mënyrë masive drejt Kuitos, kryeqytetit (episode ky që na kujton vitet ’90 dhe protestat që kishin sjellë në pushtet socialistin Rafael Correa). Protestat kërcënonin të përhapeshin deri në atë pikë sa qeveria u detyrua të transferohej në Guajakuil, duke lënë Kuiton në duart e manifestuesve. Në fund presidenti Moreno (emri I të cilit është Lenin) anuloi programin e FMN-s dhe u kthye në Kuito për të negociuar me protestuesit.

Në vjeshtën e 2019-s Kili dhe Ekuadori ishin të përfshira nga trazirat. Në një situatë të vështirë ishte edhe Bolivia. Forca të pushtetshme të djathta, të mbështetura nga protesta të organizuara, akuzonin presidentin Evo Morales se ka manipuluar rezultatin e zgjedhjeve në favor të tij. Me “këmbënguljen” e ushtarakëve, Morales-i dhe anëtarë e qeverisë së tij lënë vendin për të kërkuar azil tjetërkund. Populli në masë del në sheshe dhe kemi përplasje të grupeve të ndryshme me forcat e rendit. Bolivia mbetet e përfshirë nga trazirat në pritje të zgjedhjeve të reja të cilat do mbahen në qershor të 2020 (të shtyra më pas), ndonëse Morales-it i është ndaluar të kandidojë (siç i kishte ndodhur Lula-s në Brazil përpara zgjedhjes së Bolsonaro-s).

Nga ana tjetër e botës trazirat përfshinin edhe Libanin. Të rinj të frustruar kishin dalë disa herë në shesh, një lëvizje masive që protestonte kundër qeverisë. E njëjta gjë ndodhte edhe në Bagdad, në Irak, mirëpo këtu u vranë dyqind a treqind persona gjatë protestave, të cilat kishin nisur në zona të varfra e të lëna prej vitesh në harresë. Diçka e ngjashme po ndodhte edhe ne Teheran. Në Francë protestat e Jelekëve të Verdhë po vazhdonin (megjithëse me një intensitet gjithnjë e më të ulët) prej më shumë se një viti, duke u ndërthurur së fundmi me protestat antiqeveritare kundër reformës së pensioneve, të cilat kanë shkaktuar mbylljen e Parisit dhe qyteteve të tjera të mëdha për disa ditë.

Protesta qytetare po ndodhin kudo. Po të mund të shikonim nga një anije kozmike prej shumë larg planetit tokë dritën e kuqe të vendeve ku po protestohet, me shumë gjasë do të dilnim në përfundimin që bota është në revoltë. Shtojmë këtu dhe një valë protestash të punëtorëve. Në Shtetet e Bashkuara, për shembull, në vitet e fundit janë shtuar grevat e mësuesve (shumë prej tyre jo zyrtare) në vendet më të pabesueshme, për të kulmuar në Çikago në shtator të 2019-s. Ka pasur greva të mëdha në Bangladesh dhe në Indi dhe disa lëvizje të rëndësishme punëtore (megjithëse vështirësisht të evidentueshme dhe të ndjekshme) në Kinë.

Cili është qëllimi i të gjitha këtyre protestave dhe a kanë diçka të përbashkët? Në të gjitha rastet vërejmë një erë shqetësimi konstante. Fija lidhëse e përbashkët duket sikur është vetëdija që ekonomia nuk po i mban premtimet ndaj popullit dhe vendimmarrja politike është në favor të ultra të pasurve. Ekonomia mbase po funksionon për 1-përqindëshin, për 10-përqindëshin e parë, por nuk funksionon për masat, dhe masat janë gjithnjë e më shumë të vetëdijshme për këtë dhe po dalin në rrugë, protestojnë për të thënë që ky model politiko-ekonomik nuk u përgjigjet nevojave të tyre themelore.

Në Kili 1-përqindëshi kontrollon rreth një të tretën e pasurisë dhe i njëjti problem paraqitet pothuajse kudo. Në rrënjë të problemeve me ç’duket është pabarazia në rritje, çka do të thotë që nuk vuajnë vetëm klasat e ulëta, por edhe klasat e mesme. Çfarë ka që nuk shkon me ekonominë? Në dy apo tre raste, në fakt, në Teheran, Ekuador dhe në Kili, shkëndija që ka ndezur protestat ka qenë e ngjashme: një rritje e çmimit të karburantit dhe kostove të transportit. Për shumicën dërrmuese të njerëzve, të lëvizësh në qytet është jetësore dhe kostoja e lëvizjes është përcaktuese për jetën e tyre. Nëse kjo kosto bëhet e papërballueshme ata që goditen fort janë veçanërisht popullsia me të ardhura të ulëta. Kjo është arsyeja e ndjeshmërisë ndaj rritjes së kostove të karburantit dhe transportit.

Interesant është fakti që shkëndija evoluon, përgjithësohet dhe bëhet sistemike. Protestat nisin për shkak të rritjes së çmimit të transportit publik dhe ushqimeve, në ndonjë rast edhe për shkak të pamundësisë për të përdorur shërbimet qytetase, për të pasur strehim të përshtatshëm me kosto të përballueshme. Kjo është përgjithësisht arsyeja ekonomike fillestare, mirëpo rrallë ndodh që protestat të ndalojnë aty: ato shtohen dhe përgjithësohen shumë shpejt. Ky evolucion mund të shihet në dy mënyra. E para ia atribuon problemet mënyrës së veçantë të akumulimit kapitalist, për shembull neoliberalzimit. Problem sipas kësaj qasjeje nuk është kapitalizmi, por forma e tij neoliberale. Edhe në sektorin industrial ka prej atyre që do të bini dakord dhe do të ishin pro reformave. Kohët e fundit disa grupe ekonomike e kanë pranuar që janë përqendruar shumë mbi eficiencën dhe fitimi, dhe që tani detyra kryesore është t’u bëhet ballë pasojave shoqërore dhe ambientale të veprimeve të tyre. Kjo do të thotë që modeli neoliberal na ka sjellë në këtë pikë, por tani na ka ardhur në majë të hundës dhe duhet të kalojmë në një version me një bazë më të gjerë se ajo e akumulimit të kapitalit. Thuhet se kemi nevojë për një formë të “kapitalizmit të ndërgjegjes”, shoqërisht më i përgjegjshëm dhe më i barabartë. Dhe një prej temave të përgjithshme të këtyre protestave është lufta ndaj pabarazisë shoqërore në rritje. Problemi është forma neoliberale e kapitalit.

Në Kili ky argumentim është shumë i qartë sepse nëse protestat dhe dhuna janë ulur në njëfarë mënyre, kjo varet nga fakti që presidenti dhe parlamenti në mënyrë të përbashkët kanë vendosur të thërrasin një referendum se si të mund ta rishkruajnë sa më mirë një kushtetutë të re, e cila të zëvendësojë atë neoliberale.

Sigurisht ka disa probleme shumë të rënda në formën neoliberale të kapitalizmit që kërkojnë zgjidhje, por nuk jam dakord mbi faktin që problem themelor është neoliberalzmi. Si fillim, ka vende të botës ku kapitalizmi neoliberal nuk është mbizotërues dhe ku sidoqoftë modeli ekonomik nuk funksionon për shumicën e njerëzve. Problemi, për t’i rënë shkurt, është kapitalizmi, jo ky model i veçantë neoliberal. Mendoj se gjithnjë e më shumë po e kuptojmë se është ky thelbi i problemit.

E përktheu Alfred Bushi

Marrë nga libri i autorit “Cronache Capitaliste. Guida alla lotta di classe per il XXI secolo”

Imazhi: Carlos Figueroa

Leave a Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.